Albspirit

Media/News/Publishing

LUFTA E E FTOHTË NË DISA FOTO TE FOTOGRAFIT GEORGE TAMES ME ORIGJINË SHQIPTARO – AMERIKANE

Kristaq BALLI

Fenomeni i Luftës së Ftohtë u shfaq si një tension politik e ushtarak pas Luftës II Botërore midis fuqive të bllokut perëndimor (SHBA, NATO etj) dhe fuqive të bllokut lindor (Bashkimit Sovjetik dhe shteteve satelite të tij) midis viteve 1947 dhe 1991 kur Bashkimi Sovjetik falimentoi. Të dy superfuqitë me sisteme politike, ekonomike e demokratike të kundërta nuk u impenjuan në një luftë direkte, por filluan një garë armatosjesh të rëndë e të sofistikuar për t’u parapërgatitur dhe paraprirë mundësinë reale të një lufte nukleare botërore.

Untitled 4,1,1.jpg

Të dy blloqet zotëronin arsenalet bërthamore me të cilat  kërcënonin njeri-tjetrin sipas idesë se sulmi i mundshëm i njerës palë do të shkatërronte plotësisht palën tjetër, që do të thosh një alarm i shkatërrimit reciprok. Gjithashtu shpërndarja konvencionale e forcave ushtarake ku kishte konflikte të armatosura, beteja për dominim, hegjemoni, lufta psikologjke, si fushatatat masive  propogandistike dhe spiunazhi i institucioneve inteligjente, shantazhet, kërcënimet e rivaliteti në ekonomi, teknologji dhe garën hapësinore përbënin premisat për një gatishmëri dhe pritshmëri të nderur.

IMG_20161023_120608+.jpgUntitled 12,1,1.jpg

Lufta e Ftohtë, për nga kronologjia  e ngjarjeve, ndahet në disa faza, nga të cilat fotografi George Tames ka përjetuar e pasqyruar një pjesë prej tyre,  deri aty nga viti 1986, kur ai u pensionua. Gjatë periudhës së Luftës së ftohtë kanë ndodhur shumë ngjarje të dimensioneve të rëndësishme historike, politike, luftarake të shtrira thuajse në të gjithë Globin, e ku dy superfuqitë botërore janë involvuar direkt, ose indirekt duke tentuar të fitojnë supremacinë e rendit dhe sistemit të ardhshëm botëror, por më së tepërmi të ruajnë një gjendje balance ndaj zonave të influencave të tyre politike e ushtarake. Një prej kulmeve të Luftës së Ftohtë konsiderohet ndërtimi i murit të Berlinit, më 1961, i cili shënon edhe ndarjen de fakto të botës në dy kampe të kundërta politike e në konkurrencë të papajtueshme  ideologjike që tentonin të gjunjëzonin njeri-tjetrin.

Në vitin 1953 vdiq Stalini dhe drejtimin e shtetit sovjetik e mori Hrushovi. Në SHBA, gjithashtu drejtimin e mori presidenti i radhës, Ajzenauer. Këto rinovime ndryshuan edhe dinamikën e Luftës së Ftohtë. Pas ngjarjeve që ndodhën me “njohjen e krimeve dhe destalinizimin e shoqërisë sovjetike”, dukej se situata e Luftës së Ftohtë po çtensionohej disi qoftë edhe në uljen drastike të shpenzimeve për armatimin. Por në një takim me ambasadorët e shteteve perëndimore në ambasadën e Polonisë në Moskë, më 18 Nëntor 1956, Hrushovi i shokoi ata me deklaratën “E pëlqeni apo jo, historia është në anën tonë. Ne do t’ju groposim ju”.

Untitled 23,1.jpgFOTOJA ME E MIRE+.jpg

Më 15 Shtator 1959 Hrushovi filloi një vizitë të gjatë në ShBA dhe u takua më 25 Shtator në Camp David, Maryland me presidentin Ajzenauer për bisedime mbi Luftën e Ftohtë. Përveç disa marrëveshjeve të përgjithshme ekonomike e kulturore të dakortësuara nuk u firmosën traktate të rëndësishëm politikë, por u sqarua më tej qëndrimi premtues i të dy palëve mbi çështjet globale, si dhe mirëkuptimi i shkëmbimit të vizitës së Ajzenauerit në Bashkimin Sovjetik vitin e ardhshëm. Por rrëzimi i një avioni spiun amerikan U-2 në muajin Maj 1960 mbi tokën sovjetike shuan shpresat për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-BRSS dhe vizitën e premtuar të Ajzenauerit pas këtij incidenti.

Dështimi i tentativës për invazionin e Kubës, organizuar nga CIA amerikane në mes të Prillit të vitit 1961, që njihet si pushtimi i Bay of Pigs (Gjirit të Derrave), i cili forcoi pozitat e popullaritetin e udhëheqësit komunist Fidel Kastro, madje duke e shndrruar atë në një hero kombëtar, u shoqërua me një tensionim të ri të marrëdhënieve amerikano-kubaneze, si dhe me një angazhim të ri të marrëdhënieve midis Kubës dhe Bashkimit Sovjetik  e, si rezultat, me acarimin e Luftës së Ftohtë sovjeto-amerikane.

Untitled 28,1.jpgUntitled 5,1,1.jpg

ShBA, pas ngjarjeve në Gjirin e Derrave, të cilat u iniciuan nga presidenti  Ajzenauer dhe u zbatuan nga pasardhësi i tij Kenedi, ndërprenë thuajse të gjitha marrëveshjet ekonomike, tregtare, financiare, madje në formën e një embargoje. Andaj mbështetja e mëtejshme e Kubës nga BS do të shoqërohej me një prani fizike e ushtarake të saj përballë Shteteve të Bashkuara, çka do të përvijonte idenë e një kërcënimi dhe riashpërsimi të Luftës së ftohtë. Madje, për shkak të kësaj situate do të pasonte një konflikt i ri i njohur si Kriza e Raketave Kubane, e cila mbetet edhe si një nga ngjarjet më e nderur e më potenciale për fillimin e një lufte të re shkatërruese botërore të bazuar në armët nukleare.

Embargoja amerikane ndaj Kubës dhe ndonjë tentative tjetër  për pushtimin e saj nga SHBA do të përbënte pretekstin që BS, krahas ndihmave dhe marrëdhënieve të intensifikuara me Kubën, të ndërtonte aty poligonet për instalimin e raketave ndërkontinentale bërthamore me rreze veprimi që mbulonin pjesën më të madhe të ShBA dhe hemisferës perëndimore, të cilat u zbuluan nga një avion spiun amerikan U-2. Kjo bëri që Amerika të vendosë bllokadën detare ndaj Kubës, e njohur si Karantina e Kubës dhe që kish për qëllim ndalimin e hyrjes së anijeve sovjetike me ngarkesa të armësh bërthamore. Fotoja  shoqëruese e realizuar nga George Tames pasqyron firmosjen nga presidenti Kenedi më 23 Tetor 1962 të Proklamatës së ndalimit të furnizimit me armë ofensive të Kubës, ose Karantina e Kubës. Në një letër nga Nikita Hrushovi ditën pasuese paralajmërohej se bllokada përbënte një akt agresioni dhe se kriza do të përshkallëzohej.

IMG_20161023_120646+.jpg

Por,nga ana tjetër Karantina e Kubës shërbeu për nisjen e negociatave për zgjidhjen paqësore të kësaj krize që, nëse do të menaxhohej irracionalisht nga ndonjë palë, mund të shkaktonte luftën më shkatërrimtare globale. 13 ditët e krizës (Tetor 1962) të mbushura me tension, ankth, këshillime, fjalime, diplomaci, konspiracion, bisedime bilaterale çuan më në fund në gjetjen e një marrëveshjeje paqësore më 28 Tetor, ku Bashkimi Sovjetik premtonte tërhiqjen e armëve bërthamore nga Kuba, ndërsa ShBA garantonte mossulmimin e Kubës, si dhe zhvendosjen e raketave bërthamore nga Turqia.

George Tames e filloi punën e tij si një korrier zyre, por e vazhdoi dhe e elaboroi atë “step by step” në mënyrë shumë graduale e racionale duke e shndrruar atë në një karrierë me pretendime të vetëdijshme profesionale e krijuese. Suksesi i aktivitetit të tij fotografik rezultoi aq bindshëm e relevant, sa që ai u konsiderua si “syri i historisë”.

IMG_20161023_120718+.jpgUntitled 26,1.jpg

George Tames do të mbetet në memorien dhe vetëdijen e botës mediatike amerikane si një prej mjeshtërve më jetëgjatë e më prodhimtarë të fototekës amerikane që i la asaj jo vetëm pasurinë enumerike, por edhe shumë e shumë dëshmi retrospektive autentike të ngjarjeve deçizive historike, kryesisht nëpërmjet portreteve e fotove presidenciale, zhbirimit të tyre psikologjik politik, dramatik,  human, familjar, intim, lirik, që, në fakt, pasqyrojnë figurativisht edhe gjendjen shpirtërore të kombit amerikan në situata respektive historike, politike, ekonomike, shoqërore.

Sigurisht që numri i fotove të realizuara nga G. Tames që i referohen Luftës së Ftohtë është i madh e i larmishëm, sidoqoftë edhe kjo tufë e paraqitur nga pinakoteka e tij në vite  përbën një dëshmi vizive  historike të pashlyeshme; në mënyrë eksplicite krijimtaria e tij konsiderohet si histori në fotografi, si memorje e përjetshme, por edhe me theks të posaçëm aktual, që përçon një mesazh të thellë politik e human mbi realitetet e reja, mbi  menaxhimin paqësor global dhe mospërsëritjen e tragjedive që shkaktojnë luftrat “e nxehta”, apo  “të ftohta”: Bota jonë është e vogël, i gjithë njerëzimi jeton mbi këtë planet të përbashkët, jeta e racës njerëzore është e vetme dhe shkurtër, ndaj duhet të  jetohet ashtu si e ka dhuruar natyra, ajo nuk duhet të jetë e kërcënuar dhe e rrezikuar nga agonia e vëllavrasjes, e luftrave vrastare.

Së fundi dua të kujtoj vlerësimet e panumërta që i janë bërë George Tames nga shumë personalitete e institucione kulturore për grintën profesionale e mjeshtërore prej një fotografi e letrari që me talentin, pasionin, përkushtimin dhe përvojën e gjatë të ketë në çdo shkrepje edhe një rrezatim krijues, estetik e artistik origjinal.

Please follow and like us: