Albspirit

Media/News/Publishing

Lamtumira për pedagogu Avni Hajro në tokën e bekuar

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Pedagogu me takt në auditor…

Miku im, dr. Albert Hitoaliaj më njofton se ditë më parë ishte ndarë nga jeta ushtaraku Avni Hajro në SHBA. Mundesh të shkruash diçka për të, pasi na mungon informacioni dhe besoj se duhet të kesh informacion më të detajuar. Në kujtesë nga studimet në Akademinë e Mbrojtjes, pedagog Avni Hajro na jepte disa leksione të Historisë të Artit Ushtarak, për veprimet luftarake të njësive të UNÇSH në tokat e Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe leksionin për provokacionet e gushtit të vitit 1949. Në leksion, por dhe në seminare ishte tepër i kujdesshëm në analizën dhe nxjerrjen e përfundimeve ushtarake për çdo luftim apo betejë të zhvilluar. Ishte i ngdalët në shpjegim, por argumentues dhe tepër i vëmendshëm në përgjigjet akademistëve. Ndërhynte me kujdes dhe shpesh theksonte se “sikur të trajtohet problemi në këtë kënd shikimi”. Pra nuk kërkonte një riprodhim të leksionit, por këndvështrimin e akademistit dhe llogjikën në argumentimin e problemit… Kohë më vonë nga fillimi i vitit 1994, kur kishte dalë në lirim e kam takuar në një dyqan që shiste fruta-perime, pasi kishte dalë në reformë, një pedagog i përgatitur dhe me përvojë në fushën e historisë ushtarake, me gradë shkencore për këtë fushë…

Shkollimi dhe pasioni për profesionin

Avni Sulejman Hajro ka lindur më 19.12.1947 në fshatin Boshanj të Ersekës në një familje me tradita të hershme atdhetare. Në fshatin e lindjes në vitet 1954-1961 ndoqi shkollën 7-vjeçare. Në çdo vit të shkollës kishte dalë me rezultate të larta, kështu që mundi të ndiqte arsimin e mesmë. Në atë kohë shumë të rinj, pëlqenin uniformën e shkollës “Skënderbej”, një uniformë që e kishin ëndër shumë djem të moshës 14-15 vjeçar. Ëndrra ju realizua dhe Avniu ndoqi në vitet 1961-1965 shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Aty mësoi shumë dhe u njoh me mjaft të rinj që studionin me këmbëngule për të arritur diçka në jetë. U dha shumë pas sportit dhe studimit, u bë një skënderbegas i fuqishëm dhe i dalluar në mësime. Kjo për faktin se kur kaloi në Shkollën e Bashkuar të Oficerave, nxënësit me rezultate të larta rregjistroheshin në Fakultetin e Artilerisë. Kështu në vitet 1965-1967 ndoqi studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Shkollën e përfundoi me rezultate të larta dhe i dalluar në të gjitha disiplinat ushtarake. Çdo oficer që përfundonte shkollën e lartë e niste karrerën komandant toge, pra nga elementi më fillestar i një kuadri ushtarak për të ecur më tej në karrierë. Në vitet 1967-1970, kreu detyrën e komandantit të togës në një repart ushtarak në grupin e Artilerisë Tokësore. Punoi me përkushtim dhe në çdo vit ishte në pararojë të realizimit të detyrave luftarake. Për punë të mirë në vitin 1970 emërohet shef zbulimi artilerie në një reparti ushtarak të Artilerisë Tokësore, detyrë të kryer deri në vitin 1975. Përsëri ishte në ballë të detyrave luftarake dhe në vitet 1975-1980 kreu detyrën e komandant të Grupi të Artilerisë Tokësore në Mëzez të Tiranës.

Komandant Avniu ju përkushtua përsëri studimit të artilerisë tokësore, si artileri e paracaktuar kryesisht për luftë kundër objektivave tokësore. Në ushtrinë popullore ajo përbëhej nga nënreparte, reparte dhe njësi të artilerisë së Forcave Tokësore. Kujdes të veçantë komandanti ju kushtonte sistemeve të topave, obusëve, top-obusëve, mortajave, si dhe mjeteve të ndërlidhjes, por dhe instrumente dhe aparatura të nevojshme për zbulim e qitje. Reparti ku drejtonte ishte model dhe shpesh në të organizoheshin mësime treguese si dhe shkëmbim përvoje midis repartesh. Ky grup dallohej në zgjidhje të detyrave të zjarrit, të shumëllojshmërisë dhe të mbështetjes me zjarr të FT në të gjitha llojet e luftimeve dhe operacioneve. Komandant Avni Hajro i kushtonte vëmendje të madhe kësaj arme, pasi Artileria Tokësore përbënte dhe masën kryesore të artilerisë të FA. Nëpërmjet mësimeve, seminareve, stërvitjeve dhe fushimeve grupi i artilerisë që drejtonte komandant Avniu i përvetësoi mjaft mirë parimet kryesore të përdorimit luftarak, si përqëndrimi i masës kryesore në drejtimet më të rëndësishme, bashkëveprim të ngushtë dhe të vijueshëm me këmbësorinë, tanket dhe llojet e tjera të armëve, realizimin e një drejtimi elastik, të pandërprerë dhe të qendrorizuar të artilerisë dhe të zjarrit të saj, si dhe befasia dhe saktësia e hapjes së zjarrit. Të gjitha këto parime u vunë në praktikë dhe komandant Avni Hajro ju dhe e drejta për studime të thelluara në fushën ushtarake.

Pedagogu që shkroi për luftën partizane

Pas studimeve dy vjeçare në vitet 1980-1982 përfundoi me rezultate të larta Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe mori emërim pedagog në Katedrën e Historisë të Artit Ushtarak. Kështu nisi një detyrë e re, por bazë kishte përvojën e mëparshme dhe praktike të bazës së ushtrisë, repartin. Edhe në akademi ju përvesh punës për të realizuar studimet që kërkonin një vëmendje të madhe, studim të literaturës, “gërmime” në arkiva, takime me veteranë dhe luftëtarë, përgatitje për leksion, mbrojtje të leksionit në katedër, lektim para akademisëtve dhe zotërim të orës së seminarit etj.

Gjatë viteve të punës si pedagog i HAU kreu studimin “Provokacionet e Gushtit 1949”, si dhe “Veprimet e UNÇSH për çlirimin e tokave të Jugosllavisë”. Ndërsa në vitet 1980-1986 punoi me bashkautor për librin “Historia e Artit Ushtarak të LANÇ-it”, libër i vlerësuar në stafet akademike si ushtarake, por dhe nga Akademia e Shkencave. Gjatë kësaj periudhe të qëndrimit pedagog për 11 vjet në akademi redaktoi nga ana ushtarake Historikët e BrIIIS, BrVIIS, BrXXIIS dhe BrIXS. Në vijm botoi në revistat shkencore artikuj shkencore, si dhe në shtypin ushtaark tematikë nga HAU shqiptar, botëror, përvojë nga Luftërat Lokale pas Luftës së Dytë Botërore etj. Njëkohësisht ka qenë autor i 7 zërave të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (FESH) të vitit 1985, por dhe 2008, si dhe autor i 10 zërave të Fjalorit Enciklopedik Ushtarak (FEU) të vitit 2022.

Për të gjithë këtë punë studimore dhe pedagogjike Avni Hajro mbrojti gradën shkencore “Doktor” me temën “Veprimet luftarake dhe tiparet e AU të njësive të UNÇSH, në ndjekje të armikut në Kosovë e në vise të tjera të Jugosllavisë, tetor 1944-shkurt 1945”. Udhëheqës Shkencor të doktoraturës ishte Katedra e HAU në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm. Mbrojtja u zhvilluar më datën 28.05.1988, para jurise së posaçme të kryesuar nga Prof. Kostaq Karoli.

Disa prurje të reja në studimi për LANÇ të pedagog Avniut

Në studimin “Tipare të operacionit mësymës të njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare për çlirimin e Kosovës gjatë viteve 1942-1945” ka vënë në dukje se këto formacione luftuan me ndjenjë e atdhetarizmit dhe internacionalizmit kundër ushtrive nazifashiste dhe tradhtarëve në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë. Që nga mesi i vitit 1942, së bashku me vëllezërit shqiptarë e partizanë të Kosovës i goditën armiqtë në Plavë e në Guci, në trevën e Kosovës e në Rrafshin e Dukagjinit.

Ka theksuar si tipar kryesor: Divizioni I Sulmues i UNÇSH-së, së bashku me forcat partizane kosovare e maqedonase, kishin sulmin dhe me anë të sulmit çliruan qytetin e Dibrës më 3 shtator 1944. Në vjeshtë e vitit 1944 treva e Kosovës merrte rëndësi ushtarake të veçantë për ushtrinë gjermane. Ka theksuar se Kosova, duke qenë në qendër të Ballkanit, kishte rrugët më të shkurtra që të çonin drejt Europës. Nëpërmjet Kosovë kalonin rrugë kryesore, që shërbenin për të tërhequr forcat gjermane nga Greqia, Maqedonia, për të dalë në Bosnje e në Kroaci. Afrimi i Ushtrisë së Kuqe në krahun jugor të Ballkanit, si dhe sulmet që i jepnin Vermahtit partizanët shqiptarë, jugosllavë e grekë, vunë në rrezik rrethimin dhe asgjësimin e rreth 300 mijë nazistëve.

Ka nxjerrë në dukje se njësitë e UNÇSH-së, kishin në vëmendje bashkëveprim me repartet e njësitë partizane kosovare e të përkrahura nga populli, ndonëse mësynin në një front të gjërë dhe kundër një armiku që kishte epërsi në forca dhe sidomos në teknikë luftarake, duke kaluar nga sukseset e shkallës taktike në ato operative, me luftime të përgjakshme plotësuan detyrën për çlirimin e Kosovës. Populli i Kosovës i priti me përzëmërsi dhe u dha çdo ndihmë luftëtarëve të brigadave partizane shqiptare. Brenda një muaji efektivi i brigadave të ushtrisë partizane shqiptare që vepronin në Kosovë, u dyfishua me vullnetarë kosovarë.

Një faktori vendimtar për arritjen e sukseseve në luftimet që zhvilluan forcat partizane në Kosovë ishte ndërgjegja e lartë, besimi në fitore, fryma e atdhetarizmit dhe e internacionalizmit, rreptësia ndaj armikut dhe papajtueshmëria me çdo shfaqje nacionalizmi e shovinizmi. Këto virtyte të partizanëve shqiptarë ngjallën te populli kosovar dashurinë për UNÇSH-n. Në këtë kohë mijëra luftëtarë të kësaj krahine të moçme shqiptare, vërshuan për të formuar e forcuar Brigadat I, II, III, IV. V, VI, VII dhe VIII partizane kosovare. Numri i përgjithshëm i partizanëve kosovarë në pranverën e vitit 1945 arriti në më shumë se 53.000 djem e vajza. Këto brigada, si dhe partizanët kosovarë, që bënin pjesë në brigadat shqiptare dhe jugosllave, luftuan me trimëri kundër pushtuesve dhe tradhtarëve vendes, duke dhënë një ndihmesë të çmueshme në luftën antifashiste për çlirimin e popujve të Jugosllavisë.

Faktor tjetër i rëndësishëm për arritjen e suksesit në operacionin mësymës të njësive shqiptare për çlirimin e Kosovës ishte dhe taktika e zhdërvjelltë në veprimet luftarake. Mbajtja e nismës në veprimet luftarake, goditjet e shpejta, të befasishme e të njëpasnjëshme, bënë që forcat partizane të kryenin detyrat luftarake me sukses. Duke manovruar me zgjuarsi për të asgjësuar trupat gjermane dhe mercenare sa në një drejtim në një drejtim tjetër, armiku u godit në ato objekte, nga marrja e të cilave u shkatërrua gjithë sistemi i mbrojtjes së tij. Këto theksonte në përfundim të studimit pedagogu Avni Hajro, tregojnë se UNÇSH-ja kishte fituar një përvojë të madhe në fushën e artit ushtarak.

Lamtumira në tokën e bekuar…

I gjendur për disa vite pranë fëmijëve, pedagogu dhe doktori i shkencave ushtarake shqiptare, vitet e fundit i kaloi në SHBA. Pedagogu që zotëronte gjuhën gjermane si dhe angleze, nga Amerika ndiqte vazhdimisht problemet ushtarake. Sa ishte në Shqipëri shkroi mjaft artikuj në shtypin ushtarak për historinë ushtarake. Një pjesë e materialeve të Tij të botuara në libra studiohen në akademinë tonë ushtarake. Avni Hajro doli në rezervë me gradën ushtarake të Nënkolonelit. Gjithashtu ai kishte dhe mjaft vlerësime pozitive për punën në vite, si dhe ishte dekoruar me Medaljet e “Shërbimit Ushtarak” dhe “Për shërbime të veçanta”. Me këtë përkushtim në jetë të pedagogut Avni Hajro ju dha lamtumira e fundit në tokën e bekuar…

Please follow and like us: