Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Një roman për peshën e lotit

 

Romani “Pesha e lotit” i shkrimtarit tashmë të njohur kombëtar është interesant dhe një prurje për një letërsi ndryshe. E them këtë që në fillim pasi ai përshkohet nga ndjenja dhe intensitet bashkëkohor gjatë gjithë zhvillimit të dramës.

Eqerem Canaj e ka nisur rrugëtimin e tij të gjatë që në sistemin socialist, pastaj, pas viteve ’90 të shek. XX, në radhët e krijuesve të Vlorës, zuri me plotë merit një vend nderi dhe të veçantë. Ai erdhi plot vrull dhe energji dhe kulmoi në një formë të veçantë, që e bëri të veçantë në ide, por dhe në trajtimin dhe shtjellimin e fenomeneve që koha përjetoi bashkë me shkrimtarin. Me një ecje krejt ndryshe dhe me një tërheqje interesant në veprat e tij letrare ngulmoi dhe zuri vend thjeshtë dhe pa bujë. I pëlqyer për tematikën dhe fjalinë e veçantë kërkoi dhe gjeti në veprat e tij, atë zhvillim të munguar, për një trajtesë dhe shterim të një mendimi dhe të një origjine të fjalës. Ai pati guxim dhe në një farë mënyre u përlesh me me ata që e shoqëronin veprën e tij me kundërthënie, por dhe kritika, për faktin se nuk e kuptonin valën e re të mendimit dhe të botëkuptimit që po futej gradualisht në letërsinë tonë. Në të tërë veprën e tij tashmë të gjendur kudo, është munduar dhe ja ka arritur që të ruaj traditë, të jetë i veçantë në përshkrimin e saj, por dhe këtë traditë ta përshkruaj me elementët e kohës së re. Në këtë vepër kjo risi shfaqet dukshëm, duke qenë një dukuri që përshkruan çdo faqe të romanit.

Romani “Pesha e lotit”, si autorin, ashtu dhe lexuesin e çon në mendime dhe në idera për jetën, për shoqërinë, por dhe për vetekzistencën e personazheve që takohen në roman. Autori ngjarjet i zhvillin në fundin e një sistemi dhe fillimin e një jete ndryshe dhe në dhe të huaj… gjatë rrugës ka mendime, ka një naracion të veçantë, ka lëvizje të një letërsie që të bën të mendohesh gjatë për fjalët dhe bashkëfjalët që nuk mungojnë në çdo paragraf dhe faqe të romanit. Ndryshimi i sistemeve sjell dhe ndryshim të gjërave jetësore…

Personazhet kryesore të romanit Kokëplumbi (Polo Koka) dhe Andi (Andi Rrapo) autori i vendos në lëvizje por dhe i lë në terrnajë dhe në marramendje. E çuditshme, që në fillim ndeshim në një skenë në brezin e kufirit, të cilin e kalojnë me kokë në torbë, siç shprehet populli. Autori si një mjeshtër në ndërtimin e skenave, por dhe të veprimeve të personazheve u ka vënë atyre “këmbët e drerit” dhe “forcën e luanit”. Tepër interesante kjo gjetje për të dy personazhet që luani me jetën e tyre, kur siç shprehen ata atdheu lëngon i plakur matanë, po ku plaket atdheut?

Pastaj njerëz që ikin dhe kërkojnë punë në dhe’ të huaj dhe në një vend jomiqësor dhe dashamirës për një komb. Personazhet nëprëmjet një zbërthimi fantastik të tyre dhe të një brejtje të ndërgjegjes jetojnë në mes krismash me shpresën për të gjetur ndonjë punë e pronar, për të punuar dhe për të gjetur ndonjë pronar zemërmirë. E gjithë sakrifica bëhet prej tyre për të të mbijetuar, ku mund të humbisje, ku intriga ishte bashkëudhëtare me ta.

Lexuesi mërzitet me veten, acarohet dhe shpërthen duke arritur në përfundim se a e meritojmë këtë fat personazhet dhe të tjerë? Ndërsa autori vijon me personazhet duk ju shpjeguar se ç’është jeta, degradimin e njerëzëve, tkurrje të burrit për mbrojtje etj.

Pastaj autori e bën ngjarjen më intriguese dhe arrin që Kokëplumbi ta lërë Andin në mes të humbëtirës, duke ngelur fillikat dhe në rrugë pa krye. Në vijim shfaqen skena kërcënuese, të egëra, shpresëthyer, ku njeriu, sado i fortë që të jetë nuk është çelik, apo nuk është shkëmb, apo nuk është gur që të mos ndjejë dhimbjen, mallëngjimin, prekjes … Prandaj trishtohet, zbehet, por edhe ngjallohet, dashurohet apo marroket me ankth apo shpresë.

Ky stil i Eqerem Canaj, jetësohet dhe në romanet e tij, ku personazhet plot me ide, Pulo dhe Andi shpërfaqen në të gjitha faqet e romanit. Ata të dy vijnë dhe përshkrohen me mjeshtëri nga autori si mbartës të ideve, qëndresë, zhvillim të karaktereve, ku i shpie fatit e rrjedha, ku i përplas jeta. Autori nuk na përshkruan imtësi për personazhet, për marrëdhënie, për detaje dhe identite të tyre. Por shkrimtari na futet dukshëm në hullinë e mendimit, të cilin e shpie deri në shterim të tyre…

Pastaj shkrimtari i është qepur fjalës ‘refugjat’, duke e bërë emër të çuditshëm. Këtë fjalë, për ta urryer e çon në një lloj pështirosje, e bën leshterik deti…, pastaj i jep kuptimin si një bashkim me sinonime dhe i thotë vrapo – rend, si një gur në rrokullimën e humnerave, një katrahurë e vërtetë.

Romani “Pesha e lotit” duket sikur është një roman për fatin e njeriut, por dhe të vet autorit. Personazhet Andi dhe Kokëplumbi që zhvillohet gjithë romani jep tabllo të situatave, gjendje psikologjike, përshkruan dobësi, dëshira, marrëdhënie, pasione, instikte, dashuri njerëzore, thyerje, iluzione, shpërthime shpirtërore, etj. Kokëplumbi dhe Andi gjenden në pikë të hallit, kanë mohur gjithçka, si fatkeq të një sistemi, duke mbetur të leqendisur, kokëprerë e shpirtvrarë, e duke ecur në rrugën e kurrkundit, ndërsa mbi shpinë ju rëndon fjala poshtëruese e kohës ‘refugjat’.

Kjo vepër letrare i shkon për shtat vetëm penës mjeshtërore të Eqerem Canajt, pasia ai dhe vetëm ai e ka mundësinë për alternative, por dhe për të përcjellë dhe për të gjykuar kohën. Vepra e shkrimtarit pasqyron këtë kohë me bëma dhe ndodhi, duke na dhënë një tabllo në letrat shqipe në vitet e fundit. Kjo narrativë na shpie në kohë dhe hapësirë, në atë prishje dhe përmbysje të sistemit socialist.

Çdo lexuesi i vjetër apo i ri mbetet i përfshirë dhe i vëmendshëm në çdo faqet të veprës, duke na dhënë përpëlitjen e fundit të një sistemi…

Në romanin “Pesha e lotit” autori ka arritur që sipas tipologjisë, stilit lakonik të fjalës dhe sintaksës së përpunuar e mjeshtërisë të nxjerrë një vepër të denjë. Kjo vepër është si një vazhdim i veprave të mëparshme të autorit si “Ethet e gjakut”, “Metastaz në blu”, “Çatia e gjarpërinjve” e deri tek “Misteri” etj. Shkrimtari Eqerem Canaj ka treguar guxim, zotësi dhe kompetencë profesionale.

Edhe tek kjo vepër nuk mungojnë njësitë leksikore të cilat janë të pranishme dhe mbeten pjesë e brendshme dhe thelbësore e veprës letrare të shkrimtarit Eqerem Canaj. Përsëri vërejmë dhe në këtë roman ndihmesë në përparimin gjuhësor. Arti i fjalës i Eqerem Canaj përësri është frymëzues dhe i goditur, me guxim po ecën drejt një proze moderne që është një dukuri e re në këto vitet e fundit.

Ramani lexohet me endje, gjuha e përdorur është e thjeshtë por ngulitëse, e fortë dhe e ëmbël, shprehëse dhe lëvruese e mendimit të thellë deri shterues.

Please follow and like us: