Albspirit

Media/News/Publishing

Libër i freskët nga mendimet dhe i ngrohtë nga ndjenjat

Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Libri “Dëshmorët, në rrënjët e Kombit Shqiptar” (vëllimi i dytë), është një antologji e vërtetë historie. Është e tillë, sepse brenda faqeve të shumta të saj gjenden njerëz të bekuar, miq nga historia. Skalitur nga heroizmi. Zbukuruar nga historia. Fisnikëruar nga lavdia. Lexojmë librin dhe ndjejmë të na afrohet pranë Oso Kuka, të na qaset Avni Rustemi e të na vijë Azem Galica, të na aviten martirët e Hormovës e të na flasin Koci Bako e Hamit Dollani, Mihal Davidhi e Petro Sota… Shkurt, në këtë antologji ata janë të gjithë bashkë, si në një kuvend atdhetarie, si të jenë vëllezër: mish e gjak Shqipërie.
Sa herë që qenë vënë në lojë fatet e Atdheut, shqiptari qe ndjerë në borxh. Për të paguar jo me para, por me gjak. Lexo shkrimet kushtuar dëshmorëve Rizvan Bodlli, Rakibe Dervishaj, Lefter Talo, Nikoll Gojçi, Asim Mero, Polo Bezhani, Ibish Milaim Fejzollari, Zonja Çurre e të tjerë e të tjerë dhe do të kuptosh se si shqiptari linte shtëpi, katandi e prokopi, për Shqipëri.
Çdo shkrim i këtij libri mbresëlënës është një fragment i veçantë atdhetarie. Çdo Hero apo Dëshmor i pasqyruar në këtë antologji është medaljon i artë në gjoksin e çokujt nga ne. Sepse një për një e të gjithë së bashku, ata ranë vetëm në emër të Atdheut. Askush në emër të familjes apo të fisit të vet. Heronjtë e Vigut mund edhe ta kursenin jetën po të dorëzoheshin, por ata, pa mëdyshje, zgjodhën rrugën e lavdisë. Sepse kishin parasysh nderin e Shqipërisë. Rrugën e atdhetarisë zgjodhën edhe Hysen e Xhevdet Çino, Prokop Sorra, Elez Braha, Panajot Haxhimihali, Nexhat Agolli, Bardhok Biba, të gjithë. Edhe këtë të vërtetë të madhe ta pohon fuqishëm ky libër antologjik.
Idealet janë pasuri e çmuar shpirtërore. Ato bëhen dhe mbeten të shenjtëruara vetëm kur u kushtohen çështjeve që kanë të bëjnë me nderin e Atdheut. Me lavdinë e Kombit. Lexon në këtë libër për Jusuf Gërvallën dhe, natyrshëm, emocionohesh. Lexon për Adem Jasharin dhe, doemos, krenohesh. Lexon për Agim Ramadanin e vihesh në mendime. Lexon për Ymer Elshanin e futesh në meditime. Dhe përse? Sepse pasuritë shpirtërore të Dëshmorëve të vijnë e të bëhen kapital moral.
Gjaku i derdhur për Çlirim apo për të drejta njerëzore ka të njëjtin çmim kudo që është derdhur brenda a jashtë trojeve shqiptare. Gjaku i Adem Jasharit është po aq i shtrenjtë e i shenjtë sa edhe ai i komandant Telit, që ra në vitin 2001 viseve shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Është tepër kuptimplote ajo çka shkruan Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: “Gjaku amerikan, anglez, italian e Izraelit –në venat e lirisë së Shqipërisë”. Shkrimtari Halil Katana na sjellë nga Maqedonia e Veriut figurën e rrallë të Nexhat Agollit… E përbashkëta e këtyre: shqiptarë.
Libri “Dëshmorët, në rrënjët e Kombit Shqiptar” ka peshë të rëndë. Sepse të rënda janë edhe penat që i kanë përgatitur shkrimet e këtij libri, thuajse të gjitha me referenca. Dhe kush shkruan për t’i dhënë peshë këtij libri? Shkruan Prof. Kristo Frashëri (vëllaj i Dëshmorit Gjergj Frashëri) për masakrën e përgjakshme të 4 Shkurtit 1944 në Tiranë. Shkruan diplomati Shaqir Vukaj për Nuri Bushatin. Shkruan Prof. Dr. Marenglen Verli së bashku me Ajet Haxhiajn për Azem Galicën dhe Prof. Dr. Zyhdi Dervishi për Dëshmorin Vesel Xhepexhiu. Nuk ke se si të mos qëndrosh te shkrimi i Dr. Dorian Koçit kushtuar të madhit Naum Veqilharxhi. Mbetesh duke medituar mbas leximit të shkrimit të Prof. Dr. Bernard Zotaj kushtuar Oso Kukës. Historinë e masakrës së Elbasanit e jep aq bukur Dr. Marenglen Kasmi. Prof. Asoc. Dr. Albert Habazaj na e ve përpara të gjallë Heroinën Zonja Çurre etj. etj. Pra, nuk shkruajnë njerëz të ardhur nga turma. Shkruan elita e intelektualëve.
Ky libër është sa historik, aq edhe sociologjik. Është i tillë, sepse bën fjalë edhe për kauzat për të cilat ranë dhe mbetën të pavdekshëm martirët e lirisë. Shkrimet e paraqitura në këtë libër historik janë, ndërkohë, edhe himne që i kushtohen të rënëve. Secili autor, veç mendimit që ka shprehur për dëshmorin, ka derdhur edhe ndjenjën e vet. Teksa lexon ato ç’kanë paraqitur shkrimtarët Djana Çuli, Namik Dokle, Vladimir Muça e të tjerë ndjen së brendshmi “këngën” që u thuret të rënëve. Të bëhet sikur secilit i interpretohet një himn. Të njëjtën gjë përjeton ndërsa lexon shkrimin e gazetarit Zenel Gapaj kushtuar Kolonelit të hekurt Gani Malushi, apo teksa njihesh me shkrimin e gazetarit Bedri Islami kushtuar Adem Jasharit
Libri “Dëshmorët, në rrënjët e Kombit Shqiptar” (vëllimi i dytë) në vetvete është një mesazh i fuqishëm dhe aktual atdhetarie. Dhe s’ka si të ndodh ndryshe, kur vet redaktori i këtij libri, shkrimtari i mirënjohur Pandeli Koçi, është bir Dëshmori.
Në fund të kësaj parathëniejeje ma ka ënda t’i drejtohem çdo lexuesi: Lexues i dashur! Merre këtë libër, por mos lejo t’ju humb mes të tjerëve në raftin e gjatë të bibliotekës tënde; mbajeni mbi tavolinë! Nga brenda librit do t’ju prishin gjumin ata që qëndrojnë përherë zgjuar: martirët e vërtetë të lirisë.
Please follow and like us: