Albspirit

Media/News/Publishing

Vendi dhe roli i ushtrisë partizane në Qarkun e Korçës gjatë LANÇ-it

(Rreth librit “Historiku i Brigadës së IV Sulmuese”)

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Gërshetim i përkryer i veprimeve luftarake

Qarku i Korçës në vitet e Luftës së Dytë Botërore ka demostruar një vullnetarizëm të madh, një karakter popullor të admirushëm dhe mëvetësi të qartë të veprimeve luftarake në të gjitha etapat e zhvillimit të LANÇ-it. Qarku manifestoi një pjesëmarrje masive të të gjithë shtresave të popullsisë, duke evidentuar disa karakteristika të veçanta si: shtrihej në një sipërfaqe mjaft të gjerë, rreth 3.711 km2, një zonë kufitare me Greqinë; terren të përshtatshëm për mbrojtje, për sulm dhe për prita; mjaft krahina ishin të lira, me tradita atdhetare të ndezura; në fshatra ishin vendosur baza të fuqishme; popullsia në shumicën dërmuese ishte e lidhur me luftëtarët e lirisë dhe kishte traditë luftarake; i gjithë qarku u bë një burim i pashtershëm e i përhershëm për furnizimin e formacioneve partizane me luftëtarë, me ushqime e veshmbathje; krijoi kushte për formacioneve ushtarake të mëdha të ushtrisë së rregullt partizane; besimet fetare, sidomos bektashinjtë luajtën një rol të veçantë etj. Në qarkun e Korçës u realizua një gërshetim i përkryer i të gjitha veprimeve luftarake të BrS (Brigadë Sulmuese), GrP (Grup Partizan), bp (batalioni partizan) dhe formacioneve vullnetare partizane, si të komandës së qarkut, komandave të vendit, rojes partizane, spitaleve, depove, punëtorive, e deri te skuadrat e mirëmbajtjeve të rrugëve, të ndërlidhjes etj., për të cilat përgjigjej shtabi i Qarkut. Në zonën në kufi me Greqinë, u mbajtën lidhje të vazhdueshme me popullatën dhe forcat greke duke gërshetuar nevojën e një pune më të konkretizuar në luftën e përbashkët kundër pushtuesit të njëjtë.

Në qarkun e Korçës nën drejtimin e organizatores së luftës PKSH, gjatë vitit 1942 u krijuan 8 çeta partizane (çp), ndërsa në vitin 1943 deri në formimin e Shtabit të Qarkut vepronin mbi 15 çp. Pikërisht në këtë kohë, çp nisën të grupoheshin dhe “formuan bp dhe shtabin e qarkut për t’i drejtuar…”. Në qershor 1943, në Korçë u krijua shtabi partizan i Qarkut, si dhe ishin krijuar dhe zhvillonin veprimtari luftarake 6 bp “Ali Kelmendi”, “Themistofokli Gërmenji”, “Fuat Babani”, “Çlirimi”, “Hakmarrja” dhe bp i Mokrës, gjë që shënoi dhe shkallën më të lartë të organizimit ushtarak në këtë qark. Në qarkun e Korçës deri më 10 korrik 1943 vepronin 6 bp me një efektiv mbi 1.800 veta. Efektivi i forcave partizane në çp e bp arrinte në 2.500 veta, por, këtu vepronin dhe rreth 2.000 veta, që bënin pjesë në çeta e batalione territoriale në fshatra e zona të lira, si dhe njësite guerile në qytete e në disa krahina të pushtuara. Ky organizim ushtarak përbënte një shtrat të përshtatshëm për zgjerimin e luftës së armatosur.

Në shtabin e Qarkut të Korçës dhe në formacionet partizane luftonin dhe drejtonin kuadro, atdhetarë të vjetër, komandat Reshit Çollaku, Nexhip Vinçani, Teki Kolaneci e Petrit Dume Heronj të Popullit, Riza Kodheli, Irakli Bozo, Taqi Skandi, Behar Shtylla, etj., komisarë Sabri Kamber Ruçi i çp Gorë-Opar, Pilo Peristeri, Raqi Themeli, Orhan Frashëri, Skënder Çaçi, Tuk Jakova, Pëllumb Dishnica, komisar intelektuali me kulturë dhe përvojë lufte, Misto Treska, Mihallaq Ziçishti, si dhe kuadrot Vaskë Gjino, Spiro Shalësi, Zija Kambo, Gaqo Peristeri, Vera Pojani, Eleni Pashko, Fatmir Gjata, Raqi Qirinxhi, Milo Qirko, Sotir Filto, Meço Starja, Maqo Çomo, Arzen Leskoviku, Llazi Stratobërdha, Petro Papi, Meleq Babani, Vangjel Marko, Mihallaq Konda, etj. Por me dhjetëra të tjerë u angazhuan nëpër shtabe e komanduan forcat territoriale dhe në terren. Nën kujdesin e tyre u përgatitën qindra të tjerë, që me guxim, trimëri e aftësi fituan njohuri taktiko-operative e udhëhoqën formacionet partizane dhe popullin në luftë.

Pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, në qarkun e Korçës u krijuan: Batalioni partizan “Qamil Panariti” i formuar më 10 korrik 1943 në katundin Vithkuq të Korçës, me efektiv 200 partizanë. Batalioni përbëhej me vullnetarë e partizane nga katundet Panarit e Vithkuq. Shumica e partizanëve kishin përvojë në luftime kundër pushtuesve fashistë e nazistë, si në aksionin e Barmashit kundër gjermanëve, etj. Më 5 shtator 1943, në katundin Voskopojë u formua bp “Shqiponja” me 250 partizanë, me veprime luftarake të zhvilluar në krahinën e Gor-Oparit, në Rrëzë dhe në Fushën e Korçës. Bazën kryesore e ka patur në Voskopojë. Më 28 dhjetor 1943 hyri në përbërje të BrIVS. Më 16 shtator 1943 në katundin Rëmbec të fushës së Korçës, u formua bp “6 dëshmorët”. Më 15 tetor 1943 u formua bp “Skënder Çaçi” me partizanë e vullnetarë të Rrëzës, Fushës dhe qytetit të Korçës. Ka zhvilluar luftime në krahinën e Rrëzës, Fushës së Korçës, etj. Më 16 tetor 1944 hyri në përbërje të BrIXS. Më 3 nëntor 1943 u formua bp i Rinisë së qarkut të Korçës me partizanë nga i gjithë qarku. Ka zhvilluar luftime në krahinat e Rrëzës, Fushës së Korçës dhe Gorës.

Njësitë luftarake që u krijuan dhe vepronin në Qarkun e Korçës

BrIS u krijua më 15 gusht 1943 në Vithkuq të Korçës. Brigada u organizua nga dy batalione të Qarkut të Korçës dhe nga vullnetarë të ardhur nga Elbasani, Berati, Vlora dhe Gjiroksatra. Partizanë të veçuar kishte nga Dibra, Kukësi, Tirana dhe Shkodra. Gjithsejt në ditën e krijimit 556 partizanë, midis tyre 10 ishin vajza. Në përbërje kishte 4 bp, 1 kompani mortaja, 1 kompani kundërajrore, 1 bateri artilerie dhe në shtator 1943 dhe bp “Antonio Gramshi”, me ushtarë italian. Drejtuesit kryesorë në ditën e krijimit, komandant Mehmet Shehu, komisar Tuk Jakova dhe në shtab ishin Fiqiret Shehu, Sadik Bocaj, Mihal Prifti dhe Dori Panariti.

Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, më 28 dhjetor 1943, në Voskopojën të Korçës, vend me tradita patriotike e kulturore, u formua Brigada e IV Sulmuese (BrIVS). Në brigadë u inkuadruan partizanë dhe kuadro me shumë përvojë luftarake të fituara në luftimet me armikun. Të tillë ishin luftëtarët e batalioneve partizane “Shqiponja”, “Gorë-Opar”, “Tomorri”, “Çlirimi”, “Fuat Babani”, “Hakmarrja”, si dhe një numër i madh vullnetarësh dhe kuadrosh nga qyteti i Korçës. Brigada u organizua me katër batalione dhe në ditën e inagurimit u përbë nga një efektiv prej 600 luftëtarë. Shumë shpejt gjatë luftimeve me armikun, ajo u dyfishua me partizanë vullnetarë të krahinave të Shqipërisë së Mesme. Me Urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, komandant i brigadës u caktua Nexhip Vinçani dhe komisar Pëllumb Dishnica. Të dy këta kuadro ishin më me përvojë luftarake, të sprovuar në luftimet kundër armikut, patriotë dhe revolucionarë të brumosur me ndjenja patriotike për çlirimin e vendit. Ndërsa në shtabin e brigadës dhe në komandat e batalioneve u caktuan dhe shumë kuadro të dalluar në aksione dhe luftime të çetave partizane të qarkut të Korçës. Të tillë ishin Vaskë Gjino, Petrit Dume, Spiro Shalësi, Pano Xhamballa, Zija Kambo, Gafur Çuçi, Xhafer Lubonja, Gaqo Peristeri, Vera Pojani, Eleni Pashko, Fatmir Gjata, Raqi Qirinxhi, Milo Qirko, Mihallaq Konda, Sotir Filto, Halit Mati etj., të cilët kishin përvojë dhe aftësi luftarake të shquara në luftime me armikun. Të gjithë këta kuadro dhënë një kontribut të madh në të gjitha luftimet e brigadës që nga krijimi e deri në çlirimine vendit.

Operacioni armik i Qershorit 1944 vazhdonte në Shqipërinë e Jugut dhe në mjaft krahina zhvilloheshin luftime. Në Opar e në Protopapë më 29 qershor 1944 nisi rrugën luftarake Brigada e XV Sulmuese (BrXVS), e cila në inagurim e sipër vijoi luftimet. Përvoja që kishin fituar kuadrot dhe luftëtarët e batalioneve partizane e territorial të qarkut të Korçës, ishte e dukshme në bp “Fuat Babani”, “Hakmarrje”, “Skënder Çaçi”, “Reshit Çollaku”, “Tomorri”, “Rinia”. Brigada në inagurim kishte gjithsej 750 luftëtarë. Një rol dhe veprimtari të rëndësishme në veprimtarinë luftarake të BrXVS luajtën komandant Teki Kolaneci, Hero i Popullit dhe komisari Shahin Ruka. Në brigadë luftuan dhe drejtuan kudro si Meço Starja, Maqo Çomo, Arzen Leskoviku, Llazi Stratobërdha e Endri Keko etj.

BrXXS u formua me 9 shtator 1944 në Protopapë të Oparit. Në radhët e saj u rreshtuan partizanë e kuadro me përvojë lufte e drejtimi të ardhur nga batalionet “Reshit Çollaku”, “Tomorri”, “Hakmarrje”, “Fuat Babani”, “Skënder Çaçi”, “Çermenika”, si dhe vullnetarë nga terreni. Në ditën e inaugurimit numëronte 1.500 luftëtarë, ku rreth 90 ishin gra dhe vajza me aktivitet lufte në terren, në greva e demonstrate dhe gjimnaziste nga Korça. Komandanti i brigadës Riza Kodheli dhe komisar intelektuali me kulturë e përvojë lufte, Misto Treska.

Më 16 tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, batalionet partizane e territoriale që vepronin në Qarkun e Korçës, si “Fuat Babani” që vepronte në sektorin e Devollit, “Reshit Çollaku” në sektorin e Pogradecit, “Skënder Çaçi” në sektorin e Gorë-Oparit dhe të rrëzëz së Korçës, “Tomorri” që vepronte në sektorin Voskopojë-Vithkuq-Bellovodë dhe “Hakmarrja” që vepronte në sektorin e Kolonjës, u inkuadruan në Brigadën e IX Sulmuese (BrIXS). Përurimi i brigadës u bë në Lozhan të zonës së Oparit në qarkun e Korçës. Komandant i brigadës u caktua Irakli Bozo, komisar Mihallaq Ziçishti, zëvendëskomisar Petro Papi, përgjegjësi i rinisë Meleq Babani, intedent Vangjel Marko.

Komanda dhe shtabi i Qarkut të Korçës kanë bërë dhe plotësimin me partizanë në disa brigada sulmuese, më shumë në BrIIS, por dhe në brigada të tjera. Në zbatim të urdhrit të SHP dhe të detyrave të shtruara nga Shtabi i Zonës u krijuan depo, si dhe spitale partizane në Vithkuq, Mokër, Voskopojë, Lozhan, Devoll, Ersekë, Leskovik. Këto ishin vende malore, të ruajtura mirë, në disa raste nuk kishte rrugë automobilistike. Ndihma e popullit në transport, me gjithë vështirësitë, ka qenë mjaft efektive dhe në kohën e duhur.

Organizimi i pushtetit ushtarak të prapavijave dhe forcave territoriale

Në vitin 1942 dhe fillim vitin 1943, forcat partizane kishin çliruar plotësisht krahina të tëra të cilat ishin kthyer në zona të lira, si Gorë – Opar, Leskoviku, Vithkuqi, Voskopoja, Mokra, Devolli, etj. Armiku nuk mund të shkelte më në këto zona, veçse me operacion të organizuar dhe me forca të shumta e në bashkëpunim të ngushtë me BK. Komanda vendi në qark u ngritën në Leskovik, Ersekë, Vithkuq, Voskopojë, Bilisht, Maliq, Mokër, Komanda e Qarkut i kishte në vatrësinë e saj të gjitha komandat e vendit. Vëmendja e Komandës dhe e Shtabit të Qarkut u përqëndrua në mbajtjen nën kontroll të zonave të çliruara dhe administrimin e tyre. Kjo shprehej në shtrirjen e organizimit të komandave të vendit, e deri te roja partizane vullnetare, si dhe në organizimin e drejtimin e batalioneve territorialeve vullnetare dhe shtrirja e tyre në çeta territoriale në çdo fshat. Kjo përbën një dukuri të rrallë, për vetë masivizimin që mori lufta kundër pushtuesit të huaj në Zonën e Korçës. Partizanët në zonën e Korçës sulmonin garnizonet gjermane, ndërsa “nacionalistët i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve as në çastet e fundit, duke ruajtur forcat vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve”.

Popullsia vendase e aftë për luftë u rreshtua natyrshëm në formacione vullnetare territoriale. Ajo u bë një rezervë e UNÇSH, luajti rol të rëndësishëm në luftë, mori pjesë në veprimet luftarake me forcat e ushtrisë partizane. Në javën e parë të muajt shtator 1943, u përqëndrua puna në shtimin e radhëve të forcave territoriale të fshatrave, në organizimin e tyre për të qenë gati për detyra luftarake të afërt. Nga çeta vullnetare të fshatit, në raport me zhvillimin e luftës dhe ndërgjegjësimin e pjesëmarrjen e gjërë të popullsisë vendore, u kalua në krijimin e batalioneve teritoriale të çdo krahine. Këto forca ishin një mbështetje e madhe dhe burime të fornizimit të ushtrisë partizane. Kontributi i tyre ende nuk është vlerësuar dhe çmuar sa dhe si duhet, për të gjitha sakrificat e bëra në operacionet e armikut në fshtarat dhe krahina. Partizanët dhe tërë populli i Qarkut të Korçës ishin aq këmbëngulës dhe rezultativ në luftë, sa që edhe misionarët anglezë, pavarësisht hezitimeve, pranonin se “LANÇ përbënte të vetmen forcë që luftonte…”. Qarku duke pasur në përbërje krahina me një infrastrukturë dhe dëndësi relativisht të lartë popullimi, u bë një burim mjaft i lartë prurjesh për formacionet luftarake të shumta që u krijuan në këto zona, që nga njësitet, çetat e batalionet partizane.

Njëherësh po këto burime sollën prurje të mëdha furnizimesh me luftëtarë për disa brigada sulmuese të Ushtrisë NÇ Shqiptare. Komanda e Qarkut Korçë ka dhënë një kontribut të madh për luftën, duke rreshtura në formacionet partizane mbi 12.000 partizanë, nga të cilat 800 partizane, ndërsa mbi 13.000 veta gjendeshin në çeta e batalione territoriale, në rojet partizane dhe në sektor të tjerë të luftës. Korça i dha atdheut mbi 1500 dëshmorë, ku mbi 50 ishin vajza dhe gra, mbi 1.500 të masakruar, të humbur dhe të vdekur në kampet e ndryshme të përqëndrimit. Qarku i Korçës i dha LANÇ-it 8 Heronj të Popullit: Fuat Babani, Teki Kolaneci, Reshit Çollaku, Qybra Sokoli, Koçi Bako, Petrit Dume, Kajo Karafili dhe Sotir Çaçi. Nga qarku i Korçës u vlerësuan me urdhërin e Trimërisë fshatrat Polenë, Boboshticë, Vithkuq, Çiflik, Poloskë, Kreshisht, Selenicë e Pishës, Borovë; ndërsa me Urdhërin e Flamurit fshtatrat Panariti, Voskopojë, Vithkuq, si dhe çp e Gorës, e çp e Mokrës. Populli i krahinave të Korçës, Ersekës, Leskovikut, Devollit, Maliqit, Pogradecit, etj., i kujtojnë me admirim dhe respekt heroizmat dhe trimëritë e partizanëve të këtyre formacioneve luftarake që u ngritën dhe vepruan gjatë LANÇ-it. Përmendoret, labitarët dhe pllakata përkujtimore të ngritura në vendet ku u kryen luftime dhe aksione, flasin për guximin, për trimërinë e luftëtarëve, të komunistëve, të komandantëve dhe komisarëve të kësaj njësie lavdi madhe. Kujtimi dhe respekti për dëshmorët kanë mbetur pishtar në rrugën e demokracisë të Shqipërisë.

Falënderoj familjen Konda dheTrebicka që bëri të mundur botimin e Historikut të BrIVS, një botim dinjitoz dhe me vlera të mëdha historike për Qarkun e Korçës. Falënderoj prefektin Z. Nertil Jole për nderimin që ju bën partizanëve, dëshmorëve dhe veteranëve të BrIVS në 80 vjetorin e çlirimit të Atdheut. Kjo veprimtari përkujtimore në kuadrin e 80 vjetorit të BrIVS, librin e së cilës promovojmë në Korçë, është njëkohësisht vlerësim dhe mirënjohje për veteranët që kemi mes nesh, por dhe për të gjithë antifashistëve, luftëtarëve, dëshmorëve dhe heronjve të popullit për kontributin e dhënë në arritjen e fitores së madhe, çlirimin e Shqipërisë. Duke e vlersuar këtë kontribut të dhënë në luftë nga Qarku i Korçës, ne përulemi para këtyre sakrificave të tyre me mirënjohje dhe nderim të veçantë në këtë 80 vjetor të çlirimit të Atdheut.

Please follow and like us: