Albspirit

Media/News/Publishing

Zef Mazi: Shqipëria dhe lufta pranë saj, sa e mundur është?!

Ballkani gjithmonë ka qenë gadishull ku janë ‘përplasur qytetërimet’. Sipas Huntington-it, ‘qytetërim është një entitet kulturor’, një i tillë është ai sllavo-ortodoks. Qytetërimet ndryshojnë nga njëri-tjetri nga historia, gjuha, kultura, traditat dhe, mbi të gjitha, nga feja. Sipas Huntington-it ‘çdo qytetërim kishte dhe ka një shtet kryesor, qendror, si mbrojtës’. Historikisht Rusia ka qenë mbrojtësi i qytetërimit sllavo-ortodoks. Gadishulli i Ballkanit dhe rajoni i Evropës Jug-lindore janë zona ku, historikisht është përqendruar politika e jashtme e Rusisë. Ajo ka qene zona e influencave kulturore dhe e përçapjeve të Rusisë për të përhapur solidaritetin sllavo-orthodoks. Konstante e jetës publike ruse, që vazhdon edhe sot. Ky është fakt, jo risi, jam dakord me ju, dhe nuk duhet të habisë kënd.

Pasi humbi Luftën e Madhe të Krimesë në vitet 1853-1856, u shtuan influencat kulturore ruse në rajonin e Evropës Jug-lindore, së pari, për të mposhtur rivalitetin (romako-katolik) të Habsburgëve; së dyti, për të përhapur idenë e pan-sllavizmit në atë pjesë të Evropës. Në thelb, Lufta e Madhe e Krimesë, mund të thuhet se ishte luftë britanike kundër Rusisë për të arritur t’i vinte ‘stop’ fitoreve të tjera të mundshme të Rusisë ndaj Perandorisë Osmane.

Pas asaj lufte, për Rusinë u bë e qartë se armiqtë e saj ishin Fuqitë e Mëdha të Evropës Perëndimore, veçanërisht Mbretëria e Bashkuar. Marrëveshja e fundit politiko-ushtarake midis Rusisë dhe Mbretërisë të Bashkuar u nënshkrua në vitin 1907, vetëm pasi ata arritën të ndanin sferat e influencës në Persi (Irani sot). (Konventa ruso-britanike e vitit 1907 mbi Persinë e ndau atë në seksionin verior, nën influencën ruse, në pjesën neutrale në qendër, dhe në seksionin jugor, nën influencën britanike.) Zor të thuhet sot sa vite të tjera do të duhen para se të mund të shohë përsëri dritë një marrëveshje tjetër e asaj natyre midis këtyre dy vendeve!

Rritja e ndjenjave pan-sllave mbi bazën e origjinës sllave, të gjuhës të përbashkët paleosllave, e ngulitur veçanërisht tek ndjenja emocionale e çlirimit të popujve sllavë të jugut nga zgjedha otomane, u nxit deri në ekzagjerim në Rusi. Ajo erdhi si pasojë e rivalitetit politiko-ekonomik ndërmjet Rusisë nga njëra anë dhe, Monarkisë të Habsburgëve dhe Perandorisë gjermane, nga ana tjetër.

Tre kanë qenë interesat thelbësore ruse në gadishullin e Ballkanit dhe Evropën jug-lindore: 1) strategjike, 2) kulturore, 3) fetare.

Nga pikëpamja strategjike, diplomacia ruse gjithmonë e ka konsideruar Ballkanin dhe Evropën Jug-lindore si rajone të domosdoshme, jetike, për sigurinë e shtetit rus dhe, mbi të gjitha, për stabilitetin e kufijve të shtetit rus. Nuk është i panjohur synimi rus për të pasur kufi me leverdi në Besarabi (sot Republika e Moldavisë), si dhe për të ushtruar kontroll mbi ngushticat e Bosfor-it dhe Dardanele-ve. Këto ngushtica morën rëndësi të madhe për zhvillimin tregtar, ekonomik dhe për projektet gjeopolitike të Rusisë, veçanërisht për transportin e mbiprodhimit të grurit nga Ukraina e sotme, ose nga Rusia e Vogël, siç njihej atëherë drejt tregjeve botërore.

Pasuan zhvillime të tjera. Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915 iu çorr maska nga Franz Jozefi (i Austrisë), i cili e bëri publike, po atë vit, duke e botuar në Gazetën ‘Ëiener Zeitung’ në 15 dhe 23 maj 1915. Ai plan parashihte ndarjen e Shqipërisë në tre pjesë. Serbisë iu premtuan koncensione territoriale në ato zona të Ballkanit Perëndimor të populluar nga serbët etnikë që jetonin në Monarkinë Dyshe (në Bosnjë- Hercegovine, Sllavoni dhe Dalmacinë e Jugut).

Rusët i bënë premtime të mëdha Serbisë. Serbia nuk i mori parasysh premtimet dhe propozimet ruse dhe, si pasojë, humbi 25 % të popullsisë të saj gjatë Luftës të Parë Botërore, humbi 50 % të industrisë dhe, më e rëndësishmja, humbi shtetësinë e saj: u krijua një Jugosllavi anti-serbe, pa lidhje të forta dhe, në fakt, siç do të dilte më vonë, shkatërruese, me kroatë dhe sllovenë katolikë. Këta të fundit shiheshin nga serbët dhe rusët si ‘kolona e pestë’ e Vatikanit, pa qenë nevoja të përmendim dhe të shtojmë kombësinë shqiptare dhe trojet e saj në Ballkan. Asgjë të re në synime”.

Balllkani i Hapur

’Ballkani i Hapur’ ishte dhe është një ide disi akrobatike, e paqartë, pavarësisht retorikes propagandistike, politike, apo ndonjë hapi pozitiv. U reklamua, u lartësua si të qe çelësi i zgjidhjes të një numër problemesh të bartura, jo të lehta, të papajtueshmërive serioze, që ende rëndojnë në kurrizin e Ballkanit.

U morën disa iniciativa që, fillimisht, nisën me zhurmë, me fjalë të mëdha. Pak më vonë u tha, si pa të keq se: ishte gabim, nisma ka mbaruar por, papritur, ajo ringjallet, për t’i hapur rrugën dorëheqjes të një kryeministri të një vendi pjesëtar. Kjo dëshmon joseriozitet, jo mirë-peshim, analizë të vakët, ose të munguar, para se të hidhej në treg dhe të nisnin veprimtari.

Ai nuk mund të kishte suksesin që reklamohej në Ballkan. Pesëdhjetë për qind e vendeve ballkanike nuk e përqafojnë, pavarësisht se mund t’i japin përgjigje pozitive ndonjë ftese. Kosova, interes jetik për Shqipërinë, nuk e sheh me vend atë nismë, se ajo bart probleme të ndjeshme politike. Për çdo veprim, që përfshin dhe ka të bëjë edhe me Kosovën, është e domosdoshme që Shqipëria të konsultohet, të koordinohet ngushtë me Kosovën, dhe jo të marrë vendime se ‘kështu dua unë’, të bëjë sarkazëm, presion, dhe të tentojë të diktojë si ‘lider’.

Nëse diçka është ndihmuese, ajo duhet bërë. Janë ndërmarrë tre-katër hapa teknike. Ato ndihmojnë, me apo pa “Ballkan të Hapur”. Ato nuk janë, nuk duhen etiketuar se janë domosdoshmërish në kuadër të asaj nisme, për origjinën dhe synimin e të cilës ka pikëpyetje.

Procesi i Berlinit është krejt ndryshe, është serioz, ka vëmendjen dhe angazhimin, në nivel të lartë politik, të një shteti të madh, të fortë. Ai ka përmbajtje, ide dhe projekte konkrete ekonomike infrastrukturore, që ndihmojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal. Nuk është as lehtësuese, as të shërben, të krahasohet ai Proces me ‘Ballkanin e Hapur’ dhe, as të thuhet se ky i fundit është për ta ndihmuar atë. Procesi i Berlinit nuk ka nevojë dhe s’ka kërkuar ndihmë.

Lidhur me Serbinë, ajo ngaherë ka luajtur si ‘macja me miun’. Këtë bën edhe me këtë nismë, e ka fasadë, se po bashkëpunoj, ajo ka strategji dhe zbaton taktika të mirë-menduara para takimeve. Nuk habitem me qëndrimet e saj. Nuk di nëse pala jonë kishte bërë llogaritë më parë çfarë të bënte, çfarë të thoshte nëse do ndodhte kjo, ose ajo. Asgjë nuk i lihen spontanitetit, reagimit të çastit!

Më bëri përshtypje negative mospjesëmarrja as edhe e një komisioneri të vetëm në këtë ‘Samit’. Niveli më i lartë ishte një drejtor drejtorie zgjerimi në Komision, i ardhur për të folur me presidentë dhe kryeministra të Ballkanit! Kjo flet për rëndësinë që i jepet Ballkanit, flet për ulje të ndjeshme të nivelit, deri fyerje protokollare. Protokolli është vetëm politikë mbështjellë me fjalën ‘protokoll’. Kështu duhet lexuar, kështu është. Element pozitiv është që drejtuesit e Ballkanit takohen dhe bisedojnë”.

Serbia…

Është e vërtetë se problemet e krijuara nga Serbia, për mbi një shekull, e që vijojnë, ndonëse në dukje disi të fashitura, të maskuara pas një fytyre gjoja demokratike presidenciale, anashkalohen dhe mohohen. Vijojnë politikat, dashuritë dhe interesat e vjetra të ndonjë evropiani, apo dy.

Analizat, nëse bëhen, kanë gabime dhe mangësi të theksuara. Jepen orientime, mbahen qëndrime mbi bazën e hamendësimit, pa strategji të qartë, pa u thelluar, duke moskuptuar nevojën e analizës të krejt paketës. Është dëshpëruese të harrohet se politikat e paqtimit, të ledhatimit të egos, të ‘fantazisë’, se duke e marrë me të mirë, duke mos e kritikuar Serbinë për veprimet e saj të rënda, përfshirë ato ushtarake, do e afrojnë me BE-në dhe Perëndimin dhe do e largojnë nga Rusia. Kjo është ‘fantashkencë’, flet për mosnjohje të historisë dhe të rrjedhës mbi 100-vjeçare të zullumeve në këtë rajon. Vijojnë keqkalkulimet, keqorientimet.

Situata dhe zhvillime të ngjashme, deri në lajthitje logjike, çuan në kasaphanën që gatoi Milloshevici dhe ministrat e tij, në luftërat e përgjakshme të viteve 1992-’95, që shuan një çerek milioni jetë njerëzish. Ndjekja qorrazi, deri në ekstrem, vetëm ideologjikisht, e interesave dhe synimeve gjeopolitike, të vjetra e të reja, shihet ku po e çon botën”.

Çfarë është thënë dhe bërë në të kaluarën njihet; çfarë po bëhet sot, po ashtu shihet, mund të analizohet dhe, të merren masa. Çka nuk dihet dhe nuk mund të thuhet me siguri, është ajo çfarë kanë në kokë drejtues shteti, qeverie, disa drejtues të politikës dhe institucioneve. Ajo vetëm mund të hamendësohet. Mbi atë bazë mund të bëhen plane skenarësh A, B, C, etj.

Narrativa e përsëritur për luftë, më shumë, ka të bëjë me ngjalljen e frikës, me paralajmërim, përgatitje, me dhënie sinjali ndaj kujtdo që mund ta mendojë, që duhet ta heqë nga koka. Janë bërë disa herë luftëra në rajonin tonë. Është parë qartë se cilët kanë qenë humbësit dhe fituesit. Rajoni ynë, me dy përjashtime, është territor i NATO-s. Ai nuk mund të bartë e të ketë luftëra të tjera, pavarësisht tensioneve që mund të krijohen, që janë dhe do jenë të menaxhueshëm. Të kesh oreks për luftë tjetër në Ballkan do të thotë të kesh problem me ‘motorët logjikë!’”

Shqipëria…

Shqipëria është tepër e vogël për të pasur ndikim, modeste tej rajonit tonë. Përtej tij, është e vështirë të luajë ndonjë rol të ndjeshëm. Duket se kjo ende nuk është kuptuar mirë. Shihen jo rrallë, për rrjedhojë, akrobaci politike, sikur vendi të ishte disa herë më i madh se ç’është në të vërtetë! Një vend është aq i fortë sa të madhe e ka popullsinë, sa e ka forcë ekonomike, sa ka fuqi ushtarake për të luajtur rol. Këto të gjitha shkojnë paralel, të marra së bashku. Të jesh anëtar në një organizatë, përfshirë ushtarake, nuk do të thotë më shumë se të kesh barazinë e të ulurit në të njëjtën tryezë, ku dëgjohen e merren vendime, teorikisht bashkërisht. Konkretisht, të bashkohesh me vendimin e të mëdhenjve! Pra, vendi ynë është mirë të luajë aq rol sa e ka forcën, as më pak, as të pretendojë më shumë, por parësisht të jetë modest dhe pa fjalë të mëdha! Këtë rol ta luajë duke analizuar thellë zhvillimet ndërkombëtare, paketën e zhvillimeve, sepse gjërat janë të lidhura, dhe të përcaktojë pozicionin e tij. Asgjë nuk lind, nuk zhvillohet në vakum”.

Marrë nga një intervistë me Ambasadorin Zef Mazi, ish Kryenegociator për Integrimin e Shqipërisë në BE, botuar nga JAVA

Please follow and like us: