Albspirit

Media/News/Publishing

Vlash Fili: Dr. GJEKË MARINAJ – INTELEKTUALI ME PËRMASA BOTËRORE

 

Ishte mesi i vitit 1990, kur një i ri nga Malësia e Madhe, zbriti në Tiranë me një tufë poezish, me mendinin për t’i paraqitur e ndoshta botuar në gazetëm “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kryeredaktor i së cilës ishte Bardhyl Londo, ku paraqiti poezitë e tij me tituj: “Mos ik larg”, “Vonesa e motrës”, “Të paktën në ëndër” dhe “Kuajt”.

Ishte i riu Gjekë Marinaj, i lindur në fshatin Brut të Kastratit në Malësinë e Madhe, në vitin 1965. Ai ishte i bindur për ato që kishte shkruar, por nuk ishte i bindur nëse do botoheshin apo si do të priteshin dhe çfarë reagimi do të kishte.

Kishte hedhur hapat e para në gazetari, kur kishte botuar në disa organe të medias, në fillim në gazetën lokale “Jeta e re” në Shkodër e pastaj më vonë në “Zëri i rinisë”, “Luftëtari” dhe “Vullnetari”. Duke vazhduar si korespondent, filloi t’i drejtohej poezisë, fillimet e të cilave i kishte dhënë qysh në adoleshencë.

Me rritjen e ndërgjegjësimit të problemeve të kohës, poezia e Gjekë Marinaj filloi shpërthimin. Nga që ishte i ndërgjegjshëm për rezikun që mund të sillte publikimi i tyre, poezitë më kontradiktore i mbajti për vete, por në vitin 1990 vendosi të botoi edhe ato. Ishte ky çasti kur Gjekë Marinaj dorëzoi poezitë që përmendëm më parë, për botim në gazetën “Drita”. Binte në sy ajo me titullin “Kuajt”, në të cilën autori i kishte përdorur kuajt si metaforë për popullin shqiptar, i varfër sa s’ka më në ato vite.

Ishin vetëm 21 vargje por që flisnin shumë:

Tërë jetën duke vrapuar rrimë / Shohim veç përpara /

Ҫ’bëhet prapa s’duam t’ia dimë / Ne nuk kemi emër / Të gjithë kuaj na thonë / Nuk qajmë / Nuk qeshim / Heshtim / Dëgjojmë / Hamë atë ç’na japim / Ecim nga na thonë / Asnjë nga ne s’është mendje hollë / Kush qe kalë mbreti / Posti qe i lartë / Kush qe kalë princeshe / I bënë shalë të artë /

Kush qe kal fshatari / Pat samar me kashtë / Kush qe kalë i egër /

Tërë jetën fjeti jashtë /

Por qemë dhe mbetëm kuaj para njeriut.

Më 19 Gusht 1990, në faqen 10 të gazetës “Drita”, në rubrikën “Autor të rinj” botohen të katër poezitë. Reagimi qe i menjëhershëm. Të gjithë që i lexonin thosin se si ka mundësi që “Drita” të botoi këto poezi, sidomos “Kuajt”. Thuhet se ai numër i gazetës “Drita” është shitur në të gjithë vendin, brenda disa orëve.

Kambanat u dëgjuan më vonë për autorin. Pak ditë më pas, një operativ i policisë sekrete, e urdhëron autorin e poezive, të paraqitet të nesërmen në Degën e Brendëshme të Shkodrës. Ishte e qartë se atë do ta dënonin, por ai nuk e mësoi kurrë se sa do ta dënonin.

Të nesërmen, pra më 12 Shtator 1990, 24 ditë mbas botimit të poezisë “Kuajt”, Gjekë Marinaj arratiset duke kaluar lumin kufi midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, në fillim në Malin e Zi. Mbas dy javë izolimi në policinë e Podgoricës, e transferojnë në Sërbi. Atje kalon disa muaj në një kamp refugjatësh në Podinska Skela. Më vonë e vendosin afër Beogradit, në Hotel Avolo, një pikë e konvertuar në kamp refugjatësh nga Organizata e Kombeve të Bashkuar.

Gjatë kohë së qëndrimit në Avolo, kërkoi dhe takohet me Ambasadorin Amerikan Waren Zimerman, të cilit, pasi i tregoi atij një kopje të gazetës “Drita”, ku ishte botuar poezia “Kuajt”, i kërkoi hyrjen dhe qëndrimin e përhershëm në Amerikë. Zimerman i shtrëngoi dorën dhe i afroi mirëseardhjen në Amerikë.

Në Qershor 1991 mbërriti në San Diego, me pak para në xhep dhe pa ditur asnjë fjalë anglisht. Mbas 6 muajve, shpërngulet nga Kalifornia dhe vendoset në Richardson të Teksasit.

Iu dha me vrull shkollimit. Në vitin 2001 përfundon Fakultetin e Shkencave të Përgjithshme në Brookhaven College dhe fiton diplomën të asociur në shkencë.

Katër vjet më vonë, në vitin 2006, përfundon Shkollën e Arteve dhe Shkencave Humane në Universitetin e Teksasit në Dallas, ku mer vleresimin “Magna Cum Laude”.

Magjistraturën e mbrojti në të njëjtin Universitet, në vitin 2008. Tre vjet më vonë merr certifikatën në Studimet e Holokausit nga Qendra Ackerman për Studimet e Holokausit. Mbas katër vjet studime të avancuara në letërsinë botërore dhe artin e përkthimit, Universiteti i Teksasit në Dallas, i akordon Marinaj Doktoraturën në vitin 2012. Disertacioni i tij me titull: “Poezia gojore në kulturën shqiptare dhe vendet e tjera të Ballkanit” miratohet njëzëri nga komisioni.

Sot jeton së bashku me bashkëshorten në Richardson, kohët e fundit shpërngulur në McKinney, pranë qytetit Richardson

Nga viti 2001 jep mësim në Richland Colege.

Është drejtor i Shtëpisë Botuese “Mundus Artium Press”, një botuese e pavarur e letërsisë botërore e themeluar në vitin 1967 në Universitetin e Ohajos. Është gjithashtu redactor i “Mundus Artium”, një revistë e letërsisë Ndërkombëtare të Arteve. Po ashtu, kryen edhe detyrën e kryetarit të Komitetit Përzgjedhës për çmimin vjetor “Genima” për letërsinë, komision që nderon krijuesit e një grupi të rëndësishëm veprash letrare ose një arritje të vetme të madhe letrare që ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e kohës.

Qënga viti 2001ka dhënë mësim anglisht, komunikim dhe letërsi botërore, në Kolegjin e Dallasit.

Si profesor Dr. Marinaj mbikqyr disertacionet e doktoraturave në Universitete të shumta në mbarë botën dhe aktualisht është duke shërbyer, në mënyrë aktive në Universitetin Kombëtar të Uzbekistanit.

Është krijues i Shoqatës së Shkrintarëve Shqiptaro – Amerikanë, ku bëjnë pjesë edhe disa krijues nga Filadelfia, si dhe president i parë i saj. Sot President Nderi i kësaj shoqate. Në fund të vitit 2021, kjo shoqatë festoi 20 vjetorin e krijimit të saj dhe sigurisht nuk mund të mos ishte Presidenti i Nderit. Në këtë festim mori pjesë edhe një grup nga Shoqata “Bijtë e Shqipes”, ku vlerësuan disa anëtar të shoqatës së shkrimtarëve midis të cilëve kishte krijues edhe nga Shoqata “Bijtë e Shqipes”. Të vlerësuarëve nga shoqata jonë patën nderin që çmimin e dhene t’ua dorëzonte vet Dr. Gjeke Marinaj, çka ishte nderi lartë për ata që morën çmimin.

Dr. Gjeke Marinaj është krijues i teorisë së Protonizmit, një teori që me pak fjalë, kërkon të promovojë paqen dhe të menduarit pozitiv, përmes kritikës letrare.

Që nga viti 2017, Dr. Gjeke Marinaj, ka marrë rolin e Komisionerit të Lartë në Departamentin e Shkëmbimeve Kulturore dhe Shkencore, në Këshillin Kombëtar për Diplomaci dhe Drejtësi, një Organizatë e Kombeve të Bashkuara.

Përveç lehtësimit të lidhjeve kulturore midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ai ka udhëtuar shumë në mbështetje të letërsisë dhe paqes në të pesë kontinentet si: në Sërbi, Kroaci, Mali i Zi, Kosovë, Rumani, Vietnam, Irlandë, Itali, Kubë, Korenë e Jugut, Indi, Meksikë, Mbretërinë e Bashkuar, Azerbajxhan, Uzbekistan, Laos, Rusi dhe Etiopi.

Krahas punës së ngjeshur dhe detyrave që kryen, nuk ka hequr dorë asnjëherë nga letërsia dhe botimet në atë fushë si dhe përkthimeve të veprave letrare botërore. Ka botuar një numër të madh librash, sidomos në poezi, për të cilat ka merituar shumë çmime dhe dekorata nga mbarë bota. Ndërkohë, poezitë e Dr. Marinajt janë përkthyer në katërmbëdhjetë gjuhë anëkënd botës. Vetëm poezia “Kuajt” është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të ndryshme. Teoria e tij kritike, e quajtur Protonizëm është vlerësuar në të gjitha vendet ku është shpërndarë.

Nga Korea e Jugut në Kazakistan, nga Rumania në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga India në Etiopi, nga shtetet e ish Jugosllavisë në Meksikë, njihet emri, ndihet zëri, përkthehen dhe lexohen veprat dhe sidomos poezitë e poetit, shkrimtarit, përkthyesit dhe kritikut letrar, shqiptaro – amerikanit të shquar, Dr. Gjekë Marinaj, nga ku është vlerësuar lartë.

Në Shqipëri, në vitin2001, i jepet çmimi “Pjetër Arbnori” për letërsinë, nga Ministria e Turizmit, kulturës, Rinisë e Sporteve.

Në vitin 2011, mbasi u botua artikulli i parë i teorisë së Protonizmit, në librin e tij “Protonizmi nga teoria në praktikë”, Grupi Nacional i Mediave në Tiranëi jep çmimin “Albania BookerMan” për letërsinë.

Nëvitin 2016, Qeveria Shqiptare i kordon “Ambasador i Kombit”.

Në vitin 2021 i jepët çmimi “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe”.

Në vitin 2003, i jepet çmimi “Pena e Artë” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë.

Në vitin 2005 dhe 2019 i jepen dy çmime “Insignia” nga Shoqata e Shkrimtarëve të Vietnamit, me një citim të veçantë “Për Kauzën e Letërsisë dhe Arteve të Vietnamt”.

Në vitin 2019, në Itali, i jepet çmimi “Autor Ndërkombëtar”.

Po në këtë vit, në Uzbekistan, çmimi “Poet i botës”, në Hindi, çmimi “Poet Botëror” dhe çmimi “Mirënjohës” nga Shoqata Ndërkombëtare për Studime dhe Kërkime Ndërkombëtare.

Në vitin 2020, në Korenë e Jugut, i jepet çmimi Ndërkombtar për Letërsinë “Suwon KS’.

Po në këtë vit, në Bengalin Perëndimor, i jepet çmimi “Mirënjohje për Poetin Botëror”.

Në vitin 2021, përsëri në Korenë e Jugut, i jepet çmimi Ndërkombëtar për Letërsinë “Changwon KC”.

Në vitin 2019, në takimin e Paqes të Mendimtarëve dhe Shkrimtarëve Botëror mbi Krizën Planetare dhe Ҫlirimin Njerëzor, në Kalkuta të Hindisë, Shoqata Mbarëkombëtare për Studime dhe Kërkime Ndërkombëtare, nderoi me çmimin e tyre letrar, hulumtimet e Dr. Gjekë Marinaj për Paqen përmes Letërsisë.

Ndërkohë poeti Gjekë Marinaj është nominuar disa herë për çmimin “Nobel” për letërsinë.

Përveç sa më sipër, kohët e fundit Dr. Gjekë Marinaj, i janë dorëzuar dy dekorata ndërkombëtare, njëra nga Rumania dhe tjetra nga Kazakistani.

Sipas një njoftimi për mediat, më datën 7 Gusht 2022, botuar në internet, në një numër portalesh në anglisht, “….. në Maj të vitit 2022 Dr. Gjekë Marinaj, një poet, shkrimtar, përkthyes dhe kritik letrar Shqiptaro – Amerikanë, banues në rrethinat e qytetit të Dallasit në Teksas të Shteteve të Bashkuara, është dekoruar nga entet letrare dhe kulturore të Republikës së Kazakistanit dhe Rumanisë”.

Në qytetin Turkestan të Kazakistanit u celebrua dorëzimi i dekoratës Dr. Gjeke Marinaj, për shkrimet e tij dhe kontributin në fushën e kulturës botërore. Zhibek Iskakova, kryeredaktore e revistës “Kazakistani i mrekullueshem – 2050”, u shpreh në këtë ceremoni: “Gjekë Marinaj është poeti për të cilin po pret bota. Unë besoj se asnjë shpërblim nuk është i barabartë me kontributin që ai ka dhënë dhe jep letërsisë modern botërore. Ai është me të vërtetë një poet që ka pushtuar botën me krijimtarinë e tij”.

Në Rumani, kjo dekoratë u jepet figurave të shquara rumune dhe të huaja në fushën e kulturës, letërsisë dhe Arteve. Në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës Profesoresha Clara Maria Constantin u shpreh: “….Ishte një nder i madh për të gjithë banorët e krahinës Caras – Severin, për të pritur një person të këtij kalibri, ndaj të cilit planeti ynë, i ka borxh atij për punën që ka bërë”

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka theksuar se: “Gjekë Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptar të kohës dhe kjo do të thotë, se ai zë vend midis poetëve më të mirë europianë….”

Ndërsa në një shkrim të gazetës “Shekulli”, Gjekë Marinaj renditet ndër shqiptarët më të famshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas gazetës italiane “Da Bitondo”, “Teoria e Protonizmit e Marinajt, e aplikuar në politikë, në jetën shoqërore, në edukimin e brezave të rinj, mund të krijojë një revolucion jashtëzakonisht të bukur dhe të rëndësishëm, sepse ku ka jetë ka bukuri, ku ka bukuri ka poezi, dhe ku ka poezi ka liri dhe liria është motor i pozivitetit njerëzor”.

Ja pra të dashur motra dhe vëllezër, ky është Dr. Gjekë Marinaj, që sot ka nderuar shoqatën tonë, duke qenë i pranishëm midis nesh.

Do ta mbyll këtë ligjëratë duke huazuar Doktoreshën rumune, Clara Maria Costantin, por duke ia përshtatur shoqatës sonë:

Është një nder i madh për të gjithë anëtarët e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, që pritëm sot një pesonalitet të këtij kalibri, ndaj të cilit shoqëria jonë i ka borxh për punën që ka bërë.

Filadelfia, 6 Janar 2024.

————————————–

VLASHI FILI-CV

Autori VLASHI FILI, i lindi në vitin 1941, në qytetin e Kuçovës. Studioi dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës, në vitin 1964, inxhinier për shpimin e puseve të naftës e gazit. Më tej, ai punoi në këtë sektor për 16 vite radhazi, herë drejtëpërdrejtë në turnet e punës së shpimit dhe herë specialist e studiues në Institutin e Naftës. Gjatë asaj kohe, publikoi projekte, artikuj shkencorë e përmbledhje studimesh, duke dhënë kështu ndihmesën e tij të çmuar, në këtë sektor. Por fati nuk e ndoqi gjatë, pasi në vitin 1980 ai arrestohet e dënohet, padrejtësisht, me 15 vite burg, me akuzën absurd, si “fajtor” për shpërthimin e pusit Ca-37 të naftës. Por ai vuajti vetëm 6 vite burg: në Bulqizë, Qafë Bari, Batër (Martanesh) dhe Spaç (Mirditë), pasi, në vitin 1986, përfitoi nga amnistia.

Pas vitit 1986, Vlashi kthehet përsëri për të punuar në sektorin e naftës. Ndërsa, prej rreth 25 vitesh, së bashku me djalin e tij, Artanin, emigrojnë familjarisht në SHBA. Pra, jeta e tij është jeta e një njeriu,, e mbushur me ëndrra, sakrifica, dhimbje e gëzime, humbje e fitore, tradhëti e besnikëri, bashkë.
Një periudhë mjaft intensive pune e krijimtarie e këtij autori, ishte ajo pas ardhjes së tij në Amerikë, e shoqëruar edhe me disa tituj nderi e vlerësime mirënjohjeje, nga organizma e shoqata të ndryshme, në diasporë, por edhe në Atdhe. Kështu, Bashkia e qytetit të Kuçovës, në vitin 2000, i dha titullin “Njeriu i Vitit” dhe, pas tij, “Nderi i Komunitetit” e “10 vjet në shërbim të Komunitetit”, në Filadelfia (dhnë në vitet 2006 e 2012, nga Shoqata “Bijtë e Shqipes” ). Është fitues i pesë çmimeve, në konkurset letrare të revistes “Kuvendi”, në qytetin e Detroidit, në Miçigan ( në vitet: 2007, 2009, 2013 e 2016), si dhe në Nju Jork (2016) e disa të tjera.

Vlashi Fili ka dhënë ndihmesën e tij të madhe, në detyrën e sekretarit të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, që nga krijimi i saj, dhe pë një kohë si zëvendëskryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me qendër në Nju Jork.

E pasur është edhe krijimtaria e tij. Deri tani, ka botuar rreth 20 libra të gjinive të ndryshme, si: poezi, tregime, novela e romane. Ndër ta, po përmendim: “Njerëz të Mirë” (tregime dhe novela), “Guva e Pyllit” (roman), “Dallgët” (roman), “Magjia e fjalës” (tregime}, “Zemër Nëne” (roman), “Pëllumbat e Burgut” (Rrëfenja), “Magnet”,Rrëfime autobiografike,”Gëzimi I fëmijës”,(Rrëfenja),”Shpërthimi”,Tregime e novela,”Heronjtë e Teknikumit”etj. Në përgjithësi, librat që kanë autor Vlashi Filin, nuk janë krijimtari thjeshtë letrare, shpërthyese të ideve e fantazive të tij. Por ato kanë një subjekt real, mbështeten në ngjarje e histori reale, që autori ka kaluar ose njohur gjatë jetës së tij. Ato i jepen lexuesit me një gjuhë të thjeshtë, të ëmbël e të kuptueshme, duke e njohur atë, me ato gjëra negative dhe pozitive, që e kanë shoqëruar jetën, jo vetëm të autorit, por edhe të tjerëve, në periudhën e diktaturës.

Please follow and like us: