Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: MAMAN SALIU, BURRË I STËRRALLTË I LABËRISË

 (Përgatitur në kuadrin e përkujtimit të figurave të spikatura të atdhetarisë dhe shqiptarizmës me rastin e 80 vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Mirënjohje për kolonelin e mençur Maman Saliu me rrënjë e degë atdhetare, për kontributin e shquar për trimëri gjatë LANÇ-it dhe më tej në strukturat e sigurisë së brendshme, bir i një oxhaku të madh që i bën nder kombit dhe çështjes shqiptare, për nderimin që i ka bërë historisë me “Kujtime e mbresa”.)

 

Një thes me vite në kurriz, thonë në Labëri dhe për ta shtyrë edhe më tej maksimën popullore: “fjalët me vend i flet i vuajturi, jo i dituri, sepse i dituri flet atë çfarë ka lexuar, i vuajturi flet atë çfarë ka kaluar”. Në qarkullim prej dy vjetësh është libri i një figure sojlli fisnik të përmasave që bindshëm i ka shërbyer kombit. Është e vërtetë shprehja e latinëve të vjetër se “librat kanë fatin e tyre”, por është po kaq reale maksima labe se, “Ku ka rrjedhur do pikojë, do vejë soji në sojë”.

Maman Saliu me publikimin “Kujtime dhe mbresa”, ka derdhur në letër kujtimet e tij jo me të thënë, por të jetuara në tre epoka, ka shkruar qartë, me fjalë të lara në dritë dielli pa zbukurime e dafina, thjeshtë bindshëm. Në librin e tij lexojmë një copëz të historisë shqiptare, lexojmë fitimtarët e luftrave, lexojmë historinë pa rotacion pushteti, lexojmë vlerat morale të një populli të shumëvuajtur të hallemadhes sonë shekulllore. Frazat e librit janë të ngjuera në muzën poetike labe, pena e tij është ngjyer në gjakun e dëshmorëve dhe nuk flet një njeri por një ikonë e patriotizmit shqiptar. Ai shpreh qartë edhe kërkesën e bashkëluftëtarëve të llogoreve partizane si Halim Ramohitua kur i drejtohej Maman Saliut: “Shkundu o ujk i vjetër i luftës dhe i punës, i pushkës dhe i penëspër çlirimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e këtij vendi dhe këtij populli. Është momenti që të hedhësh në letër rezervat që ke akoma në këtë fushë, kujtimet që të kanë mbetur,.. se jemi drejt rrugës pa kthim…”. Maman Saliu i dëgjonte shokët, por dhe zërin e ndërgjegjes, dhe nëse gjithëkush që bëri luftën do të “shkundej” do të kishim sot jo qindra, por mijëra libra që luftës antifashiste të shqiptarëve, fitimtarëve të saj nuk kishte gjyle të luante themelet e LANÇ-it, përfshi këtu edhe  tellallët e neofashistëve që tentojnë edhe me mekanizma shtetërorë të pushtetit të sotëm të baltosin e sfidojnë pasardhësit  e fitimtarëve të Luftës Antifashiste. Kjo nuk mund të ndodhë edhe sikur të shuhet drita e diellit!. Në 638 faqe në të katër pjesët e tij gjendet jeta, epokat, lufta me “një mbreti 40 milionë”, lëvizja antifashistegjaku për liri, rrugëtimi mijëra kilometra të përgjakshme ballë për ballë me bishën nazifashiste, lufta përtej kufive, plagë të shumta lufte, shokë të vrarë për idealet, me mision në Jugosllavi në kërkim të eshtrave të shokëve, kontributi për ngritjen e vendit, kohë bandash që terrorizonin popullsinë, vitet e Moskës në portat e dijes, shkollimi brenda e jashtë vendit, person “non grata”, sfida e përgatitjes së oficerave në Sauk, kuvendim me Labërinë dhe në zemër të saj, portrete, vlerësime, refleksione, mirënjohje.

Memorial i shqiptarizmës

Në libër nuk mungojnë edhe impresionet për kujtimet e Maman Saliut, “1000 ditët e luftës së Maman Saliut”, “Në mbrojtje të së vërtetës”, “Libër që evokon një epope të pavdekshme”, “Brezat do ta kërkojnë këtë libër”, “libër plot sinqeritet”, “një libër që nuk flet për “unin”, “dokument i mirëfilltë historik”, “fakte mbresëlënëse”, “trokitje në kujtesë, trokitje në zemrat tona”, “Libër i arrirë në çdo këndvështrim”, “luftëtar i ndershëm dhe konseguent”, “trumi me pushkë e me penë”, “histori e shkruar me gjak”, “mozaik ngjarjesh dhe faktesh nga lufta”, “mesazh dashurie dhe fisnikërie”, “kontribut për të vërtetën”, “libër me dimensione të gjera”. Fakt është se personalitete të shumtë që i referohen Maman Saliut, janë pena të spikatura shqiptare si Dritëro Agolli, Mark Dodani, Luan Rama, Nuredin Dushani, Rustem Peçi, Shaban Sinani, Ramiz Alia, Anastas Kondo, Lirim Deda, Apostol Duka, Halim Ramohito, Vito Kapo, Mikado Shakohoxha, Pavllo Gjidede, Jonuz Mersini, Irfan Bregu, Duro Mustafai, Manxhar Binaj, Xhafer Peçi, Rrahman Parllaku, Kujtim Micaj, Gëzim Tushi, Xhevdet Shehu, Rami Memushaj, Ruzhdi Bajrami dhe shumë të tjerë. Lexuesi që ka marrë në dorë “Trokitje në kujtesë” 2004, “Në vorbullën e jetës”, 2007 si dhe “Kujtime dhe mbresa” të 2022 të Maman Saliut, ka gjithmonë për të thënë fjalën e vet, për një libër solid, një copëz historie labe dhe shqiptare, që kurrësesi nuk mund të jetë një stoli bibliotekash, por një histori me detaje jete të jetuar dhe të shprehur bukur me një gjuhë të pastër dhe të rrjedhshme, një libër i rrjedhshëm i konsultuar me vetë jetën labe, me jetën ushtarake, me vitet e luftës dhe të punës, me vitet e shkollimit në Moskë, një libër i mbushur me plagë lufte, me gjak dëshmorësh, me memorialë e lapidarë të shqiptarizmës.

Materializimi më i mirë i maksimës popullore labe: “Bëmë Baba të të ngjaj”

Maman Saliu nuk e njohu babanë, por Sali Vranishtin e njihte historia, Shqipëria dhe shqiptaria. Prandaj edhe ky bir i denjë e meriton atë çfarë flitet e shkruhet për të Maman Saliu pasuroi historinë, duke e mbajtur gjallë atë me kujtimet e tij që janë një dritë e pashuar e së vërtetës. Ai ishte dhe mbeti burri i nderuar i pushkës dhe i penës, i gjallë mes të gjallëve. Filozofia popullore e kulturës së tij shprehet në atë që vetë Mamani thoshte “Të kaluarës t’i marrim zjarrin dhe jo hirin”, prushin që ndez zemrat e shpirtrat atdhetare në çdo kohë e çdo brez. Mamani ishte brez i brezit të hekurt, burrë i stërralltë, që fjala i peshonte rëndë, që hyri në “universitetin” e Bramyshjes së Tërbaçit, në BrVSulmuese Partizane, që sfidoi vdekjen me trembëdhjetë plagë lufte, që copa predhash i kishte bashkëshoqëruese e bashkëudhëtare të jetës së tij, që su tut kurrë nga istikami, që jetën e jetoi me dinjitet dhe diti të përballonte çdo sfidë. Ashtu sikurse thoshte Ismail Skeja ish-Drejtor i Arkivit të MB-së më 15.5.2017 në “Maman Saliu, nderim komandantit trim”, “Nëna kalabreze kur i lind djalë ia kthen kokën nga Karaburuni dhe i thotë: “Andej janë malet tona”. Nëna vlonjate ia kthen kokën fëmijës nga Kalabria dhe i thotë: “Gjaku ynë është dhe matanë këtyre brigjeve”. Nënë Fatua, gruaja e Heroit Sali Vranishti, kur i lindi Mamani, djali i vetëm i saj, më 15.5.1922, ia ktheu kokën, jo vetëm nga Kalabria, por edhe nga Preveza, Shkodra, Kosova e Dibra, e gjithë shqiptaria”, domethënëse për familjet e mëdha aristokrate që për devizë kanë dashurinë për mëmëdheun.

Maman Saliu koloneli i spikatur i Sigurisë Kombëtare me integritet të lartë atdhetar

Maman Saliu ishte lindur më 15 maj 1922 në Vranisht të Vlorës dhe është shuar më 3.2.2012. Ai erdhi në jetë në një truall mjaft atdhetar, dhe përgjatë gjithë jetës justifikoi për çfarë ishte si biri i legjendës atdhetare, luftëtare e patriote, biri i kapedan Sali Vranishtit. Mamani ishte figurë e spikatur rezistencës antifashiste, por dhe e Sigurisë Kombëtare, pasi në jetë kishte edhe një armë më shumë: “pasurinë intelektuale”. Shkollën fillore e kryen në Vranisht, plotoren në Vlorë, ku vijoi edhe studimet në Shkollën Tregëtare. Pushtimi fashist e gjeti Mamanin të burrëruar dhe që u përfshi që në fillim në lëvizjen antifashiste. Në korrik 1942 arrestohet për veprimtari politike dhe burgoset në Vlorë e Tiranë. Në 10.12.1942 është pjesë e njësiteve guerrile të fshatit e krahinës, në maj 1943 përzgjidhet sekretar celule në Vranisht. Koha rrodhi shpejt dhe në gusht 1943 i besohet detyra e komandantit çetës partizane që mbante emrin e babait të vet “çeta partizane Sali Vranishti”, më pas komisar çete në batalionin “Halim Xhelo”, komisar batalioni në BrVS. Gjatë luftimeve për mbrojtjen e Kongresit të Përmetit (24-28.5.1944) plagoset rëndë. Trembëdhjetë plagë lufte nuk e mposhtën dhe angazhohet në luftime deri në thellësi të tokave në Sanxhak në ish-Jugosllavi për çlirimin e tokave të vëllezërve tanë kosovarë. Pas çlirimit të vendit i ngarkohen përgjegjësi të larta në strukturat e Sigurisë Kombëtare. Në vitet 1951- 1953 kryen arsimin politik, kurse në periudhen 1957-1961 vijon studimet e larta ushtarake në Akademinë “Xherxhinski” në Moskë, ndërkohë që në vitin 1961 shpallet “person non grata” nga qeveria sovjetike, me motivacionin: “Për qëndrim të hapur e të vendosur në mbrojtje të vijës zyrtare të shtetit shqiptar, përjashtohet nga diplomimi dhe clësohet nga qeveria e BRSS “person non grata”. Deri në heqjen e gradave më 1 maj 1966 ka mbajtur gradën ushtarake “Kolonel”. Në vitin 1966, largohet vullnetarisht nga kryeqyteti dhe shkon në vendlindje, ku kontriboi për dy dekada si veprimtar shoqëror në gjithë krahinën e Mesaplikut dhe Kurveleshit të Poshtëm. Ai ka qenë i zgjedhur anëtar i kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik dhe është vlerësuar me titullin e lartë “Personalitet i shquar i Labërisë”, por edhe me shumë urdhëra, medalje e dekorata të akorduara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor; gëzonte statusin e “Invalidit të LANÇ” me 13 plagë lufte, si pjesëmarrës me armë në dorë gjatë LANÇ-it, por edhe për shërbimin si oficer në strukturat e sigurisë së brendshme për 22 vite (1944-1966). Edhe pse është shuar më 3 shkurt 2012 në Tiranës, ka qenë dhe ka mbetur në memorjen e brezave si një figurë e përjetshme në zemrën e kombit shqiptar, bir i një familje-oxhak me taban lab por edhe bir i një kapedani meteor të Labërisë. Maman Saliu ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij një personalitet, që me botimet e tij ja shtoi më shumë vlerat për të tre epokat që jetoi. Ai publikoi “Trokitje në kujtesë” më 2004, “Në vorbullën e jetës” më 2007, Kujtime dhe mbresa, 2022 e publikuar nga i biri Arben Saliu në 100 vjetorin e lindjes së babait të tij. Edhe sot dhe nesër do vijojë të këndohen vargjet e rapsodit lab për Maman Saliun sikurse u kënduan dhe për Sali Vranishtin: “Malet e Vranishtit nxijnë,/Qajnë për Maman Salinë,/Qajnë për burrin e rëndë,/S’do ta shohin më në këmbë../Maman Sali Labëria,/Mbi supe të rri lavdia”.Nuk mund të mungonin në këtë shkrim për Maman Saliun, vargjet e përjetshme të mikut tim piluriot, Lefter Çipa: “Ai s’ndalet kurrë nga jeta,/ Ndaj t’i nderojmë burrërinë,/Guximi i tij s’ndahet me feta,/Kush nuk ja njeh Historinë”.

Maman Saliu përballë makinacioneve ruse

Nga radiogrami i Ambasadës Shqiptare në Moskë me nr.285, më datë 6.VI.1961, njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë se: “Komandanti i Shkollës së Lartë “F.Xherxhinski”, Gjeneral Koljankov, thirri përgjegjësin e studentëve shqiptarë Maman Saliun dhe e njoftoi se duhej të largohej nga territori i BRSS më 8.6.1961 pasi ishte përjashtuar nga shkolla me motivacion: “Nuk ka mbajtur qëndrim të drejtë në një seminar, është ankuar pse shtypi sovjetik nuk shkruan për Shqipërinë dhe si përgjegjës grupi ka lejuar që studentët të merren me politikë”. Përveç Maman Saliut, u përjashtua nga kjo shkollë dhe Thoma Duro, nga Shkolla e Sigurimit Politik Vangjel Xhixho, Malo Idrizi, nga Shkolla e Sigurimit në Leningrad u përjashtua Andrea Ndridhori. Marrëdhëniet politike kishin marrë fund me rusët vetëm se shqiptarët nuk nënshtroheshin. Nga informacioni Telegrafik i Ambasadës shqiptare në Moskë, nënvizohet: “Nisur nga kjo ngjarje, më 7.6.1961, Ambasadori i RPSH-së në Moskë, Nesti Nase, mori takim me zëvendësministrin rus Kuznecov dhe me porosi të Qeverisë sonë i shtroi çështjen e oficerëve tanë të përjashtuar nga shkollat ushtarake. Ambasadori jonë i vuri në dukje se nga ana e komandave të shkollave karshi ushtarakëve tanë janë bërë provokacione të ndryshme. Ai e quajti vendimin për përjashtimin e tyre nga shkolla si një masë për të mbuluar veprimtarinë e tyre jo miqësore kundër vendit tonë. Pastaj në emër të Qeverisë tonë kërkoi kthimin e gjithë ushtarakëve tonë të degëve të Sigurimit, Kufirit dhe Policisë në Atdhe”.Më 13.6.1961, kryetari i Degës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të BS-së Astavin thirri ambasadorin shqiptar dhe i dorëzoi një promemorje të Ministrisë së Jashtme:“Kohët e fundit disa ushtarakë shqiptarë kanë bërë goditje armiqësore dhe shpifje kundër PK të BS dhe qeverisë sovjetike, kanë prishur disiplinën ushtarake, kanë injoruar komandat e shkollave, kanë shpifur mbi politikën e jashtme të B.Sovjetik, nuk kanë treguar kujdes për të mësuar historinë e PK të BS, kanë kërcënuar dhe ofenduar oficerët sovjetikë”. Në fund të promemorjes, thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme të BS është e ngarkuar të deklarojë se këto veprime u sjellin dëm marrëdhënieve sovjeto-shqiptare..”(Arkivi i MPJ, Viti 1961, Dosja 42/10, fletët 26-28). Kokë shqiptari! Nuk e njihnin përkuljen dhe nënshtrimin dhe ky rrebelim ka ndodhur shekujve kundër gjithë pushtuesve. Kjo është pjesë e papërkulshmërisë dhe mosnjohjes dhe mosnënshtrimit, pasi sikurse thotë populli “e drejta zhytet por nuk mbytet”.

Përmbushës i idealeve të babait dhe përgjegjës përpara historisë

Maman Saliu edhe pse ishte tre vjeç kur u shua legjanda e shqiptarizmës Sali Vranisht kapedani kishte një përgjegjësi të madhe përpara historisë, të mbante lert si flamur një emër që respektohej e nderohej në çdo vatër me zemër shqiptare. Gjurmët e të atit, që luftoi kundër osmanlinjve, andartëve grekë, okupatorëve italianë, shovinistëve serbë dhe falangave që sollën Zogun në fuqi, një jetë e tërë në luftë, do ta ndiqnin kudo, pasi populli e kishte fiksuar figurën e babait të tij në vargjet lapidar: ”Kapedan Sali Vranishti,/ Sa rroi, i punoi gishti”. Ndërkohë që Gazeta italiane “Epoka” e cilësonte Sali Muratin “Gjeneralissimi i rebelëve të Jugut”. Por kush ishte Sali Vranishti?

Sali Murati – Vranishti një jehonë e kapedanëve nëpër shekuj

Në memorien e shqiptarëve emri Sali Vranishti, i lindur Sali Murati, por i njohur si kapedan Sali Vranishti. Fakt është se është memorizuar si një atdhetar i flaktë dhe luftëtar i shquar për liri e sovranitet kombëtar. Sali Murati erdhi në jetë më 20 mars 1880 në Vranisht të Vlorës. Si rebel ndaj osmanëve përndiqet, arrestohet tradhëtisht dhe izolohet prej koshareve osmane në këshjellën e Janinës. Arratiset prej këtej i plagosur dhe qysh në fillim të shekullit të XX-të fillon jetën e komitit. Me frymëzim të Ismail Qemalit në nëntor 1908, krijon çetë patriotike me luftëtarë nga Vranishti si dhe Lumi i Vlorës, të cilët i drejtoi me trimëri e heroizëm këtë çetë. Ai zhvilloi disa aksione në Labëri, në Vlorë e më gjerë. Në 1911 merr pjesë në mbledhjen e Drashovicës në mbështetje të Memorandumit të Gërçes. Aksioni më i bujshëm është ai i hapjes së burgut të Vlorës, më 24.8.1912, kur Sali Vranishti liroi gjithë të burgosurit, ngjarje qe pati jehonë në shtypin vendas dhe atë të huaj. Në prag të shpalljes së pavarësisë, shkon në ndihmë të popullsisë të Delvinës dhe lufton ndaj bandave andarte greke. Më 28.11.1912 me krijimin e qeverisë të Ismail Qemalit, gradohet kapiten dhe emërohet komandant i Sigurimit Publik. Në krye të forcave atdhetare zmbraps rrebelimin esadist kundër Qeverisë së Vlorës në Cakran dhe Myzeqe. Pas këtyre ngjarjeve plagoset por nuk tërhiqet nga misioni atdhetar. Bashkë me Çerçiz Topullin organizojnë dhe drejtojnë luftimet në mbrojtje të trojeve amtare nga andartët grekë dhe shovinistët e Jugut, ndëqrkohë që merr pjesë në Kuvendin e Shtëpëzit më 10.4.1914 për të përballuar dyndjet andarte greke bashkë me Selam Musain,  Çerçis Topullin, Sulo Beqiri, Bajram Ligu, Halil Sullo nga Fushëbardha e kapedanë të tjerë të Labërisë. Në vitin 1918 bën pjesë në shoqërinë patriotike “Opinga”. Në Luftën e Vlorës spikat për kontribut të jashtëzakonshëm. Plagoset rëndë gjatë sulmit për marrjen e kalasë së Kaninës. Gazeta italiane “Epoka” do ta cilësonte “Gjeneralissimi i rebelëve të Jugut”. Më 3 shtator 1920 me çlirimin e Vlorës, përfshihet në strukturat e sigurisë kombëtare. Në shtator 1920 merr pjesë në luftimet kundër pushtuesve serbë në Macukull dhe në Shkallë të Deshe në zonën e Matit. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” dhe me fillimin e Revolucionit të qershorit udhëheq forca kryengritëse. Në Tiranë i besohen detyra në mbrojtje të Qeverisë së Fan Nolit. Me dekret të posaçëm, më 1.11.1924, Qeveria Demokratike, krahas Bajram Currit dhe Hysni Currit, nxjerr në pension edhe Sali Vranishtin me motivacionin e invaliditetit. Në dhjetor 1924 merr pjesë në luftimet në Shkallë të Tujanit kunder forcave të kombinuara zogisto-vrangeliste, ndërsa me triumfin e forcave revanshiste, në fund muajin janar 1925 kthehet në vendlindje, pasi plagët në trup i kishte të pambyllura që, i marrin jetën më 24.1.1926, në moshën 46 vjeçare, duke lënë bonjakë një vajzë dhe një djalë. Sali Vranishti mban titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Vlorë. Është vlerësuar gjithashtu me çmimin “Nderi i Qarkut Vlorë”. Një rrugë në Vlorë dhe një në Tiranë mbajnë emrin e tij. Në Vranisht ka një shtatore të derdhur në Bronx, por një shtatore e re është përgatitur nga artisti i popullit Muntaz Dhrami nën kujdesin e nipit të tij Arben Maman Saliut. Në romanin “Ultimatum” të Petro Markos është personazhi qendror, ndërsa në populli, i madh dhe i vogël i njohin mirë vargjet: “Kapedan Sali Vranishti, Sa rrojti, i punoi gishti”. Më 25 gusht 1943, emrin e figurës së madhe popullore e mori formacioni partizan i çetës partizane të quajtur “Sali Murati”, në nder të tij. Komandant i kësaj çete ishte i biri i tij Maman Saliu.

*

Dritëro Agolli, Rrahman Parllaku dhe Shaban Sinani për Maman Saliun:

Poeti ynë kombëtar Dritëro Agolli shprehet: “Po të lexosh me vëmëndje kujtimet e Maman Saliut do të gjesh se jeta e tij është pjesë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë…Maman Saliu jo vetëm e pasuron historinë por e mban atë gjallë”.

Gjenerali Rrahman Parllaku shkruan: Maman Saliu hynte në kategorinë e atyre udhëheqësave që jo vetëm e jepnin komandën “para partizanë”, por që dilte vetë në ballë të luftimit… mori plagë të shumta dhe të rënda për të mbetur invalid përjetë. Megjithëse me plagë të pambyllura, ai nuk ju nda brigadës deri matanë kufirit shtetërorë, duke treguar se ishte bri i denjë i kapedan Sali Vranishtit”.

Prof. Dr. Shaban Sinani shkruan: “Në kujtimet e tij, Maman Saliu shkruan për të pohuar shumë serbes se mund të pranojë çdo lloj gjykimi, për më tepër që koha e ka vënë në zgrip brezin e tij..virtyti dhe ideali mbijetojnë. Kujtimet e Maman Saliut dëshmojnë se brezi i tij…përsëri do gjente strehë tek ideali”.

Burimet e studimit: Maman Saliu “Trokitje në kujtesë” 2004, “Në vorbullën e jetës” 2007, Kujtime dhe mbresa, 2022; Maman Saliu, labi i madh patriot, Zëri i Kosovës, e shtunë 7.7.2012; Maman Saliu burrë i hekurt i Labërisë, Zeri i Popullit, 16 gusht 2012, Gazeta Standard, 29.11.2014, “Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri”; Kristo Mërtiri 6.12.2023, “Burra Labërie si Maman Saliu, nuk i treguan plagët e veta”. Arben Saliu, “Gjyq për nder!” (djali i partizanit shqiptar këron të heqë emrin e babait nga lista e “kriminelëve”) Kronika televizime në Top Channal dhe portalin “Neësbomb.al”; Ismail Skeja Kolonel në rezervë, ish-Drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, “Maman Saliu, nderim komandantit trim”, publikuar më 15 Maj, 2017 në gazetën “Telegraf”; Qatip Mara “Vazhdimësi e shpirtit të shqiptarizmit për liri e pavarësi kapedan Sali Vranishti – komandanti trim Maman Saliu”, Arshi Xhelili “Gjurmë të kohëve të përflakura”, Gazeta italiane “Epoka” e cilësonte Sali Muratin “Gjeneralissimi i rebelëve të Jugut”, Romani “Ultimatumi” e Petro Markos, ka personazhin qendror, figurën atdhetare popullore të Sali Vranishtit, ku populli e ka sintetizuar me vargjet: “Kapedan Sali Vranishti,/Sa rrojti, i punoi gishti.” Prof. Gëzim Tushi 13.5.2022, “Si e kam njohur Maman Saliun”. Publikuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes; Maman Saliu, “Nënë Shahua nga Kuçi, mbante në dhomë eshtrat e djalit; Xhevdet shehu, publikuar më 20.11.2014, “Maman Saliu – Marathonomak i lirisë”; AQSH, Fondi 202/AP, Viti 1944, Dosja 33, Fleta 3; AQSH, F.152, V.1942, D.253, fleta 62; AQSH. F.152,V.1942, D.280, fleta 75; Arkivi i MPJ, Viti 1961, Dosja 42/10, fletët 26, 27, 28. -&-.

Please follow and like us: