Fan Noli në Sevaster, Vlorë, 1921
Rafaela Prifti
Vizioni i Fan Nolit, i frymëzuar nga idealet demokratike, ishte sprovuar gjatë më shumë se një dekade në rrafshin politik, diplomatik e kulturor për një Shqipëri të pavarur në Amerikë përpara se ai të dërgohej nga Vatra si deputet në Parlamentin Shqiptar. Vitet 1921-1924 kur Noli ishte në Shqipëri janë pjesë e një kapitull plot suksese që pasohen nga zhgënjime dhe disfata, të cilat në masë të madhe rrjedhin nga konflikti i ideve të tij me realitetin dhe botëkuptimin shqiptar të kohës. Ky është konteksti këndgjerë i qëndrimit të tij në Shqipëri. Për kuadrin kohor të një prej episodet e rrëfyera për Nolin në Vlorë, studiuesit shqiptarë kanë konfirmuar se më 6 dhjetor 1921, Fan Noli, i ftuar nga besimtarët ortodoksë të qytetit të Korçës, u nis nga Vlora, i shoqëruar nga Llambi Bimbli, i cili, kishte shkuar për ta marrë, në krye të një komisioni. Gjatë rrugës, Noli u ndal në Tepelenë, Këlcyrë, Përmet, Leskovik, Shalës, Borovë, Ersekë, Floq dhe fshatra të tjerë.
Episodi i rrëfyer nga profesor Bardhosh Gaçe flet si për natyrën dhe karakterin e vendasve lebër ashtu edhe për vendin e veçantë që ka Noli në kujtesën dhe historinë e Labërisë.
Në vitin 1921 Fan Noli dhe deputetët nga Gjirokastra Stavro Vinjau dhe Petro Harito udhëtonin me një automjet për disa takime në Tepelenë dhe Gjirokastër. Mirëpo, automobili i tyre pëson një avari aty tek rrapi në Sevastar dhe ata nuk mund të shkonin më tej. Deputeti thotë se në ato anë banon një mik i tij, kryeredaktor i gazetës Bujku, Gani Aliko. Pyesin për shtëpinë e tij dhe i nisin fjalë me një korrier, i cili gjen rrugës të atin e Ganisë, Ahmet Alikon. Ai i tregon se udhëtarët kanë mbetur në rrugë, dhe se njëri prej tyre është uratë. Ahmeti zbret poshtë lumit në Shkozë dhe merr një dash që e pret për nder të mysafirëve. Noli i shikon që hyjnë e dalin duke u kujdesur për të ngrënat dhe iu kërkon një biçak. Ai del në kopshin e shtëpisë plot me lakra të egra dhe e mbush një ‘strajse”. Me torbën në dorë, kthehet në shtëpi dhe thotë: Unë dua një byrek. Amvisat e bëjnë byrekun me lakra të egra dhe e shtrojnë tavolinën bashkë me mishin e pjekur. Për t’i bërë nder, Nolit i vunë përpara bishtin e dashit, por ai u tha: “Unë jam vegjetarian, nuk ha mish.” Me ta dëgjuar këtë, xha Ahmeti tha: “Miq si ky, m’i bini të rrinë këtu një vit! Pastaj, siç e kishte zakon, Noli ju foli për dobitë e dietës vegjetariane, ndërsa të ftuarit shijonin mishin e pjekur të dashit.
Këtë episod e rrëfen Profesori Bardhosh Gaçe, personalitet i shkencave humane, Drejtuesi i Qendrës së Studimeve Albanologjike e Ballkanike në Universitetin e Vlorës, autor dhe studiues shkencor që nga viti 1990 e në vazhdim. Përveç njohurive dhe kujtesës së hatashme, ai ka një gojëtari të rrallë. Duke kaluar në Sevastar, motra ime, Julika dhe unë e dëgjuam ngjarjen nga profesori dhe miku i babait tonë me shumë ëndje. Kur na u duk se historia kishte përfunduar, Profesor Gaçe thotë një detaj tjetër që vjen gati pesëdhjetë vjet pas ardhjes së parë të Nolit në Sevaster. Profesori shkoi në shtëpinë e xha Ahmetit për vizitë dhe aty gjeti në mur fotografinë e Fan Nolit! Ishte viti 1978, koha kur shumë familje shqiptare mbanin në orenditë e shtëpive portrete të drejtuesve komunistë dhe jo foton e një prifti që kishte tentuar të sillte revolucionin demokratik në Shqipërinë e viteve ‘20.