Alma & Zaho Golemi: SHTJEFËN GJEÇOVI – KRYEZIU, DËSHMOR I GJUHËS SHQIPE
(Me rastin e 150 vjetorit të lindjes së kolosit të Atdheut, Shtjefën Gjeçovit (12.7.1874 – 14.10.1929), dëshmorit më të ri të kombit shqiptar të shpallur me vendim nr.850 datë 21.6.2021, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Shtjefën Gjeçovi është konsideruar ashtu sikurse ishte në të vërtetë një “makinë intelektuale” enciklopedike, që na ka lënë një trashëgimi të shkruar prej më shumë se dhjetëmijë fletësh, i cili njihte tetë gjuhë të huaja dhe që konsiderohet “Instituti shkencor gjeçovian”. Përjetësi për dëshmorin e atdheut, dëshmorin e gjuhës dhe kulturës shqipe Shtjefën Gjeçovi!)…
MSC Alma GOLEMI
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
*
Vatër atdhetarie që lindi një meteor të shquar të shqiptarizmës
Shtjefën Gjeçovi, lindur dhe pagëzuar si (Mëhill) Hilë Gjeçi në Janjevë (Kosovë) më 12 korrik 1874 dhe i ekzekutuart nga dora gjakatare servbe në Zym të Hasit të Thatë më 14 tetor 1929 ka qenë frat françeskan, arsimtar, mbledhës folklori, arkeolog, publicist shqiptar dhe mbi të gjitha përhapës i artsimit dhe gjuhës shqipe. Ai u shqua për punën e madhe kërkimore të mbledhjes së traditave dhe mënyrës së jetesës të shqiptarëve të veriut dhe veçanërisht për kodifikimin e përmbledhjeve të lëndës kanunore të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Veprimtaria e tij mbuloi gjithashtu përpjekjet e kohës për afrimin e Kishës Katolike me Uniatizmin dhe Kishën Ortodokse shqiptare, si dhe ka qenë pjesë e intelektualizmit përparimtar shqiptar kudo ku e kërkonte dhimbja therëse e Atdheut. Të dhënat bibliografike flasin se Hilë Gjeçi ka për origjinë Kryeziun e Pukës, Janjevën e Vilajetit të Kosovës, në kohën e Perandorisë Osmane. Trualli atdhetar dhe të parët të zgjuar prej natyre e bënë Mëhillin një fëmijë tepër të zgjuar. Duke e parë këtë gjendje famullitari françeskan i Janjevës, u mori leje prindërve, dhe e mori një ditë për dore Shtjefënin 10 vjeçar dhe u nis bashkë me të për në Kolegjin françeskan që ndodhej në Shkodër. Kur i veshën zhgunin e murrmë, të fratit ju duk vetja më i rritur dhe më i burrëruar. Arsimimin françeskan e mori në Troshan (1884-1888). Më 16.8.1888 u nis në kuvendin e Fojnicës për vitin e rishtarisë dhe vijoi studimet më tej në Derventë dhe Banja Luka, por ndoqi mësimet edhe në Kreshevë. Në këtë periudhë Bonjë-Hercegovina, ishte trualli ku përgatiteshin një pjesë e konsiderueshme e françeskanëve shqiptarë, në të njejtin vend ku u arsimua edhe Gjergj Fishta. Studimet e tij vijuan deri në vitin 1896 kur edhe kthehet në atdhe dhe meshon për herë të parë në Troshan, vit që ndërron emrin dhe në rregjistrat françeskanë quhet: “Shtjefën Kostandin Gjeçovi. Shërben si famullitar në Rubik; në verën e 1897 në Pejë, ku emërohet famullitar në Zllakuqan, vendi që në korrik hap shkollën e parë. Nga 1899 deri më 1905 shërben në famullinë e Laç-Sebastes, ku rihap shkollën shqipe në Laç. Lidh shoqëri të ngushtë me Konicën dhe përmes tij siguronte materiale mësimore për nxënësit. Në fund të dhjetorit 1905 punësohet mësues Kroaci (Borgo-Erizzo), ku zëvendëson Pashk Bardhin, por dorëhiqet dhe pas disa muajsh është aktiv dhe merr pjesë në Kuvendin e Bajrakut të Kurbinit. Në gusht 1906 gjendet në Durrës dhe pas disa muajsh nga tetori 1906 deri më 1907, ngarkohet me kolegjet françeskane në Shkodër. Në maj 1907 caktohet në Gomsiqe, ku çeli edhe shkollën e parë në këtë fshat. Bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin kontribuon për kuvendet e Kurbinit, përshëndet punimet e Kongresit të gjuhës shqipe të Manastirit, (14.11. deri më 22.11.1908), për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqip. Prushi atdhetar e rreshton krahas forcave më përparimtare të kohës si kundërshtar i pushtimit, bashkëpunues në futjen e armëve nga tregjet e huaja, kundër fushatave ndëshkuese radhitet me çetat komite. Përjeton me gëzim pavarësinë e 28 nëntorit 1912 në Vlorë. Më tej është pjesëmarrës me krerët e Pukës, Mirditës, Zadrimës e Lezhës, në kuvendin e 7 korrikut 1913 në Lezhë. Vitet që pasuan emërohet në Troshan (1915) dhe pas një viti më 1916 në Theth, Shalë e Shosh, ku kolera kishte pllakosur zinë e pandemisë dhe vdekja ishte fare pranë jetëve njerëzore. Në kohën e pushtimit austrohungarez punon në Prekal dhe shtëpia ku u vendos banohej edhe nga komanda lokale austrohungareze. Në shtator 1917 jep mësim fëmijëve shqiptarë në dhomën-shkollë ku banonte, për 26 nxënës djem paraditë dhe 11 nxënëse mbasdite, mësimdhënie që e kërcënuan me ndalim veprimtarie si mësues, duke e kushtëzuar furnizimin material me fenë. Pranvera e vitit 1920 e gjen Shtjefën Gjeçovin në kishën katolike të Vlorës, ku takohej shpesh te Dom Mark Vasa, që kishte marrë mërinë e autoriteteve italiane. Bëhet njësh me patriotët më të zjarrtë të krahinës së Vlorës dhe merr pjesë në takimet për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë. Gazetat “Politika”, “Mbrojtja kombëtare”, “Drita” e cilësojnë Shtjefën Gjeçovin si “luftëtar i Njëzetës”, si mbrojtës të komunitetit vlonjat në periudhën e luftës, si hulumtues dhe njohës të traditave të Labërisë dhe të përbashkëtat zakonore të të gjithë shqiptarëve. Pjesëmarrës në të gjithë aktivitetet e komisionit organizator të fitores së Luftës së Vlorës. Më 7.6.1923 emërohet sekretar i Provincës Françeskane. Pas një viti më 1924 gjendet në krahinën e Elbasanit, ku gjatë verës bashkë me Simon Shuteriqin zbulon në kishën e Shënkollit të qytetit të Elbasanit këmbanën e Sopotit të Bërzeshtës, që datonte që nga koha e Gjergj Aranitit. Më 1926 emërohet në famullinë e Zymit të Hasit të Thatë, ku aktivitetin e zhvillonon edhe në Pejë, Gjakovë e Prizren. Dora gjakatare ngrihet kundër At Shtjefën Gjeçovit 55 vjeçar, në vendin e quajtur Kodër Rrezina më 14.10.1929, duke i marrë jetën qarqe antishqiptare, por që nuk mundën që vrisnin idealet e tij patriotike atdhetare të shqiptarizmës dhe përhapjes së kulturës kombëtare shqiptare. “E keqja”, që kishte bëra Gjeçovi është se për gjashtë muajt e fundit të jetës kishte punuar në Zym nga prilli deri më 14 tetor, ku u mësonte gjuhën shqipe fëmijëve dhe të rriturve, pa marrë parasysh se cilit besim i takonin. Pëllëmba për mësuesin serb të mbretërisë serbo-kroate sllovene paguhej me plumb. Mësuesi i Kombit Shtjefën Gjeçovi është varrosur në Shëngjergj afër Zymit të Hasit. Në Zym të Hasit të Thatë gjendet qendra memoriale ndërtuar në nderim të tij.
*
Shtjefën Gjeçovi përmendore e mençurisë shqiptare
Në memorien e kombit shqiptar është rregjistruar një emër i shndritshëm dhe meteor i kulturës dhe gjuhës shqhqipe. Gjeçovi paralelisht me detyrimet e besimit për meshën, ai mblodhi si “zog pule i uritur”, traditat e Shqipërisë Veriore, të rrafshit të Mirditës dhe Alpeve Shqiptare, poezinë popullore të malësive, zakonet e të drejtës popullore dhe lëndë etnografike, por edhe arkeologjike. Ai i raportoi rregullisht kërkimet e tij duke botuar materiale etnografike, arkeologjike dhe histori lokale nëpër të përkohshme të kohës. Ai ka qenë i pari folklorist shqiptar që ndërmori punë kërkimore në terren sipas kritereve metodologjike të kohës. Përvoja e tij zë fill në periudhën studentore në Bosnie me një punim historik mbi Arqipeshkvinë e Tivarit bashkëautor me sivëllaun Lovro Mihaçeviq, duke punuar të paktën gjashtëmbëdhjetë faqet e para me titullin në latinisht Metropolis Antibarensis. Botimet e para të Shtjefën Gjeçovit janë dymbëdhjetë poezi tek gazeta “Albania” e Faik Konicës me emër pende “Lkêni i Hasit”. Fakt është se punimi më i rëndësishëm i jetës së tij qe përmbledhja e kodit zakonor shqiptar, botimi i të cilit u titullua “Kanuni i Lekë Dukagjinit. Mbledhjet e para të kanunit i botoi në vitet 1898-1899, tek gazeta “Albania” e Faik bej Konicës më 1897-1898 dhe më pas tek “Hylli i Dritës” në vitet 1913-1924, ndërkohë që përmbledhja e plotë ka 1263 nene, të renduara në 12 kapituj, dhe që u botua nga françeskanët së pari më 1933 vetëm pas vdekjes së tij, ose më qartë dhe më saktë pas vrasjes së tij. Metoda se si u bë mbledhja nuk është bërë tashmë e njohur për publikun, ndërkohë që vepra e Gjeçovit ndriçon si pishtarë i përjetshëm, për vlerën e madhe që kishte për dje, për soty dhe për të nesërmen e shqiptarizmës.
Kompletimi me arsimim i françeskanëve në Austri dhe Italisë e zgjeroi dritën e dijes por edhe interesimin e Gjeçovit për historinë e shqiptarëve dhe vendin e popullit të tij krahas civilizimeve të tjera ballkanikë e europianë, për fillimet e krishtërimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi e letërsi. Provoi të shkruante vetë dhe të thellohej në shkencat humane, krahas detyrimeve që rrjedhin nga predikimi i Ungjillit të Krishtit. Në moshën 22 vjeçare më 1896, kur u kthye në Troshan si famulltar i ri i pajisur me dije të thella me kulturë të gjerë, por edhe energji të shumta, krahas zhgunit të murrmë të fratit fitoi aftësinë e mësimdhënies, aftësi që do ta vinte në veprim në interest ë përhapjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare. Shtjefën Gjeçovi predikoi ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym të Hasit (për kohën rrethinë e Prizrenit). Vitet që pasuan pas kapërcimit të shekujve, më 1900-ën, Gjeçovi pati angazhim të plotë në shumë fusha të kulturës dhe të arsimit. U konsolidua si shkrimtar duke shkruar në të tria gjinitë letrare. Detyra e françeskanit e çoi në shumë vended he kudo ku shkonte mblodhi shkrime të rralla, këngë, mite, legjenda, përralla, doke e zakone popullore, por një ndër kryeveprat e tij është ”Kanuni i Lekë Dukagjinit”, i cilësuar pa rezerva monument i gjuhës dhe kulturës së Kombit Shqiptar. Vepra e Gjeçovit e formatuar në 1263 nene, nisi të botohej për herë të parë tek “Albania” e Konicës më 1897-1898, më mbrapa edhe në organin e shtypit të françeskanëve që nga dalja e “Hyllit të Dritës” më 1913 deri më 1924. Botimi i plotë doli më 1933, pas vdekjes së autorit me parathënie të Gjergj Fishtës; ndërkohë që titulli u përzgjodh nga Fishta që ishte një fjalëformim Lekë (malësor, sipas kumtit parak, banorët e Malësisë së Madhe) dhe Dukagjin. Më vonë “Kanuni” u përkthye pjesë-pjesë, nga mikesha e shqiptarëve dhe e Eqerem Vlorës, baronesha Marie Amelie von Godin, edhe me ndihmën e etërve françeskan. Ky punim bëri të mundur që më 1936, Universiteti 600 vjeçar gjerman i Lajpcigut në Drezden t’i akordojë titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”, postum Shtjefën Gjeçovit për vleftën e Kanunit. Në gjuhën italiane, Kanuni u përkthye nga Pal Dodaj në bashkëpunim me Giuseppe Schiro dhe u botua nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në Romë më 1941. Shtjefën Gjeçovi ka edhe një seri veprash të tjera si, “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”, “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli” – përkthim i lirë i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit, “Vazja e Orleanit” ose “Zhan D’Ark” mbas A.F. prej Bergamos, punimi teologjik “Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit”, e shkruar në frymën e gjuhës shqipe dhe në frymën e dashurisë për Krishtërimin. Por shumica e veprave të Shtjefën Gjeçovit mbetën në dorëshkrim, si “Princi i Dibrave”, “Mojsi Golemi” (dramë), “Mnera e Prezës” etj., shumica e këtyre dorëshkrimeve ruhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë.
Puna e Shtjefën Gjeçovit është në vazhdën e veprimtarëve të Rilindjes për të mbledhur e për të dëshmuar traditat kombëtare dhe lashtësinë historike, kulturën e tyre materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke lëvruar fjalën shqipe dhe ngritur ndërgjegjen kombëtare. Edhe vepra “Kanuja” u botua pas vrasjes së tij. Gjeçovit i janë kushtuar shkrime të shumta, si françeskani Atë Pashkë Bardhi, historian i fretërve që e njohi nga afër, por mbi të gjitha qëndron monografia “Shtjefën Gjeçovi, Jeta, vepra” shkruar nga Ruzhdi Mata. Shtjefën Gjeçovi mbeti monument vlerash të pashterueshme, pishtar i ndriçimit të historisë, gjuhës dhe kulturës së kombit. Monumentale ka ngelur shprehja e tij: “Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë” . Vlerat e gjyhës dhe kulturës qëndrojnë në themel të kombit pasi “…giuha âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendisë e si nji trashigim i t’parve tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”. Bashkëkohës dhe studiues të të gjitha kohrave përbashkohen në vlerësimin e figurës së Shtjefën Gjeçovit: Figurë poliedrike e historisë dhe kulturës shqiptare, që punoi fort në gjithë fushat e diturisë, që çuditi me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë; mrekulloi shkrimtarin e ri të shkollës letrare shkodrane, Dom Lazër Shantojën, i cili i kushtoi një portretizim të veçantë, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Gjeçovi është klasifikuar si historian, etnograf, arkeolog, mbrojtës i flaktë i sigurisë njerëzore gjatë Luftës Kombëtare të Vlorës.
*
Gjeçovi – dëshmor me dokumente juridike pothuaj një shekull pas vrasjes
Duke përkujtuar 150 vjetorin e lindjes së Shtjefën Gjeçovit, sjellim në vëmëndje të lexuesit përpjekjet për shpalljen dëshmor i Atdheut të një figure që i ngriti vetvetes me vepra një monument të pavdekësie pasi Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit shqiptar. Ja vlen shumë të sjellim në vëmëndje postulatin ndaj shqiptarizmës: “Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë” . Ai i bën të ditur patriotëve të tij vlerat e gjuhës: “âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”. E mbyll paragrafin, duke vendosur në fund këtë aforizëm: “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. Shtjefën Kostandin Gjeçovi veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare, frat françeskan, etnolog, arkeolog, poet e shkrimtar i spikatur, filozof, përhapës i shkollave shqipe në Shqipërinë e këtej Drinit dhe matanë Drinit, “Mësues i popullit”, inisiator për unifikimin e gegërishtes me toskërishten, mbrojtës i paepur i sigurisë së qytetarëve të Vlorës përgjatë Luftës Kombëtare të Vlorës të 1920-ës dhe figurë me përmasa të madha kombëtare. Mëhill Gjeçi-Kryeziu është quajtuar për 22 vjet, nga lindja e tij më 12.7.1874 deri më 29.6.1896, kur e ka ndryshuar emrin në Shtjefën Kostandin Gjeçovi, pasi përfundoi studimet e larta teologjike në Kreshevë të Dalmacisë dhe në rregjistrat françeskan zhduket emri Hilë Gjeçi dhe zëvendësohet me Shtjefën Konstantin Gjeçovi. Faik Konica e ka cilësuar Gjeçovin si, “njeri nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria”, ndërsa albanologu austriak Norbert Jokli e ka quajtur, “punëtor i palodhur në fushën e letrave shqipe”. Gjeçovi bashkëpunoi me revistat e kohës: “Populli”, “Hylli i dritës”, “Albania”, “Brezi i ri”, ku ne e gjejmë me me pseudonimet “Komnen Kanina”, “Lkeni i Hasit”, “Zana e Prezës”, “A.Sh.K.Gj”, “O.F.M”, dhe nga ana tjetër la rreth 10000 faqe dorëshkrime. Ai ishte si një “makinë intelektuale” enciklopedike, i cili njihte tetë gjuhë të huaja dhe që konsiderohet “Instituti shkencor gjeçovian”. Gjeçovi ka ngelur përjetësisht në memorien e kombit edhe si rrezultat i një nisme të djemve të fshatit të tij të origjinës Kryeziut dhe kryesisht mikut tonë zoti Bilbil Dervishi (bashkëfshatar i dëshmorit) si dhe Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” Dega e Tiranës, Shoqatës së Historianëve Ushtarakë Shqiptarë e kryetarit Profesor Bernard Zotaj si dhe Sekretarit të Përgjithshëm që formatuan një dosje voluminoze për fratin françeskan që jetën e dha për shqiptarizmën, për gjuhënb dhe shkollën shqipe. Këtu nuk mund të lëmë edhe falënderimin për prodesore Pranvera Dibra ish-Drejtoreshën e Arkivit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, që mundësoi dokumenta sipas origjinalit për vrasjen e Shtjefën Gjeçovit, por dhe për dokumentat e diskutimet në parlamentin e Shqipërisë të vitit 1929, ku për herë të parë përndet termi “dëshmor”, për një bir të madh të shqiptarizmës. Shpallja dëshmor është një ndërmarrje jo e vogël, megjithëse për këtë rast kemi pasur mbështetje nga Bashkia e Pukës, Këshilli Bashkiak si dhe Prefektura e Shkodrës. Fakt është se mësuesi i Kombit Shtjefën Gjeçovi është varrosur në Shëngjergj afër Zymit të Hasit. Në Zym të Hasit të Thatë gjendet edhe qendra memoriale e ndërtuar në nder të tij. Por pas daljes së Vendimit për shpallen e tij dëshmor i Atdheut, bazuar në ligjin e shtetit shqiptar Nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, Neni 13 i ligjit “Vendprehja e dëshmorëve të atdheut”, që thotë: “4. Varrimi i dëshmorit të atdheut apo rivarrimi i mbetjeve mortore të tij në varrezën e dëshmorëve të atdheut “Nëna Shqipëri”, në kryeqytet, bëhet me vendim të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”, me kërkesë të këshillit bashkiak, këshillit të qarkut, prefektit ose ministrit. 5. Varrimi i dëshmorit të atdheut apo rivarrimi i mbetjeve mortore të tij në varrezat e dëshmorëve të atdheut në qarqet përkatëse bëhet me vendim të këshillit të qarkut, këshillit bashkiak ose të prefektit”. Në nenin 14 të ligjit shkruhet: “Ceremonia e varrimit të dëshmorit të atdheut. Varrimi i dëshmorit të atdheut apo rivarrimi i mbetjeve mortore të tij bëhet me ceremoni zyrtare, me arkivol të mbuluar me flamurin kombëtar”. Por për rastin e dëshmorit Shtjefën Gjeçovi i kapërcen përmasat lokale prandaj edhe kërkohet një vendim i posaçëm dhe varrosja e eshtrave të tij gjykojmë se meriton të prehet në varrezat e dëshmorëve të kombit në Tiranë, ose në consensus midis Strukturave qeveritare të Prishtinës dhe të Tiranës.
*
Burimet e studimit: AQSH, Fondi 58, Shtjefën Gjeçovi, Dosja 95/14 dhe 95/15, si dhe të dhëna të marra nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme dhe Çështjeve Europiane; Arben Puto, Shqipëria politike 1912-1939, Tiranë, 2009; Ago Agaj, Lufta e Vlorës, Tiranë, Toena, 2002; Donat P. Kurti, Provinça Françeskane Shqiptare. Shkodër: Botime Françeskane, 1965; Faik Konica, portret mbi At Gjeçovin, “ca kujtime mbi At Gjeçovin”, 1925; Gani Iliaz Abazi, “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia”, Tiranë, 1995. Gazeta “Koha”, Korçë, nr.10, datë 11.9.1920 si dhe 13.11.1921; Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, nr.4 datë 4.11.1920, nr.9 datë 2.12.1920 si dhe nr.46, datë 28.11.1921; Gazeta “Politika”, Vlorë, periodiku, 1923-1924; Hamza Isai, Një jetë në shërbim të kombit, Tiranë, 2000; Historia e Shqipërisë, vëllimi II, Tiranë, 1965; Lufta Kombëtare e Vlorës, Rilindja e Pavarësisë, Përmbledhje e kumtesave të mbajtura për 100 vjetorin e Luftës së Vlorës, Tiranë, Onufri, 2020; Mihal Peço Doko, Kujtime për Lufta e Vlorës, Tiranë, 1964; Muin Çami, Lufta çlirimtare 1918-1920, Tiranë: Toena, 1969; Muin Çami, Lufta e Vlorës, Tiranë: Toena, 2000; Pavarësia e shqipërisë dhe sfidat e shtetit shqiptar gjatë shek.XX, Tiranë, 2008; Revista “Arsimi Popullor”, nr.3,viti 1963 botohen dokumente në lidhje me Gjeçovin-mësus i gjuhës shqipe; Ruzhdi Mata, “Shtjefën Gjeçovi, Jeta, vepra”, Tiranë, (me 184 faqe); Ruzhdi Mata, Komisia Letrare Shqipe për lëvrimin e gjuhës shqipe, gazeta “Mësuesi”, 28.8.1916; Shtjefën Gjeçovi, Agimi i Gjytetniis, Shkodër, 1910; Shtjefën Gjeçovi, Vepra 4 – Redaksia e Botimeve Rilindja, Prishtinë, 1985; Lila O., Letrat e panjohura të Shtjefën Gjeçovit: korrespondenca në dorëshkrim, Gazeta shqiptare (“Milosao”- suplement); Nr. 4295, 27.07.2007, faqe II, III; Shtjefën Gjeçovi, Parradija e popullit ase Kryengritja e Dheut të rrethit të Krues me 54 pleq në krye, kundra urdhënve e dokeve të reja t’osmanllive: 1903-1904-1905-1906, (dorëshkrim), Laç-Sebaste, 1922; Dhimitër Shuteriqi, Shtjefën Gjeçovi dhe kambana e Sopotit shkëputur nga Ditari i Dhimitër Shuteriqit, Belësh 7 maj 1972; Robert Elsie, Histori e Letërsisë shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997; Zaho Golemi, Kontributi i At Shtjefën Gjeçovi për sigurinë publike të qytetarëve në Luftën e Vlorës; 15. Shtator 2020 në portalin “ALBSPIRIT”.
-&-