NAUM PRIFTI: KADARE, SHPREHËSI MË I THEKËT I IDENTITETIT KOMBËTAR
Fatmir Terziu
Nuk është aspak e rastësishme që shkrimtari Ismail Kadare ka tërhequr vëmendjen e të huajve me temat e tij rreth botës shqiptare. Prej kohësh, mjaft nga lexuesit e huaj kanë pohuar se e kanë njohur Shqipërinë, ose u është rritur interesi për ta vizituar dhe për ta parë së afërmi, pasi kanë lexuar një a disa vepra të shkrimtarit shqiptar. Por, ndërsa të huajt e kanë njohur identitetin shqiptar nga veprat e Kadaresë, zërat e ndryshëm kritikë shqiptarë kanë thënë ose s’kanë konsumuar aspak në lidhje me këtë pikë. Një njohës i qetë dhe i domosdoshëm është shkrimtari, Naum Prifti. Tema ime e doktoraturës, pranë Universitetit të Londrës, Sowth Bank (London South Bank University) lidhur me memorjen kulturore dhe identitetin etnik në prozën dhe poezinë e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, natyrshëm nuk do të ishte një lëvrim i gjerë i saj, as edhe një zhvillim shkencor, nëse në të nuk do të ishte edhe mendimi dhe vlerat që përcjell një penë e një kalibri të tillë, siç është shkrimtari Naum Prifti. Ai shprehet se e ka njohur Kadarenë në një jetë normale, por edhe në një kohë dhe hapësirë disi tejet ridimensionuese dhe kontradiktore. “E kam njohur Ismail Kadarenë qysh në fillimet e krijimtarisë së tij, dhe shoqëria jonë ka vazhduar gjatë, aq sa u ka rezistuar viteve, sa edhe sot nuk është vyshkur. Ngjau që ne e filluam krijimtarinë letrare në të njëjtën dekadë, në fillim të viteve ’50. Rastësisht, apo për koincidencë, kontigjenti që hyri në letërsi në këto vite pati ndikim e la gjurmë të forta në letërsinë e re shqiptare”. Lidhur me këtë, ne i adresuam disa pyetje shkrimtarit Naum Prifti dhe ai me një dashuri akademike, si një profesor i shquar i letrave shqipe, na afroi këtë material me vlera të padiskutueshme kulturore.
Profesor Prifti, si mund të përkufizohet Kadare qartësisht, duke qenë një hulumtues didakt i progresit linguistik në këmbim të së vjetrës me progresiven dhe të domosdoshmen në literaturë, në vitet e hershme të njohjes suaj?
Naum Prifti: Në ato vite Ismail Kadare na pyeste shoqërisht se si mund të përktheheshin në gjuhë të huaj, si frëngjisht, anglisht, rusisht, disa fjalë të huajtura nga turqishtja e arabishtja që ishin ngulur në gjuhën tonë dhe shprehnin kuptime të mirëfillta të sferave emocionale sikurse hallall, harram, terjaqi, jaran, ashari, sherret, ibret, mysybet, etj. Këto fjalë ishin krejt popullore e të kuptueshme për shqiptarët e të gjithave moshave, ndërsa të vështira për t’u përkthyer në gjuhë të huaj, mbasi i largoheshin kuptimit të mirëfilltë. Harram, nuk është thjesht forbidden, jo e lejuar, e ndaluar, por ngërthen kuptim më specifik në normat e jetesës, sipas botëkuptimit fetar. Fjala turqisht taze, ka kuptimin e mirëfilltë “e freskët” por ajo njëkohësisht përdoret edhe për nocionin “e ngrohtë”, e sapodalë nga furra, si për shembull bukë e ngrohtë, simite, qahije. Këto diskutime nisën si lojë midis nesh dhe na shërbenin kryesisht për humor.
Ku ndikoi kjo vlerë e Kadaresë në prozën shqiptare dhe si mund ta lexojmë ndryshe atë?
Naum Prifti: Ismail Kadareja në prozë, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë, të moshuar e të rinj, u përqendrua ta shihte e ta vizatonte Shqipërinë me tiparet e saj më të qenësishme, me ngjarje mbresëlënëse e tronditëse nga e kaluara e largët dhe e afërt. Këto tipare origjinale u dukën qysh në vëllimin e tij të parë me tregime “Qyteti i Gurtë” kushtuar vendlindjes, Gjirokastrës. Atje, ai pikturoi jetën e qytetit provincial, me tipare psiko-fizike origjinale, më saktë ashtu siç e kishte njohur. Qyteti është sa iluziv, aq dhe i vërtetë. Nuk ka qytet tjetër në Ballkan me pjerrësinë që ka Gjirokastra. Ismaili në kujtimet e tij për studimet në Institutin Gorki të Moskës pohon se, kur u tregonte shokëve të vet letrarë se qyteti i vendlindjes ishte aq i pjerrët, sa po të qëllonte të shkisje nga rruga aksidentalisht, kishte të ngjarë të bije mbi çatinë e ndonjë shtëpie, ata nuk e besonin. Thënia u dukej figurative, e ekzagjeruar, jo e besueshme, po për Gjirokastrën qe reale dhe jetësore. Gjirokastra është një perlë për piktorët e njëkohësisht qytet torturues për vendesit me rrugët e pjerrta, rrëpira me kalldrëm, ngjitje e zbritje të pasosura që të këputin gjunjët. Asnjë fotografi nuk e jep panoramën tërësore të Gjirokastrës, sepse nga çdo pikë shikimi, një pjesë e qytetit fshihet në faqet e përrenjve. Shtëpitë janë trekatëshe, ndërsa në të vërtetë vetëm kati i sipërm shërben për banesë, dy të tjerat janë bodrume, ose hajate. Një tjetër veçanti. Qyteti s’kishte rrjet ujësjellësi, as puse me kovë a pompa me dorëz, por përdorte sistemin origjinal të “sterave”, depo të posaçme përfund shtëpisë që mblidhnin ujët e shiut. Kalaja e Gjirokastrës disa shekullore, e vendosur në krye të kodrës ngjet me një vapor madhështor që ka ngelur në cektinë. Ajo i jep qytetit një pamje sa madhështore, aq dhe hijerëndë.
Poezia e Kadaresë nisi me çmime, por a qëndron argumenti i zërave të kritikës për interpretime politike?
Naum Prifti: Për poemën “Përse mendohen këto male” (1964) Kadareja fitoi çmimin e parë në konkursin kombëtar e po ashtu u nderua edhe me Çmimin e Republikës, nderi më i madh për veprat artistike. Ngjarja më e bujshme qe se e mori në telefon dhe e uroi vetë Enver Hoxha. Kjo ishte e vetmja herë që ai uronte një autor personalisht. Qëlloi që një vit më parë, Enveri kishte kritikuar ashpër dramën time “Rrethimi i Bardhë”, të cilin e kishte parë në Teatrin “A.Z. Çajupi” në Korçë. Ai e damkosi veprën me gabime, sepse e interpretoi sikur ajo përmbante sulme ndaj politikës së partisë kundrejt klasës punëtore. Kështu drama u ndalua dhe autori u vu në shënjestër të kritikave. Gjatë një shëtitje shoqërore aty pranë sheshit “Skënderbej”, Ismaili tha: “Sikur Naumi dhe unë të vdisnim sot, unë do të vdisja në kulmin e lavdisë, ndërsa Naumi në kulmin e shpërfilljes dhe kritikave”. I mbaj këto fjalë, sepse shprehnin pikëpamjen e sinqertë për kohën, edhe pse në fushën e tregimit isha bërë i njohur, pas botimit të vëllimit “Çezma e Floririt” 1960.
Romani i parë i Kadaresë ka ngjallur polemika të forta në atë kohë. A kishte diçka lidhje me identitetin shqiptar apo ishte thjesht nyja konverguese me stilin tipik Kadarean?
Naum Prifti: Romani i parë i Kadaresë “Dasma” ngjalli polemika të forta, për shkak të largimit nga rruga e njohur deskriptive e ngjarjeve. Ai u përpoq ta trajtonte realitetin në mënyrë krejt të re, me personazhe emblematikë, si “njeriu me lungë”, madje edhe Katrina, protagonistja pikturohet pa botë të brendshme. Gjithsesi, romani dëshmonte përpjekjet serioze të autorit për të thyer kornizat konvencionale e tradicionale të prozës shqipe. Kujtoj nervozizmin e autorit A.A. tregimtar dhe romancier, i cilësuar nga Kadareja si shkrimtari më skematik që kërkonte me zë të lartë nga ne shkrimtarët, hartimin e një relacioni ku të protestonim kundër veprës, duke e anatemuar si rrugë e gabuar. Për fat të mirë asnjë autor nuk e pasoi, sepse s’kishte kuptim t’i diktoje autorit si duhej shkruar.
A ndikonte ky stil në jetën e shkrimtarit?
Naum Prifti: Kadareja nuk e ka patur jetën të lehtë dhe do të ishte gabim sikur rruga e tij letrare të paraqitej e shtruar me dafina. Kohë pas kohe kundër tij kanë shpërthyer kritika të forta si nga dogmatikët, ashtu dhe nga ambiciozët, sidomos të atyre që u dukej sikur ai i kishte eklipsuar e pa Kadarenë do të shkëlqenin. Ndërkohë, Kadareja kishte nisur të shfaqte interes për shkrimtarët botërorë të anatemuar nga realizmi socialist, duke filluar që nga Franc Kafka, Kamusi, Ionescu, Celini, etj. Ai e ndjeu shpejt se, rusishtja ia kufizonte njohjen, prandaj mësoi anglishten në mënyrë autodidakte. Ai përktheu novelën “Plaku dhe deti” të E. Hemingway, e cila u prit mirë nga lexuesit. Besoj se, pasi lexoi Kafkën, ai botoi tregimin “Përbindëshi” që ngjalli aq diskutime e kritika nga rrethet letrare dhe nga zyrtarët. Mbaj mend një mbledhje në sallën e madhe të klubit të shkrimtarëve gjatë viteve ’70. Atje iu turrën me ashpërsi, “shkrimtarët” e veshur me uniformë, të cilët si ushtarakë besonin se ishin kompetentë për mjetet luftarake. Ismaili u fye nga kritikat e tyre që kalonin caqet letrare. Me buzët, që i dridheshin nga inati, kërkoi menjëherë nga kryetari D. Agolli që kritikuesit e tij t’i kërkonin falje për sulmet e tyre politike që kërkonin ndalimin e veprës dhe kryqëzimin e autorit. Kryetari gjeti një farë kompromisi, duke i cilësuar kritikat interpretime të ekzagjeruara, por mbledhja u mbyll në një atmosferë të thartuar.
Ku duhet dalluar Kadare nga shkrimtari Kadare, përpos zërave kritikë të kohës?
Naum Prifti: Sot e akuzojnë Kadarenë se qe njeri me pozitë gjatë kohës së diktaturës si Nënkryetar i Frontit Demokratik. Kjo nuk qe pozitë në hierarkinë e Partisë, por një lloj nderimi sipas stilit komunist për t’i marrë me të mirë disa persona, për t’u treguar se i nderonin. Organizata e Frontit, në këtë kohë e kryesuar nga Nexhmije Hoxha, e shoqja e diktatorit, qe një kufomë politike, e cila nuk luante më asnjë rol. Përpjekja për ta ringjallur e për të arritur unitetin popullor, ishte siluruar nga Partia e Punës, me dënimet, burgosjet dhe internimet e mijëra familjeve anembanë vendit. Pozita e Ismail Kadaresë qe emërimi kryeredaktor i revistës “Lettres Albanaise”, që botohej frëngjisht. Aty ai vendoste e përzgjidhte pjesët nga letërsia shqipe, prozë e poezi, dhe shijet e tij ndikuan që të silleshin krijimet më të arrira të çdo kohe.
A mund të konsiderohet shkrimtari Kadare thjesht si ‘një ish-anëtar i PPSH-së?
Naum Prifti: Ismail Kadareja ka qenë anëtar i PPSH, por pohoj me bindje se, nuk qe ai që përqafoi idetë komuniste, as nuk u bë ithtar i tyre. Atë e kooptuan, i vunë gishtin që ta futnin në radhët e PPSH, se ndjenin nevojë të kishin edhe intelektualë të dëgjuar në radhët e tyre, prandaj ngarkuan me mision sekretarin e organizatës së Lidhjes së Shkrimtarëve, Ibrahim Uruçin. Ai e mbante afër, e këshillonte, e udhëzonte, dhe Ismaili bënte sikur e dëgjonte, duke ruajtur gjithmonë mendimet e tij. Ka një fakt që, tregon për mendimet politike të Kadaresë ndaj udhëheqjes sonë, e personalisht ndaj Enver Hoxhës. Ismailin e dërguan anëtar delegacioni të Rinisë Shqiptare, në Finlandë, ku po mbahej Kongresi Botëror i Rinisë, me nxitjen dhe përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, që i stimulonte këto tubime për të zgjeruar ndikimin e tij. Kur delegacioni shqiptar po kalonte para tribunës, për forcë zakoni apo zelli politik, filloi të skadonte parrullën më të njohur të kohës, “Parti-Enver-Jemi gati kurdoherë!” Ismail Kadareja tok me Drago Siliqin e transformuan në thirrje proteste, duke bërtitur: “Parti-Enver/Kemi frikë se na ther!” Të thoshe diçka të tillë publikisht para tribunes në Helsinki, qe kuturisje e madhe, në mos çmenduri, sepse në delegacion kishte sigurimsa. Ky skandal erdhi në Shqipëri pas mbylljes së Kongresit, madje u bë i njohur si anekdotë, po u pa e arsyeshme të kalohej heshturazi. Duhet të ketë qenë diku mesi i viteve ’60 kur u mbajt Kongresi Botëror i Rinisë në Helsinki.
Si ndikoi ‘leksioni Kadarean’ tek një shkrimtar si ju që ishit në rrugë të njëjtë edukimi dhe vlerash të memories kulturore dhe identitetit etnik me të?
Naum Prifti: Në kohën që mua do të më çonin për studime në Institutin Gorki në Moskë, Ismail Kadareja sapo qe kthyer nga kursi special dy vjeçar për shkrimtarë, me kolegë nga Europa Lindore dhe nga republikat sovjetike. Konditat e tyre ishin shumë të favorshme, se ata kishin trajtim special, bursë të lartë, dhe favore të tjera. Në Moskë, ai botoi një përmbledhje me poezi të përkthyera, duke e ndryshuar paksa emrin nga Ismail në Smile Kadare, që të mos tingëllonte si islamik. Ai e urrente regjimin e Bashkimit Sovjetik për sistemin policor. Më porositi të ruhesha nga studentet ruse, të cilat ua vinin shqiptarëve për t’i ndihmuar të mësonin gjuhën, por edhe për të investiguar pikëpamjet e tyre politike. “Janë të gjitha spiune, agjente të KGB”, më tha Ismaili, pa më të voglin hezitim, “prandaj ruaju prej tyre!”. Të thoshe këtë gjë në vitin 1962, qe kuturisje e madhe. Në fakt, nuk munda të vija në Moskë, se bursën ma prenë për shkak të acarimit të marrëdhënieve politike me Bashkimin Sovjetik. Për një farë kohe, ne u gëzuam që shpëtuam nga tutela ruse në çdo fushë të jetës, pa e ditur se do të binim në prehërin e skematizmit të skajshëm kinez. Kinezët e patën të vështirë të botonin veprat shqipe në gjuhën e tyre se të gjitha krijimet tona të rekomanduara e të përkthyera nuk i shkonin për shtat skematizmit të tyre të skajshëm.
Pse Ismail Kadare shfaqi interes për veprat e ekzistencialistëve francezë?
Naum Prifti: Ismaili filloi të interesohej për veprat e ekzistencialistëve francezë. Ai më kërkoi t’i jepja romanin “I huaji” dhe “Mortaja” të Camus,-it dhe autorë të tjerë. Filloi të mësonte frëngjisht me ndihmën e Jusuf Vrionit, përkthyesit të talentuar të cilin francezët e nderuan me çmim ë lartë honorifik. Ndërkohë, u botua romani “Dimri i vetmisë së madhe”, titull që u ndryshua më vonë se udhëheqja komuniste shqiptare nuk pranonte kurrsesi që ishte e vetme. Përkrah saj ishin “marksistët-leninistët e vërtetë” dhe revolucionarët e gjithë botës, një eufemizmë partiake e burokracisë shqiptare, se shpejt e treguan veten si aventurierë politikë. Pas botimit nisi orteku i kritikave të rrepta kundër romanit, edhe pse në qendër të tij ishte figura e udhëheqësit shqiptar. Më kujtohet një bisedë me Ismailin në rrugën e Dibrës, drejt shtëpisë sime. Ismaili më tha se sinqerisht nuk e kuptonte ashpërsinë e kritikave me shkrim e ca më shumë me gojë nga kritikë e persona me emër. I thashë mendimin tim: Ka disa të vërteta të hidhura në roman, psh te personazhi i Sotiraqit, nëpunës në Ministrinë e Brendshme që gjen kënaqësi, duke mbushur dosjet e qytetarëve me gabime politike”. Ajo figurë zemëroi gjithë punonjësit e sigurimit dhe besoj se prej tyre nxiteshin kritikat për romanin. Ismaili u rrezikua jo vetëm t’i hiqnin romanin nga qarkullimi, por edhe ta internonin si armik të pushtetit. Enver Hoxha i zgjati kamerdaren e shpëtimit në fjalimin e tij në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan. Ai tha se, besonte se autori do ta ripunonte e do ta përmirësonte, duke patur parasysh vërejtjet. Kaq u desh që orteku i furishëm të ndërpritej dhe autori të vazhdonte i qetë punën. Kadareja bëri disa rregullime të pjesshme, po romani mbeti po ai që ishte në thelb.
Po Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, pse e sorollati Kadarenë?
Naum Prifti: Romani “Koncert në fund të dimrit” edhe pse ka kapituj shumë të bukura, ngjan paksa i shtrirë. Për botimin e këtij romani, Kadareja vuajti shumë. Disa vite me radhë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, e sorollati me vërejtje pas vërejtjesh, deri sa më në fund u bë një mbledhje e posaçme në selinë e Komitetit Qendror me të ashtuquajtur ekspertë të letërsisë, kritikë dhe aparatçikë. Ata i kërkuan me këmbëngulje që në qendër të vinte shokun Enver, që përmendej vetëm shkarazi, kurse Ismaili u mbrojt, duke thënë se atë figurë e kishte epuizuar te “Dimri i Vetmisë së Madhe” dhe nuk do të ishte e denjë ta përsëriste. Argumentin e tij e pranuan dhe romani u botua pas dy vitesh me disa ndryshime që pranoi autori.
Cila vepër e bëri shkrimtarin Kadare me nivel të bujshëm?
Naum Prifti: Vepra me të cilin Kadareja pati sukses të bujshëm në shumë shtete të Europës, qe romani “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, baza e të cilit qe një ngjarje e vërtetë, kthimi i eshtrave të ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri. Te ky roman gjeti zhvillim pikëpamja e tij për ta pasqyruar Shqipërinë me sytë dhe ndjenjat e të huajve, po aty ndërkohë jepen edhe mjaft pasazhe realiste e tronditëse nga ndërthurja midis dy kohëve. Kjo vepër pati sukses edhe si dramë, ndërsa si film nuk pati sukses, edhe pse merrnin pjesë aktorë me famë botërore si Mishel Pikoli dhe Mastrojani. Arsyeja qe këndi i gabuar i vështrimit, se kineastët tragjedinë e trajtuan si komedi-satirë.
Si e konsideroni romanin “Prilli i thyer”?
Naum Prifti: Kadareja e shtriu më gjërë vizatimin e botës shqiptare me syrin te romani “Prilli i thyer”. Aty ai gjeti fushë për të parashtruar pikëpamjet e tij për gjakmarrjen, plagën shoqërore më të rëndë, që për fat të keq u ringjall dhe po vazhdon ende. Tek-tuk ndonjë pasaktësi interpretimi të fakteve, nuk ia cënon aspak vlerat, çka e tregon interesi që ngjalli kudo në botë. Hakmarrja dhe gjakmarrja rezistuan pak më gjatë në Italinë e Jugut dhe në Korsikë, por edhe atje u shuan qysh në mesin e shek. XVII. Përmendim se një shoqëri braziliane kinematografike e gjeti romanin të përshtashëm për një film artistik me atë subjekt, por në kushte e rrethana të tjera.
Ndikimi i Kadaresë ndihet në mbarë botën letrare. Shqipëria falë veprave në prozë të Kadaresë, më romanet që përmendëm dhe me të tjerat botuar në vitet e fundit, pushtoi hapësira të reja në vende të tjera. Një vend nderi në galaktikën krijuese të Kadaresë zënë novelat dhe tregimet me subjekte nga koha Bizantino-Osmane. Aty, Kadareja me zgjuarësinë e tij gjeniale shpalosi subjekte nga realiteti komunist shqiptar, aludimet e të cilave kuptoheshin qartë nga çdo lexues i vëmendshëm. Te “Pallati i Endrrave” ndihet kënaqësia e autorit që po ia kalonte ujët nën rrogoz censurës së rreptë të partisë.
A ekziston një urë ndarëse mes Kadaresë së paraarratisjes në Francë, me Kadarenë e viteve që njohët ju?
Naum Prifti: Arratisja e Kadaresë në Francë qe shuplaka më e papritur dhe më tronditëse që shkrimtari i dha regjimit komunist të Ramiz Alisë, që zëvendësoi Enver Hoxhën. Qëkur ai u betua se do të vazhdonte besnikërisht rrugën e diktatorit, la të kuptohej se pranoi të ishte hija e hijes. Të gjithë ata që prisnin një Gorbaçov të vogël, u zhgënjyen keq prej politikës së tij miope. Në fund të viteve ’80, Ramiz Alia thërriti në një mbledhje të posaçme të gjithë intelektualët, duke iu lutur t’i tregonin rrugën si t’i gënjente të huajt për pluralizmin, pa ndryshuar asgjë. Në atë mbledhje qe ftuar dhe I. Kadareja, por ai nuk pranoi të jepte asnjë sugjerim, duke u justifikuar se mendimet e tij ia kishte shfaqur Ramiz Alisë me letër. Ramiz Alia nuk i pranoi sugjerimet e Kadaresë. Ai mbeti një komsomolas i thekur që zgjodhi prapambetjen politike. Sapo mbledhja mbaroi dhe intelektualët po diskutonin jashtë midis tyre, Ismaili tha se Ramiz Alia i ngjan atij ustait që do t’i hedhë çati shtëpisë, pa hapur themele e pa ndërtuar mure. Ishte koha, kur Partia u orvat t’i ngrinte subjektet e krijuara prej saj si Organizatën e Rinisë, të Gruas, të Frontit, e Veteranëve, të ngriheshin në rangun e Partive, për të krijuar imazhin e pluralizmit politik. Vetëm Lidhja e Shkrimtarëve nuk pranoi të futej në këtë lojë naive dhe ky qe një grusht i papritur për partiakët e lartë. Duke kërkuar azil politik në Francë, Ismail Kadareja ia ktheu mbrapsht partisë të gjitha nderet, dekoratat, titujt, pozitat, gjithçka që i kishin akorduar. Zemërimi i tyre reflektohet te komunikata luftarake që u botua me atë rast te “Zëri i Popullit”, më e turpshmja, më e poshtra që mund të hartohej, duke e akuzuar agjent, renegat, dhe epitete të tjera. Askush nuk parashikoi atëherë rolin e madh që do të luante Kadareja për atdheun e tij e sidomos për fitimin e pavarësisë së Kosovës.
A është zë i veçantë shkrimtari Kadare në fushën e pasqyrimit të identitetit shqiptar?
Naum Prifti: Ismail Kadareja, më mirë se çdo shkrimtar tjetër bashkëshohës, shprehu identitetin shqiptar me bukuri artistike dhe vërtetësi historike. Ai sot është zëdhënësi më i fuqishëm dhe më me ndikim për mbrojtjen e aspiratave të çështjes kombëtare, një autor si ai nderon kombin që e ka lindur e rritur.