Albspirit

Media/News/Publishing

Fondacioni Çamëria ‘Hasan Tahsini’ boton librin e ri të Shaban Muratit

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” mbrëmjen e së mërkurës promovoi librin e ri të diplomatit Shaban Murati me titull “KONTEKSTI RAJONAL I ALEANCES STRATEGJIKE SHOIPËRI-TURQI”. Alket Veliu, drejtues i fondacionit u shpreh se Turqia ndali futjen e grekëve në Shqipëri në 1997 dhe e mbështet konstatimin e ambasadorit Murati duke vlerësuar se aleanca të tilla shumëdimensionale janë në interesin tonë të përbashkët.

Serbia dhe Greqia janë të detyruar ta llogarisin rrethanën e aleancës strategjike të kombit shqiptar me Turqinë. Ky është një avantazh gjeopolitik për Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar. Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” e mbështet këtë konstatim të ambasadorit dhe vlerëson se aleanca të tilla shumëdimensionale janë në interesin tonë të përbashkët përderisa nuk është fjala për të lëshuar ndonjë parcele sovraniteti” tha ai.

Më tej Veliu theksoi se shoqata “Çamëria” në Tiranë ka pasur kontakte me drejtues të ambasadës turke në Tiranë dhe përfaqësues të qeverisë turke në Ankara ku kanë prezantuar problemin çam. “Ka pasur një raport të plotë të ministrisë së Jashtme të Turqisë mbi çamët me prova dhe fakte mbi autoktoninë shqiptare të Çamërisë, gjenocidin dhe spastrimin etnik dhe një kërkesë pranë Kongresit Amerikan ku i kërkohej që të ndërhynte për zgjidhjen e çështjes Çame. Çështja Çame të cilën qeveritë shqiptare nuk kanë pasur asnjë iniciativë duhet të trajtohet pranë forumeve të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për të dhënë një zgjidhje të drejtë dhe të plotë” tha ai.

Diplomati Shaban Murati falënderoi drejtuesin e fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” Alket Veliu për botimin e librit të ri. “Falenderoj në radhë të parë botuesin e këtij libri dhe të gjithë librave të mi, studiuesin dhe atdhetarin e madh Alket Veliu që është edhe kryetari i fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” që ka pasur mirësinë që të botojë të gjithë ciklin e librave të mi që janë të lidhur me çështjen kombëtare, diplomacinë kombëtare dhe Ballkanin”.

Më tej, Murati me një përvojë 55 vjeçare në politikën e jashtme kryesisht për Ballkanin kërkoi që qeveritë nuk duhet të zgjedhin aleatë strategjikë çdo shtet që u del përpara. “Bota po zien, po bëhen rikompozime, ne nuk mund të rrimë të flemë gjumë por të përshtatemi. Duhet të jemi të vëmendshëm në përcaktimin e aleatëve në Ballkan. Në Ballkanin kontinental aleati i Shqipërisë duhet të jetë Turqia. Në Ballkanin Perëndimor aleati ynë duhet të jetë Kroacia dhe jo Serbia. Në kuadër Europian duhet të jetë Italia, në kuadër botëror është Amerika” tha ai.

Please follow and like us: