Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Xh. Dëshnica: Mësimi i gjuhës ruse

 

Thuajse, gjithë të huajt, qofshin edhe profesorë, ndër ta, grekët e italianët sidomos rusët nga Moska, e kanë tepër të vështirë ta mësojnë shqipen, pa le ta zotërojnë. Ndërsa shqiptarët, me përjashtim të rusishtes, i mësojnë gjuhët e huaja lehtësisht, sepse gjejnë në ato gjuhë fjalët shqipe të shpërndara, qysh nga lashtësia.

Aty nga vitet ‘50, shumë pedagogë u dërguan nga Moska, t’u mësonin rusishten, nxënësve e studentëve shqiptarë. Asnjë nga pedagogët nuk dinte shqip. Njëri prej tyre, Nikitin Ivanoviçi, teksa shpjegonte gramatikën ruse, duke parë fytyrat e habitura të nxënësve i qortonte në shqip:

-Ju nuk mësoi mirë, ju nuk me pas koka, këtu klasa, ju me pas koka bulevardi,

Pastaj i  porosiste:

-Ju  me mbajt shënim, s’ka fletore merr gazeta.

Më vonë Nikitin Ivanoviçi do të largohej për arsye të ngutshme vetiake.

-Tek unë ka sëmurë grua. Unë shkoj Rusi. Këtu nuk me pas mirë doktor.

Rusin e zëvendësoi një mësues shqiptar, që e shoqëronte mësimin edhe me shpjegime në shqip. Pas provimit, ai përherë i gjente të dyja gomat e biçikletës të shpuara në shumë vende. Dikush këtë punë të mbrapsht e bënte rregullisht, edhe para provimit.

Fejzullai nga Kavaja, që shokët e klasës- e quanin dajë, ngrihej e pyeste:

-Profesor ta them unë mësimin me fjalët e mia?

– Pa hë!

Çohej daja, sy- e -vetullzi, me hundën si te shkabës dhe fliste rusisht pa u penguar, fytyrëqeshur:

-Partia rabota, vozhd, rabota, hleb rabota, shkolla rabota Pas orës së mësimit të gjuhës ruse nga shokët e klasës, Fejzullait i  mbeti emri Dajë rabota. Poashtu Gjoni nga Shkodra nuk mundi  kurrë ta vinte theksin në vendin e duhur, të ndryshonte shkronjën o në a, të ndajfoljes harasho (mirë), por thoshte ose harasha ose horosho, prandaj  iu ngjit nofka Gjon Horoshoja…

Mësimi i kësaj gjuhe të vështirë sllave u hyri në punë, vetëm disa poetëve, që u morën me retë në pantallonat e Majkovskit, të tjerët e harruan krejt. Vetëm disa,  që studiuan në atë vend të ftohtë dhe u kthyen të martuar me vajza ruse, pak nga pak nisën ta harronin rusishten. Një inxhiner tiranas teksa dilte nga shtëpia për në punë apo të takonte shokët në kafe, e përshëndeste gruan rusisht me këto fjalë:

-Hajt, dosvidonia pra!

 

Please follow and like us: