Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Gomari i vjetër dhe i ri

Rrëfenjë
Na ishin dy gomerë. Gomari i parë ishte i vjetër, e shpina i ishte kërrusur më shumë nga ç’duhej. Gomari tjetër ishte më i ri, i qëndronte gjithmonë përbri gomarit më të vjetër.
Veshët i kishin njëlloj, edhe hundën, edhe buzët. Për nga bishti nuk bënin shumë dallim, e tundnin gati njësoj, veçse bishti i gomarit më të ri tundej më shpesh nga ç’duhej. E kishte zakon, e këtë zakon e ushtronte më së miri.
Gomarit më të vjetër i binte të ngarkohej më pak. I zoti i shtëpisë ia njihte vitet e i vinte keq për të, ndërsa atij më të riut ia vinte ngarkesën herë-herë edhe dyfish, por prapë gomari më i ri nuk hidhte shkelma, duronte se ishte i ri, e pesha edhe se e rëndë nuk e bezdiste.
Dy gomerët flinin në një grazhd. Kashta ishte e bollshme dhe të dy e ndjenin rehatinë. Flinin herë në këmbë e herë shtrirë.
Një mëngjes gomari që ishte më i vjetër në moshë përtonte të ngrihej e të dilte nga grazhdi. Shtriqej e i vinte mirë. Gomari tjetër e prekte lehtë te hunda. E grishte të ngrihej, por ai e hiqte kokën mënjanë si ti thoshte: “më ler rehat!”
Te dera u duk i zoti i shtëpisë, e kur e vuri re të shtrirë u merakos. Iu afrua dhe e kontrolloi, por kur e pa që gjithçka ishte në rregull nuk e ngacmoi më. Tërhoqi për kapistalli gomarin më të ri, doli nga grazhdi, mbylli derën me kujdes dhe u bë gati për punë.
Erdhi mbrëmja. Tagjia u nda për të dy njëlloj. Gomerët filluan të hanin të uritur. Për çudi, oreksi i gomerëve ishte njëlloj, edhe se ndryshonin në moshë. Pasi hëngrën e u ngopën, fjetën si gjithnjë pranë njeri-tjetrit, njëri shtrirë e tjetri në këmbë.
Erdhi përsëri mëngjesi. Gomari më i vjetër në moshë përsëri nuk u ngrit. Më i riu iu afrua dhe e nduku me kokë në brinjë të çohej, por gomari i vjetër ktheu kokën nga ana tjetër si t’i thoshte: “më ler rehat se e di vetë ç’bëj!”
Te dera e grazhdit u duk i zoti i shtëpisë, e tek e pa përsëri të shtrirë u merakos. Diçka ka, tha me vete. Nxorri gomarin tjetër dhe e nisi me të birin për punë. I merakosur u nis drejt shtëpisë së një të afërmi të tij t’i qante hallin. E gjeti në oborr. Ia shpjegoi hallin që kishte dhe u nisën të dy drejt grazhdit ku qëndronte shtrirë gomari.
U futën brenda dhe iu afruan. Gomari i vështroi të dy. Fshatari i vuri dorën mbi shpinë. Shpina e gomarit u drodh. E preku tek qafa. Qafa e gomarit u drodh lehtë. E preku ngadalë te këmba. E njëjta dridhje si më parë. E preku tek koka. Gomari në atë kohë pëlliti dhe u ngrit në këmbë. Fshatari e vështronte pa ia ndarë sytë lëvizjeve të tij. Gomari eci pak dhe iu afrua tagjisë. Filloi të hante pa u merakosur për dy vizitorët. Ata e vështronin dhe nuk ia ndanin sytë. Fshatari nuk fliste, nuk fliste as i zoti i shtëpisë.
Pasi hëngri mirë e mirë, gomari u rrotullua rreth grazhdit dhe u shtri përsëri në vendin e tij. Dy burrat iu afruan dhe nuk ia ndanin sytë. Pllakosi heshtja. Vetëm vështrimet flisnin pa zhurmë. Papritur, gomari ia dha një të pëlliture me sa fuqi që kishte. Dy burrat u tërhoqën mbrapa sikur t’u kishte rënë rrufeja. Gomari nuk pushonte. Pëllit e pëllit, sa të dy burrat dolën nga grazhdi dhe qëndruan në oborr.
Hë, – i foli i zoti i shtëpisë, – si të duket?
Nga e pëllitura është mirë, edhe nga oreksi mirë më duket!
Po nga fuqia? – e pyeti i zoti i shtëpisë.
Eh, fuqinë ia ka marrë mosha! – ia ktheu fshatari.
Domethënë… ta mbaj vetëm për të ngrënë e për të pirë?
Ashtu duket! Po nuk ka gojë i shkreti ndaj pëllet, që ta dëgjosh kur flet!
Prandaj pëlliti aq shumë? Kujtoi se nuk e dëgjova mirë?
Hyri brenda në grazhd, dhe e nduku gomarin me bishtin e lopatës nga pas. Gomari nuk luante nga vendi. Filloi ta ndukte më me forcë, aq sa gomari ndjeu dhimbje dhe u ngrit vrik nga vendi. I zoti i shtëpisë e nxiti të dilte jashtë në oborr.
Tani pëllit, – i tha, – ma thuaj edhe njëherë atë që kishe për të thënë!
Por gomari nuk pipëtinte .
Fol pra!
Ai hiç. Fshatari i solli ujë të pinte. Gomari piu sa u ngi. Ngriti kokën dhe filloi të pëlliste me sa fuqi që kishte.
E shikon? – i tha fshatari të zotit të shtëpisë.
Çfarë thotë?
Thotë që është mirë, por nuk do të punojë!
I zoti i shtëpisë iu afrua. Gomari pëlliste e nuk kishte ndërmend të pushonte, por i zoti i shtëpisë filloi t’ia fërkonte kokën ëmbël-ëmbël.
O gomari im! – i foli, (edhe se e pëllitura nuk e linte t’i dëgjoheshin fjalët), – Përse po pëllet kaq shumë? Kur ishe i ri pëllisje më pak e punoje më shumë! Tani pëllet shumë e punon pak!
Gomari tundi kokën nja dy herë dhe filloi përsëri të pëlliste. Ndërkohë, fshatari iu afrua me një tufë bar në duar. Ai uli kokën, i mori erë dhe filloi të hante me uri.
E shikon? – tha fshatari, – I bën mirë tagjia.
E ç’domethënë kjo?
Që i pëlqen ushqimi, por nuk i pëlqen puna!
Po mirë, t’i ngarkojmë ca dru e të shohim si do sillet!
I zoti i shtëpisë mori një ngarkesë me dru dhe ia vuri mbi shpinë. Gomari filloi të pëlliste përsëri.
Po tani? – e pyeti fshatarin.
Tani gomari yt po ankohet.
Prandaj po pëllet?
Po kur nuk e kupton ti gomarin tënd, nga ta kuptoj unë o miku im?
Domethënë…
Domethënë, kur gomari fillon e plaket, di vetëm të pëllasë e jo të ngarkohet!
Eh, – foli i zoti i shtëpisë, – qenka e vështirë ta kuptosh gomarin në këtë moshë! Sa ishte i ri nuk pëlliste kaq shumë, ulte kokën e punonte, kurse tani ha e pi, rri gjithë ditën shtrirë dhe pëllet sa e dëgjon i gjithë fshati.
Mosha e gomarit matet me drutë! Sa më pak të mbajë, aq më i vjetër është! – i foli fshatari, – Ndaj duroje, se edhe ai të ka duruar gjithë jetën i shkreti! Miku im, ne jemi njerëz e jo gomerë, por gjuhën e moshës nuk është e vështirë ta kuptojmë. Gomari pëllet se nuk ka fuqi të punojë, por ka fuqi të flasë! Duroja huqet e moshës, siç të ka duruar edhe ai ty kur e ke ngarkuar e mbingarkuar e nuk të është ankuar, por vetëm të është bindur dhe ka punuar! Njeriu njihet për nga dashuria. Dashuria nuk e dallon as njeriun dhe as kafshën, edhe mosha e pleqërisë, vjen si për njeriun ashtu edhe për kafshën, por dallimi është i madh, duhet të duhemi e jo të shfrytëzohemi! Kafsha tërhiqet për kapistalli e jo njeriu! Por tani është dashuria ajo që po të thotë, që ta duash kafshën tënde, se të ka shërbyer pa u lodhur dhe pa u ankuar, edhe se është gomar me shpinë të kërrusur!
Gjithçka që na rrethon është mësim dhe dije. Dija nuk fshihet, por shfaqet vazhdimisht me madhështinë e saj kudo dhe në gjithçka, por mendja e njeriut herë fle dhe herë qëndron zgjuar, ndaj edhe gomari pëllet, që mendja e të zotit të shtëpisë të kuptojë, se dashuria është bashkëudhëtare me të gjitha format në jetën e njeriut!
21 gusht 2024.
Please follow and like us: