Albspirit

Media/News/Publishing

MEMO NEXHIP BEJKO, HEROI QË SHKROI PAVDEKËSI NË KUFIRIN SHQIPTAR

Memo Nexhip Bejko

 

(Në kuadrin e 98 vjetorit të lindjes dhe 75 vjetorit të rënies të heroit dhe dëshmorit Memo Nexhipi (1.4.1926-2.8.1949); mirënjohje birit çmuar të fshatit Dukaj, Tepelenës, Labërisë dhe mbarë shqiptarisë. Memo Nexhip Bejko është shpallur me vlerësimin e lartë “Hero i Popullit” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, si dhe me titullin “Dëshmor i Atdheut”  me Vendim nr. 157 datë 10.12.1983 të  KE të KP të rrethit të Tepelenës).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Luftë apo operacion provokues ushtarak grek në gusht 1949?!

Lufta që në histori ka hyrë edhe si “provokacione ushtarake monarkofashiste greke”, filloi me “befasi”, pavarësisht se zbulimi ushtarak shqiptar kishte filluar të funksiononte. Lakmia e megaliidhesë helene dhe disa “çështje” politike apo dhe veprime të analizuara gjerësisht nga historianë e gjeopolitikanë akoma nuk e ka vënë pikën mbi “i”-në. Por fakt është se shqiptarët sulmit ushtarak prej Greqisë të 2 gushtit 1949, në juglindje me bazë rajonin e Korçës, e deri në Konispol të Sarandës në Likojan, ja kthyen reston fuqishëm, edhe me gjak. Sipas dokumenteve arkivore, në sulmin e 2 gushtit 1949, grekët përdorën kundër Shqipërisë ushtrinë me topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor çfardo ushtri që synon pushtimin. Ushtria shqiptare, iu kundërpërgjigj sulmit pushtues grek, me luftë në mbrojtje të kufijve e trojeve të të parëve. Greqia e sulmoi Shqipërinë me mbi 70.000 ushtarë, 50 avionë, 80 tanke, 400 gryka zjarri, kryesisht topa. Ushtria Kombëtare Shqiptare futi në luftimet aktive mbrojtëse 10.000 ushtarë, ndërkohë kryen rigrupim e përqëndrim pranë rajonit të veprimeve luftarake rreth 30 mijë trupa të tjerë, në gatishmëri për të vepruar në fushën e betejës.

Greqia ka pasur pretendime e synime historike për rrëmbim të trojeve shqiptare, që në shekullin e fundit i ka manifestuar me provokacione, diversione ushtarake, që të futet forcërisht trojet tona. Grekët kishin që më 1948, rreth 8-9 muaj që provokonin në kufirin e shtetit shqiptar të porsa dalë fitues nga LIIB. Ishin në mbi 700 provokime tokësore, detare e ajrore dhe acarime greke, që në fakt pala shqiptare i priti me vendosmëri, ndërkohë që në orën 4.30, më 2 gusht 1949, ata nisën sulmin ushtarak, në zonën e Bozhigradit, Mirasit filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke, duke goditur me mortaja dhe artileri kodrën “1309” mbi fshatin Vidohovë, nga predhat e të cilave vranë oficerë, ushtarë dhe civilë shqiptarë. Vetëm gjatë muajve prill-korrik 1949, grekët kishin kryer mbi 120 provokacione ajrore dhe tokësore në Bilisht, Leskovik, Sarandë, Konispol etj. Vlerësimi i këtyre provokacione prej shtetit shqiptar i paraprinte masave për një agresioni të mundshëm prandaj edhe shteti shqiptar ndërmori një sërë masash për të forcuar vigjilencën dhe rritur gatishmërinë luftarake të UP-së dhe të popullit.

Kishte filluar përgatitja e gjithë vendit në planin politik, ekonomik dhe ushtarak për mbrojtje, ishin marrë masa për moslejim të futeshin në tokën shqiptare ose ta pushtonin për ta përdorur për rrethimin e asgjësimin e forcave të Ushtrisë Demokratike Greke, që mbrohej në malet e Greqisë në kufi me Shqipërinë. Sulmi nisi me predhat e artilerisë që ranë deri 350-400 m në thellësi të tokës shqiptare. Në orën 5 filloi sulmi i këmbësorisë greke me tre batalione të Br51F dhe Br52F të D1F, të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës, 15 aeroplanë “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e qytetit Kastoria. U sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht, në piramidat nr. 54 dhe 55, në një front 700-800 m. Këtu mbrohej një togë kufitare me një efektiv 36 vetë. Mirëpo nuk kaluan veçse disa orë dhe Forcat Kufitare dhe të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit filluan kundërsulmin dhe i detyruan trupat ushtarake greke të tërhiqen me dështim të plotë, që në orët e para të sulmit.

Memo Nexhipi, biri i Labërisë flamur frymëzimi në breza

Bijtë e Labërisë kanë shkruar me gjak e sakrifica të shkuarën historike, dhe kanë ngelur flamur frymëzimi në breza. Lavdinë, krenarinë dhe mirënjohjen mbarëkombëtare Labërisë ja rritën bijtë dhe bijat dhe një prej tyre padyshim ishte Memo Nexhipi.

Memo Nexhip Bejko ishte lindur në Dukaj të Tepelenës më 1 prill 1929. Babai i tij, Nexhipi, kishte marrë pjesë në luftën kundër andartëve grekë në vitin 1914 dhe në Luftën e Vlorës më 1920, bashkë me Selam Musa Salarinë, që shkruan një histori trimërie dhe guximi për mbarë shqiptarinë dhe i bashkuan trevat jugore me trungun mëmë. Për herë të parë Shqipëria u ndie shtet i lirë dhe u quajt edhe “Pavarësia e dytë e Shqipërisë”. Babai dhe nëna e Memos, Nexhipi dhe Vezikua shquheshin në fshatin Dukaj dhe në gjithë krahinën si familje atdhetare, patriotike e njerëzore, e nderuar dhe respektuar. Me këto tradita atdhetare u edukua që në fëmijëri edhe Memua, i cili dallohej midis shokëve për zellin për të mësuar si dhe për zhdërvjelltësinë në veprime praktike. Nën frymën e atdhetarisë labe u edukua Memoja, i cili dallohej midis shokëve edhe për njerëzillëkun dhe dashamirësinë, por dhe për mbështetjen që u jepte më të vobektëve. Kushtet e vështira ekonomike e detyruan Memon që të bënte vetëm tri klasë shkolle fillore, ndërsa në moshën 14 vjeçare shkoi në qytetin e Vlorës, ku u punësua në fabrikën e vajit dhe alkoolit. Pushtimi italian i 7 prillit 1939 e gjeti në Vlorën e flamurit. Fillimi i LANÇ-it ishte për Memon sinjali i një lëvizjeje të madhe antifashiste dhe në fakt ai ka qenë ndër partizanët e parë në rrethin e Tepelenës, i cili dallohej si organizator e trim në aksionet luftarake. Memua kaloi nga njësitet guerile në çetën partizane dhe u kalit si një kuadër i ardhshëm i luftës edhe pse në moshë të vogël. Atë e rriti lufta partizane. Memua kishte qenë aktivist dhe partizan në çetat e para të zonës Tepelenës. Në shtator 1943 kishte marrë pjesë në forcat partizane të batalionit “Baba Abaz”, në batalionin territorial të Kurveleshit dhe çetat e fshatrave që rrethuan qytetin e Tepelenës dhe më 15 shtator 1943 e çliruan atë. Në Shkallën e Zezë, në shtator – tetor 1943 po këto forca gozhduan në vend për 2-3 ditë autokolonën gjermane të ardhur nga Janina dhe që ishte nisur për në qytetin e Vlorës. Partizani Memo Nexhipi edhe në këto luftime tregoi trimëri dhe guxim. Pas këtyre luftimeve Memua u caktua ndër luftëtarët e Tepelenës që do të inkuadroheshin në radhët e Brigadës II Sulmuese, si pjesë e luftëtarëve të ZIO që do të shkonin në Shëngjergj të Tiranës. Kështu në nëntor 1943, bashkë me shokë të tjerë, ai u rreshtua si partizan në këtë brigadë. Në ditët e Operacionit armik të Dimrit 1943 – 1944, Memua me disa shokë u ngarkuan me detyrë që të vepronin në rrethinat e Tepelenës dhe Kurveleshit.

Në shkurt të vitit 1944, Memon e shohim të inkuadruar në kompaninë “Ylli i Kuq”, e cila u rreshtua në batalioin e dytë të grupi të parë të Kurveleshit, ku u njoh me shumë luftëtarë dhe veçanërisht me Birçe Sinematin, i cili kishte pseudonimin “Gëzimi”, me të cilin lidhi miqësi të ngushtë. Batalioni i dytë mori emrin e dëshmorit “Sadik Buzo”, rënë në Mal të Zi, më 8 shkurt 1944. Te ky batalion Memos iu dha detyra e zëvendëskomandantit të kompanisë, kur Memua ishte vetëm 18 vjeçar. Për kohën ishte partizan i pjekur plotësisht për beteja. Ai u shqua jo vetëm si luftëtar trim, por edhe organizator e komandant i aftë në të gjitha luftimet. Në maj të vitit 1944, Memoja me disa shokë dërgohet përsëri në Brigadën II Sulmuese, në radhët e së cilës qëndroi deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. BrIIS e UNÇSH–së ishte krijuar më 28.11.1943 në Shëngjergj të Tiranës nga forcat partizane të Tiranës, Elbasanit, Gramshit, Mallkastrës, Kurveleshit, Labërisë, Tepelenës, Beratit, Korçës, Devollit, Kolonjës etj., pra dhe një batalion i ardhur nga Zona I Operative, ku bënte pjesë Memo Nexhipi. Memua shërbeu në këtë formacion të madh luftarak që i dha atdheut 85 dëshmorë. Pas çlirimit u emërua në radhët e Ushtrisë Popullore, si kuadër i saj. Batalioni ku bënte pjesë Memua qe dislokuar në fshatin Hoçisht të Devollit, që ishte një zonë kufitare. Memoja me thjeshtësinë e tij kishte fituar respektin e ushtarëve të batalionit, të cilit ia dëgjonin me vëmendje fjalën dhe ja zbatonin urdhërin luftarak. Në ato anë ku vepronte batalioni lëviznin herëpashere banda diversioniste. Njëra prej bandave diversioniste vrau në befasi komandantin e batalionit, Neshat Duro Kondi (1913-1945) nga Fushëbardha, më 1945 në Bilisht, akt që e dëshpëroi shumë Memo Nexhipin, por në të njëjtën kohë atij i shtoi forcat dhe urrejtjen për armiqtë e pabesë. Nga veprimet diversioniste, provokacionet greke në kufijtë e jugut arritën në shkallën e një agresioni luftarak të mirëpërgatitur, edhe pse nuk e kishin parashikuar se, kundërveprimi energjik shqiptar do të ishte edhe më i ashpër, edhe më i vendosur.

Vidohova, prova e zjarrit e ndezur flakë me në krye kapiten Memo Nexhipin

Më 2 Gusht 1949 falangat greke kaluan në mësymje në sektorin e Vidohovës. Provokacionet u shtrirë edhe në Trestenik, Kapshticë, Vernik, deri në sektorin e Leskovikut. Forca e parë luftarake që u shkoi në ndihmë kufitarëve trima të Vidohovës ishte kompania që komandohej nga kapiteni Memo Nexhipi dhe nëntogeri Ferit Bregasi. Komandant Memos në këto luftime iu dha e drejta të komandonte gjithë batalionin, që mbështeste drejtimin e Vidohovës. Pozicionet e luftimit u zunë së bashku me kufitarët. Armiku ishte gozhduar në vend brenda tokës sonë dhe po organizonte groposjen në llogore fushore. Memoja dhe Feriti vendosën të sulmonin për t’i çkulur dhe përzënë nga toka shqiptare. Urdhri i komandant Memos u përhap me shpejtësi në gjithë vijën e kufirit. Ushtarët u përgatitën për sulm. I pari u ngrit Memo e pastaj e gjithë kompania u sul e para pas tij. Sulmi i vrullshëm bëri që monarko-fashistët të thyheshin shpejt. Duke lënë të vrarë e të plagosur, armiku u tërhoq. Komandant Memo vëmendjen e përqendroi te vendosja e luftëtarëve në pozicionet më të përshtatshme të terrenit, ku zjarri i armëve të ishte sa më i efektshëm mbi armikun me sheshpamje dhe me sheshqitje, që përgatitej për sulm.

Përsëri në mesditën e 2 gushtit monarko-fashistët, të mbështetur nga 15 avionë luftarakë, përsëritën disa herë sulmet, duke u munduar të hynin në tokën tonë, por kufitarët qëndronin stoikë me gjakftohtësi pa u tundur nga vendi e nuk i lëshonin armikut asnjë pëllëmbë tokë. Fakt është se gjithë kodra e Vidohovës ishte ndezur flakë dhe ushtarët, me në krye komandant Memo, luftonin heroikisht, duke i vënë detyrë vetes të mos thyheshin, armiku nuk duhej të kalonte kufirin shtetëror. Beteja vazhdoni tepër e ashpër. Lufta disa herë shkoi deri në përleshje trup me trup me shovinistet grekë, një lufte që vinte vetëm pesë vite pas çlirimit dhe mishërimi por dhe vendosmëria për sakrificën e jetës për ruajtjen e tokës amtare arbërore ishte frymëzim e bindje brezash, ishte çdo gjë për atdheun e shtrenjtë dhe të shenjtëruar. Memo luftonte me mitraloz dhe nisi t’i vinte shirit tjetër, por nuk arriti, sepse aty midis komandantit dhe komisarit, plasi një predhë e fuqishme artilerie. Pasi u shpërnda pluhuri dhe u qartësua pamja, ushtarët panë kapiten Memon të gjakosur në fytyrë, me kokën të mbështetur te mitralozi.

Komisar Ferit Bregasi ishte përplasur pak më tutje i copëtuar, kurse një ushtar i vdekur ndodhej i rënë pranë komandantit të tij. Një oficer i ri i afrohet komandantit, e ngre në shpatulla dhe i thërret i ngashëryer. Memoja ngadalë hapi pak sytë, pa oficerin drejtë në sy dhe me zë në të shuar i përsëriti: “Merr komandën, kujdes, ata sulmojnë!”. Aktet e guximshme e burrërore të Heroit të Popullit Memo Nexhipi, të oficerit Ferit Bregasit, të ushtarëve Tafil Ferhati, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu e të shumë të tjerëve, të cilët ranë në mbrojtjen e Atdheut, tregojnë më së miri për cilësitë e shkëlqyera morale e luftarake me të cilat ishin brumosur efektivi i ushtrisë popullore për të mbrojtur me çdo kusht dhe me çdo sakrificë Atdheun.

Ishte koha kur armikut nuk i jepej asnjë pëllëmbë tokë, një devizë e postulat i shekujve për shqiptarët atdhetarë dhe të vendosur në “shteg të keq”. Kështu e dha jetën komandanti trim Memo Nexhip Bejko, heroi i shqiptarizmës, biri dukjot Memo Nexhipi, bir i lavdishëm i Labërisë dhe i kombit shqiptar. Për meritat e tij në LANÇ, si ushtarak e kuadër i vendosur deri në flijimin e jetës për mbrojtjen e Atdheut, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi Memo Nexhipin me titullin e lartë “Hero i Popullit”. Ngjarjet në Vidohovë ishin sa të përgjakshme, aq edhe heroike dhe pikërisht për këtë heroizëm posta kufitare e Vidohovës u shpall Postë “Hero i Popullit”, pasi nuk lejoi hyrjen e grekëve në qytetin e Korçës. Ndërkohë që në Tepelenë bëhej ceremonia e varrimit të dëshmorit Memo Nexhipi, Ndihmës Ministri i Punëve të Jashtme, Manush Myftiu i dërgonte Sekretarit të përgjithshëm të UNO-së telegram proteste në lidhje me aktet agresive të monarko-fashistëve grekë në datat 2 – 4 e 5 gusht 1949, telegram për shkëlqesinë e tij Trygve Lie, Lakes Sucerss New York, telegram në emër të Qeverisë së R.P. të Shqipërisë: “Forca të armatosura të Qeverisë së Athinës kanë vazhduar të sulmojnë edhe në datat 3-4 dhe 5 Gusht në kufitë e Jugut të RPSh, të mbështetura nga artileria dhe aviacioni. Më datën 4 gusht sulmi është kryer në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut në afërsi të piramidave 11-12-13 dhe 14…”. Telegrami i protestws kishte qëllim ndërkombëtarizimin e çështjes, edhe pse shqiptarët ishin të përgatitur për ta mbrojtur me gjak tokën e tyre.

ATSH dhe gazetat shqiptare për “Provokacionet e Gushtit 1949”

Komunikatë Operative e Ministrisë së Forcave t’Armatosura të RPSH, e datës 3 gusht 1949: “Forca Monarko-Fashiste të përbëra nga 3 batalione të përforcuara me Artileri dhe të përkrahura nga 15 aeroplanë “SPITFIRE”, më datën 2.8.1949 ora 5, sulmuan në befasi dhe tradhtisht tokën tonë në sektorin e Bozhigradit piramida 54-55 me një front prej 700-800 metër gjerësi. Mbas shtatë orë luftimesh shumë të ashpra me repartet e rojës së kufirit të Divizionit të Mbrojtjes Popullit, mundën të hyjnë në thellësi të tokës s’onë deri 300-400 metro duke marrë kuotën 1309 dhe të rrahin me artileri katundin Vidohovë. Forcat t’ona në ora 18.30 sulmojnë Monarko-fashistët që kishin hyrë në tokën tonë, i ndjekin deri në kufi dhe vendosin situatën. Nga luftimet e zhvilluara janë vrarë trimërisht: Kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës, Aspirant Ferit Bregasi nga Vëndresha e Çorovodës, ushtar Tefik Ferati nga Marjani i Oparit, ushtar Shyqëri Avdyli nga Skrapari, ushtar Ibrahim Fetahu nga Lushnja dhe ushtar Hasan Ramadani nga Shijaku. Gjithashtu janë plagosur dhe 6 ushtarë. Monarko-fashistët në këto luftime kanë patur përmbi 100 vetë të vrarë dhe të plagosur si dhe rreth 50 kafshë” (ATSH).

Dokumentet e kohës tregojnë se gjatë këtyre përleshjeve në trojet shqiptare mbetën të vrarë mbi 300 ushtarë e oficerë grekë, 500 të plagosur dhe 270 robër. Nga pala shqiptare pati 29 ushtarë e oficerë të vrarë, por dhe mjaft civilë. Gjatë këtyre luftimeve më 2 gusht 1949 mbetën të vrarë: Memo Nexhipi, Tafil Ferhati, Ferid Bregasi, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani dhe në ditët në vijim u vranë edhe 23 të tjerë. Këto vetëm në ditët e para të luftës.

Në këtë agresion ranë 87 kufitarë dhe oficerë shqiptarë, të cilët janë dëshmorë të Atdheut, midis tyre dhe Heroi i Popullit Memo Nexhipi, u plagosën mbi njëqind ushtarë, kuadro dhe civilë, u dekoruan me “Urdhërin e Trimërisë”, mbi 180 ushtarë, oficerë dhe civilë. Agresioni ushtarak grek i gushtit 1949 ndaj trojeve shqiptare është një njollë e zezë në marrëdhëniet fqinjësore, ku studimi i agresionit ushtarak të 1949 përbën një pjesë të rëndësishme të historisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe të popullit shqiptar, do të jetë gjithmonë pjesë e vëmendjes së historiografisë shqiptare, për të evidentuar Ushtrinë Shqiptare në mbrojtjen territoriale të vendit, për të edukuar brezat me kulturën e domosdoshme të përkujtimit e vlerësimit të luftës dhe të heronjve e dëshmorëve të saj.

Nderimi për heroin e dëshmorin, oshëtimë labe në fjalorët enciklopedikë

Kapiten II Memo Nexhipi, (që për mbiemër i njihet emri i babait sepse i përkiste oxhakut “Bejko”), për merita të veçanta gjatë LANÇ-it, por dhe si ushtarak e kuadër është vlerësuar me titullin e lartë “Hero i Popullit” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor “Për meritat e tij në LANÇ, si ushtarak e kuadër i vendosur deri në flijimin e jetës për mbrojtjen e Atdheut”. Nga skedarët e arkivave evidencohet: Në mbështetje të art. 54 nr. 7 të Statutit të RPSH dhe të nenit 4. Nr. 12 të ligjës Nr.303 dt. 26.11.1945 mbi Presidiumin e Kuvendit Popullor mbi propozimin e Kryetarit të Qeverisë; Kryesija e Presidiumit të Kuvendit Popullor dekoron: “Me Urdhërin e Trimërisë” dëshmorët: Kapiten i II Memo Nexhip Bejko, Aspirant Ferik Naim Bregasi, me motivacion: “Gjatë shërbimit për mbrojtjen e kufijve t’atdheut nga shkeljet dhe provokacionet e monarko-fashistëve grekë është dalluar për trimëri, rezistencë dhe vetëmohim deri sa u vra, që u bë shembull qëndrese për ushtarët e tjerë” (Sipas Komunikatës Operative të Ministrisë së Forcave t’Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë të datës 6 gusht 1949).  Shkolla e Vidohovës dhe një shkollë në Memaliaj mbajnë emrin “Memo Nexhipi”, sikur edhe Shkolla e mesme profesionale dega Agronomi “Memo Nexhipi – Dukaj”, por edhe rrugët që mbajnë emrin e tij, “Memo Nexhipi” në Memaliaj, Korçë etj, si dhe është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 157 datë 10.12.1983 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tepelenës. Byroja Politike e KQPPSH, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut u mblodh për të diskutuar propozimet për dhënie titulli “Hero i Popullit” që ishte dekorata më e lartë në Shqipëri, ku në fillim u dorëzuan propozimet mbi bazën e kritereve dhe komisioni përcaktoi dhe përcolli për miratim Memo Nexhip Bejko, i cili u miratua njëzëri nga Presidiumi i Kuvendit Popullor  të RPSH-së. Janë të shumta publikimet në “Yje të Pashuar” të Resul Bedos (autor i cili ka qenë edhe vetë në gusht 1949 në beteja ku i është shuar edhe kapota nga plumbat), shkrime për rezistencën shqiptare në gusht 1949 dhe kundërpërgjigjen e fuqishme të shqiptarëve; Më 2022 u publikua libri i B. Zotaj dhe A. Zemani, Agresioni ushtarak gusht 1949, Historia e një lufte të quajtur aggresion. Në kuadrin e 30 vjetorit të rënies së Memo Nexhipit është përgatitur nga Gjolek Jupin ga Muzeu Historik i Tepelenës të shtypur në Gjirokastër libri “Memo Nexhipi – Hero i Popullit – Muzeu Historik Tepelene.1979”;  Është përgatitur një dokumentar televiziv në vitin 1975, për ngjarjen historike të Provokacioneve të gushtit 1949 dhe harresa është më e keqja e mundshme, pasi çdo gjë që harrohet është e destinuar të përsëritet. FEUSH, Prishtinë, 2020, FESH, Vëllimi I, Tiranë 2008, faqe 202. Nëpër faqet e fjalërove enciklopedikë shkruhet në mënyrë konçize: Bejko Memo Nexhip (1926-1949). Ushtarak, pjesëmarrës i LANÇ, kapiten, Hero i Popullit. Lindi në Dukaj (Tepelenë). Pjesëmarrës aktiv në LANÇ, fillimisht në çp të Tepelenës, pastaj në bp “Baba Abaz”, zv.komandant kompanie në b2p të BrVIS. Pas Çlirimit kreu detyra të ndryshme komanduese në radhët e UP. Drejtoi veprimet ushtarake të një bk në mbështetje të Postës Kufitare të Vidohovës gjatë provokacioneve të gushtit 1949, për mbrojtjen e kufijve të atdheut kundër sulmeve të forcave greke, ku ra në fushën e luftimit, më 2 gusht 1949. (Asqeri Zemani, Hamit Kaba). FEUSH, Prishtinë, 2020 faqe 102-103; (hartuar nga Prof. Hasan Çipuri, Dr. Kudret Mita). Me të njëjtat të dhëna e gjejmë edhe në FESH të vitit 1985, që flet për “Bejko Memo Nexhip (1926-1949), si “Luftëtar antifashist, ushtarak trim e guximtar, Hero i Popullit dhe dëshmor i Atdheut…”.

 

Please follow and like us: