Albspirit

Media/News/Publishing

Osmani: Përplasjet me aleatët perëndimorë rreth dinarit ishin të shmangshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje të premten institucioneve që të trajtojnë me kujdes marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, mes shqetësimeve në rritje për dëmtimin e këtyre marrëdhënieve për shkak të mospajtimeve për çështje siç është dinari serb.

Osmani: Përplasjet me aleatët perëndimorë rreth dinarit ishin të shmangshme

“Unë inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, secilin që merret me politikë që të bëjë çmos që këto relacione dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Evropian që gjithnjë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme por si ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë sepse historia jonë e ka dëshmuar këtë”, tha ajo.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

LEXONI EDHE KËTË

Hovenier: Mospajtimet rreth dinarit kanë prekur cilësinë e partneritetit Kosovë – SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

Bashkimi Evropian tha të premten se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit dhe për këtë arsye ka ftuar palët për një takim javën që vjen. Nuk është e qartë se në çfarë niveli do të zhvillohet takimi, meqë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nuk do të marrë pjesë dhe se kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Zoti Bislimi dhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano shkëmbyen kritika në distancë për këtë çështje.

LEXONI EDHE KËTË

BE-ja fton në takim Kosovën dhe Serbinë për dinarin – kritikon zëvendëskryeministrin e Kosovës

Presidentja Osmani tha se kjo çështje nuk është dashur të shndërrohet në shkak për përplasje me aleatët perëndimorë.

“Unë jam e bindur se në qoftë se ka vullnet me një takim i cili mund të zgjasë disa orë mund të ulen të gjitha institucionet relevante, ato që do ta zbatojnë në praktikë këtë rregullore, dhe të dalin me hapa konkret duke u bazuar në ligjet që ekzistojnë në Kosovë dhe ta marrin edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj”, tha ajo.

Edhe partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë e Kosovës se me zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore po rrezikon marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, në kohën kur Kosova është ende nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Presidentja Osmani përsëriti sot thirrjen për heqjen e këtyre masave, duke nënvizuar se kjo është e domosdoshme për të ecur përpara me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Please follow and like us: