Fjala e Hygoit në procesionin mortor të Balzakut
Në moshën 51 vjeçare, më 18 gusht të 1850 u nda nga jeta shkrimtari i njohur Honore de Balzak.
Mbahet mend fjalimi briliant i shkrimtarit Viktor Hygo, te varri i Balzakut, botur disa ditë më vonë në gazeta “Le Siècle”.
“Njeriu që tani po kallim në varr është një nga ata që e përcjell pikëllimi i mbarë botës. Në kohën tonë s’ka më iluzione. Tani vështrimet nuk i drejtojmë më nga sundimtarët, por nga mendimtarët prandaj i gjithë vendi dridhet kur zhduket një nga këto koka të mëdha. Zi e përgjithshme është dhimbja për vdekjen e një njeriu të talentuar; zi kombëtare është pikëllimi për ndarjen e përgjithmonshme prej një gjeniu.
Emri i Balzakut, zotërinj do të përfshihet në gjurmën e ndritur që epoka jonë do të lërë ndër shekuj.
Vdekja e tij e bëri helm e vrer Francën. Përpara disa muajsh ai u kthye në shtëpi, meqë e ndjente se po i afrohej fundi, donte ta shihte përsëri atdheun, si biri që kërkon të përqafojë nënën e vet para se të niset për një udhë të gjatë. Jeta e tij ishte e shkurtër por e nginjur, është e mbushur më shumë me vepra se sa me ditë. Eh! ky punëtor i fuqishëm dhe i palodhur, ky filozof, ky mendimtar, ky poet… ky gjeni ka bërë midis nesh një jetë plot tallaze dhe luftëra, siç u bie në short gjithë njerëzve të mëdhenj.
Tani ai prehet në paqe. Tani s’e arrin dot as rivaliteti, as urrejtja. Brenda një dite ai mbulohet me dhé e me lavdi. Ai këtej e tutje, sipër reve që varen mbi kokat tona, do të shkëlqejë mes yjësive.
Ju të gjithë që jeni mbledhur këtu do ta keni zili.
Po sado i madh që është pikëllimi ynë përballë kësaj humbje, të mos biem në dëshpërim. Le ta pranojmë këtë humbje me gjithçka të ashpër dhe të trishtë që përfshihet në të. Mbase është mirë, mbase në kohëra si e jona është e domosdoshme që herë pas here vdekja e një njeriu të madh të zgjojë në shpirtrat e njerëzve të zhytur në dyshime e skepticizëm një tronditje të shenjtë. Fati di ç’bën kur e vë popullin ballë për ballë misterit më të lartë dhe e bën të mendojë se vdekja është barazia më e thellë dhe liria më e lartë. Shpirtrat e të gjithëve duhet të mbushen vetëm me mendime serioze dhe të madhërishme, kur vdes me lavdi një shpirt i lartë, një shpirt që ka pluskuar mbi turmat me flatrat e gjenisë, dhe papritmas hap krahët që të zhytet tek e panjohura!
Ky s’është terr por është dritë, ky s’është hiçi por përjetësia, Nuk është fundi por është fillimi. A nuk është e vërtetë kjo? Thuajeni të gjithë ju që në këtë moment po më dëgjoni.
Varre si ky janë një provë e pavdekësisë…
Post Scriptum:
Viktor Hygo është konsideruar si nderi i letërsisë franceze dhe ka arritur majat e saj. Ai u vlerësua në radhë të parë si poet, por edhe këtu ai i theu rregullat kryesore, thelbësore, në të cilat bazohej letërsia franceze e asaj kohe. Stili i tij epik dhe lirikat e tij janë të paarritshme. Ai do të ngelet përherë një nga shkrimtarët më të ndritur e të lavdishëm të Francës.
Viktor Hygo diti të qëndronte larg nga modelet melankolike dhe të vetmuara që karakterizonin poetët e kohës, duke ditur të pranojë peripecitë jo gjithmonë të lumtura të jetës së tij, për t’i bërë eksperienca thelbësore dhe të mbledhë vlerat dhe sfumaturat e shpirtit human.
Shkrimet e tij arritën të mbulonin të gjitha gjinitë letrare, nga lirika, te tragjedia, zakonet, satira politike, romani historik e social, duke ngjallur respektin në të gjithë Evropën.