Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi & Selaudin Guma: In memoriam, Novruz Kalo!

 

 

Figura që kanë lënë gjurmë në jetën shqiptare kujtohen zakonisht në përvjetoret e lindjes së tyre, por edhe në shumë evenimente të tjera. I tillë ishte edhe Novruz Kalo, lindur në 22 mars 1926, në Luzat të Tepelenës, si pinjoll i një familjeje me tradita atdhetare e liridashëse.

Pjesëtarë të kësaj familjeje, të shkolluar në Stamboll dhe Janinë, i gjeje deri në oborrin e Ali pashë Tepelenës, në kryengritjet e vazhdueshme kundër Perandorisë Osmane e deri në Shpalljen e Pavarësisë në 28 Nëntor 1912.

Gjyshi i tij, Ali Kalo Luzati, pas rënies së perandorisë dhe me pushtimin grek në 1913-1914, ku u bënë masakra e vrasje makabre në tërë zonën, (29 burra Luzatas u therën me thikë) mori dy djemtë e tij Remziun (babain e Novruzit) dhe Arshiun dhe migroi në SHBA. Pasi u vendos në Bedford, Masaçuset, SHBA u angazhua në Partinë Shqiptare që udhëhiqej nga Faik Konica, duke u emëruar kryetar i degës Nr. 7 të saj.

Aliu u caktua përfaqësues i delegacionit të Konferencës së Paqes në Paris në 1920, por në pamundësi për të marrë pjesë i dërgoi një telegram President të SHBA të kohës, Ëilson, ku kërkonte moscopëtimin e trojeve shqiptare në Jug dhe në Veri të vendit. Telegrami iu dërgua edhe përfaqësuesve të tjerë të Fuqive të Mëdha: Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Japonisë.

Ali Kalo u kthye në atdhe në 1924 dhe përkrahu i revolucionin demokratik të kryesuar nga Fan Noli. (Për këtë veprimtari të panderprerë patriotike Tepelena e ka përjetësuar duke i dhënë një rruge emrin “Ali Kalo Luzati”).

Pas kthimit në atdhe djali i madh, Remziu u martua dhe pati gjashtë djem dhe dy vajza: Myftarin, Novruzin, Muzaferin, Fatimen, Aliun, Qamilen, Zenelin dhe Isufin.

Gjatë okupacionit nazifashist, si pasardhës të Ali Kalos, djemtë Myftar e Novruz rrokën armët e u rreshtuan në radhët partizane, Myftari në Brigadën I Sulmuese, ndërsa Novruzi në Batalionin “Baba Abaz” të Brigadës VI Sulmuese. Ata luftuan deri në çlirimin e vendit dhe më pas punuan në strukturat e forcave të Armatosura të Ushtrisë. Novruzi luftoi jo vetëm brenda vendit, por vijoi edhe tej kufijve, në Vishegrad të ish-Jugosllavisë.

Ai ishte i etur për dije, madje mësonte edhe gjuhë të huaja, greqisht, italisht anglisht dhe rusisht. Pas çlirimit u diplomua nga shkolla ushtarake në Tiranë dhe në vitin 1957 u dërgua në Akademinë e Lartë Ushtarake “Lenin” në Moskë prej nga u kthye me rezultate shumë të larta. Pas studimeve u emërua në repartin ushtarak Kuçovë më pas me kthimin nga Ish Bashkimi Sovjetik, në Korpusin e Burrelit, pastaj në Brigadën e Kukësit dhe më pas u emërua komisar në Brigadën e Vaut të Dejës, Shkodër.

Ministria e Mbrojtjes, duke e vlerësuar si një nga kuadrot e talentuar për udhëheqës politik, 1965 e dërgoi në Tiranë për të kryer kursin e lartë dyvjeçar të filozofisë. Novruzi kish formim të plotë dhe aftësi letrare dhe shkruante vazhdimisht në shtypin e kohës, veçanërisht në gazetën “Luftëtari” dhe revistën “Për mbrojtjen e atdheut”.

Personalitet me interesa të gjera, që i pëlqente muzika e humori dhe që këndonte bukur, Novruzi ishte i kurdoherë mes miqve e shokëve nga të gjitha trevat e vendit.

Nga martesa e tij me Medien, nga Shalësi i Konispolit (rron ende në moshën 91-vjeçare) dhe lindën tre fëmijë: Esmeraldën, Përparimin dhe Majlindën. Ai u nda nga jeta në moshë krejt të re, në vitin 1971, në duart e vëllait të tij më të vogël, Isufit, që u bë përçuesi kryesor i vlerave të familjes Kalo.

Këtë mars Novruz Kalo përkujtohet në vitin 98-të lindjes me mirënjohje për trashëgiminë e vyer që la pas, duke nderuar kështu paraardhësit e tij. Ai fatmirësisht la pas 3 trashëgimtarë të denjë, të nderuar nga shoqëria. Që nga Ali Kalo e deri te të paslindurit në ditët e sotme, familja Kalo i është përgjigjur thirrjes së atdheut në çdo kohë dhe ruajtja e traditës atdhetare e bën familjen Kalo të shihet si shembull, model i ndërgjegjes kombëtare.

https://gazetadielli.com/in-memoriam-personaliteti-poliedrik-novruz-remzi-kalo/

Please follow and like us: