Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Lule o trima të Smokthinës që ratë për Atdhe

(80 vjet më parë)


Luftoi si trim në dy luftëra…
Arif Lelo Lelaj ka lindur më 1898 në fshatin Bashaj. U rrit dhe u burrërua me tradita të të parëve që shquheshin për trimëri dhe atdhedashuri. Luftoi krah për krah me vëllanë, Zigur Lelo në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Arifi nuk e lëshoi dyfekun nga dora. Ai luftoi për mbrojtjen e qeverisë së Fan Nolit në rrethinat e maleve të Krujës e të Tiranës… Kur Lëvizja Antifashiste filloi të përhapej në Smokthinë, Arifi ishte nga të parët që u solidarizua me thirrjen për luftë kundër pushtuesit. Bashkë me të birin, Avduli, që në fillim ishin pjesëtarë aktive të çetës vullnetare territoriale të fshatit. Në luftimet që zhvilloi çeta Arifi ishte gjithmonë në ballë dhe dallohej për guxim e trimëri. Rënia e Avdulit në fushën e nderit, Arifin e kishte rënduar, por jo përkulur… Operacioni i Qershorit 1944, Arifin e gjeti në radhët e forcave territoriale të fshatit dhe në pozicion pranë malit të Çipinit. Këtu pushtuesi nuk kishte shkelur ndonjëherë. Lufta u bë e përgjakshme. Arifi luftonte kundër nazistëve dhe tradhëtarëve, por duke kaluar nga një pozicion në tjetrin, skuqi me gjak shkëmbin, më 7 qershor 1944. Ai ra si Ziguri mbi tela në Kotë. Populli i këndoi: “Arif Lelo, Arif trimi, / Përpara, o shokë u thirri, / Zjarr’ e flakë u ndez Çipini…”, ose “Prtitën që zuri Arifi, / Në Çipin përmbi Boder, / Asnjë hap prapa s’e bëri, / Si Avduli në Kartër…”. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.
Qëndroi shkëmb para skuadrës naziste të pushkatimit
Ali Isuf Sullaj ka lindur në vitin 1895 në Mesaplik. U rrit duke dëgjuar për trimëritë e luftëtarëve smokthinjot. Pjesëtarë të familjes e të fisit kishin marrë pjesë në luftërat për liri, në vitet 1913-1914 kundër andartëve grek, e kundra serbëve deri në Shkumbin etj. Ishte luftëtar në çetën e Bashit në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Në operacionin e qershorit të vitit 1944, bisha naziste po digjte e shkatërronte vendin. Aliu gjrndej në fshat, në Qafën e Parikës (Shalës). Ishte anëtar i batalionit territorial të Shullërit dhe kishte marrë pjesë në luftime në Gjorm, në Drashovicë, në Velçë etj. Në operacionin e qershorit ndodhej në gadishmëri, pavarësisht se ishte rreth 50 vjeç. Më 13 qershor 1944, Aliu kishte shkuar në Çipin për t’u shpurë partizanëve ushqime e informata. U ndesh me nazistët e tradhëtarët në Qafë të Parikës. Aliu zuri pozicion dhe nisi të gjuante mbi armikun, por ata ishin shumë, e rrethuan, e plagosën dhe e zunë. E qëlluan me kondak të pushkëve, e torturuan duke i kërkuar të tregonte ku ishin partizanët, por Aliu ju përgjigj: “Vdekje tradhëtarëve!”. Skuadra naziste e mbështeti pranë një përralli madhështor dhe e shkrehën karikatorin mbi të. Plumba përshkuan trupin e luftëtarit patriot, por ai s’u rrëzua, qëndroi shkëmb para armikut. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 50, datë 07.07.1973 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.
U tret në kampin e përqëndrimit në Mat’hauzen
Abaz Abdulla Sullaj lindi në vitin 1912, në ditën e lindjes së flamurit. Baba Abdulla i bënte roje flamurit që u ngrit pas kaq luftërash e përpjekjesh që kish bërë populli shqiptar. Rininë e kaloi në fshat, pas atyre pak bagëtive, ndën strehën e konakut të ndërtuar mbi themelin e shtëpisë që ju kish rrëzuar tërmeti, e që s’e kishin ndërtuar dot kurrë… Me ato pak ledhe toke nuk mjaftonin për të nxjerrë bukën, fukarallëku e detyroi të largohej e të kërkonte punë si argat duke transportuar trupa druri në sharrën e Llogarasë. Okupatorin fashist e priti me urrejtje të thellë duke marrë pjesë në protesta të popullit të Vlorës. Si punëtor ngarkim-shkarkimi në portin e Vlorës, u njoh dhe u shoqërua me punëtorë të tjerë nga Smokthina me Ormën e Feti Murrën. Përkrahu lëvizjen dhe u lidh me njësitin guerril, duke marrë pjesë në mbledhje edukative dhe aksione që organizoheshin në qytetin e Vlorës. Abazi me vëllanë Nazo, dha një kontribut të dukshëm në lagjen ku banonte. Barraka me llamarina ku banonin e përdorën si dyqan dhe mbasdite, kur ktheheshin nga puna, shisnin cigare e shkrepse, letër cigare duhani. Këtë veprim e bënin për të mos rënë në sy hyrjet e daljet e aktivistëve, të anëtarëve të njësiti gueril, në takimet që bënin. Barraka shërbeu dhe për mbajtje të materialeve propagandistike antifashiste, të cilat shpërndaheshin në lagje gjatë natës. Abazi u bë një shpërndarës i rregullt i materialeve dhe një ndërlidhës aktiv. Ai nuk doli në mal, por punonte në ilegalitet dhe në kushte mjaft të rënda që u krijuan me ardhjën e nazistëve gjermanë. Spiunët e kishin vënë në shenjë dhe e kapën në befasi. Qëndrimi i Abazit ndaj torturave në burg e në intemrnim dhe në kampin e përqëndrimit ishte dinjitoz, tregonin ata që shpëtuan prej tmerreve naziste. Abazit u dogj në furrat elektrike në kampin famëkeq të Mat’hauzenit në Austri, në gusht të vitit 1944. Kënga e përjetoi kështu veprën e Abazit: Abaz Abdulla Sullaj, / Mbet në kampe përqëndrimi, / Larg të dy me Mahmut Hoxhën, / U tretën nga internimi… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 40, datë 07.07.1973 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.
Luftojmë për çlirimin e Shqipërisë
Mustafa Sulo Hasamataj lindi në vitin 1900 në fshatin Matogjin të Smokthinës, në një familje të varfër. Që i vogël filloi të punonte bujk e bari nëpër dyert e të tjerëve. Ndërsa vëllai i madh, Malo u detyrua të shkonte në emigracion për punë, për të ndihmuar prindërit që kishin shumë fëmijë. Mustafai u end për të gjetur punë, sa në Himarë, sa punëtorë në hapjen e rrugës Vlorë-Brataj. Ai provoi shfrytëzimin e të huajve, ndaj dhe mori pjesë në Luftën e Vlorës, kundër pushtuesve italianë, në vitin 1920, bashkë me vëllëzërit Malo i kthyer nga emigracioni dhe Feimin. Vëllezërit u bënë bashkë dhe në në revolucionin e Qershorit 1924 dhe përkrahën qeverinë demokratike të Nolit. Me dështimin e revolucionit të qershorit dhe ardhjen në fuqi të regjimit të Zogut, Mustafai u thirr për të bërë ushtrinë. Nuk ju përgjigj thirrjes dhe u detyrua të emigrojë në Turqi. Pajtohet si bari tek një pronar dhe në kontakt me shqiptarë të tjerë mësoi të shkruante dhe të lexonte në shqip. I ndodhur larg Atdheut, në biseda me bashkatdhetarët shprehej se “guri rëndon në vend e tij”. Mbas tetë vjetë qëndrimi në emigracion në Turqi, në vjeshtën e vitit 1933 kthehet në vendlindje. Gjendja ekonomike e vendit ishte teper e rëndë, kudo kishte filluar urrejtja për regjimin. Me pushtimin fashist të vendit, idetë ë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare mbritën dhe në familjen e Mustafait. Ai mori pjesë në luftimet që zhvilloi batalioni territorial në Luftën e Gjormit, në dhjetor 1942. Me kapitullimin e Italise fashiste vendin tonë e pushtoi nazizmi gjerman. Mustafai përsëri mori pjesë në Luftën e Drashovicës, në shtator 1943 dhe në Luftën e Beunit në dhjetor 1943. Në luftime Mustafai u tregua trim dhe guximtar. Ai në luftime shprehej se “të mos mendojmë gjë tjetër, por të luftojmë për çlirimin e Shqipërisë”. Në luftimet e zhvilluara në Qafën e Brumbullit në Shashicë, në radhët e batalionit territorial të Shullërit, më 11 gusht 1944 duke luftuar me forcat gjermane, ra trimërisht në fushën e nderit për çlirimin e vendit dhe u rreshtua në radhën e yjeve të pashuar. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.
U përzhit nga flaka e mitralozit “shars”
Haxhi Hysen Derraj lindi në fshatin Bashaj më 1905 në një familje të varfër. Fisi Derraj njihej për tradita luftarake e atdhedashurie. Këte e dëshmon dhe pjesëmarrja në luftëra të mëparshme të shumë anëtarëve të fisit. Okupacionin fashist të vendit e priti me urrejte e indinjatë, si gjithë fshatarët e tjerë. Në Luftën e madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, Haxhiu u tregua shumë aktiv. Vëllai Duro, i inkuadruar në repartet partizane, gjatë luftimeve u plagos. Ndërsa Haxhiu, ishte i inkuadruar në radhët e batalionit territorial të Shullërit. Në luftimet që zhvilloi batalioni gjatë muajve korrik-gusht 1944 Haxhiu u dallua për guxim e trimëri. Por gëzimin e të gjitha betejave nuk e përjetoi, pasi në Qafën e Brumbullit, Shashicë, në ndeshjen me armiqtë luftoi trup me trup. Aty në llogoret e nazistëve, Haxhiu bashkë bashkë me trimin Mustafa Sulo Hasamataj, mbetën në vend të përzhitur nga flaka e mitralozit “shars” të ushtarit me kryq të thyer, më 11 gusht 1944. Ai tregoi akte trimërie duke u hedhur mbi fortifikatën në Majë të Shturos dhe ra për të ngelur në përjetësi. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.
Ra përmes flakëve të zjarrit…
Shamet Llano Gabaj lindi në vitit 1926 në Ramicë të Smokthinës në një familje të varfër. Që fëmijë bashkë me vëllanë e vogël mbetën jetim. Nënë e babë u bë gjyshja trime Sarta, e cila në operacionin e dimrit 1944 u dogj e gjallë nga pushtuesit, dëshmore e Atdheut. Sartës i dhëmbi më shumë për nipat e saj që e kishte rritur me thërime. Shameti në moshë të re punoi në shoqërinë italiane në Vlorë. Puna ishte e rëndë dhe nuk fitonte gjë, prandaj e braktisi dhe u kthye në vendlindje, ku punonte çoban pranë xhaxhait të tij. Në vitin 1942, aktivizohet më organizatën e rinisë antifashiste. Në nëntor 1943 hyn në radhët e reparteve partizane dhe mori pjesë në të gjitha luftimet e BrVS. Ai luftoi në Mavrovë, në Kropishtit e në Peshkëpi. Plumbi i armikut e rrëmbeu Shametin në sulm përmes flakëve të zjarrit më 23 gusht 1944. Shamet Gabaj do ta nderonte populli në këngë, birin e tij dëshmor: Shamet Gabaj që fëmijë, / Mbeti pa nënë e pa babë, / E kish rritur gjyshe Sarta, / Sa vuri yllin në ballë… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë, si dhe me vendim të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, nr. 3, datë 12.11.2002.
Këtë vit të 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut, kujtojmë dhe nderojmë heroizmin dhe gjakun e tyre të derdhur për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Please follow and like us: