Albspirit

Media/News/Publishing

Geron Kamberi: PIKTURAT MË TË FAMSHME NË BOTË

Qëkur njerëzimi shprehu interesin të vizatojë në muret e shpellave në prehistorinë e tij, siç shihet nga 600 vizatimet e njohura më të vjetra në botë të zbuluara në vendbanimin prehistorik të Lascaux në Francë, piktura u bë diçka më shumë se art .Vetë historia e artit pamor njeh deri tani afo 200 shkolla, rryma e lëvizje të ndryshme të krijuara përgjatë shekujve…
Sipas të dhënave të UNESCO-s sot në botë janë mbi 25 mijë Galeri Arti e 7500 Muze Arti ku rreth 5 milionë artistë të arteve pamore nga e gjithë bota konkurojnë për të ekspozuar punimet e tyre artistike në një nga 70 mijë ekspozitat që zhvillohen çdo vit.
Historia e gjate e artit pamor ndoshta e bën të vështirë të realizohen klasifikime për 10 pikturat më të interesante apo të famshme . Por në këtë listë pikturash janë ato që i përkasin historisë dhe kanë patur e kanë ende interpretime për domethēnien e tyre apo që kanë shënuar lindjen e teknikave të reja.
Megjithëse njerëzimi pasi shpiku aparatin fotografik kishte mundësi pa fund të riprodhonte portrete e njerëzore e pejsazhe, nuk ka hequr dorë nga piktura si formë për të pasqyruar realitetin. Realitetin qē sheh, por mbi të gjitha atë që ndjen e parapëlqen sërish ta krijojë përmes fantazisë të përdorimit te ngjyrave e formave…
1. PORTRETI I MONA LIZËS, (LEONARDO DA VINCI 15.04.1452-12.05.1519)
Portreti i Mona Lizës është një nga pikturat më të njohura në botë të realizuar nga piktori i njohur italian Leonardo Da Vinçi. Për gruan që ka pozuar në këtë portret ka mendime të ndryshme. Në të mendohet se ështe paraqitur gruaja e tregtarit fiorentin Francesco di Bartolomeo del Giocondo dhe për shkak të mbiemrit të tij vepra shpesh njihet edhe me emrin La Gioconda, nga ana tjetër ka interpretime se aty paraqitet nëna e Leonardo Da Vincit, Katerina, ku ai ka pasqyruar imazhin e kujtimet e tij të fëmijërisë për të. Portreti dhe piktura janë të bërë të njohura për shkak të buzëqeshjejes të saj famshme dh enigmatike që i ka mahnitur e habitur njerëzit me shekuj. Cilado qoftë arsyeja, pamja e qetësisë Mona Lizës shoqërohet me peizazhin e idealizuar pas saj, i cili shpërndahet në distancë përmes teknikës së përdorimit të perspektivës nga mjeshtëria e njohur e Leonardo Da Vinçit 15.04.1452-12.05.1519). Piktura ndodhet në në Muzeun e Luvrit (Muse de Louvre) ne Paris të Francës.
2. PORTRETI VAJZA ME VËTHË PERLASH, (JOHANNES VERMER 31.10.1632-15.12.1675)
Portreti “Vajza me vëthë perlash” nga piktori hollandez Johannes Vermeer ( 31.10.1632- 15.12.1675) që është pikturuar 1665 ku paraqitet për një grua e re të bën përshtypje për lirshmërinë e qartësinë siikur të ishte një fotografi. Shpesh për shkak të kësaj qartësie e saktësie të madhe të portretit ka patur debat, Vermeer përdori apo jo një pajisje të quajtur kamera obscura për të krijuar imazhin. Pavarsisht këtyre komenteve mendohet se vajza që ka pozuar për këtë portret mund ketë qenë shërbëtore e Vermeer-it. Ai e ka realizuar portretizuar duke e parë mbi supe dhe dikur sikur ajo përpiqet të krijojë një lidhje intime qe vazhdon përgjatë shekujve. Teknikisht, piktura nuk është një portret, por një shembull i zhanrit holandez të quajtur “tronie” – një pikturë më shumë si natyrë e qetë e tipareve të fytyrës sesa si një përpjekje për të kapur ngjashmërinë reale të portretit fizik. Piktura ndodhet në Muzen Mauritshuis (Mauritshuis Museum) në Hagë të Hollandës.
3. PEJSAZHI NATË ME YJE, (VAN GOGH 30.03.1853-29.07.1890)
Piktura “Natë me yje” e piktorit hollandez Vincent Van Goghb (30.03.1853-29.07.1890), u krijua nga Van Gogh në vitin 1889 kur ai ishte shtruar në aziline Saint-Rémy, në Francë. Në të vërtetë, piktura “Nata me yje” duket se pasqyron gjendjen e trazuar shpirtërore në atë kohë të poetit hollandez. Kjo mund të vërehet tek qielli i natës me vorbulla dhe shenjat e furçave që kanë lëvizur mbi telajo në mënyrë të furishme, një përzieje ngjyrash e lëvizje figurash që buron nga dy forcat apo energjitë pozitive e negative që kontrollojnë botë sic janë yin dhe yang, demonët e tij të brendshëm dhe frikën ndaj natyrës. Piktura ndodhet në Muzen e Artit Moden (Musem of Modern Art –MOMA) në New York të SHBA.
4. PIKTURA PUTHJA, (GUSTAV KLIMT 14.07.1862-06.02.1918)
Piktura “Puthja” është realizuar në vitin 1908 me një teknikë të praruar me bollëk dhe me modele ekstravagante dhe përbën një portretizimi i intimitetit nga ana e piktorit austriak Gustav Klimt. Në këtë pikturë mishërohet një përzierje e rrymave të Simbolizmit dhe Stilit të Ri të Vjenës (Jugendstil) që përbënte një variant austriak të drejtimit artitsik të Artit të Ri (Art Nouveau), që u zhvillua nga vitet 1890-1910, duke qenë një reagim kundër akademizmit, eklekticizmit dhe historicizmit të arkitekturës dhe artit dekorativ të shekullit të 19-të. Në këtë pikturë. Klimt përshkruan subjektet e tij si figura mitike të punuara mbi sipërfaqet luksoze të motiveve grafike të kohës. Vepra është një pikë kulmore e asaj që njihet si Faza e Artë (Golden Phase) midis viteve 1899 dhe 1910 kur ai përdorte shpesh fletë ari për pikturat e tij- një teknikë e frymëzuar nga një udhëtim në vitin 1903 në në qytetin e Ravennës Itali, ku pa mozaikët e famshëm bizantinë të Bazilikës së San Vitales. Piktura ndodhet në Muzen Belvedere (Osterreiche Belvedere Museum) në Vjenë të Austrisë.
5. PIKTURA LINDJA E VENUSIT, (SANDRO BOTICELLI 01.03.1445-17.05.1510)
Piktura “Lindja e Venusit” të Botticellit ishte nudoja e parë që nga lashtësia e cila nuk kishte lidhje me një temë religjioze dhe u bë për sundimtarin e njohur të Republikës së Firences e mecenatin e artit Lorenzo de Medici (01.01.1449-08.04.1492). Mendohet se figura e perëndeshës së dashurisë është modeluar sipas një vajze fiorentinase e cila quhej Simonetta Cattaneo Vespucci, e cila besohe se ka qenë e dashura e Lorenzo de Medicit dhe vëllait të tij më i vogël, Giuliano. Venusi shihet duke u hedhur në breg në një guaskë gjigante nga perënditë e erës Zefiri dhe Aura, teksa personifikimi i pranverës pret në tokë me një mantel. Piktura “Lindja e Venusit” nxiti zemërimin e murgut Domenik Girolamo Savonarola (21.09.1452-23.05.1498), që udhëhoqi një lëvizje fondamentaliste ndaj shijeve laike të fiorentinasve. Fushata e tij përfshiu atë lëvizje që njihet si “Zjarri i Kotësive” (Il Fuoco delle Vanità) të vitit 1497, në të cilin objektet “profane” – kozmetikë, vepra arti, libra – u dogjën në një turrë drush. Edhe vetë piktura “Lindja e Venusit” ishte planifikuar të digjej por arriti t’i shpëtonte shkatërrimit. Nga ana tjetër piktori Sandro Botticelli, u tremb aq shumë nga kjo lëvizje, saqë hoqi dorë nga piktura për një kohë. Piktura ndodhet në Galerinë Uffizi (Galleria degli Uffizi) në Firence të Italisë.
6. PORTRETI NËNA E WHISTLER, (JAMES ABBOTT MCNEILL WHISTLER (11.07.1834-17.07.1903)
Piktura “Nëna” e Whistler , ose Përshtatja në Gri dhe të Zezë Nr. 1, siç titullohet në fakt u realizua në vitin 1871 në Londër nga piktori amerikan James Abbott McNeill Whistler( 11.07.1834-17.07.1903). Piktura flet për ambicien e artistit për të ndjekur artin për hir të artit ku formaliteti i portretit të nënës së tij në fakt në formë i përngjan një eseje ku përshkruan karakterin e saj. Anna, nëna e Whistler paraqitet në një renditje këndesh të drejta. Shprehja e saj e ashpër përputhet me ngurtësinë e kompozimit dhe pavarësisht synimeve formaliste të Whistler-it, piktura u bë simbol i amësisë. Piktura ndodhet në Muzeun e Orsej (Muse D`Orsay) në Paris të Francës.
7. PORTRETI I ARNOLFINIT, (JAN VAN EYCK 18.10.1390-09.07.1441)
Piktura “Portreti i Arnolfinit” është një nga veprat më domethënëse të realizuar në vitin 1434 nga piktori belg Jan Van Eyck (18.10.1390-09.07.1441) gjatë asaj lëvizje artistike që njihet si Rilindja e Veriut për shkak se ndodhi në veri të vendit ku ndodhi Rilindja Italiane. Kjo periudhë u bë Rilindja gjermane, franceze, angleze, hollandeze, belge dhe polake dhe nga ana tjetër krijoi lëvizje të tjera brenda cdo vendi secila me atribute të ndryshme. Vepra “Portreti i Arnolfinit” besohet të jetë një nga pikturat e para të realizuara në vaj. Piktura paraqet një portret të dyfishtë të dy njerëzve që qëndrojnë në kombë ku portretizohet një tregtar italian dhe një grua që mund të jetë ose jo nusja e tij. Ndërkohë besohet se piktura në të vërtetë ishte përshkrimi i realizimit të një kontratë martese. Piktura përbën një këndvështrim të brendshëm duke përdorur perspektivë ortogonale për të krijuar një ndjenjë hapësire që duket e ngjitur me atë që e shikon dhe të krijon ndjesinë e një pikturë në të cilën mund të hysh dhe të marrësh pjesë në të. Piktura ndodhet në Galerinë Kombëtare ( National Gallery)në Londër të Anglisë.
8. PIKTURA KOPSHTI I KËNAQËSIVE TOKËSORE, (HIERONYMUS BOSCH, 02.10.1453-09.08.1516)
Piktura `Kopshti i kënaqësive tokësore” është një pikturë e realizuar nga piktori hollandez Hirenomy Bosch ( 02.10.1453-09.08.1516) që përbën një triptik interesant dhe përgjithësisht konsiderohet si një pararendës i largët i surrealizmit. Në të vërtetë, piktura është shprehja e një artisti të mesjetës së vonë, i cili besonte se Zoti, Djalli, Parajsa dhe Ferri ishin realë. Nga tre skenat e paraqitura, paneli i majtë tregon Krishtin duke prezantuar Evën dhe Adamin, ndërsa në të djathtën paraqiten vuajtjet e Ferrit, ndërkohë që është më pak e qartë është nëse paneli qendror përshkruan Parajsën. Në vizionin e çuditshëm të Bosch-it për Ferrin, një grup i madh veshësh që përdorin një thikë fallike sulmojnë të mallkuarit, ndërsa një mbret i insekteve me sqep zogjsh është i ulur në fronin e tij në një dhomë duke gllabëruar të dënuarit përpara se t’i jashtëqisë përsëri menjëherë. Kjo përzierje simbolikash në këtë pikturë ka qenë gjithmonë e vështirë për tu interpretuar dhe kjo mund të jetë arsyeja për admirimin e saj të gjerë. Piktura ndodhet në Muzeun Kombëtar të Prado-s (Museo Nacional del Prado) në Madrid të Spanjës.
9. PIKTURA NJË E DIELË PASDITE NË ISHULLIN LA GRANDE JATTE, (GEORGES SEURAT 05.12.1859-29.03.1891)
Piktura “Një e Diel Pasdite në Ishullin La Grande Jatte” është realizuar në vitin 1886 nga piktori francez post-impresionist Georges Seurat (05.12.1859-29.03.1891) dhe në të pasqyrohet Parisi në atë periudhë që njihet si Epoka e Bukur (Belle Epoque 1874-1914) ku përshkruhet një skenë nga jeta e klasës punëtore, teksa shlodhet në mjediset jashtë qendrës së qytetit. Seurat shpesh e bënte këtë mjedis subjekt të tij, i cili ndryshonte nga portretizimet që i bënin shtresave të borgjezisë dhe që ishte tipike për bashkëkohësit e tij të lëvizjes Impresioniste. Piktori post-impresionist Seurat hodhi poshtë teknikën e kapjes së momentit siç bënin piktorët francezë impresionistë si Eduard Manet (23.01.1832-30.04.1883), Claude Monet (14.11.1840-05.12.1926) dhe Edgar Degas (19.07.1834-27.09.1917) , duke përdorur në vend të kësaj ndjesinë e qëndrueshmërisë së përjetshme që gjendet në skulpturën greke. Në këtë pikturë mbizotërojnë figura të tilla si friza, harmonia e të cilëve është në përputhje me qëllimin e Seurat për të krijuar një peizazh klasik përmes një formë moderne. Piktura ndodhet në Muzeun e Institutit të Artit ( Art Institute of Chicago) në Cikago të SHBA.
10. PIKTURA ZONJUSHAT E AVINJONIT, (PABLO PICASO 25.10.1881-08.04.1973) 
Piktura “Zonjushat e Avinjonit” (Les Demoiselles d’Avignon) e realizuar në vitin 1907 nga piktori i njohur spanjoll i lëvizjes Kubiste Pablo Picaso (25.10.1881-08.04.1973) theu shumē teknika që lidheshin me traditën përfaqësuese të pikturës perëndimore. Për të interpretuar domethënien e teknikat e saj u bënë hamendësime të shumta që përfshini faktin se Pikaso përdori si model maskat afrikane që kishte parë në Muzeun Etnografik të Parisit në Palais du Trocadero. Nga ana e tjetër ndërtimi kompozicional i kësaj pikture përfshinte ngjashmëri me piktorën “Vizioni i Shën Gjonit” të El Greco-s (01.10.1541-07.04.1614). Në fakt gratë që përshkruhen në këtë pikturë si model janë në fakt prostituta në një shtëpi publike në vendlindjen e artistit në Barcelonë. Piktura ndodhet në Muzen e Artit Moden (Musem of Modern Art –MOMA) në New York të SHBA.
Please follow and like us: