Luan Rama: Botimi i vëllimit poetik dy-gjyhësh në vitin 2000
—
Mbi vëllimin poetik të botuar në Francë nga shtëpia botuese «Le Petit Vehicule»: Mbulomëni me një copëz qiell. (Përkthimi nga frëngjishtja)
—-
Luc Vidal, poet, botues
“Poezia është llampë-ndërgjegjeje e territ njerëzor, lule që përkulet nga pushtimi i një poeme që hap qepallat tona. Mbulomë me një copëz qiell e Luan Ramës është një libër i poezisë së lartë, i rrugëve të padukshme që nisin nga shpirti dhe gjoksi i grave. Udhë të mundimshme, re të rënda mbi supet tona, pasqyra që kullojnë si plagë në kujtesën e poetit. Vite-vendimtare për të kuptuar dhimbjen e refugjatëve shqiptare. 1990, 1991, 1992… 514 emigrantë zbarkuan në Marsejë për ti shpëtuar ferrit. Pranga në duart e ekzilit të tyre. Luan Rama hap çdo ditë barqet e gazetave dhe zbulon gojët gjigande të asaj ç’ka mungon. Stacionet e trenave janë stacione seleksionimi që godasin ëndrrat pa shprese. Pasaporta pa vizë. Perëndimi bën llogaritë duke nënqeshur. Lexoj e rilexoj këto poema të frymëzuara nga Eluard. Më tërheqin imazhe të thella, të shndritëshme. Art i reales që pleks bashkë kohërat e vështira dhe prezencën onirike të vizioneve të poetit: Në ajrin e qytetit endet një muzikë kastratësh, /Kazanova me një maskë dhe pelerinën e tij të zezë / që kapërcen “Pont Neuf”. Jam Krishti i kuq që do të vijë të të dashurojë. Jam brenda poezisë. Transformohem në poezi e Luan Ramës. Poeti zbarkon brigjet e vendit të tij, vjen nga ekzili i tij, nga ai kërkim ëndërrues, duke sjellë në imazhet e tij banketet festive të shpresës. Fëmijë i plagosur nga intoleranca, ai të ofron murmurimat e stinëve për të siguruar. “Lej1ekët do rikthehen ëndërrimtarë: të bardhë / gjithnjë të bardhë.” Me vete, poezia ka gjithnjë një të dashuruar që e udhëheq me fjalët e saj të veshur nga mbrëmja, po aq të lira sa në epokën e gurit.
Stili dy-gjuhësh, frëngjisht dhe shqip, i zhduk kufijtë dhe na bën të përulemi në gjunjë… Luan Rama vesh “këmishën e bardhë të emigrantit” dhe rigjen rrëfimet e Uliksit. Jam qeni në cep të udhëve që u zgjat dorën njerëzve të mirë. Të keqes, poshtërsisë, ai i përgjigjet me Modiliani, Prever, Renuar, Kurbe, Sartr, Bovuar, Van Gog, Albeniz, Roden, Van Ejk, Uçelo, Memling, Platon, Rembo, me pemën e dashurisë në prehrin e puthjeve. “Duart e mia / gjurmët do të lenë mbi gjinjtë e tu / si në 1egjendën e Murimit” Edhe gjërat e vogla e kanë mbarsur këtë libër-roman.
Janë mijra shtigje, mijra udhë në kufijtë e vetmive. Në bulevardet periferike zemrat e qyteteve i kanë mbyllur portat e tyre. Jam era që u sjell endrrave të tua alarmuese kujtimet e nënës tënde. Roissy: aeroporti i mbyt vajet. Parisi regjistron në kujtesë hapat dhe frymëmarjen e Luan Ramës. Të imagjinosh dashuritë e poetit, stinën e tij të pestë në portat e ferrit. Ky libër poezi ka brenda tij romanin e qiellit, rrënjët e imagjinares, ikjen vetë të kohës, ethen e përhershme të refugjatëve. Në tavolinën e shkrimit, atje ku lindin e mbruhen fjalët e këtij poeti, nga imazhet e pathëna përmes bojës së shkrimit, nga hartat gjeografike, ai rikrijon botra, fëmijëri të përjetshme, gjakun përjetues të botës së hijeve, të skulpturave engjëllore. Linden kështu metafora te vërteta lirike gjithë hir. “Mimozat ngjanin si vejusha plaka / që dridheshin në ere /… Flladi i Hiçit përkëdhe1te rrënojat e lashta/… Një grua e përhumbur në dhimbjen e saj shfaqet nëpër natë.” Jam pikënisje dhe kontrabandist në udhëkryqet e kohërave dhe të qiejve.
Poezia e Luan Ramës është si puna e një “shadufi”, që nga puset tona të errta, nxjerr perla të shndritëshme dashurie. Jam gëzimi, kujtesa, kënga profetike, jam buronjë e dashurisë. Jam filiz i pemës së stinëve. Të hash fjalët dhe imazhet e poetit. Hëna të bëhet kështu një mike intime. Në Shqipëri, një vajze e re ëndërron. Lëviz qepallat për të treguar lumturinë. Gjoksi i saj do lumturohet, gjinjtë e saj lule pranverore në revoltë, portë e hapur në paqen e zemrës. Barku i saj do ngjizë zjarrin e dhuntisë. Zëmra e saj, dhuratën poetike. Ajo do të jetë rojtare e kufijve të heshtjes. Me këtë libër të Luan Ramës, kam ndjesinë se një shtëpi e trishtë fluturon mbi kokat tona. Në përgjumjen e shpirtit të tij, poeti përgatit kthimin drejt bregut të detit në gjirin e Otrantos. Ai do shkojë të flejë. Ka mbi vete njëmijë vjet ekzil dhe mall në krahët e tij. Mbi tryezë të tij, Zef Serembe, Vaso Pasha, Naim Frasheri, Çajupi dhe Noli, lexojnë në heshtje poemat e tij të bukura, si coha të qëndisura që nderen në pakufi”
.
Please follow and like us: