Antifashisti Ali Demi, biri i Çamërisë që ra në Labëri
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Labëria dhe Çamëria kanë qenë bashkë në gëzime dhe hidhërime
Popullsia çame gjatë regjimit fashist të Metaksait kishte vuajtur shumë, por në luftën italo-greke mbajti një qëndrim neutral. Me thyerjen e ushtrisë italiane dhe tërheqjes e saj nga Greqia, dhuna dhe terrori mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë, u bë më intensive, prej qeverisë së re greke. Për të përballuar gjendjen e rëndë të krijuar nga pushtuesit e rinj gjermanë, çamët zgjodhën rrugën e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës me grekët. Kështu u organizuan dy mbledhje në Koskë dhe në Spatar, ku njerëz me ndikim në krahinë si Musa Demi, Shuaip Llajo, Isuf Izeti, Xhaferr Çafuli, Jasin Sadiku dhe shumë të tjerë, punuan për të krijuar mirëkuptim midis komunitetit grek dhe shqiptar.
Popullsia çame nuk pranoi të bashkëpunonte me gjermanët dhe nuk i përdori armët kundër popullsisë greke. Ajo u rezistoi me vendosmëri përpjekjeve për ta hedhur kundër elementit grek. Forcat shoviniste greke u shqetësuan shumë, kur u bë ngritja e këshillave shqiptarë në të gjithë Çamërinë. Në dimrin e viteve 1942-1943, popullsia çame u organizua në luftën kundër fashizmit, dhe në verën e vitit 1942, krijoi në Filat grupin ilegal të rezistencës antifashiste të përbërë nga Njazi dhe Kasëm Demi, Mustafa Sulo, Dervish Dojaka, Muharrem Demi, Braho Karasani, Sami Alushi, Tahir Demi, Vehip Huso e shumë të tjerë. Këta punuan për organizimin e rezistencës, për krijimin e bazave të luftës, për popullarizimin e ideve të Kartës së Atlantikut, e cila u garantonte popujve e pakicave etnike liri, barazi dhe të drejtën e vetëvendosjes pas fitores mbi fashizmin.
Labëria dhe Çamëria janë dy krahinat më jugore të Shqipërisë. Historikisht kanë ndarë së bashku hidhërimet dhe gëzimet. Armiqtë e Labëria kanë qenë dhe armiq të Çamërisë. Ndaj të dy krahinat janë gjendur, historikisht në rrjedhën e kohërave, gjithnjë pranë njera tjetrës. Kështu ndodhi edhe në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesve nazifashistë.
Formacione luftarake të Çamërisë luftuan e derdhën gjak krahas atyre të Labërisë, ashtu sikurse bënë edhe formacionet luftarake të Labërisë në trevën e Çamërisë. Bijt dhe bijat e të dy krahinave dhanë ndihmesë të ndërsjelltë edhe për organizimin e luftës çlirimtare.
Bilbili i Labërisë Mustafa Matohiti, komandanti legjendar Bexhet Mema apo “Labi i Kuçe”, Jaho Gjoliku etj., dhanë ndihmesë të drejtpërdrejtë në ngritjen e popullit çam në luftë dhe në drejtimin e batalionit dhe të Grupit Partizan “Çamëria”, një formacion luftarak i llojit të veçantë i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër.
Krahina e Konispolit ishte një nyje e rëndësishme strategjike dhe vlerësohej prej pushtuseve si një pikë lidhëse midis dy anëve të kufirit, por dhe me bregdetin. Ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane shqiptare e shikonte minoritetin grek në Shqipëri dhe zonën e Çamërisë, si ura lidhëse e bashkimi midis dy popujve për të luftuar pushtuesin e përbashkët. Nga marrëveshja e arritur midis Këshillit të Përgjithshëm ANÇ dhe Frontit Nacionalçlirimtar Grek (EAM), përfaqësues nga të vendet u dërguan në masat popullore për të shpjeguar këtë proces. Kjo bëri që të rreshtoheshin në forcat partizane të UNÇSH e të ELAS shumë luftëtarë nga dy vendet. Ndërsa në përshkrimin e luftimeve në sektorin e Konispolit, në prill 1944 thuhet: “Pasi dështuan të gjitha tentativat nazi-balliste të mëparshme për të okupuar zonat e lira të Vurgut e të Konispolit, armiku me tradhtarët që nga data 16 prill me forca të konsiderueshme prej afro 3.000 veta sulmuan rishtas nga 8 drejtime. Kudo u pritën me luftë nga batalionet e Gr4P. Në këto veprime kanë marrë pjesë nga ana e Greqisë dhe disa forca të Regjimentit 15 të UNÇ Greke”.
Antifashisti Ali Demi luftoi dhe ra në Labëri
Ndërkohë, biri i Çamërisë së cfilitur nga shovinizmi grek, Ali Demi, i gjendur familjarisht në Tiranë, do të jepte një ndihmesë të shquar në organizimin e qëndresës popullore kundër fashizmit në krahina të ndryshme të Shqipërisë si në Tiranë, Çermenikë, Kërrabë, Zaranik dhe në trevën e Labërisë e kryesisht në Vlorë dhe në krahinën e Mesaplikut.
Tashmë dihet botërisht se më 29 prill 1943, antifashisti Ali, së bashku me 26 të burgosur politikë të tjerë, pas një pune këmbëngulëse dhe në heshtje të plotë, hapën një tunel të nëndheshëm dhe u arratisën nga burgu i Tiranës. Menjëherë Ali Demi shkoi në Çermenikë, ku kreu detyrën e komisarit të çetës në batalionin e Çermenikës, duke kryer disa luftime në Shqipërinë e Mesme.
Në fund korriku 1943, u dërgua me detyrë sekretar i Qarkorit të Partisë Komuniste për Vlorën dhe më pas si sekretar poltik. Në krye të kësaj detyre Aliu u gjend kudo në fshatrat e krahinës së Mesaplikut dhe në qytetin e Vlorës, së bashku me të deleguarit e tjerë Ramize Gjebrea, Andrea Varfi, Lefter Kasneci, Selim Alimerko etj., të dërguar në Qarkorin e Partisë për të shëndoshur gjendjen e krijuar nga fraksioni në Vlorë.
Gjendja e organizatës së Partisë në Qarkorin Vlorë ishte jo e mirë, fraksionistët kishin mundur të depërtonin në grupet edukative dhe në organizatat e Partisë në qytetin e Vlorës, por edhe në fshatrat bazë të luftës në krahinën e Mesaplikut. Gjatë muajit gusht në saj të punës sqaruese dhe shembullit konkret u arritën rezultate të dukshme. Në përpjekje me fraksionin ranë në Lepenicë të Vlorës Shyqyri Alimerko dhe Sadik Zotaj, komunistë dhe antifashistë të hershëm, pjesëtarë të familjeve të mëdha dhe me zë në Tragjas dhe në Smokthinë. Ali Demi e ndjeu thellë humbjen e shokëve të tij të idealit dhe në varrimin e luftëtarit Sadik Zotaj në Ramicë, mbajti fjalë duke demaskuar fort grindjen dhe përçarjen e krijuara nga fraksioni dhe bëri thirrje për luftë kundër pushtuesit dhe tradhëtarëve të vendit.
Trimëria dhe guximi i tij spikatën në luftimet e zhvilluara në këtë periudhë në qarkun e Vlorës. Ai dha një ndihmesë në formimin e çetave partizane të Bregdetit, “Bashkimi” të Topalltisë, “Sali Murati” të Vranishtit, “Myzeqesë” të Myzeqesë së Vogël në Vlorë, të “Halim Xhelo” e “Avni Rustemi”. Ai mori pjesë si luftëtar në Luftën e Drashovicës, ishte në Vranisht për krijimin e Gr. 2 Partizan të Vlorë më 30 tetor 1943, ishte anëtar i Shtabit të ZIOp që në fillim të tetorit 1943.
Punoi fort në përgatitjen për krijimin e Br. V S, të formuar më 28 nëntor 1943, në Gumenicë të Vlorës. Ali Demi dhe një ndihmesë të dukshme në ngritjen e pushtetit ushtarak të prapavijës në komandën e Qarkut Vlorë, në Komandat e Vendit në Topallti, Drashovicë, Brataj, Kuç, si dhe organizimin e Rojes Partizane Vullnetare Fshatare.
Duke qenë gjithnjë në lëvizje, Aliu kishte rënë në sy të pushtuesit dhe të tradhëtarëve. Në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1943, duke u kthye natën vonë në bazën e tij në Kaninë, dhe pse në kalanë e Kaninës kishte gjermanë. Baza e tij ku strehohej ishte rrethuar nga gjermanët e ballistët. Thirrjes së tyre për t’u dorëzuar, Aliu me dy shokët, ju përgjigj me grykën e maliherit. Mbi ta filluan të bien edhe predha artilerie e mortajash. U vra shoku i tij Pano Dhimëgjoka. Plagoset Dhimitër Mandro, shoku tjetër.
Aliu për të mos rënë i gjallë në duart e armikut, çan rrethimin, por te qafa e Dheut të Bardhë goditet dhe bie në fushën e nderit si trimat…
Më 9 korrik 1945, Këshilli i Përgjithshëm Antifashist, i jep titullin më të lartë, plotësisht të meritueshëm, “Hero i Popullit”. Emrin e Ali Demit e mbajnë rrugë dhe shkolla të ndryshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe në Vlorë. Për të janë shkruar libra, monografi, poezi, janë bërë buste dhe është pasqyruar në artet figurative. Ai është Dëshmor i Atdheut dhe varri i tij gjendet në vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë.
Në këtë manifestim për Antifashizmin çam, në 80 vjetorin e Çlirimit të Atdheut, populli i trevës së Labërisë përulet me nderim para veprës së lartë atdhetare të birit të shquar të Çamërisë, Ali Demi. Ai i përket Vlorës heroike, pasi dha jetën në luftë me pushtuesit gjerman dhe reaksionin në kalanë legjendare të Aranitëve. Antifashisti ngeli përjetësisht në Vlorë për t’u treguar brezave heroizmin partizan në luftë për çlirim dhe pavarësi…