Albspirit

Media/News/Publishing

Foto ekskluzive/Dr. Iris Halili: “Musinetë” që nuk i vijnë më Shqipërisë!

 

 

Viti 1983. Komunizmi ishte në kulmin  e tij. Varfëria ishte po e tillë. Unë isha në klasën e gjashtë të tetëvjeçares. Dajën e kishin çuar në burgun e Qafë-Barit që ishte një skëterrë në rrëzë të humnerës. Gjyshja (të cilën ne e kemi thirrur gjithmonë nëna) vazhdonte lutjet që komunizmi tërrëzohej. Por ja që stinët i linin vendin njëra–tjetrës dhe asgjë nuk ndryshonte në jetët tona. Ajo shpesh kujtonte të atin që për sa ishte gjallë mundohej t’i jepte gajret duke i thënë: “Duro Gano, sa te bien gjethet pa do bien edhe këta”. Stinët ndërronin, gjethet binin dhe nëna i kthehej të atit: “Ja mor baba edhe gjethet ranë dhe këta prape janënë pushtet”. “Ej moj bijë, prit sa të dalin gjethet”. Kështu ranë dhe dolën kaq shumë gjethe, prindërit e nënës u plakën dhe ndërruan jetë, po kështu po plakej dhe vetë ajo, ndërkohë të tjera gjethe binin dhe dilnin sërish, por komunizmi shqiptar qëndronte stoik duke mbjellë terrorin që ujitej nga lufta e klasave, këtij eksperimenti të pashoq shoqëror që kultivoj vëllavrasjen. Burgjet populloheshin gjithmonë e më shumë me viktima të pafajshme dhe tashmë radha u kishte ardhur fëmijve dhe nipërve të ‘armiqve të popullit’, pasi lufta e klasave duhej shtrirë kurdoherë dhe pa mëshirë. Kampet e internimit ishin kthyer në varreza njerëzish të gjallë që vuanin pa ditur psenë. Banorët e tyre ishin nga të gjitha moshat, nga më të vjetrit deri tek bebet që lindeshin, rriteshin dhe martoheshin në rrethim pa guxuar as të pyesnin “përse”!
Si çdo pushtet që arrin të shfrytëzojë pikërisht ato karaktere njerëzore që i shërbejnë më mire qëllimit të tij, komunizmi u mbështet tek shpirtrat e ligj dhe individët sociopatë që, në emër të idealit të partisë, nuk kursenin t’i shkatërronin jetën kujtdo që urrenin apo xhelozonin. Këta lloj ushtarësh të partisë komuniste shqiptare nuk bënin gjë tjeter vetëm se kopjonin modelin e kryeudhëheqësit të tyre.

Sindroma e kompleksit të inferioritetit apo xhelozisë djaloshare që mori kaq jetë njerzish të pafajshëm përbën një tjetër analizë të Enver Hoxhës, udhëheqësit sociopat që drejtoi me dorë të egër vendin tonë. (Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA), sociopatia është një model i sjelljes dhe një gjendje komplekse e shëndetit mendor që karakterizohet nga një model i vazhdueshëm i shpërfilljes dhe shkeljes së të drejtave të të tjerëve. Karakteristikat kryesore  janë mungesa e empatisë, mashtrimi, impulsiviteti, irritueshmëria, agresiviteti dhe një prirje për të manipuluar ose shfrytëzuar të tjerët për përfitime personale. Ata mund të mos ndiejnë keqardhje për veprimet e tyre, edhe kur këto veprime dëmtojnë të tjerët dhe mund të përsërisin sjellje që kanë pasoja negative pa mësuar nga përvojat e mëparshme).

Padyshim figura më ikonike që u viktimizua prej tij mbetet vajza e mençur shqiptare, shkrimtarja e parë, politikania e parë, sociademokratia e parë, e emancipuara e parë, disidentja e parë grua, Musine Kokalari.

Unë pata dëgjuar për Musinenë shumë vite më parpara se emri i saj të njihej nga brezat e fillim viteve nëntëdhjetë. Musineja ishte mikja më e ngushtë e gjyshes sime në kohën e rinisë, të dyja lindur në vitin 1917 dhe mbaruar Shkollën ‘Nëna Mbretëreshë’ në vitin 1937. Më parë të dyja kishin studiuar në shkollën e Dakos ku mësimin e kishin marrë nga vetë Motrat Qiriazi. Në ato vite rinore ishin deklaruar si motra gjaku. (Ky është një zakon i lashtë dhe i veçantë që ka ekzistuar në traditën shqiptare dhe jo vetëm. I njohur ndonjëherë si “ritual i gjakut” ose “vëllazërim me gjak”. Dy ose më shumë individë ndanin gjak duke përdorur një mjet të mprehtë për të shkaktuar një lëndim të vogël dhe më pas e shkrinin gjakun e tyre së bashku. Rituali kishte për qëllim të krijonte një lidhje të pandashme midis individëve, që shpesh konsideroheshin si vëllezër ose motra, edhe pse nuk ishin në të vërtetë të lidhur biologjikisht).

Gjyshja më rrëfente se Musineja ishte shumë e shkathët, gati si djalë çamarok. Të dyjave u pëlqente të intepretonin dramat që luheshin në shkollë. “Ishte në fakt teatri që na lidhi më shumë. Musineja ishte e apasionuar pas leximit dhe bashkë diskutonim për librat dhe shkrimtarët e preferuar. Atë më shumë se çdo gjë e tërhiqte letërsia, ndërsa mua kimia. Shkruante me shumë pasion dhe ëndrra rinore ishte të bëhej shkrimtare”. Librin ‘Siç më thotë nënua plakë’ ma pati dhënë me dedikim dhe kur hetusia më zbarkoi në shtëpi ditën e arrestimit të djalit, çfarë nuk më punuan kur e gjetën në biblotekë. Filluan të ulërisnin dhe kërcenonin: “Pale ke edhe librin e të deklasuarës, armikes së popullit; Do të të çojmë dhe ty atje ku është ajo”. Rrëmbyen të gjithë koleksionin e librave përfshirë edhe botimin e parë të “Qerbelasë” që Naim Frashëri ia kishte dhuruar stërgjyshes tuaj Sabrete Vila Fratari, të cilën poeti i kombit e kishte mbesë”. Nëna më pas më rrëfente se me Musinenë flisnin për çdo gjë, bile ajo edhe i pat rrëfyer si Enver Hoxha i pati propozuar për martesë. ‘Ai, budallai më ka propozuar, martesë,  pale e kam edhe kushëri moj Gano’. Musineja nuk kishte pikën e respektit për Enver Hoxhën dhe në një farë mënyre ia kishte shprehur edhe atij. Seç i kishte gjetur  edhe një nofkë alla gjirokastritshe, por që tani me gjithë shtrydhjen e kujtesës nuk më vjen ndër mend”.
Sipas arsyetimit të nënës, “Enveri ishte i djallëzuar dhe nuk duhej nënvleftësuar pasi kishte ‘aftësinë e të paaftëve’, që është aftësia e njerëzve pa inteligjencë të spikatur, si dhe pa talent apo intelektualitet. Kështu ata perfeksionojnë djallëzinë dhe ligësinë dhe falë këtyre janë në gjëndje të plotësojnë ambicjen që nuk u njeh kufi”.
Ndryshe nga shumë vajza të tjera të shkollës ‘Nëna Mbretëreshë’, nëna dhe Musineja nuk ishin përfshirë në lëvizjen komuniste. “Musinenë në fakt e tërhiqte politika, megjithëse ishte shumë e drejtë për të qenë pjesë e saj, pasi ishte një vajzë parimore dhe atdhetare. U kthye në Shqipëri me shpresën se komunistët do ta njihnin pluralizmin dhe lirinë e fjalës, sikur i patën premtuar popullit gjatë luftës. Por idealizmi dhe guximi i saj u tapos burgjeve dhe internimeve”.
Me instalimin e diktaturës komuniste fati i Musinesë dhe i gjyshes sonë mori tatëpjetën, njëra se kishte dalë kundër sistemit dhe tjetra se kishte patur bashkëshortin kundër sistemit. Njëra u damkos ‘armike e popullit’ dhe tjetra bashkëshortja dhe më pas ‘nëna e armikut të popullit’. Jetët e tyre ishin kështu ‘të dënuara’ nëpër Shqipëri dhe asnjëra nuk e kishte takuar më tjetrën deri kur një ditë dimri të vitit 1983 teta Ermioni, komshija jonë e dashur me origjinë nga Gjirokastra (djali i së cilës punonte infermier në spitalin e burgut) vjen në mëngjes më herët se zakonisht dhe jep lajmin se Musineja po lëngon nga kanceri dhe e kanë sjellë urgjentisht në spitalin e burgut. Po atë pasdite nëna vendosi të vizitonte miken e vjetër-motër, për të cilën kishte shume mall dhe dashuri. Ne të tjerët prisnim me ankth kthimin e saj dhe mbaj mend sapo hyri në korridorin e apartamentit, pa hequr mirë këpucët, u vesh në lot, të cilat i kishte mbajtur gjatë gjithe rrugës për të mos u dalluar nga kalimtarët. Ajo qante dhe tregonte në të njëjtën kohë: “E takova Musinenë dhe nuk e njoha, ishte transformuar e gjitha. Nuk donte që ta zgjaste takimin me mua. ‘Gano pse ke ardhur moj  motër, ik sa më parë mos të të shikojnë këtu me mua, boll ke hallet  e tua, edhe unë të duhem. Ik të keqen mos të të shohin’. I çova ca portokalle, por as ato nuk donte t’i merrte. ‘Nuk i ha dot Gano dhe këtu nuk do mi lënë t’i fus në gojë. Merri mbrapsh dhe çoja mbesave’. Më pyeti për të gjithë. Kujtesën e kishte shumë mirë, por vetë ishte firasur e tëra. Nga Musineja që pata njohur kishte mbetur vetëm zëri vibroz që akoma përcillte shpirtin virtuoz. Kur i thashë “Si na iku jeta jonë kështu moj Musine e dashur” ajo ma ktheu ‘Eh moj Gano, por të paktën ti ke dy fëmijë, pa më shih pak mua…’. Kështu me zemër të plasur u ndamë dhe po e ndjeja që ajo më ndiqte me sy. Me ata sytë që nga të bukur, të mëdhenj dhe ngjyrë kafe ishin kthyer në të vegjël dhe kishin marrë një nuance si të verdhë”.
Teta Ermioni të nesërmen na tregonte që në spitalin e burgut urdhri për Musinenë ishte që të trajtohej fare minimalisht dhe të kthehej sa më shpejt nga kishte ardhur. Për shumë kohë më vonë nëna na fliste pothuaj çdo ditë për Musinenë. Kur e mësoi vdekjen e saj u trondit edhe më shumë, por në ato kohëra lajmet që vinin për njerëzit e dashur ishin gjithmonë dhe më të rënda, kështu që stinët, bashkë me gjethet që binin dhe dilnin sërish, sillnin vetëm shtimin e lotëve të nënës që sikur gjithmonë na thonte: “Nuk po më thahen kurrë”.
Shumë vite më vonë një mikja ime, juriste e njohur me origjinë nga Rrësheni, më rrëfente që ndonëse ishte fare e re në moshë i kujtohej shumë mire gruaja fisnike Musine Kokalari, që fshinte rrugët e qytetit. “Njerëzit kishin frikë t’i flisnin. Por edhe ajo nuk shoqërohej me askënd. Një zymti më vete ishte varrimi i saj. Vetëm shoferi i komunales dhe ‘tre a katër të tjerë të deklasuar’ që jetonin po në Rubik e shoqëruan në banesën e fundit që në fakt për Musinenë nuk kishe shumë ndryshim nga ‘banesat’ ku ajo kishte jetuar prej mëse 40 vitesh skëterrë. Banorët e provincës veriore ndiqnin këtë ‘kortezh’ tragjik pas dritareve apo dyerve të hapura aq sa për të vendosur njërin sy. Kaq mjaftonte për t’i dhënë një vështrim të fundit asaj zonje që me stoicizmin e saj në fakt kishte fituar respektin e heshtur në të gjithë zonën”.
Enveri  apo  ‘aventurieri’, sikurse e quante Musineja, nuk zgjodhi ta vrasë, pasi si sociopat që ishte ai ndjente më shumë kënaqësi kur shihte si ajo vuante çdo ditë e më tepër. Qëllimi i tij ishte ta poshtëronte dhe denigronte Musinenë, por këtë nuk e arriti dot pasi ajo nuk u përkul kurrë, por i qëndroi deri në fund bindjeve të saj nacionaliste, antikomuniste dhe pluraliste duke mbetur kështu femra opozitare më e fuqishme në politikën dhe demokracinë shqiptare.
Dhe pyetja që të vjen natyrshëm në këto raste është: Ku jane sot “Musinetë”? Fakti që nuk marrim dot përgjigje e bën edhe më të madhërishme figurën e saj, por edhe lëndon më shumë fatin tonë si shoqëri shqiptare që fatkeqësisht asnjëherë nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit e duhur në kohën e duhur!

Ganimet Gjilani

Ganimet Gjilani dhe Musine Kokalari

Shkolla e Dakos

Diplomimi në shkollën “Nëna Mbretëreshë”

https://gazetadielli.com/musinete-qe-nuk-i-vijne-me-shqiperise/

Please follow and like us: