Vepra që fokusojnë në pjedestal të lirisë heroinat Bule-Persefoni
(Në kuadrin e 80 vjetorit të rënies)
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Të njohim dhe të ruajmë veprat për dëshmorët
Në Shqipëri gjendet një korpus i madh i veprave për dëshmorët dhe heronjtë në shumë gjini që kanë fokusuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore.
Janë shkruar në mjaft libra, enciklopedi, kolana e madhe “Yje të pashuar”, monografi që sjellin luftën, dëshmorët, heronjtë, pasazhe, episode, skica letrare, poezi e poema, vepra arti etj., që kanë pasqyruar këtë epope të madhe. Është dhënë një kontribut i madh, për t’i bërë të pavdekshëm dëshmorët, për t’i pasur gjithmonë në kujtesë dhe memorie, të rinj, luftëtarë të së resë, të bukur, trima, të sakrificës deh të rënies heroike të tyre. U ngritën simbole, u vendosën pllakata, lapidarë, përmendore, buste, varreza të dëshmorëve, u shkrua, u emërtuan institucione, rrugë, brigada të rinisë vullnetare, etj. U shkrua shumë për trimërinë, fjalët e fundit që thanë, amanetin që lanë, u kënduan këngë dhe u bënë dokumentarë e filma. Dhe mirë u bë. Por sot kur kërkojmë për një dëshmor dhe hero, gjejmë pak të shkruar për prindërit, për familjen, për shkollën dhe punën, për shokët e lëvizjes, të aksionit, të rënies dhe të përjetimit në histori.
Sot është tepër e vështirë për t’i sistemuar dhe për të folur konkretisht se si është vlerësuar në 80 vite një dëshmorë dhe një hero. Shkrimet në gazeta të kohës, evidentimi në libra të historisë, fletëpalosje të përvjetorëve, stenda apo dokumenta të heronjve dhe dëshmorëve gjenden, por jo të sistemuara dhe të vlerësuara si duhet. Nuk gjenden aktet juridike të shpallur dëshmorë, vlerësimet e dekorimet e bëra, dekretet për shpalljen Heronj të Popullit, modelet e simboleve orgjinale të bëra për ta në vite, etj.
Përkujtimi në vite për Bule-Persefoni
Një vend nderi zënë dhe heroinat Bule-Persefoni, për të cilat gjatë 80 viteve janë përkujtuar dhe vlerësuar për heroizmin e tyre, duke dhënë dhe jetën për lirinë e Atdheut.
Këtë viti, në 80 vjetorin e çlirimit të Atdheut, më 5 maj, në qelinë e torturave të Bules dhe Persefonit në kalanë e Gjirokastrës pati mjaft vizitorë, sepse muzeu i Armëve aty është future në guidën turistike të qytetit. Ndaj dhe dhe të gjithë në këtë80-vjetor të rënies së heroiniave për çlirimin e Shqipërisë nga nazifashistet dhe tradhëtarë e vendit, përulemi para këtyre dy vajzave, por dhe para gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë tonë. Ndërsa sot burgjet shqiptare janë mbushur plot me hajdutë të pasurisë publike. Është pak e pamundur të imagjinosh, sesi dy vajza të reja 20-vjeçare u torturuan dhe u varen në mes të Gjirokastrës, ne emër të dashurisë për Shqipërinë. Por në jetë, shumëçka varet dhe nga shembujt që ke mësuar!
Në vitet ’70 të shekullit XX, pati një interesim të jashtëzakonshëm për dëshmorët e Atdehut nga shteti shqiptar. Në këto vite u bënë varrezat e dëshmorëve në 36 grup-varreza në të gjithë Shqipërinë, u zyrtarizua me akte juridike dhenia e titulli “Dëshmor i Atdheut”, u shkrua për jetën e tyre dhe nisi në vitin 1971 botimi i kolanës për dëshmorë “Yje të pashuar”, u bënë poezi, poema, piktura, skulptura, këngë, dokumentarë dhe filma. U ngritën lapidarë, buste, përmendore të arrira që syri i nënave, shoqëria i vlerësonte dhe i çmonte. Kalimtari i zakonshëm kur kalonte para tyre ndjente një krenari të ligjshme se këtu është luftuar dhe derdhur gjak… Të gjitha këto për t’u përjetësuar vepra e çmuar e dëshmorit, dhënia e jetës për lirinë e Atdheut. Pati një vlerësim dhe nderim për t’u admiruar nga të gjithë.
Konkretisht po i hedhim një sy përjetësimit të heroinave Bule-Persefoni në këtë ditë të 80 vjetorit të varjes së tyre në litar në sheshin e Çerçizit, në rrapin madhështor që tashmë i ka ngelur dhe ky rrap historisë.
Po filloj me albumin me poema për gratë shqiptare me autorë Llazar Siliqi e Petrit Kumi, ku Bule-Persefoni zënë një vend të veçantë. Në “Yje të pashuar”, në vëllimin 2, të botuar në vitin 1971, për dy heroinat është shkruar gjatë… Në historikun “Grusht çelik brigad’ e gjashtë”, të botuar në vitin 1973, është shkruar për heroinat, ka një foto dhe një vjershë për Persefonin…Trupi në litar, zemëra në male… ka të fiksuar rënen e heroinave dhe se Persefoni ka qenë partizane në batalionin e dytë të BrVIS.
Libri “Bule, Persefoni…” me autor ushtarakun Lame Çekani është botuar në vitin 1977 dhe gjendet në bibliotekën kombëtare. Në librin “Heronj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (përmbledhej dokumentash) të botuar në vitin 1986, ka tre dokumenta për Bule Naipin. Ndërsa në librin “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirmimtare, në vëllimin 4, të botuar në vitin 1989, midis të tjerash shkruhet: “…të rejat trimëresha Bule Naipi e Persefoni Kokëdhimau varën nga armiqtë, në fillim të korrikut, në sheshin e qytetit të Gjirokastrës… bule anëtare e PKSH që në ditët e para të themelimit të saj…në fillim të vitit 1944 u hodh në radhët e BrVIS, ku u dallua për gixim e trimëri… qershor 1944 u sëmur rëndë dhe u kap në fshatin e lindjes”.
Shkrimtari Resul Bedo, në librin “Heronj të Popullit”, (Yje të pashuar) vëllim XV të botuar në vitin 2004, ka shkruar për Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima.
Ndërsa në librin “Dëshmorët e Atdheut” të botuar nga MM në vitin 2012, mësojmë se ato janë shpallur Dëshmorë të Atdheut nga Komiteti Ekzekutiv i Gjirokastrës për Bule Naipin me vendim nr. 65, datë 2 tetor 1971 dhe Komiteti Ekzekutiv i Vlorës për Persefoni Kokëdhima me vendim nr. 97, datë 22 shtator 1972.
Për Bulen dhe Persefonin kanë shkruar dhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar i vitit 1985, si dhe i vitit 2008, vëllim 2, për Persefonin dhe vëllim 3, viti 2009 për Bulen.
Ndërsa në librin “Prefektura e Gjirokastrës gjatë Luftës së Dytë Botërore” të botuar në vitin 2019, jepen të dhëna veprat e artit në Gjirokastër, ku vend zënë edhe veprat kushtuar Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima.
Për dy heroina, për të ngelur në memorien e popullit ështëbërë një kompozim në gips nga skulpturori, mjeshtri dhe Artistii Popullit, Odhise Paskali. Më vonë nga skulptori Gori Kostaqi, u ngriti një monument në gur në sheshin e Çerçizit, që sot është një atraksion turistik dhe future në guidën e qytetit të Gjirokastrës.
Grafistja Lumturi Dhrami ka bërë një linogravurë për heroinat në tri akte, ku paraqet ngritjen në luftë të popullit dhe heroinave, demostrata, në qendër dy heroinat dhe litarët në degën e rrapit për t’i varur dhe jehonën e krismave partizane, ndërsa nënjë linogravurë tjetë ku paraqet shoqërimin e dy heroinave nga nazistët dhe ballistët.
Ndërsa piktori Guri Madhi në vaj ka pikturuar qëndrimin e heroinave, ku në degën e rrapit qëndrojnë litarë, përballë kalanë dhe Çerçizin, si dhe turrën e nazistëve dhe ballistëve. Ndërsa në një pikturë tjetër dy heroinat të shoqërura nga nazistët në rrugët e Gjirokastrës.
Por, mbi të gjitha, u xhirua dhe filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, për dy vajza shqiptare që u varën nga gjermanët dhe tradhëtarët e vendit. Filmi u shfaq në vitin 1967, ku interpretonin yje të skenës dhe ekranit si Naim Frashëri, Antoneta Fishta, Pandi Raidhi, Edi Luarasi, Rikard Ljarja, Timo Flloko, Andon Qezari (bashkëfshatar i Persefonit) dhe 16-vjeçarja Eglantina Kume në rolin e Mira Koranit (mishërim i Bule Naipit).
Në vitet e socializmit në Gjirokastër kishte një ndërmarrje të veshjeve me emrin “Bule Naipi”, e cila sot nuk është më. Po në Gjirokastër gjendet një rrugë me emrin Bule Naipi, si dhe vendprehja e saj në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër.
Për heroinën Persefoni, në Tiranë në njësinë administrative nr. 8, gjendet rruga me emrin Persefoni Kokëdhima, po një rrugë me emrin Persefoni Kokëdhima gjendet dhe në qytetin e Vlorës.
Ndërsa në vijimësi është shkruar në gazetën “Kushtrim Brezash” dhe në revistën “Pavdekësia”.
Nuk mund të gjykoj që kemi bërë shumë apo pak, por të gjitha këto që janë bërë, duhet t’i ruajmë dhe t’i mirëmbajmë se është historia jonë. Duhet të vlerësojmë shumë dokumentacionin, t’i kemi të gjithë vendimet e marra nga organe të ndryshme të shtetit, për t’u ballafaquar në çdo kohë, kur ndaj tyre nuk vlerësohen dhe respektohen.
Kujtimi i Bule-Persefonit rron në zemrën e popullit shqiptar, ai di të nderojë dhe të vlerësojë për gjakun e derdhur deh heroizmin që treguan në luftë.