Albspirit

Media/News/Publishing

Qerim Vrioni: FOTOGRAFI I SHQUAR SHKODRAN, DEDË JAKOVA

Një nga mjeshtrat shkodranë të aparatit fotografik me veprimtari gjatë shekullit XX, është edhe Dedë Jakova. Nga leteratura për fotografinë, shtypi dhe familjarët e mjeshtrit (kryesisht i biri, Nikolini, fotograf), mësojmë disa të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e Dedë Jakovës.
Dedë Jakova është lindur në Shkodër në vitin 1915, në një familje të vjetër dhe intelektuale qytetare dhe kishte tre vëllezër, Prenk, Ndoc edhe Çesk. I pari u bë një nga kompozitorët më të shquar shqiptar të shekullit XX, madje edhe në gjithë historinë e kulturës kombëtare. Ai është autori (në këtë rast, kompozitor, regjisor, dirigjent) i operas së parë në vend “Mrika” (1958). Ndoci, vëllai tjetër i Dedës, në vitet e L2B, u përfshi në lëvizjen nacionaliste dhe pas përfundimit të luftës, në atë antikomuniste dhe u hodh në mal. Kjo shkaktoi që e gjithë familja të izolohej brenda në shtëpi, madje Deda të arrestohej në burg politik prej 1 janar 1945 deri më 27 qershor 1946. Hija e kësaj periudhe e shoqëroi gjatë të gjithë jetës fotografin Dedë. Vëllai më i vogël, Prenka, gjatë kohës së izolimit të familjes, ditën punonte si drejtues muzike, kurse natën kthehej në shtëpi e bashkohej me familjarët e tjerë.

Mësimet e para të rregullta, Deda i mori në Kolegjin Saverian të qytetit, ndërsa mjeshtrinë e fotografimit e përvehtësoi pranë fotografit Kel Marubi në studion e njohur “Foto Marubi”. Aty, ai u aftësua shpejt si fotograf, saqë në vitin 1932, djalë rreth moshës 17-18 vjeçare, hapi në qytet studion e tij vetjake të quajtur “Foto Jakova”, veprim që pahtëson besimin dhe kurajon e tij të veçantë për të çarë vet në jetë. Në atelien e tij, krahas punën me bashkësinë e qytetit dhe rrethinave (si të gjithë fotografët e tjerë), Deda nisi të përngrinte në xhama dhe filma celuloidi (të parat me format 10×15 cm, të dytët në filma 6×9 cm) edhe imazhe të ngjarjeve të ndryshme politike, shoqërore, fetare dhe kulturore të Shkodrës, por edhe të zonave të tjera si p.sh. Lezhës. Gjithashtu, ai është tërhequr shumë nga peizazhet urbane, por edhe natyrore të Shkodrës dhe fshatrave të saj dhe i ka fotografuar ato me syrin e një artisti. Me këto fotografime ai ka lënë jo vetëm imazhe dokumentare, por edhe foto arti.
Shtojmë këtu se, Jakova, ashtu si kolegët e tij shkodranë, ka përdorur pajisje (aparate, ndriçues e zmadhues) dhe materiale (xhama, filma, letra, kimikate) të teknologjisë më të re të atyre kohëve. Në vitet ’30 ai ishte edhe përfaqësuesi tregtar në Shqipëri i firmave të njohura italiane për aparate dhe pajisje fotografimi, “Ferrania” dhe “Lomberg”.
Shpejt, Deda u dallua për syrin e mprehtë dhe aftësinë përzgjedhëse të imazheve që do nëpërkalonin objektivin e aparatit të tij. Përmendim këtu, shoqërimin dhe fotografimin e një grupi alpinistësh në ngjitjen e majave të maleve të veriut të vendit, (pra veproi edhe si fotograf sporti) ose fotografimin e pjesëmarësve të një veprimtarie folklorike në rrethinat e Lezhës. Tek kjo e dyta, ai realizoi disa foto mjaft të goditura, ku bien në sy gratë e hijshme të zonës me xhubletat e tyre mahnitëse. Po ashtu, brenda grupit të madh të këtyre fotove, spikasin disa portrete grash me tipare karakteristike të zonës dhe psikologji të veçantë, të cilat nuk ishin pozime në studio, por shkrepje çasti.


Fotoja me balerinat: Skenë baleti klasik nga trupa italiane “Carro di tespi” në oborrin e shtëpisë së Mark Kakarriqit (Shkodër), 1940.

Në grupin e fotove që shpërfaqin jetën shoqërore dhe kulturore të Shkodrës, hyjnë edhe disa shkrepje në oborrin e shtëpisë së biznesmenit të njohur të qytetit, Mark Kakarriqi (një nga organizatorët e Kongresit të atdhetarëve shqiptarë në Trieste më 1913). Ato janë realizuar në vitin 1941, me rastin e një shfaqjeje baleti të një trupe teatrore shëtitëse italiane, “Carro di tespi”. Të dhjetë balerinat italiane ekzekutuan skena baleti klasik rreth një shtatoreje nudo të “Venera” të skulptorit të njohur Italian, Antonio Canova-s, të vendosur në qendër të oborrit në mes një baseni të vogël gjashtëkëndësh me ujë. Ndonëse spektatorët e shfaqjes ishin të paktë, familjarë dhe miq të afërt të Kakarriqit, fotografimi i saj mund të futet edhe në pasqyrimin e veprimtarive kulturore të qytetit. Shtojmë këtu se, Jakova ka fotografuar edhe skena nga drama të ndryshme të vëna në skenë në Teatrin e Shkodrës nga viti 1932 deri 1940, foto të cilat kanë shumë vlera për historinë e kulturës së qytetit.

Si shumë nga kolegët e tij në Shkodër dhe nga qytetet e tjera, Deda realizoi shkrepje fotografike edhe për t’i shtypur e shpërndarë më pas si kartolina postare. Ai fotografoi shumë në qytetin e tij, veçse dallohet një kënd i veçantë fotografimi, përgjithësisht i pjerrët dhe jo ballor me objektet, duke treguar se e njeh mirë edhe përdorimin e perspektivës në fotografi. Nga një pjesë e këtyre fotove, të kapura në padijeni të qytetarëve, mësohet edhe për jetën e një niveli të mirë civilizimi të shkodranëve.

Një foto unike e Jakovës paraqet një çast nga një zjarr në një banesë fshati (Razëm,1936) dhe deri tani nuk kemi hasur ndonjë foto të tillë (të paktën autori i këtyre rreshtave). Ndoshta e ka çuar rastësia atje, por ai e ka shfrytëzuar mirë atë. “Ura e Mesit” është subjekti i një fotoje tjetër të Jakovës të kthyer edhe në kartolinë. Përgjithësisht nga kjo urë fotografohet vetëm harku qëndror, ndërsa në foton tonë paraqiten edhe harqet e tjerë, madje peizazhi i zonave ku të çon ajo, kapje interesante dhe e menduar mirë nga fotografi.
Në nëntor 1937, Dedë Jakova u ftua në Tiranë nga Qeveria Shqiptare, bashkë me fotografë të tjerë të njohur si Gegë Marubi, Kolë Maca, Mandi Koçi, Ali Bakiu, Vasil Ristani, Ymer Bali etj. që të përjetësonin në letrën fotografike festimet e “25-vjetorit të Pavarësisë” në kryeqytet. Të gjithë mjeshtrat paraqiten në foto gati për të kryer detyrën e caktuar, secili bashkë me aparatin e vet “Leica”.

Tinka Kurti, fotografi e vitit 1949 (Dedë Jakova)

Pas përfshirjes së detyruar të fotografëve në kooperativat e artizanatit në vitin 1955, puna e tyre u normua si mjeshtritë e tjera pa asnjë pikë lidhje me artet, kështu që shkrepjet e aparatit fotografik me synime vetëm estetike nuk mund të praktikoheshin. Në vitin 1970, pas dorëzimit më “dëshirë” dhe me bujë propogandistike të arkivit të fotove (xhama, filma, letër) të “Studio Marubi” nga Gegë Marubi shtetit, edhe fotografët e tjerë shkodranë, Dedë Jakova, Shan Pici dhe Pjetër Rraboshta, i “dhuruan” shtetit arkivat e tyre (Gazeta “Jeta e re”, 14 tetor 1970). Arkivi i Dedë Jakovës përbëhej prej rreth 58 mijë imazhe fotografike, të krijuara gjatë një kohështrirje prej 3-4 dhjetëvjeçarësh.

Dedë Jakova është ndarë nga jeta në vitin 1973, në moshën 58 vjeçare, kohë kur ai mund të jepte ende shumë në lëmin e fotografisë.

Në vitin 2020, “Fototeka Marubi” hapi në Shkodër një ekspozitë vetëm me foto të Dedë Jakovës (një pjesë shumë të vogël të krijimtarisë së tij), nismë kjo me vlerë dhe që u mirëprit nga publiku i gjerë dhe media. Veçse, më i nevojshëm e i rëndësishëm mendoj se do të jetë botimi në të ardhmen i një albumi ose monografie me fotot më të zgjedhura të tij nga një komision e posaçëm. Kështu, publiku, tashmë i pakufizuar, mund të shikojë një numër edhe më të madh fotosh dhe koha e kundrimit të tyre të jetë e pafundme. Dedë Jakova e meriton plotësisht këtë, madje edhe historia e fotografisë shqiptare.

(Ribotohet nga gazeta “ExLibris”, 27 korrik 2024)

(Lexoni më tej në: https://www.illyria.com/fotografi-i-shquar-shkodran-dede…/)




Please follow and like us: