Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: “ZILJA” QË BIE ÇDO SHKURT

-Një simbolikë  “Antikult” që nuk e kuptuam kurrë, por e keqpërdorëm djallëzisht-

Ai shkurt i ftohtë i vitit 1991, nuk filloi nga studentët e Universitetit “Enver Hoxha”. Aspak. Ata e finalizuan. Ishin studentët e të Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës (Sot Universiteti Bujqësor) që filluan të parët protestën “për ujë e drita”. Ishte një revoltë nga ata që ishin nëpërkëmbur dhe përbuzur më shumë se “bijtë e kryetarëve” në Universitetin  e Tiranës. Studentët e  ILB-së ëndërronin lirinë përmes  shpërthimeve  shpesh kaotike, që “nëndheshëm” nxitej dhe inkurajohej edhe nga një grup pedagogësh, që ishin diplomuar apo specializuar jashtë Shqipërisë…

Kujtoj: Në atë shkurt  të acartë, ishin studentët e ILB-së që me protestën dhe  durimin e mbaruar, do bënin një  takim në  kryeministri. Isha aty dhe kujtoj. Nuk kishte “Myslimër” as “Murrizër” që të më kenë mbetur në mendje. Ishte një vajzë nga Vlora me emrin Alma Haxhiu. Ajo, aty ku mblidhej qeveria, pa iu dredhur qerpiku, tha prerë e shkurt: “Zoti kryeministër. Me gjithë këto që thuhen këtu një gjë nuk artikulohet qartë. Nuk është faji jot. I askujt. Thjesht siç thotë populli ‘Sa ke jorganin, shtriji këmbët’. Por le ta pranojmë zoti kryeministër, kaq është  ‘Jorgani socialist’. Kaq është, nuk mban më…”.

Ishte një nga deklaratat më të qarta të momentit. Ish-ministri Arsimit Skënder Gjinushi, “djali i gjeneralit” siç pëshpëritej në ato vite, u mundua ta korigjonte studenten që për herë ta parë na atë sallon qeveritar, refuzoi të përmendte  stadartin “Shoku kryeministër”, por tha “Zoti kryeministër”… Ka qënë artikullimi i parë i këtij lloji në atë ndërtesë të zymtë qeveritare. “Dale moj vajzë, jo  kështu. Harrove  sa të mira i solli popullit tonë socializmi dhe partia me shokun Enver….”, reagoi i lodhur  ish-kryeminsitri Çarçani.

Alma e Vlorës nuk deshte të dëgjonte më. Ajo thjesht kishte ndezur “fitilin” e revoltës dhe pakënaqsisë që vlonte edhe brënda meje, por nuk kisha guximin e saj. Studentja Alma Haxhiu ishte një guximtare që “pleshtat” e sotëm as që ja dinë emrin. Unë e kujtoj edhe sot këtu në Amerikë si një shembull guximi dhe shpërthimi rinie…

Takimi  i përfaqësuesve të studentëvë të “Shkollës së Dakës”, siç na quanin në ato kohë, ishte “azma e zjarrtë” që  krijoi   terrenin grevën e urisë  në universitet që solli rrëzimin e monumentit në  Tiranë. Askush nga ne bashkëkohësit, as vetë “pishtarët e demokracisë” nuk e besonin se monumenti mund të rrëzohej. Ishte një skenar jashtë çdo kontrolli. Ishte një urretje dhe një “rrëzim kulti” që ishte më shumë se rrënim dhe përdhosje, ishte një triumph i asaj që nuk ishte vlerësuar kurrë seriozisht nga “Partia në  pushtet”: Pakënaqsia masive ndaj politikave  ekonomike dhe dështimeve të rendit socialist.

Kur ra busti, unë isha aty. Jo tek “këmbët” monumentit, por diku tek “15 katshi” ku nën ulërimën e frikshme të revoltës popullore, bashkë me disa gazetarë të tjerë, vështronim aktin final që deri atë çast ishte e paimagjinueshme. Unë nuk isha si ata që guxonin të rrëzonin një kult të ngritur mbi mjerimin e atyre viteve. Personalisht ndihesha  edhe disi fajtor në atë “kultizim” kur në Shqipëri “hante pula gur”. Isha një gazetar i sinqertë i një botimi periferik. E njihja veten dhe atë që përfqësoja si  individ, por isha dëshmitar i vetëm i “vetëtimës” që kishte  ardhur nga Instituti i Lartë Bujqësor i Tiranës. Më  vonë, kjo shkollë do ishte “Fidanishtja e vërtetë e PD-së” së postsocializmit…  Për fat asnjë nga ta nuk mundi të rrëfente dhe dritëzonte të vërtetën e 20 Shkurtit më 1991. Askush nuk ka përmendur vajzën nga Vlora, Alma Haxhiu.

Kjo ditë po afohet dhe unë kujtoj i heshtur në këtë shkurt të ftohtë të vitit 2024. Çfarë mund të kisha bërë më mirë? Pse heshta aq gjatë? Pse nuk bashkova zërin tim të protestës me “Almën nga Vlora”?… Nuk kam përgjigje veçse ndjesisë si heshtarak nga frika. Koha më ndihmoi të kthellohem. Pata fatin  të “shqyeja”mendimin provincial shqiptar dhe prej një çerekshkulli të jetoj në një vend ku “Njëshi mbi të gjitha” jam unë: Individi i lirë që punon dhe paguan taksa si “dashuria e vetme” për pushtetin dhe demokracinë.

20 Shkurti 1991 ishte një  simbol i pashoq i etjes sociale për ndryshim dhe përmbysje të mitit të njëshit. Unë nuk e kam parë thjesht si një “urretje për Enverin”, por si demonstrim i dhunshëm për vëmendje dhe ndryshim radikal në Shqipërinë Socialiste të kohës. Ishin turmat që “çorodisnin turmat”. Ishte kaosi që  ngrihej dhe triumfonte mbi një “qeverisje rakitike”, të mplakur dhe paralizuar nga “besnikëria ndaj idealeve pa rezultate”.

Nuk e fus veten në ata që “urrenin Enverin qysh kur ishin fatosa”. Jo. Unë jam realist me të vërtetën që kam jetuar.  Kisha dyshimet e mia për ato që propogandonim. Ne gazetarët dëshmonim se si retushohej historia dhe e vërteta para syve tanë, që arriti “pikën e vlimit” sidomos pas “Vetvrasjes së Shekullit”, që shkrumbosi pa mëshirë e familje të tëra duke filluar me atë të “krahut të djathë”, siç ishte kryeministri i dekadave socialiste. Pas asaj dite dhjetori unë në heshtje pyesja: “Kujt ja thonë këtë  tablo sinoptike?! Vetes apo neve?…”. Unë dhe shumë shqiptarë të sinqertë, pas asaj tragjedie shqiptare, kishim pikpyetje të heshtura që kurrë nuk arritën guximin e “Almës nga Vlora”… Ajo ishte në fakt e para që “rrëzoi kultin socialist” në zyrën e kryeministrit shqiptar.

Sa herë kujtoj atë ditë, në çdo çast më vjen në mendje një “zile”që bie tek unë. Është një “Zile antikult”, një “Zile” që kërkon të shurdhoje çdo fjalim patetik politik, që mbahet në mitingje apo në parlamente, deri në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Është një “Zile” që më thotë: “Je ti, pa janë Ata”.

“Zile” që  më zgjon çdo mëngjez: “Je ti pa janë ata…”. Në fakt është një trokitje brenda meje që më bën të besoj se ëndrrat e mia nuk dua ta besoj askujt, asnjërit, as Presidentit Amerikan. Ëndrrat e mia janë “të miat” dhe unë vigjiloj që të mos m’i vjedhë askush. Sepse koha po në rrëfen se politikantët e këtyre dekadeve të fundit janë kthyer “feudalë” të ëndrrave e ideve njerëzore, dhe mbi to ndërtojnë kulte  e mite  në aliazh me “dashuritë tona politike”. Çdo kult apo “hyjni politike” është një ilozion dhe mashtrim i frikshëm. Njeriu pa pranga është forca e vërtetë  e çdo lloj demokracie. Kjo është Amerika që më ka “skllavëruar” për njëçerekshekulli duke më bërë që të dëgjoj përditë “Zilen” e 20 Shkurtit 1991: “Mos beso kurrë në kulte. Beso tek vetja jote…”.

Rënia e bustit, fatkeqësisht frymëzoi njerëz të shkatërrimit tragjik në Atdheun tim. Unë dëshmova përditë këtë barbari ndaj djersës së brezave dhe përherë isha kundër, por dhunimi i çdo gjëje u bë i pandalshëm. Ajo frymë barabarie ishte ndërkohë edhe “varrëmihësi” kombëtar shpresës për të nesërmes dhe “shtrati” i korrupsionit. Për mua rënia e bustit duhet të ishte jo “thirrje shkatërruese”, por reflektim dhe moment për t’u ndarë nga çdo kult dhe “supernjeri”. Nuk ka të tillë, nuk duhet të ketë. Është një iluzion që na krijojnë edhe sot “qelqet e paguara”. Ndaj “Zilja” e këtij shkurti vijon të bjerë: “Beso veten tënde. Kultet janë mashtrim e zhgënjim”…

Kjo datë po afron përsëri dhe unë ndiej si bubullimë “Zilen” e Shkurtit: Kultet janë mashtrim. Bëj kujdes. Larg kulteve, pranë vetes dhe ëndërrimit tënd… Të gjithë jemi njerëz. Ata në krye, që i sjell vota jonë, janë e mbeten “të dyshimtë”  kudo dhe ngado… Siç ka thënë Ajshtajni “besimi i verbër në autoritetet është armiku më i madh i së vërtetës”.
Minneapolis, 18 Shkurt 2024.

Please follow and like us: