Albspirit

Media/News/Publishing

Zija Basha: Xha Manthua dhe çeta e Çerçiz Topullit

Ishte fundi i gushtit 1973. Një mbasdite shkova në fshatin fqinj Derviçian. Kisha porositur një palë këpucë tek këpucari Jani Krokari. Më tha të prisja dhe një orë. Shkova tek miku im elektricisti Miço Mano në shtëpi. Pas gjysmë orë dolëm të dy për shëtitje në sheshin në qendrën e Dervicianit. Vura re se po vinte përballë nesh një burrë me trup mesatar, me kostum të zi, me kapele cilindër si të Uiston Çërçillit, me një bastun të zi që e mbante në dorë. E pyeta Miçon:

-Kush është ky mo Miço?

-O, është një amerikan që ka ardhur tani.-u përgjegj Miçua.

Kur u afrua largohet nga krahu i kundërt i rrugës dhe u drejtua drejt nesh. Mu drejtua mua e duke më parë drej në sy më pyeti:

-Mos je nga Lazarati ti?

-Po.-i thashë.

-I kujt je?-më tha.

-I Xhevdet Bashës.-ju përgjegja.

-Gjyshin, gjyshin, kë ke gjysh?

-Asllan Bashën.

-O, vëllai i Dervishit, Selmanit e Qamilit. Qamilin e kam pasur vëllam me kordhë siç është zakoni. Se unë jam nga Kollorca, shqiptar. Ikëm më 1913 se Xhevit Pashai që mblidhte ushtarët e mbetur turq rrugëve vuri shtabin në Kollorcë e s’na lanë gjë pa marrë. Mbetën pa bukë e thërrisnin në çdo shtëpi “ekmek”, ”ekmek”, bukë, bukë. Fshati Kollorcë qe i gjithi fshat shqiptar i krishterë e shkuam në fshatrat e krishterë si në Suhë, Palokastër, Dervician, Goranxi deri në Zagori të poshtme.

Pastaj më shtërngoi dorën fort përzemërsisht e u largua. Unë u ndava nga Miçua e shkova te kepucari. Nuk kaluan as 5 minuta kur te dera e dyqanit u shfaq përsëri burri me kostum të zi e me cilindër në kokë.

-Erdha prap, Jani.-i tha këpucarit.

-Se me babanë e Janit, mor djalë unë kam qenë një kohë të gjatë në Notio, (kryeqyteti Argjentines Buenos Aires). Pastaj shkova ca kohë në Nevjork, në Llondon e shumicën e kohës në Sidnei të Australisë. Kam 52 vjet që kam ikur nga vendlindja e erdha të vdes në shtëpi pranë njerezve te mi te dashur. Djalin e lashe 17 vjeç e sot ka martuar edhe fëmijtë. Po nuk gjeta plakën. Ka 6 muaj që ka vdekur e kjo më merakos.

-Po sa vjeç je-i thashë.

-Isha 40 vjeç kur ika e tani jam plot 92 vjeç.

-Ti flet një shqipe të kulluar.-i thashë

-Kudo që shkova edhe ëndrrat shqip i shikoja e në Kollorcën time bëhesha në gjumë, me njerëzit e mi të dashur.

U habita e nuk u besoja syve. Qe i bëshëm e me fytyrë pa asnjë rrudhë, i zhdërvjelltë në lëvizje e betoheshe se që rreth të gjashtëdhjatave. Si pagova këpucarin mora këpucët e dola, por edhe xhaxhai erdhi pas mua. Më kapi nga krahu e më tha:

-Nxitohesh për në Lazarat apo të llafosemi një çikë këtu se kam shumë mall për Kollorcën e Lazaratin se aty jam rritur.

-Mirë shkojmë pimë kafe në klub -i them.

-Jo, jo se atje ka muhabete. Le të rrimë këtu në sufatë e kafenesë së kishës.

-Pse kjo ka qenë kafenë e kishës?

Po tamam. Siç ka qenë është, po tani e mbyllur.

U ulëm në sufate e klubit të kishës e vazhduam bisedimin.

-Si e ke emrin se nuk të pyeta më parë?

-Unë jam Mantho Paçua nga Kollorca. Më foli me respekt për të parët e mi dhe i emocionuar përmendi vëllamin e tij Qamil Bashen duke treguar episode që kishin kaluar së bashku. Më tregoi për kollorciotët e gratë e vajzat e tyre të bukura punëtore, por edhe trimëresha. Kollorciotët ishin si lisa, trima e bujarë. E njeh Shomo Ngjellon, ashtu si ai janë.

-Po, kemi marrëdhënie miqësore dhe djemtë ashtu i ka trupmëdhenj, të bukur, besnikë e puntorë.

Po këtu mo djale unë kam një kujtim të paharruar me Çerçiz Topullin e trimat e tij. Çerçizin e pashë dje në Gjinokastër në statut. I gjallë. Qava kur e pashë. Rroftë kush e bëri.

-E ka bërë Odise Paskali nga një fshat i Përmetit. E derdhi në Itali. Ka bërë edhe statujën e Skënderbeut në mes të Tiranës. Rron edhe sot.-i përgjigjem.

Këtu ku rrimë unë e ti kam takuar Çerçizin me trima. Dhe filloi rrëfimin:

-Atë ditë marsi u ngrita herët me natë molëm dhentë, qumështin e hodha në dy bidonë me pafille, ja vura mushkës për ta shpurë në restorantin e Nasho Millos në Dervician. Isha nga mbrapa këtij muri kur dëgjova zëra burrash që llafosnin shqip, bënin shaka e qeshnin. Dola nga përroi te ky sheshi dhe u fola si qenë gdhirë. Më kthyen përshëndetjen. Njoha Asllan Bashën, kryeplak i Lazaratit, Foto Litin, kryeplak i Dervicianit dhe ekonomatin e manastirit Dervicianit Spiro Diamantin. Të tjerët qenë me guna dhe me mjekra. Ishin 7 vetë. Bëra disa hapa dhe Asllani më tha:

-Mantho, prit pak! Mu afrua e më tha të shpija qumështin tek Nashua e të vija aty se kishte një porosi. Ashtu bëra Kur u ktheva më erdhën përpara Asllani, Fotua e një djalë i gjatë, lastar, i bukur, me mustaqe të hollë, me sy të mëdhenj, me mollëzat e faqeve të kuqe, fytyrë qeshur e kur qeshte i dukeshin dhëmbët e bardhë e të rregullt një e një. Asllani më tha:

-Sonte, kur të biesh qumështin te Nashua, do të shkosh në guvat e Burdës se atje pranë kishës së varrezave të presin këta trimat. Nuk janë çakerxhi, (kusarë turqisht) jo. Janë të mirët e maleve, trimat e maleve, të na i ruaj perëndia. E kupton ti. Do të vijnë me ty afër darke, do t’i shkosh nga zalli zi e do t’i shpiesh tek kisha juaj e shën Gjergjit. Ushqeji e të bësh si të thonë këta. Ne do të shpërblejmë.

-Tani e prishe fare. Po janë nga ata s’ka shpërblime.- thashë i inatosur. Qeshën të tre dhe më mbështolli Çerçizi në kraharor.

Çerçizi nxori nagantin me 10 fishekë dhe rrëzoi një nga degët e këtij rrapi, e trashë si qafa e dorës.

-Po gjyshi im mo xha Mantho e rrëzoi? Qeshi e tha

-Gjyshi yt e tundi, por nuk ra dega.

U përshëndeta me ta dhe shkova përsëri në shtëpi në majë të bregut të Kollorcës. Mbasdite shkova në Dervician të çoja qumështin e të mirrja të mirët e maleve. I pashë në guvat e Burdës dhe kur u ktheva më shoqëruan pas e larg të ndarë dy e nga dy sa më larg rrugës së Janinës. Arritëm në kishën e Shën Gjergjit. Unë shkova në shtëpi për t’u sjellë ushqim e ata bënë qitje me revole e pushkë në Gropën e Priftit në rrëzë të ledhit të lartë. Mëmës i kisha lënë porosi për të bërë 3 bukë të norme e ajo e Cingës dhe Ngjellos nga dy bukë secila. Në darkë mora dy kusi me kos dhe u nisa për te trimat e pas meje erdhën dy djemtë më bukët një djalë nga Priftajt e një nga Xhanarajt. Natën me Jorgo Cingën therrëm një berr dhe e poqëm në dy sece për tua vënë në torba për të nesërmen.

U ngritëm me Jorgon me tre sahat nate molëm dhentë e ngarkuam mushkën për Gjirokastër tek Hani Stavros siç më porositi Asllani. Shenja me trimat qe tundja e ziles së mushkës e çikat e zjarrta të urorit. Trimat erdhën shpejt dhe unë u ndava mishin e pjesëtuar që e vura në një rrobë në shesh me ndihmën e Jorgos. U nisëm drejt Gjirokastrës nga Leknjazi, Zallit të Zi përpara teqesë e u sosëm në kalldrëmin e bregut të Martinit për në lagjen Cfakë. Para se të kalonim urën e bukur të Cfakës Çerçizi na ndali e tha: Në krye të urës ne do ndahemi Manthua, Hitua e Barjami do të venë te Hani Stavros. Unë Çerçiz Topuli, Mihal Gramenua, Abaz Kolonjari (Nivica) Zeman Mashkullora e Hajredin Përmeti do të shkojmë nga Mitropolia e përposh drejt e te vendi. Qe natë e vetëm Zemanin njihja cili qe. Në krye të kalldremit, si kaluam urën u ndamë duke u përqafuar të tërë. Unë me Hiton e Barjamin dolëm në sheshin e peshakatarit dhe aty na dolën tre ushtarë turq roje që na ndaluan e unë u fola shqip: Ejani pini nga një kapak qumësht e na lini të vemi në hallin tonë. Pinë qumeshtin e na lanë të ikim. Nuk na doli njeri përpara deri tek Hani Stavros. Kur arritëm në han të dy më thanë në një gojë:

-Shpejt, Mantho vëllai, lë qumështin e largohu shpejt. U gdhi mirë dhe unë lash qumështin, mora mushkën dhe ika për në Kollorcë me mataratë bosh. Kur po dilja nga lagja Cfakë, tek kalldrëmi Bregut të Martinit plasi dyfeku. Arrita në shtëpi pa takuar njeri dhe atë ditë nuk fola me njeri asnjë fjalë, por rrija si mbi gjëmba se mos më vinin e më arrestonin. Të nesërmen më thanë se qe vrarë bimbashi turk Halil Bej Gusinja, një shpirtkatil boshnjak që e kishte plumbin hak. Atë ditë porosita mëmën e miqtë e mi komshij e të afërm që të mos flisnin asgjë për trimat e kishës së Shën Gjergjit të Kollorcës që i panë me sytë e tyre kur bënin qitje. Një javë më vonë plasi lufta në Mashkullorë që na la një dëshmor, atë djalin e njomë nga Përmeti. Mu në sy e kam. Eh! I ka lufta këto. Pas ca ditësh doli kënga:

Te rrapi në Mashkullorë

Foli Çerçizi me gojë

Mulazim, largo taborë,

Leri djemtë e mi të shkojnë

Se të bëj të kuq me bojë.

E bëri një djalë nga Golemi i burgosur në kala.

-Këndohet shumë në çdo trapez e dasma, xha Mantho.

-Po do këndohet sa të rrojë Shqipëria, mo djale, se ata qenë të mirët e maleve shqiptare. Po këtë këngë e këndojnë? Dhe filloi qetë-qetë:

Asqerë nga Janina vijnë.

Rrethosnë lagjen e xhaminë,

Ku e ka Çeçua shtëpinë?

Vadhahi që nuk e dimë.

Kadhauz vuri dulbinë.

Ja komitat se ku rrinë.

Në teqe me Qiparizë.

Baba Mania me Çerçizë.

Si më tregoi këto gjëra xha Manthua u përlot. Aq shumë më emocionoi sa nuk mbaj mend asgjë se çfarë fjalë të ëmblë e përgëzime i fola sa ai u përteri i tëri e më mbështolli në kraharorin e tij të gjerë si të isha biri i tij Mihua. Kur e kujtoj këtë çast them me vehte paskam qenë me fat që nuk mu nda xha Manthua deri sa më bëri të fluturoja nga gëzimi për ato që më tha për trimat e maleve me fletë që i sollën pavarësinë Shqipërisë. Çerçiz Topulli, Mihal Gramenua, Barjam Prongjia, Hajredin Tremishti, Abaz Nivica Hito Lekdushi, Zeman Mashkullora bënë epopenë e Luftës së Mashkullorës 110 vjet më parë e ngelën në altarin e atdheut përjetë. U prehshin në paqe trimat e Shqipërisë! U prehtë në paqe Mantho Paço Kollorcioti që ndihmoi trimat në kohë të vështirë!

Please follow and like us: