Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Pogradeci, një metaforë dashurie

Sot është një ditë e veçantë në jetën time. Unë pothuajse jetën time e kam kaluar në këtë qytet përveç kohës kur isha student më pas në një kurs pasuniversitar dhe vitet që punoja tek revista humoristike ‘Hosteni’… Unë u riktheva në qytetin tim të cilin e dua ashtu siç do zemra gjakun… Pogradeci është qyteti që e ka liqenin në gjirin e tij… Ecën në bulevardin kryesor dhe ndjen klithjen e pulëbardhave, tingujt e lopatave të peshkatarëve, kërcitjen e peshkut.  Fle natën dhe të duket sikur e ke valën aty, nën jastëkun tënd, si një ninull të bukur hipnotizuese. Pogradeci është qytet i preferuar i shkrimtarëve, poetëve, kineastëve, piktorëve dhe fotografëve. Është qytet i të sapomartuarve që bëjnë muajin e mjaltit. Pogradeci për mua është një metaforë dashurie, është bari që mbin në pranverë me dekorin e luleve të shumta, janë xixëllonjat në netët e verës, janë ullukët e shiut në vjeshtë dhe qirinjtë e akullit në dimër

Pogradeci  është qytet siç thoshte poeti i madh Lasgush Poradeci “Lum kush vjen në Pogradec dhe mjerë ai që nuk kthehet më“. Në kujtesën time të fëmijërisë ka qenë koha kur vinte për pushime diktatori, i cili nga viti 1964 kishte ngritur një bllok vilash i cili pushonte nga tre muaj në Pogradec dhe ne shikonim stacionet italiane pasi montoheshin antenat për të dhe sinjali futej dhe në televizionet tona modeste ‘Iliria’; atë ditë që ikte iknin dhe stacionet italiane. Më vjen në mendie kinemaja e vjetër me llozha e cila u prish dhe ende qyteti nuk ka një kinema. Në vitin 1930 ne kishim traget me Ohrin e sot nuk e kemi. Do të doja të kthehesha sërish fëmijë në qytetin tim të lindjes. Gjunjët e vrara në fëmijëri nëpër kalldrëmet e këtij qyteti, dhembin më pak se një zemër e thyer, kur e shikon qytetin e vendlindjes, atë djep ku jam përkundur me kujtimet e bukura të jetës, sot plot me plagë të hapura nga ata që e kanë drejtuar… Prapë e dua fort qytetin tim më të bukurin në botë…

Pogradec, 27 korrik 2024.

Please follow and like us: