FUQIZIMI I FAKTORIT SHQIPTAR NË BALLKAN KALON NËPËR PORTAT E ALEANCAVE EURO-ATLANTIKE
Sjelljet e elitave tona politike nuk mund të prodhojnë qëndrime të drejta e parimore nëse nuk janë të ndërtuara mbi alencat properndimore, pasi që fuqizimi i faktorit shqiptar në Ballkan kalon nëpër portat e aleancave euro-atlantike, një aspirate kjo që duhet të ushqehet për çdo ditë me sjellje, qëndrime e vendimarrje të matura e bashkëpunuese me aleatët tanë perendimor.
Nga prof. dr. Skender ASANI
Kthesat më të mëdha historike kanë ndodhur si rezultat i aleancave që iu kanë parapri betejave ushtarake, kurse fati i popujve është gatuar sipas konstelacionit të forcave që kanë prodhuar aleancat. Për rrjedhojë, edhe pozita e shqiptarëve në kontekste të caktuara historike, u determinua nga pasojat që erdhën si rezultat i aleancave.
Kështu ishte edhe me Betejën e dytë të Kosovës, si një ndër betejat më të njohura të ndodhura në Europën Mesjetare, që u zhvillua në tetor të vitit 1448, e cila prodhoi një realitet të ri në Europë, pas dështimit të aleancës së udhëhequr nga Janosh Huniadi kundër forcave osmane, të udhëhequra nga Sulltan Murati II.
E rëndësishmja e kësaj beteje i ka dy komponente që ndërlidhen me historinë e e popullit tonë. E para, kjo betejë u zhvillua në Kosovë, dhe e dyta – në këtë betejë, ndonëse me vonesë, morën pjesë edhe ushtarët arbërorë të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
Sipas burimeve pendimore dhe osmane, shkaku i vonesës së Skënderbeut duhet kërkuar në dy arsye. Arsyeja e pare lidhet me pengesat e despotit Brankoviç, që ishte aleat i dhëndrit të Murati II, i cili ia kishte mbyllur rrugë kalimet ushtrisë së Skenderbeut me qëllim që ta pamundësojë arritjen me kohë në fushëbetejë.
Asyeja e dytë, lidhet me vlerësimet e gabuara të Huniadit mbi gjendjen në terren, i cili, sipas burimeve të shumta, nuk ka qenë dashur të fillonte betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë.
Sido që të jetë, rezulton që shqiptarët ishin faktor i pashmagshëm i betejave ballkanike e europiane kundër invadimeev të huaja. Dhe me këtë dëshmohet një fakt që ndërlidhet me vet ekzistencën e popullit shqiptar, i cili u përplas me sfidat e shumta identitare si pasojë e të qenit i rreshtuar në ndonjë aelancë, si produkt i konstelacionit të forcave.
Vetëm duke qenë në aleancën e duhur, mund të garantohet edhe prosperiteti i një kombi. Kjo është dëshmuar me shembuj të shumtë gjatë historisë dhe mjafton të përmendim vetëm disa prej tyre.
Epilogu i Luftës së Dytë Botërorore, bie fjala, ishte rrjedhojë e konstelacionit të forcave, ku në fund triumfoi aleanca antifashiste e udhëhequr nga forcat anglo-amerikane të ndihmuara nga ato sovjetike.
Në narrativin historografik sllav ka dominuar përpjekja që shqiptarët të paraqiten në anën e gabuar të aleancave, duke i paraqitur ata si kolaboracionist, për të arsyetuar pastaj reprezaljet dhe gjenocidet mbi ta.
Prandaj, sot kur po e trajtojmë Betejën eDytë të Kosovës të vitit 1448, e kemi parasysh edhe pozicionimin e shqiptarëve në aelancën ballkanike kundër ushtrisë osmane dhe me këtë bien në ujë të gjitha tezat destruktive sllave se shqiptarët kanë mbajtur anën e pushtuesve, siç kishin vepruar vet ata.
Për të qenë edhe më të qartë në pozicionimin e tyre civilizues e identitar, shqiptarët këtë e dëshmuan edhe me luftën e fundit në Kosovë, në vitet 1998/99, me ç’rast për herë të parë në historinë e Aleancës Veri-Atlantike u demonstrua një rreshtim i qartë në favor të shqiptarëve kundër hegjemonisë serbe.
Produkt i këtij pozicionimi të shqiptarëve që solli një aleancë të fuqishme politike dhe ushtarake perendimore në krye me NATO-n dhe SHBA-të, do të jetë edhe shteti i posalindur i Kosovës menjëherë pas përfundimit të luftës së vititi 1999 në Kosovë, e cila solli një realitet të ri gjeopolitik në rajon.
Betejat e rëndësishme ushtarake e diplomatike janë gati të pamundura nëse zhvillohen të izoluara nga një force më e gjerë bashkëpunuese. Prandaj sot bëhen përpjekje të shumta, të hapura dhe diskrete, që të krijohet një realitet i ri gjeopolitik, ku shqiptarët sërish do të liheshin në anën e gabuar të historisë. Por, kjo nuk guxon të ndodhë, sepse shqiptarët edhe kultruralisht edhe gjeografikisht i takojnë civilizimit perëndimor, duke dëshmuar në këtë mënyrë se për ta ‘dielli lind në perendim’ , dhe me këtë edhe fati i shqiptarëve është ngusht i lidhur me proceset integruese auro-atlantike.
Kjo është edhe një arsye më shumë për të këmbëngulur që edhe sjelljet e elitave tona politike nuk mund të prodhojnë qëndrime të drejta e parimore nëse nuk janë të ndërtuara mbi alencat properndimore, pasi që fuqizimi i faktorit shqiptar në Ballkan kalon nëpër portat e aleancave euro-atlantike, një aspirate kjo që duhet të ushqehet për çdo ditë me sjellje, qëndrime e vendimarrje të matura e bashkëpunuese me aleatët tanë perendimor.
(Fjalë e mbajtur në konferencën shkencore: “ Lufta e Dytë e Kosovës (1448 )”.