Albspirit

Media/News/Publishing

Eno Peçi: Takimi me Papën dhe artistët e njohur Mula, Jaho, Pirgu, Gjipali dhe Kerni

 

 

 

Nëse doja të pohonit diçka për vitet e fëmijërisë suaj, çdo të thoshit në këto momente?

Eno Peçi: Vitet e fëmijërisë i kam kaluar në Shqipëri dhe kam kujtime shumë të bukura. Luaja gjithë ditën jashtë dhe harroja të shkoja në shtëpi, derisa më thërriste mamaja nga dritarja që të futesha brënda. Pastaj erdhën trazirat e viteve 97–98.

Cili motiv lindi brënda jush për të ndjekur rrugën e artit? E menduat që kishit bërë zgjidhjen e duhur?

Eno Peçi: As nuk e kisha idenë se çfarë ishte baleti dhe nuk e njihja botën e artit. Për mua ishte një botë krejtësisht ndryshe. Nuk e kisha idenë se çfarë do të më sillte ky profesion në të ardhmen. Dhe kur vendosa të shkojë në shkollën e baletit nuk më shkonte mendja që ishte vendimi i duhur që unë po përzgjidhja. Thjesht më pëlqente të kërceja.

Përse shkuat në Austri dhe jo në një vend tjetër, kur ende ishit 17 vjeç?

Eno Peçi: Ka qenë viti 1998, muaji Gusht kur arrita në Austri. Dhe kam qenë 16 vjeç. Motivi ishte motra ime. Ajo jetonte në Austri dhe për mua ishte e vetmja mundësi të ikja nga Shqipëria. Jo me mendje që të vazhdoja profesionin e baletit, por të ikja sa më parë nga ky vend, ku do gjë po merrte fund.

Sa kohë ju është dashur ju për t’u integruar me jetën dhe kulturën austriake, duke u përballur me to si student shqiptar?

Eno Peçi: Më është dashur shumë kohë të ambientohesha. Mentaliteti, mënyra e jetesës, shoqëria sociale, kultura, komunikimi e shumë të tjera. Çdo gjë funksiononte ndryshe nga çfarë unë isha mësuar. Kështu që hapa librin dhe fillova të shkruaja një kapitull të ri të jetës time.

Ndoshta e papritur, ardhja e rolit tuaj të parë si solist. Në moshën 21 vjeçare befasues për ju roli intrigues i Spartakut. Cili ju besoi këtë rol të veçantë me përmasa botërore?

Eno Peçi: Ka qenë vërtetë befasues për mua fakti që të kërceja përkrah artistëve të mirënjohur dhe aq më tepër të interpretoja rolin e Spartakut në atë moshë! Nuk e merrja dot me mend. Por drejtori atëhere ka qenë Renato Zanella dhe ishte ai që më angazhoi në teatrin e operës së Vjenës. Më vëzhgonte përherë, shikonte gjithmonë se si punoja dhe gjithashtu se si bëja procesin e punës. Ishte pikërisht ai që më zgjodhi të interpretoja rolin e Spartakut, këtë figurë botërore. Ishte pikërisht koreografia e tij e Spartakut. Për mua ishte një moment i paharruar. I mbetem mirënjohës për besimin që ai kishte ndaj meje. Isha vetëm 21 vjeç.

Çfarë tipare të veçanta duhet të zotërojë një balerin i kompletuar për të prekur suksesin?

Eno Peçi: Në çfarëdo lloj profesioni, nëqoftëse është diçka që ti e do me gjithë zemër dhe me pasion, atëhere fillon dhe sakrifikon shumë gjëra në jetën tënde pa u menduar dy herë. Ai moment është fillimi i një suksesi të garantuar në karrierë.

Në harkun kohor të një dekade keni arritur të ngjisni suksesshëm shkallët e karrierës. Sa punë ju është dashur ju për të arritur këtë lartësi ku ndodheni sot?

Eno Peçi: Duhet shumë kohë, por edhe shumë durim. Karriera e një balerini apo balerine profesionist/e është e shkurtër. Kështu që është shumë e domosdoshme të punosh shumë dhe të sakrifikosh gjithashtu, për të arritur suksesin, por edhe për ta shijuar atë disa vite. Sepse vjen një kohë dhe aftësitë fizike nuk janë si më parë. Me kalimin e viteve, trupi nuk ka më atë forcë dhe intensitet që ka pasur në fillim.

Si solist i parë i Filharmonisë Shtetërore të Vjenës, vlerësoheni si më i preferuari i regjisorëve! Çfarë vlerësojnë ata më shumë në artin tuaj si solist?

Eno Peçi: Mendoj se puna, kreativiteti dhe durimi, janë pikat ku regjisorët mbështeten më tepër të një balerin. Baleti është shumë i bukur në skenë, por ka shumë përkushtim mbrapa skenës. Eshtë një profesion shumë i ngarkuar dhe plot stres, prandaj humori është i domosdoshëm.

Keni interpretuar Don Kishotin, Çaplinin… A është e lodhshme, përshtatja nga interpretimi i një roli komik në atë tragjikomik?

Eno Peçi: Aspak. Përkundrazi, është motivim. Personalisht më lodh më shumë kur kërcej vetëm një rol për një kohë të gjatë. Më pëlqen të interpretoj dhe të shprehem në skenë nëpërmjet karaktereve të ndryshme. Eshtë e nevojshme të interpretosh role të ndryshme, sepse kur kthehesh përsëri në atë rol që ke kohë pa e interpretuar, fillon ta rimendosh përsëri interpretimin.

Eksperienca juaj për më se njëzet vjet, ju ka bërë të realizoni me mjaft mjeshtëri, besueshmëri e origjinalitet çdo rol që ju interpretoni. Ku qëndron sekreti i suksesit?

Eno Peçi: Dashuria dhe respekti që kam për këtë profesion të bukur. Dhe këtë afro njëzet e dy vjet eksperincë, që vazhdon akoma në teatrin e operës së Vjenës.

Shpesh interpretoni i vetëm si solist në skenë. Si jeni ndier si artist dhe njëkohësisht si balerin gjatë  interpretimit të një roli?

Eno Peçi: Eshtë një ndjesi shumë e bukur! Kur del në skenë, pavarësisht se jam balerinë nuk mendoj se si t’i bëj lëvizjet apo të hidhem më shumë etj. Ky proçes ndodh në prova. Sapo del në skenë, je diçka tjetër. Je i karikuar me ato ndjenja që do t‘i transmetosh para publikut dhe në fund mbasi shfaqja mbaron je i zbrazët, bosh, sepse gjithçka ndieje e le në skenë. Në qoftë se arrin të realizosh këtë ndjesi mbas çdo shfaqjeje, atëhere je me fat.

Publiku artdashës i Kosovës ka vlerësuar premierën tuaj si balerinë dhe koreograf, e cila lidhet me ngjarjet e errëta të vitit 1997-1998 në Shqipëri. Si është mirëpritur kjo premierë?

Eno Peçi: Mendoj që ishte një nga shfaqjet e mija më të suksesshme. Patjetër që kisha obligim në arritjen e suksesit përballë publikut artdashës të Prishtinës. Natyrisht në Kosovë u ndjeva si në Shqipëri. Nuk shikoj ndonjë ndryshim mes tyre.

Padyshim keni interpretuar role në Shqipëri. Si jeni ndjerë?

Eno Peçi: Publiku shqiptar është dhe do të mbetet më i dashuri për mua. Është vendi im, dashuria ime. Ndaj në do kohë do të kërcej pa u lodhur për atdheun tim, popullin tim. Këto fjalë shpreh shpesh dhe këtë periudhë pushimesh të mia, të cilat padyshim po kaloj në mrekullitë e Bregut. Ndodhem pranë të afërmve të mi nga Kuçi, ku unë linda dhe kalova fëmijërinë, njerëzve të mi, miqve e shokëve. Pra unë jam vlonjat.

Keni prekur suksesshëm skena me fame botërore në Gjermani, Amerikë, Japoni, Itali, Austri, Angli, Francë… Cili publik i këtyre vendeve ju ka lumturuar më shume?

Eno Peçi: Çdo vend reagon ndryshe. Diku janë më të përmbajtur edhe pse shfaqja u ka pëlqyer shumë, diku bërtasin ose fishkëllejnë nga gëzimi, ose diku duartrokasin me takt të gjithë së bashku. E rëndësishme është që publikut t‘i pëlqejë shfaqja dhe ato dy orë që ai vjen dhe shikon shfaqjen, të harrojë gjithçka çfarë ndodh jashtë teatrit.

Çdo të thoshit për artistët e tjerë shqiptarë Inva Mula, Agim Hushi, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Ilir Kerni, Josif Gjipali… të cilët kanë lënë emrin e tyre në skena botërore?

Eno Peçi: Patjetër ndiej krenari, ndonëse një pjesë e këtyre janë miqtë e mi; mua më gëzon fakti që artistët shqiptarë kudo që ndodhen jashtë Shqipërisë arrijnë të bëjnë një karrierë të shkëlqyer.

Jeni ndër artistët më të veçantë shqiptarë, madje keni patur fatin e mirë, që jeni takuar me Papa Françeskun… Si u përjetua tek ju ky takim?

Eno Peçi: Ishte diçka e bukur e veçantë. Një kujtim që s’kam për ta harruar.

Vitet e fundit janë konsideruar të frytshme bashkëpunimet në fushën e artit midis Austrisë dhe Shqipërisë. Çfarë kanë të përbashkët mes tyre këto dy vende?

Eno Peçi: Shqipëria dhe Austria janë dy shtete që shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën. Në Austri ka disa artistë shqiptarë dhe them se bashkëpunimi mes artistëve shqiptarë, por edhe austriakë, është një nga motivet që i bashkon këto dy vende.

Ju dhe bashkëshortja juaj, Dagmar Kronberger, jeni pjesë e trupës së baletit të Vjenës. Ndërkohë në jetën tuaj keni dy fëmijë të bukur, vajza  Lea 12 vjeçe dhe djali Enea 6 vjeç. Sa ju duhet të sakrifikoni kohën e qëndrimit me fëmijët tuaj?

Eno Peçi: Kur kanë qenë më të vegjël kemi sakrifikuar shumë, sepse familja është shumë e rëndësishme. Padyshim u kushtojmë kohën dhe kujdesin e duhur. Pa diskutim edhe tani, por janë më të rritur. Por ka qëlluar dhe disa raste, që i kemi marrë edhe në prova dhe në shfaqje. Vajza fillon klasën e tetë në Shtator, ndërsa djali është në vitin e fundit të kopshtit përpara se të fillojë vitin e parë të shkollës.

Mendoni se fëmijët tuaj po marrin diçka nga nectari i prindërve të tyre artistë?

Eno Peçi: Ata të dy artistikisht kanë dhunti. Ushtrojnë vegla muzikore si piano dhe kitarë, por se çfarë do të bëhen në të ardhmen duhet ta zgjedhin vetë. Ne do i mbështesim plotësisht.

Keni patur shpesh raste të zhvilloni në kushte pandemie, prova jo vetëm në skenë por madje dhe në ambiente shtëpie. Si e keni përjetuar këtë periudhë, e cila ende nuk është larguar…?

Eno Peçi: Në fillim të pandemisë mbylljet e teatrove kanë qenë kohë shumë të vështira. Asnjë gjë nuk funksiononte. Mundoheshim të stërviteshim në shtëpi, por nuk mjaftonte. Baleti ka nevojë për hapësirë, për studiot e baletit dhe skenën, ndryshe është e kotë. Por gjithsesi edhe në pandemi na është dhënë mundësia të shkojmë në teatër dhe të ushtrojmë profesionin tonë. Sigurisht duke u testuar çdo ditë dhe duke ndjekur të gjitha masat e duhura, por pa publik. Mbas një kohe të caktuar filluam të performojmë edhe përpara publikut, por me një sasi të vogël audience dhe duke ndjekur masat e duhura gjithashtu. Ne tani në teatër jemi të gjithë  të vaksinuar, falë drejtuesve të institucionit të Vjenës dhe qeverisë austriake. Tani ne zhvillojmë shfaqje në teatër, por me një sasi më të vogël audience.

Në mjaft vende njihen trupa baleti të famshme, ndërkohë ju vlerësoni vetëm dy prej tyre, Rusinë dhe Francën. Vërtetë baleti i këtyre dy vendeve është i mahnitshëm?

Eno Peçi: Metodat e baletit kanë filluar në Rusi, Francë, por edhe në Itali. Më vonë këto metoda janë përhapur kudo. Por me kalimin e kohës baleti është i zhvilluar më shumë dhe këto metoda janë perfeksionuar edhe më shumë. Gjithsesi baza është e njëjtë.

Kërcimet Danc, Vals, Tango, Twist… janë të njohura kudo. Cila nga këto kërcime mbetet preferenca juaj?

Eno Peçi: Janë kërcime që ne nuk i frekuentojmë aq shumë përveç valsit. Sepse jetoj në qytetin e Vjenës dhe kam kërcyer shpesh herë në koncertet e Vjenës në 1 Janar. Kështu që valsi në Austri është i domosdoshëm.

Kohët e fundit jeni cilësuar nga  regjisorë dhe kritika e artit vjenez si koreograf me të ardhme të shkëlqyer. Mendoni se kjo do të jetë e ardhmja juaj?

Eno Peçi: Unë kam që në vitin 2009 që kam filluar me krijimtarinë dhe koreografinë. Kam krijuar edhe për teatrin e Vjenës, por gjithashtu edhe në teatro të ndryshme të botës. Projektet koreografike të ardhshme për këtë sezon deri në fund të këtij viti, ndodhen në Gjermani, Slloveni dhe Hungari.

Keni pohuar se do të dëshironit që një ditë të kishit shkollën tuaj të baletit. Eshtë e vërtetë?

Eno Peçi: Jo aspak. Të hapësh një shkollë baleti është një përgjegjësi shumë e madhe. Mua më tërheq dhe më intereson më shumë bota e kreativitetit… krijimi.

A është në planet tuaja, dëshira për të dhënë një tjetër shfaqje në Shqipëri?

Eno Peçi: Me shumë kënaqësi, por edhe bashkëpunime me artistë të ndryshëm.

Intervistoi Fadil  Shehu, 1 Shtator 2021.

https://telegraf.al/kulture/flet-eno-peci-shqiperia-dashuria-ime-takimi-me-papen-dhe-talentet-hushi-jaho-pirgu-gjipali-kerni-dhe-inva-mula/

Eno Peçi nderohet me Çmimin Austriak për Shkencë dhe Art

Eno Peçi ishte i pari balerin shqiptar që performoi live në Koncertin e Vjenës. Ishte fillimi i vitit 2014, kur “primo balerini” nga Akademia e Baletit të Tiranës, i shkolluar më pas edhe në Shkollën e Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës, u ngjit në skenë dhe u duartrokit si asnjë shqiptar më herët.

Sot, atë e kemi një ndër ambasadorët më të mirë shqiptarë në Vjenë, aty ku ai jeton e punon. Sot, artistin shqiptar e kanë vlerësuar me Çmimi Austriak për Shkencë dhe Art “Österreichischen Ehrenkreuzes für Wissenschaft Und Kunst”.

Këtë ngjarje e ka shpërndarë vetë artisti në faqet zyrtare që ka në rrjetet sociale ndërsa shpreh falënderimet për vlerësimin. Eno Peçi, me këtë çmim nuk është më vetëm baleirin që vlerësohet nga kritikët. Ai është rritur shumë, Eno Peçi tanimë është një koreograf, shfaqjet e të cilit duartrokiten në skena ndërkombëtare.

Dhjetor 2019.

Please follow and like us: