Juri Sllaviç: In memoriam, Alen Delon!
Bukuroshi tipik me fat të pazakontë
(Fragment nga libri “Yjet e kinemasë”, Onufri, 2003, përkthyer nga Nikolla Sudar)
Paraqitja e tij e jashtme në një farë shkalle u bë matëse e bukurisë më të madhe mashkullore. Ajo e bëri atë heroin ideal të kinemasë për shumë dhjetëvjeçarë. Shpesh mund të dëgjosh: “Ai, natyrisht, nuk është një Alen Delon…”. Interesant është fakti: fjala “i bukur” zëvendësohet me emrin Alen Delon, i cili u bë sinonim i fjalës “bukurosh”.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se mbi dhe nuk ka asgjë absolute dhe një tip bukurie, i cili tek një pjesë ngjall admirim, të tjerë e pranojnë me rezerva. Disa theksojnë se bukuria e Alen Delonit është tepër delikate dhe ka mangësi në aspektin burrëror, i cili duhet të dallohet për një thjeshtësi, qartësi dhe rreptësi me të madhe të tipareve, me një fjalë të jetë e kundërta e butësisë dhe e qartësisë femërore. Ç’të thuash, këto arsyetime kanë besueshmërinë e vet…
I vërtetë është edhe fakti se tipi i bukurisë së Delonit përsëritet me dhjetëra herë tek të ashtuquajturit “bukuroshë”, që kërkojnë lavdi në kinema ose në podiumet e skenave, ku paraqiten si fotomodelë e që mbledhin “nektarin e jetës” me cilësinë e dashnorëve të yjeve të mplakura të kinemasë dhe të milionereve. “Bukuroshët”, natyrisht, nuk hasën në çdo hap, por edhe pak nuk janë.
Mirëpo të tëra këto arsyetime janë nxjerrë prej nesh, jo për të përcaktuar tipiken tek Deloni, por të kundërtën, për të pohuar unikalen tek ai, sepse tek Alen Deloni, ky tip “bukuroshi” gjen shprehjen me të plotë e më të goditur.
Bukuria në përgjithësi meriton vëmendje dhe fjalë admirimi, duke përfshirë edhe bukurinë e Alen Delonit. Ai është mishërim i ëndërrimeve romantike vajzërore. Ata sy gri në të kaltërt, që fshehin në vetvete kaltërsinë e detit e të qiellit; ajo rrudhje e lehtë prej mendjemadhi e vetullave të zeza e të dendura… ajo nënqeshje ironike e buzëve delikatë e të freskëta, më saktë e buzës së poshtme, sepse e sipërmja është më e ngushtë dhe vë në pah dobësinë dhe vetminë…
Bukuria e Delonit, si çdo bukuri tjetër e vërtetë, krijohet jo sipas ligjeve, madje ka të meta; ajo krijohet nga një harmoni e habitshme e të gjitha linjave, tipareve dhe e parregullsive të tyre, duke formuar së bashku një bashkim të çuditshëm. Enigma e bukurisë gjithmonë gjendet në harmoninë e këtyre bashkimeve, që nuk u nënshtrohen formulave (ja përse të gjitha ligjet e bukurisë janë të përkohshëm) dhe shprehjeve të sakta letrare.
Shumë vajza të viteve 50, 60, 70, 80, 90, që nuk kishin humbur aftësinë për të ëndërruar, natyrisht në figurën e Alen Delonit shihnin idhullin e fantazisë së tyre; ndonëse Delonin real e të gjallë, me tërë afshin e pasionit të parë i takoi ta dashurojë vetëm një vajzë, por me çmimin e plagëve të mëdha shpirtërore, të paguara për këtë dashuri. Kjo vajzë, Romi Shnajder, ishte një nga aktoret më delikate, më magjepsëse e më të talentuara të kinematografisë botërore, por për këtë do të flasim më vonë.
Gjakftohtësia e Delonit në ekran nuk e ndihmoi atë në të gjitha gjërat, pra, vetkuptohet se nga askushi ai doli në ekran vetëm falë paraqitjes së jashtme. Por më pas disa herë iu desh që, duke provuar edhe fyerjen edhe zemërim, të faktonte me indinjatë se nuk është thjesht “një bukurosh”, por një personalitet, një aktor. Pranimi nga ana e njerëzve e natyrës së tij të jashtëzakonshme, të shquar, humane dhe aktoriale, siç e tregojnë veprimet dhe thëniet e veta, për Delonin ishin shumë të rëndësishme. Edhe ambicia e tij shpesh herë i është nënshkruar provave të vështira.
Që në vitin 1972, Zhan Pol Belmondo mori urdhërin “Për merita në fushën e artit dhe të letërsisë”. E megjithëse në vitin 1986 qeveria e Francës më në fund denjoi dhe e dekoroi Alen Delonin me po atë urdhër, doli se miku i tij e më pas rival, ishte nderuar pothuajse pesëmbëdhjetë vjet përpara. “Unë diçka vlej në kinematografi dhe e meritoj mirënjohjen e atdheut, – përsëriste i fyer Alen Deloni. – Po, yjet shkaktojnë shqetësime, prandaj janë shfaqur aktore dhe aktorë të ngjashëm me roje dhe mekanikë. Por kjo për pak kohë, sepse kinematografia e vërtetë është për ata që dijnë të fantazojnë. Të jesh aktor do të thotë t’u krijosh njerëzve dy orë lumturi, melankoli dhe nostalgji…”.
Dhe atdheu, pa marrë parasysh deklarimet e ashpra të Delonit në adresë të politikanëve, ia ndjeu dhembjen. Në shtator të vitit 1991, në pallatin Elizej, fort i emocionuar Alen Deloni mori nga duart e presidentit të vendit dekoratën më të lartë të Francës – urdhërin e “Legjionit të nderit”. Kjo qe njëra nga ditët e rralla e të lumtura në jetën e tij. Ai, mund të thuhet, se përsëri e kapërceu pengesën e pakalueshme. Tashmë pas shpinës së artistit zhvillohej një luftë e egër, ku veçanërisht tregoheshin të zellshëm veprimtarë politikë me influencë, elita e shoqërisë.
“Për të fituar në jetë të detyrojnë kujtimet, – thotë Alen Deloni. – Jeta në të vërtetë është një xhungël, ndërsa kinematografia është xhungël mbi xhunglat, duke punuar në kinema, duhet vazhdimisht të luftosh dhe duhet të dijsh, jo vetëm të marrësh, por edhe të japësh goditje. Në këtë betejë mua më pëlqen më shumë të dal fitimtar, se sa i mundur…”.
Pas marrjes së dekoratës, ai fillojë ta rrallojë daljen në shoqërinë e zhurmshme, të larmishme dhe aristokratike të Parisit. Disa pohojnë: Alen Deloni nuk mundet ta harrojë zhurmën poshtruese ndaj tij dhe vazhdon ta konsiderojë veten të ofenduar…
Të tjerë si shkak përmendin praninë e së bijës, të Annushkës së vogël, të cilën atij, pesëdhjetëvjeçarit, ia dhuroi ish manekinia dhe ish “Miss Hollanda”, vajza e re, Rozali Van Bremen. Me entuziazëm dhe emocion e priti Alen Deloni daljen në jetë të “lules së vogël hyjnore”. Ai e adhuron po aq, ndoshta edhe më tepër se të birin, Antonin, para njëzet e pesë vjetëve.
“Gëzimi im më i madh është të shoh se si bija ime zgjohet, hap syçkat dhe fillon të lëvizë me doçkat e saj të vogla… Mua më jep një kënaqësi shumë të madhe shëtitja me të në pyll dhe banjoja që i bëj… – tregon Alen Deloni. – Jeta ime për mua sot është Annushka, të gjitha të tjerat s’kanë asnjë rëndësi. Asnjëherë në fëmijëri nuk kam parë që babai dhe nëna ime të buzëqeshnin, kur qëndronin pranë. Unë nuk kam asnjë fotografi të tyre të përbashkët dhe shpresoj që Annushka të mos përjetojë diçka të tillë. Lindja e Annushkës zgjoi tek unë ndjenjat më të larta e më të thella, të cilat nuk i kisha provuar gjatë tërë jetës sime…”.
Simboli i gjallë i kinematografisë franceze, që vazhdon të çmendi mijëra adhurues dhe adhuruese, sot preferon vetminë në vilat e tij të kushtueshme. Në fytyrën e tij të mplakur, por që s’e ka humbur bukurinë e dikurshme, mund të lexosh një lodhje joshqetësuese dhe një ndjenjë pezmatimi, që padyshim e bëjnë Delonin tërheqës dhe enigmatik.
Por çfarë mendon ai, duke shëtitur i rrethuar nga tetëmbëdhjetë qenë të rracave më të mira? Çfarë kujton? Fëmijërinë? Atë të kaluar të largët, kur u braktis nga prindrit e divorcuar, ndërsa “edukatën” e mori në familjen e një roje burgu, apo kur punonte në dyqanin e mishit, duke mbajtur mbi kurriz trupat e gjakosur të kafshëve të therrura?
“Unë kam pasur një fëmijëri të zymtë, – tregon ai. – Dashurinë prindërore nuk e kam njohur, gjë që më ka traumatizuar shumë… Për shkak të situatës së pastabilizuar në familje mua m’u desh të ndërroj 25 shkolla, 12 kolegje dhe 6 konvikte. Kudo me përjashtonin për shkak të sjelljes së keqe. Mësimet i braktisa, kur isha katërmbëdhjetë vjeç, pasi mora dëshminë e përfundimit jo të plotë të shkollës së mesme. Por dua të them se notat i kisha të mira.
Tmerrësisht e ndieja mungesën e prindërve… Edhe tani e ndiej… dhe do ta ndiej gjithmonë…”.
Apo, ndoshta, Alen Deloni kujton moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kur u rregjistrua në korpusin vullnetar shëtitës të marinës? “Unë vendosa të nisem për në Indokinë, ku bëhej luftë, por më duhej leja e prindërve. Ata pranuan menjëherë, meqenëse nuk jetonim bashkë. Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare je i papjekur. Detyra e familjes ishte të më ndalonte…”.
Apo mos kujton vitet pas kthimit në atdhe, kur në kërkim të punës ishte i detyruar të interpretonte si valltar me pagesë, duke zbavitur damat e moshuara? Mos kujton, kur merrej me përgatitjen e ëmbëlsirave, kur punonte si kamerier apo shërbëtor në restorant?…
Nuk ka dyshim se ai kujton femrat, që me padurim lakmonin trupin e tij të stërvitur… kujton dhe ato, që i deshi pa masë dhe që e deshën atë…
Superylli madje edhe miqve të vet më të afërt rrallë u tregon të fshehtat e tij intime. Gazetari francez Zhan Ko, mik i tij i vjetër, shkruan: “Unë nuk njoh tjetër njeri me të mbyllur dhe “më të mbrojtur” (siç flitet për qytetet) se sa ai… Unë nuk njoh tjetër njeri më të ashpër e më të vetmuar… Ai mund të të japë gjënë më të çmuar, por vetëm brenda një entuziazmi kohëshkurtër; mund të tregohet i këndshëm, por gjithmonë kjo të jep përshtypjen sikur gjoja po mbrohet. Krenarinë dhe synimet ndaj madhështisë i ka me shumicë. Por ambicie nuk ka fare, sepse asnjëherë dhe asgjë nuk kërkon nga të tjerët, gjithçka e kërkon vetëm nga vetvetja…”.
Alen Deloni, i lindur më 8 nëntor të vitit 1935 sipas horoskopit është i shenjës së akrepit, që do të thotë se të shoqërohesh me të nuk është aq e lehtë.
“Unë jam njeri që entuziazmohem… Karakterin e kam të keq dhe kjo krijon shumë ndërlikime… jam i ashpër me njerëzit që më rrethojnë, me ata që punojnë me mua, por njëkohësisht mund të them se i ashpër jam edhe me veten time. Kjo ndoshta nuk është ndjesë, por rrethanë që zbut fajin. Unë dua që të gjithë të punojnë e të punojnë gjjithnjë e më mirë…” – pohon Deloni.
Më se një herë Alen Deloni është shfaqur në figurën e egër të vrasësit të paguar, cinik e të goditur nga fati, të gangsterëve “bukuroshë” e të vetmuar dhe në figurën e heroit romantik, me shpirt të pastër, të butë, delikat dhe me sy që i ndrisin nga mirësia. Ne i simpatizojmë gangsteret e tij “magjepsës”, të pazakontë në filmat “Samuraj”, “Dy vetë në qytet” “Klani siçilian” dhe përulemi para bukurisë, shkathtësisë, burrërisë së heronjve të tij në filmat “Zorro”, “Kërkuesit e aventurave”, “Tulipani i zi”… Alen Deloni ka interpretuar më shumë se njëzet role kriminelësh përsëritës dhe vetëm katër role mbrojtësish të ligjit; thuhet se dyzimin e heronjve ai e ka shfaqur edhe në jetën private. Por, ndoshta është e kundërta…
Miti rreth tij u krijua në vitet ’60. Aktori i ri u ftua nga kinoregjizori i madh Lukino Viskonti në filmin “Rroku dhe vëllezërit e tij”. Pas daljes së filmit në ekranin e gjerë dhe skandalit të bujshëm që shpërtheu në kinofestivalin e Venecias (nën presionin e autoriteteve dhe të kishës juria ia hoqi L.Viskontit çmimin e parë – “Luanin e artë të Shën Markut”, që i përkiste ligjërisht), përnjëherësh Alen Deloni u bë i famshëm. Për gjithë jetën ai i mbeti mirënjohës Lukino Viskontit. Alen Deloni edhe sot, duke kujtuar mjeshtrin e madh, patjetër nënvizon: “Unë pata fatin që Viskonti më zgjodhi mua për të interpretuar njërin nga rolet kryesore tek “Rroku dhe vëllezërit e tij. Ai më bëri mua aktor…”.
Gjersa vdiq, për festa Lukino Viskonti merrte kartolina urimi nga Alen Deloni të nënshkruar njëlloj: “Rokino yt”.
Ylli i kinemasë, do apo s’do ai, i përket spektatorëve, të cilët mendojnë se idhulli i tyre nuk duhet të bëjë jetë të zakonshme dhe se ai periodikisht duhet “t’i ushqejë” adhuruesit e vet. Rreth emrit të Alen Delonit, thashetheme, skandale, histori dhe legjenda misterioze ka me bollëk. Ja, prej më se tridhjetë e pesë vjetësh atë e ngrenë në qiell dhe po ashtu pa mëshirë e përplasin mbi tokën mëkatare. Për Alen Delonin flasin dhe shkruajnë se është pronar kazinosh për të cilat janë shpenzuar shuma të mëdha. Sallonet e tij elegante e të specializuar, që të kujtojnë shtëpi për takime të fshehta, të njohur nga të gjithë, ku nuk është e lehtë të futesh, i vizitojnë personalitete të larta, jo vetëm të Francës, por edhe të vendeve të tjera.
Thashetheme qarkullojnë se suksesin e tij të shkëlqyer e të vazhdueshëm ia detyron mafias marsiljeze, e cila me xhelozi e ndihmon atë të ngjisi shkallët e lavdisë; thuhet se gjoja ai është njohur me skalionin e parë të strukturës së saj të fshehtë, menjëherë pas kthimit nga Indokina…
Me siguri dihet vetëm diçka: i poshtruari në tokën franceze për sjellje të keqe, i ndaluari në ushtri, marinari i ri zbriti në Marsejë. Si të gjithë qytetet bregdetare Marseja është e përmendur për botën e saj të krimit.
Gazetarja franceze Lina Koleti, duke intervistuar Alen Delonin, i tha: “Ju, Delon, jeni një dukuri plotësisht e veçantë në kinema… E kaluara juaj është po aq e dyshimtë, sa edhe heronjtë tuaj…”. Delon i mbajti mend këto fjalë dhe pas një një farë kohe iu përgjigj në shtyp: “Për mua është shkruar një pirg i tërë poshtërsish të çdo lloji: shkruajnë se jam gangster, gati-gati sa s’thuhet se jam bosi i mafies. Pa u menduar vihet shenja e barazimit midis meje dhe personazheve të mi… Kaq shumë kanë llomotitur miqtë rreth meje… sa që vetë unë fillova të kem frikë të takoj një Delon të tillë. Ato që po lexoj për njeriun, që mban emrin tim, më duket tmerruese. Me ju thënë të vërtetën, unë jam i ofenduar nga ky Delon…”.
Ja njëra nga historitë më misterioze dhe më mizore të jetës së tij.
Më 1 tetor të vitit 1968, rreth emrit të Alen Delonit shpërtheu një skandal sensacional, lidhur me vrasjen e sekretarit të tij personal. Trupin e vdekur të Markoviçit, të futur në një thes prej filli jute, policia e zbuloi në grumbullin e plehrave. Hetime filluan dhe zor se ata do të dilnin në faqet e para të gazetave, nëse papritur nuk do të kishte dalë “në shesh” emri i Delonit. Para vdekjes së tij të tmerrshme (ka të ngjarë që ai ta ketë parandjerë), Markoviçi i kishte dërguar një letër të gjatë e të atit në Jugosllavi. Në të gjoja ishte shkruar se në rast se i ndodh fatkeqësi, të afërmit duhet t’i drejtohen direkt Delonit, gruas së tij, Natalisë, ose mikut të tij, Markotinit, të quajtur me të drejtë gangster…
Procesi gjyqësor filloi dhe aty ndodhi e paparashikuara. Yllit i dolën mbrojtës të panumërt të bukurisë, të talentit dhe të jetës së tij. Me dëshirë ata u ngritën në mbrojtje të idhullit të tyre. Letra, telegrame, thirrje telefonike ju drejtuan, jo vetëm organeve gjyqësore, por edhe vetë… presidentit.
Turmat e indinjuara për një kohë të gjatë qëndronin në sallën e gjyqit. Secili donte të shihte Alen Delonin. Për më tepër, sepse mbi qafën e tij rrinte varur tehu i gijotinës… Si ndjehej tani idhulli i tyre? Fotografitë fiksonin fytyrën e parruar e të hequr, qeskat poshtë syve, kurrizin e dale… Po, ky ishte një tjetër “bukurosh”, që ishte vështirë të njihej…
Ja momenti, kur për të parën herë Delon mundi ta kuptoje dhe ta ndiej se ç‘fuqi mund të ketë një yll mbi masat. Procesi u fitua dhe tehu i gijotinës nuk e preku. Se sa i kushtoi kjo gjë, vetëm ai e di.
Por ku është e vërteta dhe ku është gënjeshtra në këtë histori të mjegullt dhe tragjike? Vetë Deloni pohonte se, pasi Markoviçi i hyri rrugës së shantazhit, u detyrua të prishte kontratën me të. Por, ndoshta, viktima dinte atë, që superylli e fshihte me kujdes nga syri i të huajve? Apo, ndoshta, ky ishte një operacion i menduar me kujdes nga ata që e rrethonin Delonin, e organizuar me dijeninë e tij?
Versioni… Hamendje… Sikur të mos kishte ndodhur gjë, ky proces u fitua nga aktori dhe popullariteti i tij u rrit në mënyrë fantastike dhe jo vetëm në Francë.
Alen Deloni vazhdimisht do të kalojë kthesa të forta në jetë. Në të gjitha kohët aktorët e pashëm, të talentuar dhe të preferuar i rrethojnë, jo vetëm dashamirët, por edhe ziliqarët, të cilët para syve u bëjnë komplimenta, ndërsa pas shpine u thurin intriga. Por të mëson vetë jeta dhe si një nxënës i zellshëm i saj, Alen Deloni përvehtësoi shprehitë që të mos i merrej fryma nga fjalët lajkatare e të mos mbytej nga përqafimet. Prandaj biografia e Delonit është plot me të papritura dhe peripeci të fatit…
Pasi u kthye nga Indokina, Alen Deloni gjeti punë në kafenenë “Kolizej”, në qendër të Parisit. Me këtë lokal të vogël janë të lidhura ngjarje të rëndësishme nga jeta e tij personale. Për të parë herë këtu e pikasën dhe e thirrën për të luajtur në kinema… Për të parën herë këtu, në hyrjen e kafenesë aktori fillestar pa se reklama e ndriçuar e me gërma të mëdha evidentonte emrin e tij. Për të parën herë këtu lexoi tekstin e reklamës, “Romi Shnajder dhe Alen Delon në filmin “Kristina”. Ai do ta sjellë këtu Romin dhe për mjaft kohë dashnorët e rinj do të kënaqen me dritën vezulluese të llampave, tek të cilat ishin shkrojtur emrat e tyre. Zor se mund ta merrnin me mend atëherë se takimi gjatë xhirimit të filmit “Kristina” do t’u sillte atyre, jo vetëm gëzimin e dashurisë, por edhe ftohtësinë e vdekjes…
Romi Shnajderit për xhirimin e filmit “Kristina” iu propozua një honorar përrallor prej 75 miljonë frangash. Për krahasim do të përmendim shumën prej 300 mijë frangash, që morën Zhan Klod Brioli dhe Alen Deloni. Për të firmosur marrëveshjen Romi Shnajder u thirr në Paris. Nga Viena ajo erdhi me avion bashkë me të ëmën, aktoren e famshme austro-gjermane, Magda Shnajder.
Franca, për të mos i ngrënë hakun, organizoi një pritje pompoze për “fëmijën më të dashur të Europës”… Krahas korrespondentëve të shumtë të gazetave, revistave, radiove, aeroporti ishte stërmbushur nga turmat e kureshtarëve të entuziazmuar, ndërsa i veçuar nga të tjerët, në podiumin veror “vej e vinte një djalosh fytyrëngrysur, i cili nganjëherë i afrohej turmës së gazetarëve dhe me ashpërsi u thoshte: “Nuk mund ta kuptoj tërë këtë potere të krijuar rreth një vajze të vogël, të cilën përveç spektatorëve austro-gjermanë askush nuk e njeh…”. Por ai gjeti në vetvete forca dhe me mirësjelljen e një francezi të vërtetë iu afrua partneres së ardhshme dhe i dhuroi një tufë me lule – ato ishin trëndafila të zgjedhur bukur…
Tanimë i erdhi momenti Romi Shnajderit të habitej. “Cili është ky?” – pyeti ajo, kur Deloni u tërhoq anash. “Alen Delon!” – iu përgjigjën asaj me respekt.
Ky emër ishte i panjohur për të. Romi Shnajder nuk e njihte aktorin Alen Delon, megjithëse francezët tashmë flisnin rreth tij: në këtë kohë ai kishte interpretuar në dy filma. Por Romi në fakt ishte një yll: seriali “Sisi”, në të cilin ajo kishte interpretuar rolin kryesor, pati një sukses të bujshëm në Evropë!
Alen Deloni në fillim asaj nuk i pëlqeu. Ajo vuri re në fytyrën e tij një tensionim, në vështrim dalloi mendjemadhësi dhe ftohtësi, por kur u largua prej saj, tha me qetësi: “Ai më duket i ngathët”. Romi e harroi përnjëherësh Alenin dhe kjo ishte plotësisht e natyrshme: ajo ishte eklipsuar nga Horst Buhollci, aktor gjerman dhe gjithashtu bukurosh…
Por fati nuk desh ta anashkalonte romanin e tyre të dashurisë. Ai filloi papritur. Alen Deloni “i zymtë” fton Romin në njërin nga restorantet më të respektuar të Parisit – “Lido”… Romi nuk e njeh fare gjuhën franceze, ndërsa as Aleni gjermanishten… Ata pinë shampanjë, vallëzuan dhe biseda e tyre vijoi me ndihmën e gjesteve dhe shikimeve, që në situata të tilla janë më shumë të kuptueshme… Ç’është e vërteta, Aleni tërë kohën përsëriste po të njëjtën frazë: “Ich libe dich” – “Unë të dashuroj” dhe gjatë kësaj kohe qeshte kumbueshëm. Romi gjithashtu. Situata e haresë artificiale filloi të shndërrohej në ndjenjë. Romi në atë kohë s’i kishte mbushur të njëzetat.
Romani i zgjatur, i ekzaltuar dhe herë-herë me një pasion të mundimshëm nuk përfundoi në martesë. Alen dhe Romi që nga dita e parë u zhytën në spontanitetin e lumtur e të çmendur të vorbullës së dashurisë… Ata morën me qera një apartament të vogël në një shtëpi private në qendër të Parisit, në breg të Senës. Atë vit pranvera qe e bukur, tamam sikur natyra kishte vendosur që të dy të rinjve me bukuri hyjnore t’ua bënte dhuratë. Ata nuk e vinin re se apartamenti nuk ishte komod dhe se tualeti ndodhej në një platformë që arrihej me shkallë… Ata jetonin me pasionin dhe mëngjeseve me kënaqësi thëthitnin aromën e trupave të njëri-tjetrit.
Dashuria është alkol… narkotik… madje shumë më i fuqishëm. Ajo është një epsh dehës i patransmetueshëm… Romi dhe Aleni shpesh harronin xhirimet… detyroheshin t’i kërkonin… i gjenin… por përsëri zhdukeshin… Zemrat e tyre i kishte mbërthyer fort dashuria… Akoma edhe pak dhe ata do të bëheshin bashkëshortë, kështu mendonin miqtë e tyre. Për më tepër ata u fejuan, në kundërshtim me nënën dhe kushërinjtë e Romit.
Më 22 mars të vitit 1959 (ndoshta kjo ka qenë e vetmja ditë për Magdën, vëllanë e Romit dhe të afërmit e saj, kur vështrimet e tyre u zbutën) Aleni i vuri unazën e artë Romit në kishë. Ajo ishte e lumtur. Atëherë ajo nuk mund ta dinte se do të mbetej “e fejuar e përhershme”.
Një herë, pasi ishte kthyer në apartamentin e vet të vogël, pranë derës Romi dalloi një buqetë shumë të madhe trëndafilash të kuq, të mrekullueshëm. Papritur në mes tyre zbuloi një pusullë, që përfundonte me një fjalë lakonike e të ashpër, të tillë: “Lamtumirë!”. Një copë e vogël letre përgjithmonë do të sillte fatalitet. Jo vetëm për të, por edhe për Alenin para së gjithash pusulla ishte shkruajtur instinktivisht, pa u thelluar. Aleni u suall si një kalama. Ai u përpoq të arratisej larg ndjenjave të veta të vërteta, larg dashurisë së vet. Jeta do t’i vendoste të gjitha gjërat nëpër vendet e veta, por do të jetë vonë. Gabimin tragjik është e pamundur ta ndreqësh, atë do të duhet ta paguash shtrenjtë.
Shumë kohë përpara “fejesës” së tyre Alenin e pyesnin shpesh, kur më në fund do të martohej me Romin. “Të martohemi?” – përgjigjej ai duke qeshur. – Po përse? Romi është gruaja ime pa ceremoni zyrtare. Shpërblimi më i madh në jetën time është “ajo”, e cila çdo ditë dhe çdo orë më dhuron dashuri magjepsëse”.
Pas prishjes së papritur Romi thoshte me dhembje: “Aleni ishte dashuria ime e parë, e madhe. Ne ishim të rinj dhe besonim se dashuria jonë është e paasgjësueshme… mirëpo ajo u shua… Për mua kjo qe goditja më e tmerrshme… Nuk kisha më fuqi të jetoja… Ne tashmë kishim vënë kurorë…”.
Por kur dikush nga të njohurit apo miqtë e saj e pyesnin përse e mban unazën e fejesës, Romi me një buzëqeshje të trishtuar përgjigjej: “Ka njerëz që mbajnë unazën për të treguar se janë të martuar. Unë e mbaj për të treguar se nuk jam e martuar…”.
Drejt kujt nxitonte Alen Deloni? Drejt një artisteje të re, Natali Bartelemi, e cila më vonë do të bëhej kinoregjizore. Ajo si edhe Romi Shnajder ishte e bukur dhe nga paraqitja e jashtme i ngjante Alenit. Po ajo hundë e skalitur, po ata sy të kaltër e të thellë, qepalla të zeza, po ajo kokëfortësi dhe gojë gjithmonë gjysmë e hapur, po ajo fytyrë pa të meta dhe enigmatike. Për më tepër edhe nga karakteri, për fat të keq, ishin shumë të ngjashëm.
“Me Delonin u njoha në një restorant nate, – tregon Natali. – Mua më mahniti bukuria e tij hyjnore. Ne filluam të takoheshim, shkonim në uikend e filluam të bashkëjetonim. Na lindi djali dhe pas dy muajsh vumë kurorë. Ne na gëzoi shumë lindja e Antonit, me muaj mund të jetonim pa miqtë, të njohurit dhe vizitorët. Në marrëdhëniet intime reciproke kërkonim dashuri të ekuilibruar. Ai ka pasur shumë histori dashurie, edhe unë gjithashtu. Jeta jonë e përbashkët deri në fund ka qenë intensive dhe e vërtetë. Unë mendoj se tradhtia nuk është mëkat; ajo mund të ndodhë me cilindo. Poshtërsi është në se ajo fshihet. Martesa nuk e garanton dashurinë. Vetëm idiotët mund të mendojnë ndryshe. Dashuria nuk mund t’u nënshtrohet dokumentave administrativë dhe formalizmave të tjera. E rëndësishme është të mbetesh ai që je e të fshish tërë paragjykimet dhe pikëpamjet mbi martesën… Po, duhet të dish të ndahesh njerëzisht me të dashurin. Ky është gjithashtu një art i madh. Shumë nga ne nuk e kanë atë”.
E vërtetë është se në gjykimin e saj Natali nuk respekton edhe një gjë me rëndësi: përveç idiotëve ekzistojnë edhe natyra serioze, të cilat kërkojnë në dashuri besnikëri dhe harmoni, që edhe vetë janë të afta ta bëjnë këtë. Një natyrë të tillë i përkiste Romi Shnajder. Serioze, e rregullt, me kërkesa maskimale, Romi kërkonte kuptimin në një dashuri të tillë. Por ndërkaq, prishja me Delonin qe për të një tronditje e thellë shpirtërore për gjithë jetën.
Ndarja me Natalinë kaloi lehtë dhe i korrespondoi më mirë natyrës së saj. Zor se dikush nga të pranishmit në atë mbrëmje, në restorantin që ndodhej në Monmartre të mund të hamendësonte se çifti i ri i ulur në një tavolinë të vogël kishte marrë vendimin për t’u ndarë. Ata qeshnin, i drejtoheshin njëri-tjetrit me fjalë përkëdhelëse dhe pinin shampanjë. Duart e tyre ishin të bashkuara dhe të mbështetura mbi picetat e bardha të ngrira me niseshte, sytë u ndrinin. Në orën dy të natës Natali dhe Alen bashkë shkuan në shtëpi dhe hynë në dhomën e gjumit. Ajo qe nata e fundit, që kaluan së bashku.
Të martuar ata mundën të jetojnë për pak kohë. Natali u tregua grua e fortë dhe me autoritet, për të cilin pavarësia personale ishte po aq e shtrenjtë sa edhe për Delonin. Ajo asnjëherë nuk shikonte prapa, nuk bënte plane për të ardhmen dhe shrregullimet i pranonte si një realitet objektiv.
“Në jetën familjare nuk duhen bërë shumë lëshime, aq më tepër kur ato nuk duan t’i kuptojnë, – gjykonte ajo. – Si grua dhe si bashkëshorte unë mund të arrij mirëkuptimin reciprok me burrin tim. Mirëpo kjo nuk duhet ta pakësojë dashurinë dhe respektin tim për të. Gjatë martesës, madje edhe në periudhat më të vështira, rëndësi ka të mbetesh ai që je. Aleni dhe unë jetonim pa kompromise. Burrat sot janë të pafuqishëm. Secili prej tyre në martesë kupton vetëm anën e vet, dhe fshihet nën guaskën e tij. Meshkujt nuk janë të përgatitur për jetën familjare. Ata tremben kur në vend të dashnores marrin grua… Unë mendoj se me Alenin shpirtërisht ishim të afërt. Ne sikur ishim binjakë siamezë, të cilët kirurgu sapo i ka ndarë nga njëri-tjetri. Alen ishte pjesë përbërëse e jetës sime, gjysma e dytë e personalitetit tim. Por Delon nuk e do jetën…”.
Pohim i rëndë. Por, me gjithë brutalitetin dhe karakterin e paparashikueshëm, në brendësi Alen Deloni e përjetonte ndarjen dhe para së gjithash për shkak të djalit. Ish bashkëshortët vendosën: Antoni nuk duhet ta marrë vesh ndarjen e tyre dhe nuk duhet ta ndiejë mungesën e njërit nga prindërit. “Ai nuk duhet të jetë aq fatkeq sa ç‘kam qenë unë në fëmijëri, që s’i duhesha kujt…”. – konkludon Aleni. Djali mbeti me Delonin. Por shpesh të tre së bashku festojnë përvjetore, ditët e lindjes, kalojnë krishtëlindjet. Mirëpo marrëdhëniet e Alenit me të birin nuk janë të mira.
“Antoni bënte mjaft budallallëqe, sa që vazhdimisht më kapte tërbimi… – kujton hidhur Deloni. – Por megjithatë për mua djali mbeti më i rëndësishmi. Ai për mua është një mijë herë më i shtrenjtë se çdo gjë tjetër në botë, sepse përbën vazhdimësinë e vetes sime”.
Tashmë Alen Deloni është krenar për të birin, megjithëse skandalet midis tyre shpërthejnë shumë shpesh. I bukur, inteligjent, në dallim nga i ati (kishte përse) i pajisur me arsim të shkëlqyer dhe me një ndjeshmëri të thellë ndaj artit, Antoni trashëgoi nga prindërit një natyrë kokëforte dhe kapriçioze. Veçanërisht dallohet në arritjen e qëllimit të vet. Ambicia e tij disa herë ia kalon të atit.
Antoni ashtu si edhe pasardhësi i tij i famshëm, gjykojeni vetë, jo vetëm që u bë aktor (nëna dhe babai në mënyrë kategorike ishte kundër dhe nuk e ndihmuan fare), por edhe biznesmen. Ai ngriti firmën e vet dhe e quajti “A.Delon”, që ngjalli tek i ati, jo vetëm indinjatë por edhe protestë të ashpër. Deloni i parë iu drejtua gjyqit, duke kërkuar ndryshimin e menjëhershëm të emrit. Dy Delone të njëjtë, sipas pohimit të Alenit, nuk mund të ekzistojnë. Secili është i detyruar të krijojë dhe të përdori për qëllime reklame vetëm emrin e vet – i tillë ishte principi jetësor i Alenit. Por gjyqi mbajti anën e Antonit dhe Deloni i ri nuk e ndryshoi tabelën. Ndoshta për të parën herë Alen Deloni pësoi një disfatë të madhe.
I habitshëm është edhe një fakt tjetër. I biri sikur po përjeton fatin e të atit në krijimtari. Interpretimet e tij në Francë kaluan pa u vënë re. Suksesin ia sjellin filmat e kinoregjizorëve të famshëm Italian, A. Lattuadi, F. Rozi. Sheshi i startimit për fluturimin e tij, ashtu si edhe për të atin, u bë Italia plot diell.
Emri i Antonit po ashtu si edhe emri i të atit, tërheq vëmendjen e reporterëve të kronikës së skandaleve. Për të atin ishin të pakëndshme ditët që kishin lidhje me të birin, kur e akuzonin, jo vetëm për garat me makina, por edhe për armëmbajtje pa leje. Më se një herë Antoni është thirrur në rajonet e policisë, por gjithçka përfundonte mirë. Nga situatat irrituese e nxirrte i plotfuqishmi baba.
Në fëmijëri Aleni kishte ëndërruar të arratisej në Amerikë. Së bashku me një mikun e vet, i cili kishte në Çikago xhaxhanë, ata vendosën ta realizojnë ëndrrën. Aventura e tyre përfundoi në një rajon policie të qytetit Bordo.
Vitet do të kalojnë e megjithatë Alen Deloni do ta shkelte tokën amerikane. Pas triumfit të filmit “Rroku dhe vëllezërit e tij”, ai u ftua në Hollivud. Ardhja e tij u organizua bukur. Alen Deloni këtë nuk e priste dhe prandaj u prek shumë. Në faqet e para të gazetave dhe revistave titujt e mëdhenj njoftonin: “Deloni erdhi!”, “Pas De Golit, ai është njeri nga njerëzit më ambiciozë të Francës”, “Bukuria e tij është hyjnore”.
Hollivudi, jo vetëm që e priti, por edhe e dëshironte atë. Dyert e kinostudiove të famshme hapeshin para tij. Alen Deloni interpretoi në disa filma. Gjithçka shkonte sipas planit të përpunuar nga producentët hollivudianë. Por ai do ta marrë dhe do ta grisë atë: papritur paguan detyrimet e kontratës dhe kthehet në Evropë.
Ç’kishte ndodhur? Asgjë e veçantë. Në saj të logjikës së vet të mprehtë Alen Deloni e mori vesh me kohë se kinematografia amerikane nuk ishte për të. Një pritje e tillë e përzemërt nuk do të vazhdonte pafundësisht. Qysh atëherë Deloni mendonte për lavdinë e vet, që s’do të harrohej.
“Kinematografia amerikane është një familje e madhe, e tillë si ajo franceze. Francezët janë gjenialë në improvizime, në Hollivud ka organizatorë shumë të mirë. Por atje unë nuk do të interpretoj më…” – deklaroi ai.
Njëri nga njerëzit më ambiciozë të Francës e mbajti fjalën. Pasi u kthye në atdhe Alen Deloni përqëndron të gjitha forcat e veta dhe brenda një periudhe të shkurtër i bën emër vetes në Gjermani, Spanjë, Japoni, duke mos përmendur këtu Italinë dhe Francën. Kinoregjizorët më të shquar, kush e kush më parë i ofrojnë atij filma, ndërsa ai si njeri grindavec, me sy kritik merret me seleksionimin e roleve. Për këtë arsye shtypi do të shprehet: “Vetëm dikush tjetër do ta studionte me kaq kujdes sipërmarrjen e tij. Ai do të kishte qenë Napoloni…”.
Por le të kthehemi tek Romi Shnajder. Për të harruar e për ta marrë veten nga goditja e tmerrshme, ajo largohet për në Gjermani dhe martohet me aktorin e shquar të teatrit gjerman, Herri Mejen, që ishte katërmbëdhjetë vjeç më i madh. Prindërit dhe miqtë kalojnë në gjendje shoku dhe vendosmërisht dalin kundër kësaj martese; përsëritet situata që kaloi me Alen Delonin.
Qysh atëherë, kur pa Romin me Delonin për të parën herë, nëna e saj deklaroi prerë se nuk dëshiron ta shohë në shoqërinë e vet “vagabondin nga rruga” dhe se nuk do të lejonte që burri i së bijës, së edukuar në një rreth të zgjedhur, të bëhej “një kalama, që s’ka asgjë përveç bukurisë së jashtme…”. Me intuitë Magda e ndjeu mosbesimin ndaj Delonit. Ajo thoshte: “Ata janë njerëz shumë të ndryshëm”. Frika e saj doli profetike.
Po, Deloni nuk ia fshihte indinjatën e vet Romit, duke pasur një natyrë shumë krenare dhe një karakter kokfortë, nuk mundi ta vlerësonte “me meritë” ambicien dhe bindjen e tij se ai është i pajisur me një talent të fuqishëm. Alen Deloni kishte qenë një fëmijë i degraduar, ai nuk ndalej para askujt, madje mund të kryente edhe shkelje të ligjit. Romi nuk e konsideronte atë “një hero romantik, por më tepër një djalosh huligan”. E rritur në një familje intelektuale, që kishte tradita të lashta, papritur për të, Romi u ndesh me “anën e pasme të profesionit të aktorit”.
Të falte apo të harronte ofendimet e bëra ndaj tij nuk ishin në karakterin e Alen Delonit. Publikisht ai deklaroi: “Romi i përket asaj shoqërie, të cilën unë e urrej më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Ajo nuk ka faj për këtë. Thjeshtë ajo është fëmijë e familjes së vet. Gjatë pesë vjetëve unë nuk munda të çrrënjos atë që kishte frymëzuar njëzet vjet të jetës së saj. Tek ajo ekzistonin dy Romi. Njërën prej tyre unë e desha çmendurisht, ndërsa tjetrën gjithashtu e urreja çmendurisht…”.
Pas lindjes së djalit, Davidit, për hir të krijimit të oxhakut familjar, për të cilin kishte ëndërruar gjithmonë, Romi, filloi të refuzojë kategorikisht për të interpretuar në kinema; ishte marrë vendimi që të harrohej arti. Plaga e shpirtit pak nga pak po zinte kore. Por një herë në apartamentin e saj berlinez ra zilja e telefonit dhe Romi dëgjoi atë zë të njohur dhe, me sa dukej, gjithnjë akoma i ngrohtë dhe i dashur. Aleni i propozoi të interpretonin së bashku në filmin e Zhak Deres, “Baseni” (1969).
… Pak kohë para këtij telefonimi Zh. Dere, që kishte vendosur të xhironte filmin, ndodhej në një hutim të plotë. Roli mashkullor menjëherë iu afrua Alen Delonit. Por Dere në asnjë mënyrë nuk po arrinte t’i gjente atij partneren e përshtatshme. Kur ai e pyeti Delonin se kë do të dëshironte të shihte në realizimin e figurës së Marianës, Aleni tha me vendosmëri: “Vetëm Romin”. “Po si mendon ti, – pyeti me skepticizëm Dere, – do ta pranojë ajo propozimin?”. Deloni optimist iu përgjigj: “Në sytë e saj unë nuk jam pengesë. Ajo do të thotë: “Po!”. Kjo vajzë nuk e fsheh të keqen dhe është në gjendje të shfaq ndjenja të sinqerta e të bukura”.
Kështu edhe ndodhi. Pa mundur të zotërojë veten e të përmbajë vërshimin e kujtimeve, pasi mori me vete Davidin, pas disa orësh tashmë ndodhej në Paris.
“Unë iu luta Zotit. Zemra ime përsëri u ndez nga flaka e dashurisë, së parë. Unë e kuptoja se po bëja diçka të tmerrshme, por nuk mund të përmbahesha. Deloni më ripërtëriu jetën, nga e cila doja të largohesha, më ktheu në profesionin e dashur…” – pohonte Romi.
Po, ai e riktheu atë në jetë, por njëkohësisht i shpejtoi afrimin e vdekjes…
Dashnorët u takuan përsëri. A.Deloni doli të priste Romin në aeroport. Por ditët që kaluan bashkë kësaj radhe nuk u vlejtën atyre. Fati nuk u dha forca të reja për ta kapërcyer humnerën shpirtërore, që i ndante. Por ata do të bëhen miq të afërt dhe me dashuri e ëmbëlsi do të ndjekin lojën e fëmijëve të tyre: Antoni dhe Davidi e gjetën menjëherë gjuhën e përbashkët.
Takimi i ri i ish dashnorëve shkaktoi sensacionin e radhës. Për të diskutonin në rrugë, në metro, në gazeta e revista. Për të njoftonte televizori në lajmet e fundit. “Me këtë ngjarje” dukej se jetonte, jo vetëm Parisi, por e tërë Franca. Të gjithë i preokuponte një pyetje: a e duan ata njëri-tjetrin?
Sensacioni u shua nga përgjigjet e vetë aktorëve.
“Romi është një femër e vërtetë dhe unë ia vlerësoj të gjitha virtytet që ka. Por tashmë ndaj saj unë provoj ndjenjën e mirënjohjes, respektit dhe të admirimit të thellë!” – deklaroi Alen Deloni.
“Aleni më hapi horizonte për të cilat nuk kisha dijeni. Ditët e kaluara së bashku do të mbeten gjithmonë në kujtesën time. Tanimë midis nesh ka lindur një miqësi e pastër, simpatike dhe unë i gëzohem asaj” – kështu e komenton dashurinë e parë Romi Shnajder.
Xhirimet e “Basenit” bëheshin nën diellin jugor të bregut të Kaltër. Gazetarët të cfilitur nga vapa dhe të pakënaqur nga përgjigjet e yjeve, kërkonin një sensacion të ri dhe ai ndodhi, ose më saktë ua ofroi Alen Deloni. Zhurma e shtypit rifilloi përsëri: Romi e puth dhe e përqafon Delonin nga ora 9 gjer në orën dymbëdhjetë dhe nga ora katërmbëdhjetë gjer në orën gjashtëmbëdhjetë (koha e xhirimeve të filmit), ndërsa orët e tjera i kalonin me Davidin në pritje të letrave nga i shoqi dhe të ardhjes së tij, atëherë kur Aleni ato ia kushton Brixhidës…
Alen Deloni filloi të frekuentojë vilën e Brixhid Bardos. A ekzistonte midis tyre roman dashurie? Unë mendoj se ishte vetëm një pasion, që kishte lindur papritur dhe po aq shpejt u shua… Një pasion që kohë pas kohe pulsonte dhe që në rrethana fatale e shfaqte veten.
“Unë si aktor jam i detyruar t’u paraqes spektatorëve një vepër të mirë, por ç‘punë kanë ata se me kë fle unë në shtretërit ngjyrë të kaltër të ndritshëm, rozë apo vjollcë?!” – thërriste me habi Aleni.
“Xhirimet e filmit “Baseni” për Alenin dhe Romin u bënë të mundimshme. Ata nuk e fshihnin këtë. Situata në të cilën u ndodhën aktorët dukej qartë se ishte e padëshërueshme për të dy. Heronjtë e filmit dhe fati i tyre sikur u bënin jehonë jetës reale të Alenit dhe të Romit.
Jeta e Romi Shnajderit qe plot me kontradikta. Zor se mund të ketë në kinematografinë botërore një aktore të dytë me një fat të tillë tragjik. Goditjet pasuan njëra-tjetrën. Pas largimit të Romit për xhirimet e filmit “Baseni”, ajo ndahet me të shoqin, i cili fillon të pijë dhe përfundon në vetvrasje. Romi i nënshtrohet operacionit më të vështirë në veshka: pas katër orësh nën narkozë, ajo zgjohet tashmë pa njërën veshkë, me një shenjë qepjeje njëzet e pesë centimetrash dhe dhembje shumë të forta… Që ta hiqte qafe të paktën ngandonjëherë atë dhembje të tmerrshme, detyrohet të përdori pije alkolike dhe… narkotikë. Vetëm i biri, Davidi, do ta ndihmojë të heqë streset e padurueshme. “Unë kam një djalë katërmbëdhjetëvjeçar. Ne të dy e duam njëri-tjetrin. Në fakt ai është miku im më i mirë, – u thotë ajo gazetarëve. – Atij i pëlqen profesioni im i aktores, më jep këshilla të ndryshme dhe korrigjon theksin tim të padurueshëm francez. Unë mendoj se ai do të dëshirojë të bëhet aktor ose regjizor…”.
Aktore u bë vajza e saj e vogël, Sara.
Romi filloi ta marrë veten dhe u martua. Davidi e pranoi Lorenin, burrin e dytë të Romit dhe e njohu si njerk. Në familje mbretëronte lumturia, por përsëri për pak kohë… Një mëngjes korriku Romi ndodhej në Paris. Ajo kishte ardhur tek prindërit e Lorenit. Kjo ditë për të qe tragjike… Telefoni ra dhe nga skaji tjetër i përcjellësit i thanë: “Davidi është në spital. Ai duhet të bëj një operacion urgjent…”. – “Ç’është ky operacion? Përse urgjent?” Romi i braktis të gjitha.
Dhe ja pavioni i spitalit. Fytyra e djalit të dashur sikur ishte bërë prej dylli… s’kishte asnjë pikë gjaku. Ai ishte shumë i tronditur… hesht… Sytë e tij janë plot dhimbje dhe tmerr… Me vemendje vështron të ëmën, njerkun dhe papritur me zë të ulët fëminor drejton pyetjen: “Unë s’do të vdes, apo jo?”. Pas një minute fytyra e tij e qetë u ashpërsua, sytë iu mbyllën, mori frymë thellë dhe…
Davidi vdiq në moshën katërmbëdhjetë vjeç “kur mbaron fëmijëria dhe fillon rinia”… Djali provoi një vdekje të tmerrshme e të keqe: duke kapërcyer murin që rrethonte vilën, humb ekuilibrin dhe shpohet në bark nga një shufër e mprehtë…
Më 29 maj të vitit 1982 vdes edhe Romi. Zemra e saj prej nëne e cfilitur nga vuajtjet, nuk e përballoi. Tërë natën i shkroi një letër së bijës dhe në këtë pozë, ulur në tavolinën e shkrimit, e gjetën të nesërmen. Letra ishte e papërfunduar. Ajo ishte ndërprerë në fjalët: “E dashur, më fal dhe mos..”.
Pasi mori vesh vdekjen e Romit, Alen merr përsipër të tëra shpenzimet e varrimit. Duke e shoqëruar për në banesën e fundit femrën e parë e më të dashur, ai do të vendosi në varrin e saj një buqetë me trëndafila të mrekullueshëm, por kësaj radhe midis tyre nuk do të jetë pusulla me fjalën “Lamtumirë!”. Alen Deloni qëndronte pranë varrit, i veçuar nga bota reale dhe i zhytur në mendimet e veta; me mend dukej se i drejtohej dikujt lart për këshillë. Për fat të keq hera-herës ne harrojmë se jeta jonë varet nga bashkrendimi i veprimeve personale me fatin dhe vetëm kur na ndodh fatkeqësia i drejtohemi të Plotfuqishmit dhe i lutemi për ndihmë. Por shpeshherë është shumë vonë. Alen Delon mbart në shpirt fajin, të cilin do të deshte ta lante…
Dy javë do të kalonin nga varrimi dhe Alen Deloni për habinë e jashtëzakonshme të shumë njerëzve, në revistën “Pari-matç” publikoi artikullin: “Lamtumirë, kukulla ime!”. Në të shkruhej:
“Ne jetuam bashkë më se pesë vjet. Ti me mua… Unë me ty… Më pas jeta na ndau. Ti ishe e zjarrtë, por shpirtërisht e fortë. Si mund të shpjegohet që, duke luajtur role njerëzish, jo të ngjashëm me ne… humbim pushtetin mbi veten… Pas filmit “Baseni” ti m’u bëre motër ndërsa unë për ty vëlla. Marrëdhëniet tona ishin të qarta e të pastra, nuk kishte më pasion. Vendin e tyre e zuri një ndjenjë më e mrekullueshme – miqësia…”.
Të thellohemi edhe një herë në këto fjalë. “Mbreti i seksit” nuk kishte frikë prej tyre për t’i shqiptuar hapur. Por sinqeritetit të ndjenjave të shprehura nga ylli nuk i besuan, por gjykuan se Deloni i bën reklamë vetes. Nuk i besuan edhe atëherë, kur në ekranin televiziv u shfaq me një vajzë çalamane në duar. Por ai është njeri nga të parët që u ngrit për të ndihmuar fëmijët që vuanin dhe vdisnin nga sëmundja e kancerit. Për mjekimin e tyre dha shuma të mëdha të fituara nga biznesi i vet. Këtë teletransmetim ne edhe ju e kemi ndjekur. Ne i pamë sytë e Alen Delonit të mbushura jo me lotë aktori, por me lotë të freskët njerëzor…
… Mirej Dark – një bionde magjepse, Alen Deloni e takoi pas ndarjes me Natalinë dhe prishjes me Romin. Pak kohë më parë ajo kishte bërë një operacion në zemër, por vetëm disa e dinin këtë gjë. Shtatlartë, me trup të lidhur e të mrekullueshëm, aktorja e re këmbëgjatë (ne e kemi parë së bashku në filmat “Tre duhen larguar”; “Gjoksi i akullt”) shpejt e gjeti vendin nën rrezet e prozhektorëve kinematografikë. Popullaritetin më të madh asaj ia solli filmi “Xhaff” – një realizim kriminalistik i ekranizuar posaçërisht për Alen Delonin.
Spektatorët i emocionioi romani i dashurisë, të cilin e intepretuan Mirej dhe Alen. Në se ai do të mbyllej me përfundimin e kuadrove të filmit, do të ishte e panatyrshme. A. Deloni si mashkull nuk do të lejonte që ta anashkalonte vajzën, e cila në vitet 60-70 do të bëhej mishërim i joshjeve femërore. Ashtu si Brixhid Bardo edhe Mirej Dark do ta imitojnë me mijëra femra në të gjithë botën. Kësaj radhe Alen Delon e humbi mendjen. Në fillim supozuan se është një pasion i radhës, por u gabuan. Mirej Dark hyri në jetën e tij për shumë kohë. Atëherë menduan përgjithmonë. Diçka e tillë në jetën e Delonit nuk kishte ndodhur: ai jetoi me të më shumë se pesëmbëdhjetë vjet. Ç’është e vërteta, duke mos e ligjëruar martesën, por me “një pasion të çmendur”. Por kjo nuk ka edhe aq rëndësi.
Ashtu si edhe në romanet e dashurisë në të kaluarën, i riu la pas një gjurmë të qartë, i mbushur me shpërthime emocionale dhe takime impulsive pas ndarjeve. Ata jo vetëm u deshën, por edhe me një gjysëm vështrimi e kuptonin njëri-tjetrin. Mirej Dark sillej me një ngrohtësi të madhe ndaj Antonit, ndërsa fëmija gjashtëvjeçar e vlerësonte vëmendjen dhe kujdesin e saj.
Mirej i bëri Delonit një dhuratë të pazakontë – i shkroi skenarin e filmit “Madli” në themel të të cilit ishte një histori, që idealizonte dashurinë bashkëkohore. M. Dark dhe Alen Delon luajtën në rolet kryesoe. Gjatë xhirimeve të filmit asaj i bënë një pyetje: “Kushdo e di se ju dashuroni Alen Delonin. Por a mund ta duroni pranë vetes një grua tjetër?”.
“Nuk do të flasim për ndjenjat personale. – Por, nëse ju doni, atëherë do t’ju them: kinosubjektet kanë sukses atëherë, kur ata mund t’i paraqesësh realisht. Aleni dhe unë… jemi një çift, por secili prej nesh ka mënyrën e vet të jetesës. Për të dy ne është shumë e rëndësishme pavarësia personale. Secili respekton lirinë e tjetrit… Po në lidhje me xhelozinë?… Ndoshta unë do të shfaqja xhelozi ndaj rivales…”.
Romani i tyre i gjatë përfundoi papritur. Mirej Dark nxitonte të takohej me Alenin, i cili po xhironte një film në Spanjë. Në Alpet e Italisë i ndodhi një katastrofë automobilistike shumë e rëndë. Jeta e Mirejit varej në një qime floku, nga një mrekulli ajo kishte mbetur gjallë. Alenit i duhet njohur merita se ai bëri gjithçka që e dashura e tij të çohej në këmbë dhe përsëri ta rimerrte veten. Pas shërimit Mirej pohonte: “Me praninë e tij të përditshme, kujdesin dhe përkëdhelitë më riktheu besimin në jetë…”.
Një Alen Delon i tillë, i dashur, i sinqertë, i vëmendshëm nuk ishte parë ndonjëherë. Por ditën kur Mirej do të linte spitalin, ata do të ndaheshin. Ç’kishte ndodhur?
Pas disa kohësh Mirej Dark do të thoshte:
“Femrat duhet të ndryshojnë e të mos mendojnë vetëm për vete. Barazia e plotë është bisedë pa fryt. Femrat vlejnë vetëm për të kënaqur meshkujt, mirëpo këtë e harrojnë, prandaj ka pak meshkuj të lumtur. Pikërisht femrat i bëjnë meshkujt ata që janë. Kur e kuptova se nuk i duhesha më, sikur u rrëzova në një humnerë. Për mua që e dhimbshme, shumë e dhimbshme… Por ashtu si edhe pas një sëmundjeje të rëndë duhej ngritur me këmbë, se ekzistonte rreziku i kalimit në ekstremin tjetër, i shndrrimit në një egoiste. Por më ndihmoi astrologjia. Ajo më dha të kuptoj se në jetën tonë ka etapa kalimtare, gjatë të cilave duhet me u kacavjerr… Kjo ndodh me çdo njeri. Në shpirt ndjeva qetësi, rrethi i interesave m’u zgjerua. Lumturi shumë e madhe është të njohësh edhe ndjenja të tjera krahas pasionit të dashurisë. Kjo më bën të lirë; unë e kuptova se në jetë nuk ekzistojnë vetëm meshkujt…”.
Ne nuk dyshojmë në sinqeritetin e fjalëve të saj. Natyrisht që ato i përshkon dhe fyerja edhe dhimbja… Kjo është e kuptueshme…
“Gjinkalla e madhe”, siç e thërrasin me përkëdheli francezët Mirej Dark, zgjedh jo më të mirën – vetminë. Ajo ndërpret takimet me kolegët dhe miqtë. Depresioni zgjati një vit, por kohë pas kohe i përsëritet edhe sot.
“Nga kriza unë dola në moshën dyzet vjeçe, pasi takova Pjer Baren, – tregon Mirej. – Ne jetuam se bashku pothuajse dhjetë vjet…”.
Përse fati tregohet kaq i ashpër me këtë grua të bukur? Dashuria e re u ndërpre edhe kësaj here, por shkaku ishte sëmundja dhe vdekja e Bares. Mirej mbeti përsëri vetëm dhe me dhimbjen e fortë të zemrës. Ajo jeton në një shtëpi të bardhë e të rehatshme, trekatëshe, ku edhe është njohur me Pjerin dhe nga kjo gjë provon një kënaqësi marramendëse… “Kjo është strofulla ime, – thotë ajo, – Unë jetoj si macja… por të gjitha mendimet e mia janë të lidhura me qentë. Unë mendoj kështu, se ka të ngjarë që në jetën paraardhëse të kem qenë një qen… Një qen i verdhë… në ngjyrën e rërës…”.
Tashmë Mirej është pesëdhjetë e shtatë vjeçe, por për të “kjo nuk është problem”. Në verën e vitit 1994 ajo përsëri përjetoi një sukses të bujshëm. Në ekranet televizive u shfaq seriali “Zemra të zhuritura”, në të cilin ajo luante rolin kryesor. Më se dyzet milionë francezë përsëri admiruan “magjistaren e bukurisë”. Ajo u solli kënaqësi adhuruesve të talentit të vet, jo vetëm me bukurinë e interpretimit, por edhe me elegancën e figurës së saj marramendëse, me sytë që i xixëllojnë dhe, natyrisht, me këmbët e saj të skalitura, të cilat vazhdojnë të tërheqin vështrimet e meshkujve. Për femrat e tipit të Mirej Dark në të gjithë botën thonë me zili: “Atyre u rriten këmbët që nga qafa”. Shtypi i Francës shkroi: “Kjo është një mrekulli rinore! Ne pamë këmbët e saja të gjata e të përsosura…”.
Ne edhe ju, Mirej Dark e mbajmë mend me fustanin e gjatë e të zi mëndafshi, që i mbulonte figurën shumë elegante e tërheqëse, me një krehje të bukur të flokëve në ngjyrë të gruri të pjekur; mbajmë mend fytyrën e qeshur në të cilën dalloheshin shenjat simpatike… Por kur në ekran Mirej Dark papritur u kthye me shpinë nga publiku, ky moment nuk mund të harrohet – fustani i hapur i zbulonte tërë shpinën e saj elegante. E tillë u paraqit ajo në filmin “Bjondi shtatlartë me një këpucë të zezë”…
Si jeton tashmë Mirej Dark? Për çfarë mendon? Çfarë respekton dhe çfarë rrëmben me gjithë shpirt?
Vetë ajo tregon: “Rreth meje vërtiten shumë njerëz; unë tashmë kam më shumë miq, nga ç‘kisha më parë. Me disa meshkuj kam raporte të shkëlqyera. Ata më ndihmojnë të rifitoj gëzimin, miqësinë, lumturinë. Por unë ruaj distancën e duhur. Unë nuk kam dëshirë të them më: “për tërë jetën”, “gjer në vdekje”. Fjalë të tilla tashmë më bëjnë për të qeshur. Unë dua të jetoj vetëm për veten time dhe nuk dëshiroj që jetën private ta zbuloj para publikut…
Unë dua që gjërat të jenë nëpër vendet e tyre… dua pastërti… lexoj shumë … Kur më ndodh diçka e bukur, e quaj dhuratë, buqetë lulesh…
Unë jam e butë dhe mund t’i kuptoj shkaqet që i bëjnë njerëzit dashakeqë, të këqinj. Nganjëherë ndodh sepse vetë ata janë fatkeqë, ose kanë ndonjë të fshehtë. Pa dyshim që ka njerëz, të cilët edhe mua më bëjnë keq. Unë këtë e di. Por ndaj tyre jam thjeshtë indiferentë dhe përveç kësaj mendoj se të urresh dikë është humbje kohe, humbje energjie…
Ngandonjëherë e ndiej veten shumë keq. Frika më përfshin të tërën. Unë trembem kur ndihem keq natën e pranë vetes s’kam njeri. Por vetë e zgjodha vetminë e nuk ankohem, aq më tepër kur e di se përreth meje ka kaq shumë dashuri. Unë kisha dëshirë që përsëri të përjetoja atë që kisha përjetuar dikur. Por mendoj se tashmë nuk kam më një zemër të tillë pasionante e të çmendur… ta dini se kur në jetën tënde kanë trokitur dy meshkujt jo të zakonshëm, si ata që vinin tek unë dikur, ju nuk jeni në gjendje t’i mbështesni raportet e zemrës si zakonisht…”.
Mirej Dark mallëngjehet dhe me nostalgji kujton të kaluarën. Kur e pyesin se ç‘rol luan Alen Deloni në jetën e saj të tanishme, ajo përgjigjet në mënyrë evazive: “Unë do të preferoja të mos flas për këtë gjë. Ai ka jetën e vet, ka gruan fëmijë. Unë jam pajtuar me situatën e krijuar… dhe e kam kuptuar se ndjehesh mirë, kur je në rregull me vetveten…”.
Por le të kthehemi tek Alen Deloni.
Kushtojini vëmendje – Në minuta tragjike, që lidhen me të afërmit e tij Aleni transformohet. Ai, duke i ndihmuar, bëhet më i sinqertë, më i mirë, më sentimental, duke zbuluar pak shpirtin për një kohë të shkurtër. Ndoshta, ky është Alen Deloni “enigmatik” dhe i vërtetë?
Por megjithatë: ç‘është dashuria për Alen Delonin? Një pyetje që u intereson të gjithëve! Vetë ai përgjigjet kështu: “Dashuria? Unë asnjëherë nuk e refuzoj pasionin që më gllabëron, qoftë edhe fatal apo vdekjeprurës… Femra mund të më detyrojë të bëj gjithçka që ajo dëshiron… Ky është i vetmi moment në jetën time, kur unë i dorëzoj armët…”.
Ç’e detyroi atë që përsëri të bëjë një kthesë të fortë anormale e të ndërpresë romanin më të gjatë të dashurisë? Egoizmi racional, që sundon mbi ndjenjat dhe arsyen?
“Në fillim unë vendos dhe pastaj arsyetoj. Veprimet e paramenduara unë nuk i pëlqej. Që të jetosh për mua do të thotë të interpretosh, – shprehet superylli. – Në parimin që më udhëheq janë fjalët e shqiptuara nga Shën Agostini: “Pëlqej dhe bëj gjithçka dua!”.
1984, vitin “e gëzimeve dhe të hidhërimeve” do ta kalojë me të Katrina, ish gruaja e pilotit të përmendur Didie Poroni, që kishte marrë pjesë në garat e “Formula 1”. Ata ishin njohur në vitin 1970, kur ajo ishte tetëmbëdhjetë vjeçe.
Francezëve, nga familje me tradita të lashta, pasi blejnë gjëra të shtrenjta, u pëlqen të thonë: “Oborrtaria të vë kushte”. Për një kohë të gjatë këto fjalë ishin të pakuptueshme për Delonin. Por që në rini ai ishte betuar se do t’i rrëmbente jetës gjithçka dhe askujt nuk do t’i bënte lëshime. Me qëllim që të fitonte titullin e oborrtarit, Alen Deloni ngriti kinostudion personale, “Adel produksion”, bleu prona elegante, ndërsa kompania e tij ajrore “Trans –union”, ka në përdorim “boingë”, “dagllasë”, helikopterë të klasit të parë me pilotë, teknikë dhe stjuardesa të shkëlqyera… Ai ka një nga stallat më të mira me njëqind kuaj garash nga rracat më të zgjedhura… ka galerinë më të pasur të artit, në koleksionet e së cilës kanë zënë vend origjinalet e Dyrerit, Rembrandit… Jahtet e tij të klasit të parë çajnë hapësirat e oqeanëve… Fabrikat e tij prodhojnë kolonjën e përmendur për meshkuj, që mban emrin e tij; prodhojnë disqe me këngët e tij, që tregtohen po në dyqanet e tij… Qetësinë dhe sigurinë e mbrojnë bodigardë të shumtë të armatosur, në mesin e të cilëve flitet se ndodhen edhe sozitë e tij.
Alen Deloni është aktori dhe producenti që nuk kurseu paratë për prodhimin e filmave, që nuk sjellin fitime, por krijojnë dhe rrisin edhe më tepër lavdinë e kinemasë franceze… Ai është skenarist dhe regjizor i drejtimit komercial, ndonëse për fat të keq në këtë fushë nuk e arriti atë nivel të lartë, në të cilin u afirmua si aktor… Ai interpretoi me yje të tillë si Klaudia Kardinale, Simona Sinjore, Katrin Denev… Në ekran ata formuan çifte të shkëlqyer. Po në jetë? Atë e dinë vetëm ato! Deloni shpërblen Delonin. Shumën e saktë të honorareve e përcakton vetë. Ai ka krijuar perandorinë e vet të veçuar nga bota, që e ka rrethuar me një mur të lartë guri, i cili mbron vilat dhe kështjellat e tij. Ish varfanjaku sot është njëri nga njerëzit më me influencë dhe njëri nga miliarderët më të famshëm të Francës. “Tashmë unë mund të bëj atë që dua, – thotë ai. – Një herë më kërkuan të organizoj një turne boksi. Kërkesën e pranova dhe e organizova atë. Unë kam një stallë me kuaj vrapimi, të cilët i dua dhe mund të organizoj edhe gara hokeji. E po pastaj?”.
Zotëruesi i grave më të bukura dhe i llogarive marramendëse bankare, sado e çuditshme të duket, vuan nga vetmia. Deloni dëshiron të duan atë dhe jo imazhin e tij. Gjuhët e liga pa u lodhur vazhdojnë të përhapin: “Alen Deloni mundi të mbijetojë vetëm se shpirtin ia ka lënë peng djallit, prandaj edhe vuan tashti…”.
Pothuajse duke dëgjuar çdo ditë fjalë të tilla, me buzëqeshjen magjepsëse në gojë, ai shkëmben përvojën e vet me yllin e shkëlqyer të estradës botërore, Patricia Kaas. “E fshehta jote nuk duhet zbuluar e tërë. Një pjesë e ajsbergut duhet të mbetet nën ujë. Vetëm atëherë do të bëhesh një yll i vërtetë. Nuk duhet ta dhurosh atë që të takon ty. Ajo duhet ruajtur…”.
Ndërsa tani diçka për të zgjedhurën e re të Alen Delonit. Kur u takuan ajo ishte njëzet e pesë vjeçe, ndërsa ai pesëdhjetë e dy. Rozalinë e solli një shoqe, që merrte pjesë në shfaqjet e estradës me Alen Delonin: në vitin 1987 ai prezantoi në vende të ndryshme të botës diskun e vet, “Si në kinema”.
“Unë e takova atë dhe po aty rashë në dashuri, – tregon Deloni. – Që nga ajo kohë ne s’jemi ndarë. Rozali është një femër e mrekullueshme. Ajo është shumë e bukur dhe në jetën time nuk kam takuar asnjeherë një nënë të tillë të përsosur…”.
Disa vjet para lindjes sëAnnushkës Alen Deloni deklaroi se ai do të largohej nga jeta tamam si Ernest Heminguej, sapo ta ndiente se “bukuria fizike po vyshket” dhe se “forca mashkullore po e tradhton”…”. Gazetarët kureshtarë nuk e harruan këtë thënie dhe kur Alen Deloni mbushi pesëdhjetë vjeç, u interesuan nëse jeta e tij seksuale ishte në rregull dhe ç‘mendonte tani ylli për lirinë seksuale. Alen Deloni iu përgjigj me ironi: “Po ç‘mund të them unë për të, në këtë moshë që jam?…”.
U botuan artikuj që nënkuptonin se Alen Deloni ishte dorëzuar si mashkull, se ai i kishte harxhuar të gjitha forcat e veta. Deloni duke u tallur, i befasoi të tërë me lindjen e Annushkës, ndërsa pas shtatë vjetësh e vërteton forcën e vet të pashtershme mashkullore me lindjen e djalit, të cilin prindërit e lumtur e quajtën Alen Fabie Delon.
Kur Alen Deloni vizitoi kinostudion “Mosfilm”, ku vazhdonin xhirimet e filmit, “Teheran-43”, unë i bëra një pyetje: “A ka rëndësi për ju ajo që mendojnë njerëzit? Ai u përgjigj: “Unë tashmë nuk kam nevojë për mendimin e të tjerëve. Natyrisht, e respektoj atë që më thonë, por tashmë unë e njoh veten dhe punën time kaq mirë, sa që mund ta bëj atë pa kujdesin e tyre të tepruar… Aktori është tamam si një prostitutë, por edhe kjo e fundit mund ta ketë shpirtin të pastër…”.
Kështu, me një sinqeritet të pamëshirshëm Alen Deloni shprehu thelbin e profesionit të vet, që e detyron t’u japë gangsterëve apo romantikëve një pjesë të “Unit” të vet dhe në të kundërtën, për të futur në jetën private peripecitë e fatit ose dëmtimet psiqike të heronjve të vet. Në një mënyrë ose tjetrën ky profesion të detyron “të luash hapur”, duke krijuar imazhin, ose duke fshehur “unin” personal, që të mos e shndërrosh në mall shpirtin tënd, shpirtin e vërtetë.
Më se një herë shumë gjëra të jetës së vet, me konfliktet e saj, me dramat e njerëzve të afërt (pjesërisht tek Romi Shnajder) ai i ka shpjeguar me veçantitë specifike të profesionit, që në një farë mase ia kanë plagosur dhe dërrmuar shpirtin. Madje edhe romanet e tij të shumtë të dashurisë, të zjarrtë apo kalimtarë, të filluar papritur dhe po ashtu të përfunduar, të kujtojnë kalimin nga roli në rol, nga filmi në film.
Veçoria zodiakale e Skorpionit për të gëlltitur vetveten, të zmadhuar nga specifika e profesionit aktorial të Alen Delonit, i ka bërë shumë të vështira dhe të ngatërruara marrëdhëniet reciproke të “Unit” të tij me botën që na rrethon. Prandaj ai tregohet i egër dhe i ashpër, duke u shkaktuar dhembje dhe plagë njerëzve të afërt, por në të njëjtën kohë duke u treguar edhe shpirtmadh, i ngrohtë dhe i përzemërt.
Asnjeherë Alen Deloni nuk e ka fshehur se atij i pëlqen lavdia, se i pëlqejnë të gjitha veçoritë dalluese të madhështisë dhe të pasurisë së vet. Ndoshta sepse fati i tij ka filluar pikërisht nga “zeroja”. Por në tatëpjetën e viteve, pasi rrëmbeu gjithçka që mund të ëndërronte një njeri i zakonshëm, e kuptoi se lumturia më e madhe për të është të vështrojë mëngjeseve buzëqeshjen e vogëlushes…/exlibris.al
Please follow and like us: