Albspirit

Media/News/Publishing

Lea Ypi: Gjyshja ime

Gjyshja ime Leman Ypi, 13 vjeç ishte e vetmja vajzë në Liceun Francez të Selanikut.
Cigaren e parë e tymosi kur ishte 15.
18, mori Medalje Ari për rezultatet më të mira në mësime.
Kur u bë 20 qe’ e para femër në administratën shtetërore shqiptare.
22, Këshilltare e Kryeministrit.
28, bashkëshorte e një të burgosuri politik.
30, u dëbua.
32, nisi të punojë në kampet e punës në internim.
40, shumë prej të afërmve të saj u dënuan me vdekje, u vetvranë, të tjerë përfunduan në ekzil, në çmendina, ose në burg.
60, pa Vdekjen me sy.
87, humbi birin e vetëm.
Gjyshja më mësoi se Dinjiteti s’ka lidhje me paratë, favoret, titujt. Se duhet të jem modeste, të bëj çfarë është e dobishme, dhe jo të pres të shpërblehem. Të mos mposhtem edhe kur më duket se kam humbur gjithçka.
Kur e pyeta Gjyshen nëse ishte Zoti që e kishte ndihmuar të mbetej gjallë në udhën e Saj të skëterrshme, m’u përgjigj se nuk e dinte çfarë ishte Zoti, por kishte besim në Ndërgjegjen e vet.
Gjyshja ime ishte tepër krenare dhe gjithmonë e qetë.
Gjyshja më mësoi gjuhën frënge.
Kur vinin miq, bënte shaka të këndëshme dhe na mësonte Valz.
Ajo rrinte gjithmonë zgjuar kur isha e sëmurë ose kur punoja deri vonë.
Gatuante Kekun më të shijshëm në botë.
E donte një Whiskey të mirë.
Sa herë ndjehem e brengosur pyes veten se çfarë do bënte Gjyshja ime në ato rrethana të vështira.
Kur ndjehem e lumtur, më pushton dëshira ta ndaj lumturinë me Gjyshen time.
Please follow and like us: