Albspirit

Media/News/Publishing

Vasil Muka: Gratë e Mëziut – heroina

Kemi shkruar shumë për burrat e Mëziut, por dihet se pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e zgjuar. Gratë e Mëziut ishin me të vërtetë heroina, duke filluar nga më të moshuarat deri tek të rejat. Ndërsa shumica e burrave iknin që në mëngjes herët në punë shteti, në fillim jave dhe vinin në fund javë, duke ngrënë në mensa punëtorësh e fjetur në krevate me sustë e dyshekë, në kapanone relativisht komode për kohën, gratë duhej të kujdeseshin për punët e shumta të shtëpisë. Gratë do të rregullonin fëmijtë për në shkollë, por me çfarë? Kishin ushqimin e duhur të gjitha shtëpitë dhe për të gjithë fëmijtë që qenë kokë – kokë? Më pas do të rregullonin lopën e dhitë, t’i milnin e pastronin, t’u vinin ushqimin, të ushqenin thiun, pulat etj. Duhej të zienin qumështin e ta zinin kos e djathë, apo të përgatitnin drekën e darkën. Fëmijtë qenë të vegjël e nuk e dinin nëse ka në shtëpi për të ngrënë apo jo. Ata duheshin larë, veshur e mbathur, por a ishin kushtet?! Vinin edhe miq e duhej t’u rrije në këmbë e t’u shërbeje dhe si shpërblim, të haje bashkë me fëmijtë ato që ngeleshin nga sofra e mikut. Kjo më kujtonte gjithnjë Migjenin kur thoshte “… hangri thërrimet e mbetuna të mikut…”. Nga sofra e miqve gjithmonë duhej të ngelej diçka …Për të mbrapmit…ose po lëmë diçka për sofrën për burrni e sojni, por sipas zakonit e nderit, i zoti i shtëpisë duhej të nderonte miqtë e të hante dyzetë kafshata më pas…
Vallë ishte dëshirë e grave të lindnin kaq shumë fëmijë, apo ishte detyrim nga burrat. Nuk ishte e lehtë të mbaje fëmijën për nëntë muaj në bark, të mbaje në këmbë shtëpinë e të veje edhe në punë në brigadë. Nuk donin ta merrnin lejen para lindjes, por atë e donin të plotë pas lindjes. Ka patur raste që gruaja ka lindur në krye të arës, gjatë punës. Tradita për të patur shumë fëmijë…Tmerr! Por ishin nëna heroina, loke duararta. Në disa shtëpi, me keqardhje shikoje gjendjen e mjeruar dhe kushtet e vështira të këtyre amvisave, varfërinë e tejskajshme të disa familjeve që bënin si të thuash, “një jetë në zgrip”.
Si ta mbanin pastërtinë? As fshesë nuk kishin por me dega bushi sajonin një fshesë primitive. Me se t’i lanin fëmijtë? Vetëm pak sapun pesëmbëdhjetë lekësh të Rrogozhinës mund të siguronin. Me se t’i lanin teshat e gjithë atyre fëmijve? Kishte shumë raste që përdorin finjën, ujin e vadës dhe kopaçen për t’i rrahur, gjë që rrobat griseshin para kohe. Ku ta gjenin lavatriçen apo hekurin të hekurosnin? Ku t’i gjenin enët me shumicë? Ku ta gjenin raftin a lavapjatin? Pa le, ku ti gjenin lekët për të blerë dyshekë e jorganë e detyroheshin të flinin në një krevat të madh me dërrasa ose shtronin diçka në tokë dhe aty binin për të fjetur. Në vend të jorganit kishin mbulesa copë e cikë, të sajuar me copa leckash e mballoma dhe më vinte ndërmend “Poema e Mjerimit” e Migjenit: “… mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta …”.
A nuk donin të visheshin si në ditët e mira? A nuk donin të bënin pak tualet, të zbukuroheshin, kreheshin pse jo dhe të hidhnin pak parfum? O Zot çfarë them. Cila është ajo femër apo ajo grua a nënë që nuk do më të mirën, më të pastrën, më të bukurën, më te hijshmen. Po ku dhe si, me se dhe me çfarë? Nuk harroj kur më thoshin me lutje kur shkonim me nxënësit të vilnim kallamboqin: – O mësues Vasili, mos i nxit nxënësit të qërojnë kaq shumë kallamboq, se na duhet t’i mbartim në kurriz me kosha për gjithë natën e lume, me fener në dorë. Dhe vertetë, ato me kosha në shpinë, duhej të ngjiteshin deri lart në magazinë te Dila se duhej bërë norma. Kur ne xhvishnim shumë misër, pjesa që mbetej, duhej me e mbulue me tallë sepse po ta zinte shiu, misri prishej. Prandaj edhe dikush rrinte roje dhe merrte masat e duhura. Ma kujtoi dhe Frania këtë episod.
Po kur duhej të pastronin stallat e dhive, lopëve a të qeve? Mbushnin koshat me pleh, i vinin në kurriz, e transportonin dhe e shpërndanin nëpër ara, të cilat mund të ishin larg nga stallat. Kur binte shi ose kur qe i lagur, kullonte lëngu i plehut mbi xhupa e pantallona. E tmerrshme, përfytyroni gra e vajza apo nuse të reja ngarkuar me pleh. Dhe në këtë lloj pune shikoje kryesisht gra e vajza të reja. Rrallë ndonjë burrë e shihje me kosh plehu në kurriz, për të mos thënë asnjëherë. Të gjorat gra, nuse e vajza ngarkoheshin si “mushka”. Litari sa nuk u zinte frymën se nganjëherë bëheshin edhe tahmaqare, ngarkoheshin rëndë që t’i përfundonin punët sa më parë se koha nuk u mjaftonte. Më dhimbseshin shumë kur i shikoja ngarkuar me dushk, me tallë, me dru për zjarr, me baskija, me gurë e rërë, me misër, me thasë me miell, groshë, rrush, arra e gështenja. Por më e rënda punë ishte kur me kosha-kofina të thurura prej thupra shelgu, mbartnin e transportonin plehun e bagëtive. Ishin heroina të vërteta. Punonin në parcelën personale, por ishin të detyruara edhe në kooperativë të bënin normën. Punët rraskapitëse në brigadë e në shtëpi, i lodhnin e i plaknin para kohe ato gra e vajza. Të gjitha llojet e punëve, gjithë ditën e lume, në dimër e në verë, ato i bënin. Sa shumë punë, sa shumë lodhje e sa pak shpërblim. Aspak kënaqësi, por vetëm mërzitje, ndrydhje personaliteti, nëpërkëmbje dinjiteti.
Ishin të detyruara gratë e shkreta, punëtore e të pagoja, të punonin gjithë ditën e lume në fushë e në mal. Çfarë të bënin, nga t’ia mbanin. Ishin punë të rendomta të fshatit, të zakonshme, të përditshme, të domosdoshme. Nuk mund t’u shmangeshin dot. Ndoshta kujtonin me nostalgji ditën e dasmës, veshur bukur e hijshëm, me vëmendjen e gjithë të afërmve. Mirë ato që martoheshin me burra që i njhnin më parë, po ato që ishin të detyruara të zbatonin dëshirën, vullnetin dhe urdhërin e prindërve e të martoheshin me një burrë që nuk e kishin parë kurrë. Ndoshta në heshtje bisedonin me njëra tjetrën për një jetë më të mirë e më te bukur. Mbanin mend ditët e bukura që kishin kaluar në shkollë, por edhe dhe atëhere duhej të kullosnin lopën, të mbushnin ujë, të pastronin e ndihmonin nënën e tyre. Ishin të dhembshura, mikëpritëse e bujare, zemërmëdha loket e asaj nahije, ndaj me dashuri, nderim, respekt e mirënjohje kur putha dorën e Pashke Gegës e Palina Lules kam puthur me përulje duart e gjithë Lokeve të Mëziut, që nuk na lanë pa bukë në ato ditë të vështira.
Marrë nga libri ”Mëziu i Pukës – i malësorëve bujarë”.
Please follow and like us: