Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Wandrille Potez – pelerini modern i tokës shqiptare

Ishte hera e parë që francezi Wandrill Potez hapte një ekspozitë fotografike edhe pse profesioni i tij lidhet me historinë dhe qytetërimet dhe në vijim të studimeve të tij edhe me letërsinë, arkeologjinë por dhe me pianon. Emri i tij është emri i një shenjti normand, Wandrill, nga një fshat i Normandisë, Wandrill, ku ende është një manastir benediktin, i themeluar që me 680 dhe i djegur e shkatëruar dy herë, ku herën e dytë gjatë Revolucioni Francez. Në hapjen e ekspozitës në Maison de l’Albanie ku folëm gjatë për personalitetin e tij dhe botimet mjaft interesante që cekin pasuritë e koleksioneve të Luvrit, Champigny apo qendrave historike gjermanike (mes tyre dhe një botim mjaft interesant për pikturën e piktorit të madh Cranach i Vjetri (Cranach l’Ancien) mbrëmë erdhi dhe miku i tij, ish ministri francez i Kulturës Frederic Mitterand. Madje kishte qenë një telefonatë e tij që i entusiazmuar më tregonte për udhëtimin e Potez të sapo kthyer nga Shqipëria. Ajo që ishte e veçantë në përurimin e ekspozitës ishin dhe francezët e shumtë të mbledhur për të pare këtë ekspozitë. Disa prej tyre kishin qenë në Shqipëri, madje Potez mi tregonte me rradhë shumë dashuri, e mes tyre Guillaume, i cili e kishte shoqëruar nëpër male deri në shkrepat e malin e Lunxhërisë dhe pastaj i ishte dashur të kthehej. Por mes tyre ishin shumë që përmes fotografive dhe tregimeve të Potez zbulonin një Shqipëri tjetër, atë të mikpritjes dhe bukurisë natyrore, atë të pasurisë së trashëgimisë kulturore. Dhe në gjithë ata njerëz ndjehej simpatia për Shqipërinë, dëshira për të ndërmarrë udhëtime të ardhshme në këtë vend të panjohur për ta.
“Një pinjoll i Herodotit të lashtë”
———
Wandrille Potez është një historian arti, studjues, fotograf por dhe një bohem i kohëve moderne, i cili siç duket ndjek modelin e tij të lashtë të Herodotit aksioma e të cilit ishte se për të shkruar historinë e një populli, vendi apo kontinenti duhet ta shkelësh atë. Dhe ai ka marrë si të thuash « shkopin » e pelerinit për të njohur botra të panjohura më parë. Është i ngjashëm gjithashtu dhe me filozofin, poetin dhe mitologun francez Jacques Lacarriere, i cili, siç më thoshte disa vite më parë, edhe pse në moshë të thyer, kishte hallin të operonte gjunjtë pasi donte të udhëtonte gjithnjë. Që në rininë e tij ky përkthyes i Ricosit, i cili la amanet që pas vdekjes ti hidhesh hiri i tij në detin e Egjeut, ai vetëm ecte, udhëtonte veçanërisht në Ballkan, banonte me fshatarët dhe peshkatarët e ishujve të Greqisë apo Anadollit dhe kështu zbuloi artin e madh dhe filozofinë e thjeshtë të jetës dhe të botës. I ngopur nga bukuritë e Perëndimit, prej vitesh, Potez i është drejtuar popujve të tjerë : në fillim ishte Europa Qëndrore e pastaj Ballkani. Interesant itineraret e tij gjatë viteve 2016 – 2020, nga Dresden në Krakovi, 2016; nga Trieste në Athinë, 2017; nga Munih në Salzburg, 2018; nga Budapesti në Stamboll, 2019; në Bade-Wurtemberg, 2020, pastaj në Piémont; nga Sofia në Athinë, 2021; më pas « Udhëtim me biçikletë : nga Mali i Shenjtë Athos në Tiranë (2022), dhe përsëri në Shqipërinë e jugut me këmbë, 2023. Duke udhëtuar nëpër Ballkan, ai kishte udhëtuar gjithashtu me biçikletë drejt Stambollit dhe ku udhëtimi nëpër shi dhe erë kishte qenë diçka tepër e vështirë. Por më 2022 udhëtimi drejt Shqipërisë i la mbresa të mëdha. Bashkë me një mikun e tij, të dy me biçikleta ata e rrahën vendin buzë Adriatikut nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim, duke vizituar gjithashtu dhe Ohrin e Prespën. Ky udhëtim, një vit më vonë, e nxiti ti rikthehej përsëri Shqipërisë, kësaj rradhe do të udhëtonte në këmbë dhe përsëri me një mikun e tij, i cili në mes të këtij itinerari do ta ndërpriste udhëtimin e tij, por Wandrille do ta vazhdonte i vetëm. Kështu ata zbritën me avion në Janinë dhe që andej morën në drejtim të kufirit shqiptar, ngarkuar më çantat e tyre mbi shpinë dhe aparatin fotografik. Nga Muzina dhe lugina e Drinos, në Dhovjan me kishat e bukura përreth, udhëtimi vazhdoi me pasionin, energjinë dhe entuziazmin e një pikëtakimi të veçantë human. Duke iu ngjitur maleve përballë Gjirokastrës dhe duke iu drejtuar malit të Lunxhërisë, pas Sheperit ai ndaloi në qytezën antike të Antigoneas duke fotografuar pamjet e mrekullueshme të rrafshinës poshtë. Më tregoi për Stegopulin, fshatin Sheper ku dhe fotografoi, e më pas për fshatin e Saraqinishtes, që është pothuaj në majëmal e ku fare në majë është një manastir i vjetër e i braktisur, mbi shtëpinë e Vaso Bakulit, një fshat që e kisha vizituar po atë periudhë dhe ku kishim fjetur tek i njëjti mik, por pa mundur të takoheshim? Koinçidencë sepse kishim parë të njëjtat kisha të këtij fshati.
“Monument Kulture”
———-
Ashtu si mua, edhe atij i kishte bërë përshtypje gjendja e mjerë e atyre kishave të vjetra dhe të braktisura, me afresket e rrënuara nga shiu, tavanet e rënda dhe të hapura vende-vende, me dyshemenë gjithë pluhur me gurët e hequr, e që në hyrje kishin shkrimin « Monument Kulture » edhe pse ajo që quhet Kulturë nuk ekzistonte asgjëkundi në ato skuta mbushur me gurë, me ikona dhe ikonostase të shpërfytyruara. Wandrille është një fotograf me sqime dhe shije të veçantë dhe me aparatin e tij fotografoi shumë afreske, mjedise kishëtare, kupola apo harqe nën të cilat ishin pikturuar afreske të artit bizantin nga artistë me një prirje arkaike dhe naive por plot sharm në dhënien e tipologjive të tjera të figurave kishtare. Pikërisht ajo dhe na pëlqen pasi nuk është si në kishat e mëdha ku ikonat apo afresket ngjasin shumë me njëra-tjetrën apo janë pothuaj të njëjta. Pas 30 vjet e më shumë të ndryshimeve politike kishim shpresuar që qeveritë e njëpasnjëshme do të vendosnin dorë edhe në kishëzat e vogla dhe të harruara në ato kreshpa e male por që ruajnë ende thesare, por kjo ka qenë si duket privilegj vetëm i qyteteve të mëdha, duke lënë në harresë këtë trashëgimi të madhe që padyshim do ti shërbente një ditë jo vetëm dëshimisë së zhvillimit të artit bizantin në Shqipëri por dhe turizmit. Turistët një ditë do të velen me të njëjtat site, qyteza antike, kisha, etj ., dhe do të duan të zbulojnë diçka tjetër, atë të maleve, të trashëgimisë historike e kulturore, të jetës baritore. Por sigurisht, bosët e korupsionit, tavolinat e pafund të logoresë së debateve politike kanë më rëndësi për jetën shqiptare ?!
Wandrille e adhuron artin bizantin dhe jam i sigurt që do të shkruaj një libër mjaft interesant për udhëtimet e tij shqiptare. Pas kapërcimit të maleve të Lunxhërisë e Cajupit, duke zbritur poshtë, ai do të ngjitej përsëri drejt maleve të tjera drejt Përmetit që shfaqej tutje në horizont. Tashmë është jeta baritore që e tërheq. Dhe barinjtë e pranojnë mes tyre me një gëzim të habitshëm. Ai ha bashkë me ta, flë mbi gunat e leshta, ruan delet një çast, flet me ta disa fjalë shqip dhe disa fjalë italisht. Por komunikimi është mjaft i lehtë dhe rakia e ëmbël për ta. Peizazhet fotografike të tij janë të mrekullueshme : thepisje, kreshta të larta, pemë të vetmuara, ullinj të vjetër qindra vjeçare nën re të vrenjtura, dhi dhe dele dhe herë pas herë, kisha, afreske, ikona të lëna aty për ndonjë besimtar të vonuar. Bylis, Apolloni, fragmente të kohës romake, harruar diku në një kënd të kishës s’dihet si, s’dihet pse. C’bëjnë vallë aty ? Ato janë blloqe guri a mermeri me pamje të florës, që bien në sy për imazhet e tyre të mrekullueshme? Vallë flenë në gjumin e gjatë? Kush interesohet për to? A nuk duhet që këto fragmete të gjejnë vendin e tyre ku janë krijuar dikur? Ai më tregoi interieret e fotografuara të një kishe në Buall të Përmetit, jo larg kishës së famshme të Leusës, ku afresket e Buallit të vinte për të ardhur keq. Sidoqoftë, ai vazhdonte plot pasion udhëtimin e tij të palodhur dhe pasionant. Një ditë, kur kishte shkuar në Apolloni dhe në mbrëmje duhej të flinte, ai ngriti tendën e tij në fushën pranë qytezës arkeologjike. Miku i tij Mitterand, e kishte paralajmëruar se në Apolloni duhej të bënte kujdes se ka shumë akrepa dhe gjarpërinj. Dhe pikërisht kjo do të ndodhte. Këmba e tij e zbathur u pickua nga një akrep dhe trupi i tij u nxeh, këmba iu fry. Një çast mendoi se do të vdiste. Askush s’mund ti vinte në ndihmë, duhej të priste mëngjesin. Por shpejt e kuptoi se pas disa orësh këmba po ç’fryhej dhe ndjehej më mirë. Kështu ndodh me pelerinët e Herodotit. Kur ma tregoi këtë mu kujtua një histori e arkeologut francez Leon Rey i cili, në vitet ‘30 ne Apolloni ishte dhe një lloj doktori për fshatarët dhe pikërisht një ditë kishte shpëtuar një fshatar nga vdekja e sigurtë si pasoje e pickimit nga një gjarpër.
Mikut francez Potez i pëlqen shumë jeta baritore, njerezit e thjeshtë dhe trashëgimia kulturore e « periferisë », pra e fshatarve, maleve, thepisjeve. Por ndryshe nga Shqipëria, ku miku i huaj gjen një mikpritje proverbiale, ai më tregon sesi « ngritja e tendës, në udhët e Hungarisë shihej me sy të vëngër pasi e merrnin për rom. Ai më tregon për udhëtimin e tij në Malin e Shenjtë të Athos, ku ëndërroj të shkoj një ditë ku ai vizitoi manastiret e famshme të gati njëmijë vjetëve më parë, e ndërkohë unë i flas për udhëtimet e konsujve francezë në veri e në jug gjatë shekullit XIX, për Nimfeun e Apollonisë, Guilleron dhe Rey, për epikën legjendare shqiptare apo Currajn e Epërm me pamjen e jashtëzakonshme që të dhuron nga lartësia e 2500 metrave. Biseda me mikun francez është një kënaqësi e veçantë, fotografitë mjaft sugjestionuese. Dhe nuk është e habitshme që intelektualë të tillë e duan thellësisht Shqipërinë. Madje u vjen keq për atë pjesë të trashëgimisë së vjetër të lënë pas dorës.
Wandrille është jo thjesht një apasionues i fotografisë artistike por dhe një fotograf i shkëlqyer: Peizazhe të mrekullueshme me ngjyra dhe në bardh e zi, me kompozime të spikatura dhe me kontraste në dritë-hije të interiereve të kishave. Fotografi të Butrintit, Bylisit, Antigonesë dhe Apollonisë të sjella në këndvështrime të reja. Kësaj rradhe fotografitë mbijetuan, dhe duke qeshur ai më tregon sesi në kthim nga Mali i Shenjtë Athos, ku fotografoi manastiret e mrekullueshme mijëvjeçare, murgjit që jetojnë atje dhe botën religjioze që gjallon, një ditë, në një kafene të Parisit, ku kishte çantën me disqet dhe aparatin fotografik, çanta iu zhduk. Më kot shpresoi se dikush një ditë do ti telefononte dhe do t’ia kthente ato fotografi aq të rralla për të, por më kot shpresonte. Kësaj rradhe, fotografitë shqiptare ai ishte krenar ti ekspozonte.
Mendoj për udhëtimet e tij me aparatin në dorë dhe padyshim imagjinoj atë botë të veçantë aq të thjeshtë e humane, aq të pasur historikisht dhe me një trashëgimi kulturore të madhe, që i është shfaqur në çdo hap të tij. Që tani ai mendon për udhëtimin e tij të ardhmë : veriun shqiptar, takimin me varret e vjetra të shekujve VI e këndej, me Komanin dhe vendet e miteve të lashta shqiptare.
Dhe gjithnjë në këmbë ky pinjoll i vërtetë i Herodotit !…
Please follow and like us: