Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: “OKTAPODËT  E FLORINJTË”

   

                      

 

Tregim

 

 

Dallgët e detit i përplaseshin nën këmbë si një pshehrëtimë e vazhdueshme, e cila i ishte bashkangjitur pshehrëtimave të tij që prej disa kohësh dhe e kishte pushtuar të tërin.

Stuhia kishte kaluar e fortë, e shpejtë, befasuese dhe shkatrrimtare duke lënë pas copa drurësh dhe mbeturina. Ato ishin shpërndarë gjatë gjithë bregut, nën këmbët e tij lakuriqe, që në atë buzëmbrëmje të pazakontë  i ngjante mozaikut më të çuditshëm në botë,  të cilin nuk e kishte parë ndonjëherë.

Dallgët përplaseshin fort, por atij çuditërisht po i ngjanin me përplasjet e dyerve të redaksisë, ku kishte punuar dhe kur shefi, atë ditë kishte hyrë në zyrën e tij papritur dhe i kishte thënë:  “Realiteti dhe fantazia janë një raport që nuk duhen përplasur, djalosh…”, dhe ai pasi kishte mbledhur buzët fort me një vështrim askund të fiksuar kishte mbyllur derën e zyrës së gazetarëve me një përplasje sa atij zhurma i kishte ngjarë si një dallgë e madhe ulëritëse, që e kishte goditur duke e rrëzuar pa ndjenja fort në tokë. Kur ishte përmendur ai e kishte ndjerë veten jashtë nga çdo gjë.

*  *  *

Kolegët, të parët, të cilët e shikonin në sy pa folur, vetëm përpiqeshin të kuptonin gjendjen e tij.

Njerëzit që njihte, komshijtë dhe rrethi familjar, kushërinjtë apo edhe më të afërmit, e morrën në telefon vazhdimisht ato ditë për të konfirmuar autorsinë e artikullshkruesit investigues. Zhurma nga disa televizione dhe gazeta, të cilat e kishin botuar artikullin e tij, kishte sjellë pështjellim në opinionin e njerëzve mbi ngjarjen. Një koleg i vjetër, i cili kishte kohë pa e takuar që kur kishte punuar në Radio Tirana e kishte uruar nëpërmjet një thirrjeje të veçantë telefonike: “Të lumtë o mjeshtër”! Ai ishte i vetmi që në atë suferinë vuajtëse, kapitëse e zhurmuese, të ftohtë e të egër, fjalët e tij e kishin ngrohur, e kishin shkundur nga gjendja shokuese, në të cilën kaloi ato ditë. Më pas, erdhi dita, të cilin ai e priste. Një mesazh nga personeli në telefonin e tij e njoftonte se duhej të largohej nga agjencia, ku kishte disa vite që po punonte. Arsyeja e përzënies nga agjencia investiguese nuk u shpjegua kurrë dhe ai u gjend përballë vetmisë dhe rrugës së hapur, ku ndjeu se pas shpatullave do të kishte vetëm dyer të mbyllura në çdo trokitjeje. Po vallë, çfarë kishte bërë?

* * *

Ai kishte besuar në bindjet e tij si gazetar. Kishte besuar në faktet që kishte mbledhur nga shumë institucione dhe burime të ndryshme, të cilat konkludonin në një gjykim. Ai kishte vajtur tek familja e viktimës, fëmijës dhjetë vjeçar, që ishte gjetur mes rrënojave pa jetë dhe kishte mbledhur informacionet rrënqethëse, tronditëse, të cilat nuk donte t’i mbante për vete. Nuk ishte ky misioni i tij, por e kundërta. Publiku duhej të njihej edhe me ngjarje të tilla tragjike.

Ai shihte pas fytyrave të qeshura plot entuziazëm,të cilët flisnin nëpër tribuna madhështore të shoqëruara me muzikën më të shfrenuar të kohës dhe të rinj, që irritoheshin gjysëm të droguar edhe nga ethet e mospërmbajtjes eksituese, gjysëm apo të plotëlakuriqësisë së trupave  të femrave e meshkujve, të cilët në çmendurinë e përfytyrimeve seksuale, kolektive, në sheshet më të mëdha të ndriçuara nga dritat shumëgjyrshe, kur në fakt pas tyre ai ndjente i ndërgjegjësuar një realitet tjetër mjaft të hidhur dhe shkatërrues, grryerës si këto dallgë që përplaseshin fort në shkëmbinjtë mijëravjeçarë të vendit të tij.

* * *

Ai u përmend nga një dallgë duke shkëptur një moment mendimet dhe hodhi sytë tej nga deti.  Përballë më tutje shfaqej i errët gati mistik ishulli i  Sazanit, në  krah gadishulli i Karaburunit si zgjatim i një bishtpërbindëshi të plagosur që lëngonte, dhe pas kodrat pranë Kuzum Babas nga ku dëgjoheshin zhurmat e makinerive, të cilat nuk ishin fort larg nga zona e plazhit ku ndodhej. Aty punohej edhe tani kur mbrëmja po mbrrinte dhe njerzit po futeshin nëpër shtëpia. Ndonjë oligark kishte marrë lejen e ndërtimit dhe po ngrinte resortin e vilave të tij.

Zhurma e dallgëve pas asaj stuhie çuditërisht ndërthurrej ngushtësisht me zhurmën e makinerive, buldozerëve që atë buzëmbrëmjeje ishte më e trazuar se kurrë. Ai ishte nga këto anë dhe e njihte mirë bregdetin e Vlorës. Në fëmijërinë e tij pushimet apo ditët më të vështira dëshironte t’i kalonte pranë qytetit, buzëdetit, prandaj ndodhej aty, për të sistemuar mendimet, për të kuptuar më mirë rrjedhën e ngjarjeve që i kishin ndodhur.

*  *  *

…Në fillim iu shfaqën sytë e përlotur të nënës së fëmijës dhe fjalët e saj rrënqethëse: “…për bukën e gojës dhe dëshirën për blerjen e librave të shkollës…” fjalë që kumbonin  në veshët e tij akoma dhe si jehonë vazhdonin duke u përhapur në mbarë hapësirën ku ndodhej, madje tutje, shumë më tutje, po deri…! Ku…?!  Në Itali?!… Po, po deri në Itali, ku ndodheshin me mjijëra shqiptarë, të cilët e kishin braktisur vendin për të njejtën arsye, por, ai kishte preferuar të rrinte në vendin e tij, me nënën e tij… Më pas i ishin shfaqur drejtues institucionesh, shefa e specialistë, të cilët kishin rradhitur faktet, kishin zgjeruar mendimin e tij. Hijet e tyre lëvzinin si akrepa nëpër mure të ftohtë gjysëm të ndriçuara.

…Ai më pas kishte shkuar në vendgjarje, aty ku grumbulloheshin të gjithë plehrat e mbeturinat e qytetit, aty ku shpirti i djaloshit kishte bërtitur uluritur, lebetitur dhe më pas ishte shuar nën zhurmën e eskavatorëve egërsues e të pamëshirshëm, ku nata dhe dita ishin makabre mes atij mali hedhurinash, ku gjendej gjithçka dhe që asgjë nuk mund të shërbente siç duhej. Prozhektorët e eskavatorëve rrotulloheshin rreth malit të hedhurinave dhe asnjëherë nuk qëndronin të qetë, të komandueshëm, por nervozë. Ata dukeshin sikur donin të mbulonin diçka se sa të vazhdonin të pastronin vendin ku u dëgjuan ulurimat vajtuese, përshpirtja rënkuese. Zhurma e motorrëve të makinerive coptuese, fshirëse, ngarkuese e shkarkuese sa do që shtohej e shtohej atë mbrëmje të llahtarshme, si për të mbytur jehonën e asaj ulurime, ajo u shpërnda tej e tej duke kapërcyer fusha, kodra e male duke prekur brigje lumenjsh, liqenesh e detesh. Ajo u përhap me forcë si bërthama uluritëse e një uragani që do të rritej e zmadhohej frikshëm në sytë e të gjithëve që e mësuan makabritetin e asaj mbrëmjeje… Por koha bëri të vetën. Sa më shumë heshtej në media apo forume të drejtash të njeriut aq më tepër zhurma uluritëse e uraganit fashitej duke kaluar në harresën e shumëkërkuar…

…Por zhurmat pa mbarim në çdo orë të ditës dhe të natës të zetorëve dhe kamionëve, vinçave dhe betonbërësve, që rrotulloheshin kudo nga kalonin, në rrugë të gjëra dhe rrugica, nëpër qytete dhe zona urbane, që ngjanin si akullore lëpirëse, për të shfarosur gjelbërime dhe parqe, e për të ngritur qiellgërvishtëse gjigande, do t’ia mbante të gjallë enigmën e ngjarjes makabre të asaj mbrëmjeje…

*  *  *

Ai mbylli perden e ballkonit nga ku shihte në çdo muzg këto pamje të Tiranës dhe uli kokën duke fërkuar sytë.

Më pas ai ishte ulur në tavolinë dhe shkruante në kompiuterin e tij. Në fakt ai nuk shkruante, por atij i dilnin faktet çuditërisht shumë të lidhura, ku as fantazia më e çmendur nuk do ta krijonte atë realitet që ai po gdhentëte në rreshtat e tij. Ai nuk kishte nevojë as të fantazonte e as të shpikte pasi faktet i kishte shumë kokfortë, që nga sytë e përlotura të nënës e buzët që i dridheshin me zërin e saj të këputur e deri tek sytë e duart e drejtuesëve të institucioneve shtetërore me buzëqeshjet e tyre cinike dhe duar që fërkoheshin, apo sy që shikonin me habi mospërfillëse e injoruese.

Shkresa pa mbarim, të cilat i kishte studiuar në netë të tëra në pagjumësi. Dhe, nën hijen e rëndë të natës, nën fëshfërimën e gishtrinjëve të tij mbi tastjerë, “fantazia” e vetme e pafajshme që i vinte rrotull dhe e ngjethte të gjithin, ishin ulurimat dhe thirrjet plot gulçim të fëmijës, të djaloshit nën gërmallat dhe zhurmës së eskavatorëve. Por, ai vetëm derdhte në kompjuter fjalë, fjalë duke shpalosur në ekran realitetin. Atëherë, ku qëndronte përplasja e madhe midis fantazisë dhe realitetit, të cilin shefi e kishte përmendur?!…

*  *  *

Errësira mbulonte gjithçka, por dallgët e detit dhe oshëtimat nga mali e ngritën në këmbë. Ai ishte i zbathur. Këpucët i kishte humbur. Ato ishin diku pranë degëve të shkurreve dhe pemëve të shkulura nga stuhia. Ai nuk e kishte mendjen tek ato. Ai filloi të ecë buzë bregut dhe hapat ngjesheshin mbi rërë dhe guralecë. Ai filloi të ecë më shpejt duke thyer erën. Dëshironte vetëm të lëviste,të ecte,të vraponte dhe të ulërinte,të çirrej së bërtituri, të qante, të godiste diku me grushte apo me shqelma. Diku gërvishti këmbët, por nuk ndjeu asgjë. Ai vetëm ecte fillonte përsëri të vraponte, për diku, por as vetë nuk e dinte se për ku. Diku në një ledh këmba i ngeci dhe ai ra mbi rërë, ndjeu dhimbje në gjurin e majtë dhe dorëzoi trupin e tij të imët. Flokët e zinj që ja merrte era deri ato çaste, u qullën në rërën e lagur nga dallgët. Ai ndjeu se faqet e tij ishin lagur nga lotët, por dallgët e shplanë dhe ai ngriti i pafuqishëm kokën dhe vuri re se dallga që e lagu u tërhoq në thellësi. Ai buzëqeshi pak por, në çast sytë i panë një dritë që u ndez fort mbi fytyrën e tij të përbaltur. Ai ndjeu dorën e dikujt që i preku supin e lagur të tij, aty ndjeu se humbi ndjenjat dhe në humbëtirën e subkoshiencës dëgjoi turbull në italisht: “Nuk është i yni ikim”.

Ai dëgjoi hapat që u çapitën mbi ujin e detit, por nuk i shikonte dot pasi nuk kishte më fuqinë të ngrinte kokën. Ai dëgjoi në shqip: “mama është një djalë ndoshta do të vij me ne, ndoshta ka nevojë për ne”.

Ndjeu si në një shpellë të thellë, si ajo e piratëve, zërin e një vajze, që ngulte këmbë të qëndronin. Më pas ndjeu mjaft zëra që përshpërisnin dhe një  zhurmë motorr-barke, që u ndez. Ai ndjeu zërat që vinin si jehonë nga deti i trazuar. Pastaj ra heshtje e madhe, era që po qetësohej dhe qielli po çlirohej nga retë e shpërndara, të cilat nxorrën hënën që ndriçonte zbehtë. Dallgët ishin më të vogla, më të rralla dhe trupi i tij ishte tashmë larg ujit. Ndjeu të ftohtë dhe gryka që i digjte fortë i provokoi kollë, e cila e përmendi. Ai vuri re me sytë gjysëm të hapur se hëna e turbullt midis reve mbi Sazan sikur luante me të. Ajo herë dukej e herë zhdukej pas reve. Hapi sytë më tepër dhe ndjeu se ishte qullur. Kujtoi siluetën e njeriut me kapuçon të zi ,  i cili i lëshoi për  pak çaste dritën e fortë të fenerit, duke i verbuar sytë. Hëna rrezatonte  nëpërmjet valëve  të detit, që po qetësoheshin. Ai vuri re habitshëm,se ato mbi sipërfaqen e ndriçuar merrni forma nga më të çuditshme si yje të vegjël që shndrroheshin në forma gjarprinjsh, të cilat shkëlqenin mbi hapësirën qiellore. Truri i tij i vrarë nga mendimet procesoi formën e një oktapodi, që po përdridhej nën shkëlqimin e hënës dhe ai u tërhoq i friksuar. Ai ishte i madh, shumë i madh dhe si një ufo po ngrihej nga sipërfaqja e detit duke dashur të afrohej trupit të tij ende të shtrirë, mbi rërën e ftohtë e të lagur. Sytë i shkonin tek tentakulat që përdridheshin me shkëlqimin e fortë nga rrezatimi hënor, i piklave të ujit,të cilat filluan t’i bien mbi trupin e tij gati gjysëm të zhveshur. Dhe ai ndjeu rrënqethje të hidhura duke mbledhur trupin befas si për mbrojtje. “Ufoja-oktapod” plot shkëlqim mori ngjyra të florinjtë dhe ai filloi të fërkoj sytë e tij fort. Ishte ende në gjumë apo zgjuar? Ishte në ëndërrimin fantazues apo sy hapur fantazma “Ufo-oktapod” e florinjtë në formën e një objekti të zi… dron apo diçka mistike, fluturoi si një balon vetëtitës mbi kokën e tij? Ai fërkoi përsëri sytë fort si për t’u shkëputur nga ëndrra e gjumit kapitës apo fantazia. Dhe pyeti veten i çoroditur. – Vërtet po ndodhte? Dhe më pas kur ktheu sytë nga deti, Sazani… Karaburuni, sipërfaqja blu e errët ndrroi pamje në pikla të vogla që po fufurinin si xixëllonja pa mbarim. Ato shndrroheshin  në një formë mizash ngjyrë floriri dhe i gjithë deti u mbulua me gjallesa të tilla të çuditshme, magjike. Ato morën formën e oktapodit të madh që sapo i kaloi mbi krye dhe si dronë zbulues ushtarakë të komanduar, të florinjta ndoqën udhëtimin e tyre në drejtim të oktapodit të parë, rrugën drejt tokës, drejt maleve, fushave e pyjeve. Ai pa tentakulat e shumta të florinjta të tyre, si gjarprinj të vegjël, që vareshin mbi kokën e tij. Dhe, si një grumbull dritash verbuese në errësirën e qetësinë e thellë,atij çuditërisht ju kujtuan fishekzarët e fuqishëm që hidheshin në çdo festë apo Vit të Ri, në sheshin “Skënderbej”, ku shkëlqimi i qiellit merrte një pamje madhështore marramendëse. Mos vallë kishte të drejtë shefi, kur i tha: “…realiteti dhe fantazia nuk duhen përplasur djalosh…”. Por, mes atyre shkëlqime dritash shumëngjyrshe, i vinin nga ana tjetër e veshëve disa zëra mërmëritës shfryrës dhe uluritës vajtues, të bërtiturat e djaloshit dhjetë vjeçar mbi plehrat dhe mbi të, prozhektorët mospërfillës, gjithashtu zërin fëminor, i cili u shua nën gërmadha dhe oktapodi i florinjtë që e vështronte nga lart, duke i lëshuar rrezet verbuese. Befas atij iu risollën para syve silueta-hije dhe ndriçimi i fenerit të njeriut me kapuçon të zi, i cili i foli në italisht, zëri këmbëngulës i vajzës dhe zërat e njerëzve të panjohur që u tretën nëpër dallgët e detit, të cilat u sinkronizuan e u mpleksën me zërin e shefit, duke artikuluar: “…realiteti… ti… ti… dhe fantazia… zia… nuk duhen përplasur… sur… sur”… mama ai djalë ndoshta ka nevojë për ne”. Ato fjalë jehonin duke goditur veshët e tij dhe ashtu me duart e vendosura mbi to, i drobitur u ngrit gjunjazi, pastaj me vështirësi në këmbë, hodhi vështrimin rrotull, mori frymë thellë dhe lëshoi një britmë shpërthyese mes lotësh që po i rishpërthenin: – Jooooooooo…

Ai bërtiti aq fort sa që joooooo-ja e zgjatur oshëtiu e u përplas deri në Sazan. Ajo u  rrotullua për gjatë gjithë bregut dhe sikur po ndiqte “ufot-oktapodë” të  florinjtë dhe më pas ajo u përplas në brigjet pranë, në kodrat përreth aty ku eskavatorët vazhdonin me zhurmat moskokëçarrëse, gërmimet për hapjen e themeleve të vilave për oligarkët.

Hëna u tremb dhe u duk sikur kërkonte të fshihej pas një reje të mbetur nga stuhia.

Vanderbilt – Naples Florida, 28 korrik 2024.

 

 

 

 

Please follow and like us: