Albspirit

Media/News/Publishing

Andon Dede: “Main Kampf-i” në Shqip

 

“Main Kampf-i” në Shqip

Para, gjatë dhe pas leximit të librit

nga Andon Dede, Nju York

 

Po e nis këtë koment me një rrëfim të shkurtër personal.

Për këtë libër, edhe unë, si gjithë brezi im, kishim dëgjuar qysh të vegjël, në bangot e shkollës, kur bënim historinë botërore. Të jem i sinqertë me lexuesit, mua më qe ngjallur një kureshtje e madhe për ta lexuar këtë libër, duke u nisur nga autori dhe gjëmat që i shkaktoi ai njerëzimit. Por, në kushtet e sistemit që lamë pas, kur qenë të ndaluara jo më libra të këtij kalibri, por edhe shumë më të pa “rrezikëshme”, as që bëhej fjalë për ta poseduar e lexuar atë.

Me ardhjen këtu, në Amerikë, m’u ringjall edhe njëherë kjo dëshirë e vjetër për ta lexuar, për më tepër që tashmë i kisha edhe mundësitë që ta kënaqja edhe këtë kuriozitet. Dhe ja, një ditë prej ditësh, e gjej në bibliotekë dhe ia nisa leximit. Për hir të së vërtetës, duhet ta pranoj se nuk qe aq i lehtë në të përtypur, por dhe unë nuk dorëzohesha. Por, një përkitje e bukur, ma lehtësoi ndërmarrjen që kisha nisur. Marr vesh se libri i famshëm sapo qe botuar edhe në shqip, madje nga dy shtëpi botuese njëherësh. I porosita dhe m’i dërguan të dy vëllimet. Kjo, jo vetëm ma lehtësoi leximin por dhe më ndihmoi që ta asimiloj sa më mirë përmbajtjen e tij.

Ndërkohë, përmes medias, shoh se në Shqipëri kishte nisur një polemikë e madhe nëse duhej botuar apo jo ky libër. E them këtë se që edhe në Gjermani, si në shumë shtete të tjera, më të emancipuara e me një demokraci shumë më të konsoliduar se ne, botimi i tij ishte ndaluar. Botuesit përpiqeshin ta përligjnin veprimin e tyre, nisur nga koncepti se tashmë, jemi në demokraci e të lirë të botojmë e të lexojmë gjithçka, pa asnjë dallim, ndryshe, thoshin ata, po përdorëm filtra e pengesa, as më pak e as më shumë do të ktheheshim atje ku ishim, në një censurë të re, pra, më kot do të pretendonim se ishim plotësisht të lirë.

Sado e habitshme apo dhe e pabesueshme, pse jo dhe kontradiktore të duket, unë, pa e lexuar librin, në parim, isha kundër botimit të tij. Pse e them këtë dhe a mos tingëllon kjo si hipokrizi apo dyfytyrësi me që, nga një anë pohova më lart se isha shumë kurioz ta lexoja dhe, nga ana tjetër, isha kundër botimit të tij në Shqipëri?! Në këto vlerësime, edhe pse ka diçka të vërtetë, them se gjithçka mund të përligjet, siç do të përgjigjem ta shtjelloj më poshtë. Ky ishte dhe qëllimi i këtj shkrimi. Për këtë, le të bëj një kapërcim në kohë, duke shtruar një pyetje tjetër: a e kam këtë mendim edhe pasi lexova librin? Po e them me plot gojën se i përmbahem po atij qëndrimi: mendimi im ishte dhe mbetet se ai nuk duhej botuar në Shqipëri(!).

Dikush, me të drejtë, do të kërcejë përpjetë e do të më thotë: “More, s’po të marrim vesh ty: nga një anë thua se ishe kurreshtar ta lexoje dhe, sa t’u dha rasti, fillove ta lexosh dhe, nga ana tjetër, thua se nuk duhej botuar në shqip”? Mos u mërzit, lexues i dashur, se do ta sqaroj dhe këtë problem.

Ideja për të shkruar këto rreshta më lindi që gjatë leximit të librit. Gjithënjë e më shumë më godiste si çekan në tru mendimi se si qe e mundur që Bota ta lejonte kasaphanën e Luftës së Dytë Botërore, kur Hitleri, përmes këtij libri, veç fjalimeve të shumta, para e pas marrjes së pushtetit, e kishte shpalosur hapur platformën e tij për pastërtinë e racës ariane, pse jo edhe për të sunduar botën?! Si ka mundësi, thoshja me vete, që u lejua ai t’i shkojë aventurës së tij të çmendur deri në fund, pa ndeshur paraprakisht ndonjë pengesë, qoftë brenda në Gjermani, ashtu dhe në Europë e mbarë Botën?!

(Këtë pyetje, kohët e fundit, unë ia kam bërë vetes edhe për krijimin e Shtetit Islamik, ISIS: ç’bëjnë tërë ato shërbime inteligjente, jo vetëm këtu në SHBA por në tërë botën: nuk kemi të bëjmë thjesht me një akt terrorist apo me një grup njerëzish por me një shtet të tërë, që u krijua për ditën me diell në mes Sirisë e Irakut?! Por, kjo është një temë tjetër që del jashtë caqeve të këtij shkrimi).

Mirëpo, edhe pse nisa shënimet qysh gjatë leximit, po nguroja ta hidhja në letër e ta botoja, nga mëdyshja që kisha dhe vetë për gjithë sa thashë më lart. Këto ditë mora vesh se qe ribotuar edhe në Gjermani, pas 75 vjetësh që ishte ndaluar. Edhe aty ka ngjallur shumë diskutime e polemika të shumta. Mendimet e shprehura nga analistë e historianë, janë nga më të ndryshmet e shpesh kundërshtojnë njeri tjetrin. Jo vetëm kaq, por i njëjti person, si fjala vjen Magnus Brechtken, nga një institut studimesh, edhe e pranon se shumë njerëz do të ndihen në siklet që ky libër që ka pasur një rol tepër dramatik në histori, po vihet përsëri në dispozicion të publikut dhe, nga ana tjetër, shprehet se kjo është e dobishme për të njohur të kaluarën dhe për të parandaluar  që ngjarje të atilla traumatike të mos ndodhin më. Por ajo që më dha shtysën përfundimtare për t’u ulur e shkruar këto rreshta, qe historiani i Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë, i cili i tha po në “Uashington Post”-it se “ky libër është shumë i rrezikshëm nëse bie në duart e publikut të gjerë”. Tek këto fjalë të tij gjeta dhe unë përgjigjen apo përligjien e asaj që pohova në fillim të shkrimit e që besoj se më lehtëson “mëkatin” që bëra që nisa ta lexoj, edhe pse isha kundër botimit të tij. Duhet të bëjmë dallimin midis katëgorive të lexuesve: tjetër është ta lexojë një specialist i shkencave shoqërore, një historian apo dhe një analist apo gazetar dhe, tjetër është ta botosh e ta hedhësh në treg për masën e gjerë të lexuesve, kur ke parasysh jo vetëm moshën por mbi të gjitha dhe formimin e tyre. Besoj se për të gjithë është e qartë dhe e pranueshme, nisur edhe nga përvojat tona vetjake, se ndikimi i leximeve është në raport të drejtpërdrejtë me formimin tonë. Kur kemi qënë të vegjël ne lexonim e pranonim mbase gjithçka, gjë që nuk ndodhte më vonë kur na u hapën sytë e nisëm të mbajmë qëndrim kritik ndaj çdo leximi.

 

27 shkurt 2015

=========

Post Scriptum:

Këto shënime i hodha në letër menjëherë mbas leximit të dy vëllimeve të “Main Kamp”-it, pra, më shumë se dhjetë vjet më parë. Nuk do të më vinte keq sikur të mos i prekja fare. Nuk e di: urim apo mallkim, profesioni im as që mund të mendohet pa skedat, gazetat dhe mali i librave, dosjeve, blloqeve e burimeve të tjera të Informacionit. Por sot, ka ndryshuar me themel çdo gjë: në vend të rrëmujës që më ka shoqëruar tërë jetën, kemi lumej, dete e oqeane, ku çdogjë, përmes një butoni, arrin absolutisht çdo informacioni të mundshëm, mjafton të dish të “lundërosh”. Ndaj dhe unë, nuk ngurrova ta botoj. Ka ndryshuar Bota, Teknollogjia por, në radhë të parë, kemi ndryshuar ne vetë, na pëlqen apo nuk ka pëlqen kjo!

Lexova me shumë vëmendje e respect pedagogen e Universitetit, Pranvera Skana, madje jua rekomandoj që ta lexojnë dhe të tjerët. Megjithëse në një moshë jo fort për tu pasur zili, përulem për mendimet që keni shprehur ato pak rreshta-koncetrat. Po citoj vetëm paragrafin e parë:

“Studentët e sotëm meritojnë një metodologji të re të orës mësimore. – theksoni ju, me të drejtë. – Ata janë gjeneratë tjetër dhe ne na duhet të shkojmë sipas ligjësive të tyre e jo ata të përshtaten në format klasike të mësimdhënies. Për këtë arsye nuk mund të pretendojmë që ata të na ndjekin në leksion. Duhen forma interaktive. Për të na ndjekur dhe për ta na kuptuar”.

Nuk më mbetet gjë tjerër, veç ju falenderoj!

Nju York, 9 mars 2024

Pranvera Skana: Mos u trishto profesori im i nderuar, Shezai Rrokaj!

 

Please follow and like us: