Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: Vila Seferis në qytetin e Korçës

 

 

E quajnë Vila Seferis. Është njëra nder vilat e bukura të qytetit të Korçës. Madje dhe tani, në gjëndjen fantazmë të saj.

Quhet kështu, sepse në vitet 1936- 1938 ka qënë Vila ku punoi dhe jetoi konsulli Grek, Jorgos Seferis, njëri ndër poetët më të njohur e më të respektuarit në botë. Seferis u caktua Konsulli i Mbretërisë Greke në Korçë, menjëherë pasi u transferua nga Londra, ku kishte qënë atashe kulture për tre vite me rradhë. Në Londër ai njohu nga afër T. S. Eliotin, ndikimin e të cilit mund ta ndjesh fare mirë dhe në poezinë e paraqitur më poshtë.

Në vitin 1963 merr Çmimin Nobel për Letërsinë.

Po postoj një poezi të këtij poeti të madh, njëren nder poezité e tij të shkruara në Korçë.

JORGOS SEFERIS

1900-1972

MËNGJESI I BUKUR I VJESHTËS

Për znj. Dononka

Ja, e sheh, më në fund i dua këto male me këtë dritë,

Lëkurën e tyre të rrudhur si barku i një elefanti,

Kur sytë e tij tkurren nga mosha.

Ja, e sheh, i dua këto plepa, aq pak sa janë

Duke ngritur lart supet e tyre në diell,

Gegët e gjatë dhe toskët e shkurtër

Verës me drapërin dhe dimrin me sëpatën,

E njëjta gjë përsëri e përsëri, të njëjtat lëvizje

Në të njëjtat trupa: kjo monotoni është thyer.

Çfarë po thotë Muzeini nga maja e minares së tij? Dëgjo!

Ai është përkulur për të përqafuar një kukull bjonde në një ballkon aty pranë.

Ajo tund dy duart e vogla rozë drejt qiellit

Duke refuzuar të rrëmbehet.

Por minarja dhe ballkoni anojnë si Kulla e Pizës.

Ti dëgjon vetëm pëshpëritje, nuk janë gjethet dhe as uji;

‘Allah’, ‘Allah’, nuk është as fllad, e as një lutje e çuditshme.

O gjel që këndon, – duhet të jetë biond-

O shpirt i dashuruar që është ngritur në lartësi!

Ja, e sheh, më në fund i dua këto male të përkulura kështu,

Tufën e lashtë rreth meje me këto rrudha.

A ka menduar ndokush t’ia tregojë fatin një mali siç lexohen vijat e dorës?

A ka menduar ndokush për këtë?…

O ai mendim këmbëngulës i mbyllur në një kuti bosh, qëllimisht,

Që rreh kartonin pa pushim gjithë natën, si një mi që gërryen dyshemenë,

Monotonia është thyer. O ju që jeni ngritur në lartësira, ja, e shihni, e dua

Edhe atë buallin në rrafshnaltën e Maqedonisë, aq i duruar,

Aq i ngadaltë, sikur e di se askush nuk shkon asgjëkundi.

Tek kujton kokën arrogante të Vercingetoriksit luftarak

Te qu’en lui-méme enfin l’éternité le change.*

*Frëngjisht në origjinal: Te qu’en lui-méme enfin l’éternité, Stephane Mallarmé, ‘Varri i Edgar Poé’-s, vargu i parë:  Që më në fund, dhe atë vetë, përjetësia e ndryshon.

Please follow and like us: