Një shkrim në vend të një buqete me lule në ditën e rënies
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Ata ranë për Atdhe! Ishte ky misioni që kishin marrë përsipër që kur dolën në aksionet e njësiteve guerrile, por dhe malit partizan. Ishin të rinj dhe me një botë të madhe në zemër, për lirinë e vendit. Ata i morën përsipër rreziqet dhe u betuan për rrugën që kishin nisur. Me këtë betim morën pjesë dhe në aksionin e organizuar nga komanda ushtarake kundër veprimtarisë së Xhepit, e cila ishte bërë shqetësuese në qarkun e Vlorës.
Luftëtari i aksioneve
Shyqyri Murat Alimerko, ka lindur në Tragjas në vitin 1923. Pasi mbaroi shkollën në Tragjas, vijoi shkollën Tregtare në Vlorë, ku ra në kontak me lëvizjen dhe filloi luftë kundër fashizmit. U aktivizua me lëvizjen me të gjitha energjitë e një të riu, që kërkon të bëjë sa më shumë për Atdheun e robëruar. Ishte trim dhe i aksionit. Mori pjesë aktivisht në demonstratat antifashiste Ai sipas burimeve zyrtare të kohës, ka kryer disa aksione me njësitin guerril të Vlorës. Aksioni që e bëri të dëgjuar ishte më 21 gusht 1941, kur dogji depot e municionene italiane në Radhimë, si dhe në aksione të tjera në qarkun e Vlorës (1942-1943). Më 4 dhjetor 1942 ishte partizan në Çetën “Plakë”, partizan në çetën “Hodo Zeqiri” në qershor 1943 dhe në formacione të tjera luftarake, ku e ngarkonte Qarkori i Partisë së Vlorës. U pranua anëtar i PKSH më 17 janar 1943.
Njësiti luftarak i ngarkuar nga komanda partizane e zonës ju vu detyrë për eleminimin e fraksionit të Partisë në qarkun e Vlorës të drejtuar nga Sadik Premte. Njësiti disa herë u vu në lëvizje, por kontakti me fraksionistët ndodhi më 27 gusht 1943, midis Lepenicës dhe Gjormit. Aty në përpjekje të pabarbartë, ranë në fushën e luftës Sadiku Zotaj dhe Shyqyri Alimerko. Më datë 28 gusht 1943 Shyqyri Alimerko u varros në Tragjas me nderime partizane.
Nëna e tij, Aishe qëndroi e fortë si burrë dhe ju përkushtua luftës për çlirimin e vendit. Ajo jetoi dhe pas çlirimit të vendit e rrethuar me kujdesin dhe dashurinë e shokëve të djalit të saj, Shyqyriut. Ndërsa poeti popullor ka përcjellë deri tek ne vajtimin e Aishesë: …Shyqo gjarpri me pika,/ i vetmi i nënës,/ nuk më harrohet dita,/ për në çetë kur të nisa,/ të vesha dhe të stolisa,/ armë e bombë të ormisa…
Dëshmori Shyqyri Alimerko është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljet e “Kujtimit”, të “Çlirimit”, të “Trimërisë”, si dhe me titullin e lartë “Hero i Popullit” në vitin 1969. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë. Rrugë dhe shkolla në Vlorë mbajnë emrin e tij. Varri i tij gjendet në vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë. Labitari i ngritur në Lepenicë të Vlorës në vitin 1969, është prishur në vitin 1992, si dhe lapidari në Radhimë.
Është shkruar në librin “Yje të Pashuar” vëll. I, Heronj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në gazetat “Bashkimi”, “Zëri i Vlorës”, “Kushtrim Brezash”, “Labëria” dhe në revistën “Pavdekësia”, etj.
Partizani i çetës “Zigur Lelo”
Sadik Zoto Zotaj lindi në 10 maj 1921 në Ramicë. Kreu shkollën fillore në vendlindje, Plotore në Vlorë dhe u rregjistrua për të filluar shkollën tregtare në Vlorë. U përfshi me Lëvizjen në fillimin e vitit 1941. Mori pjesë në mjaft aksione të njësitit gueril në qytetin e Vlorës, në Ramicë, në Jonufër, në Gjorm, etj. Ishte ndër pesë anëtarët e celulës së PKSH-së për Smokthinën, partizan i çetës “Zigur Lelo”, më 5 qershor 1943, luftëtar në batalionin partizan “Halim Xhelo”. Ra në fushën luftës më 27.08.1943 së bashku me Shyqyri Alimerko (Hero i Popullit) midis fshatrave Gjorm e Lepenicë në luftime kundër forcave të “fraksionit të Xhepit”. Më datë 28 gusht 1943 Sadik Zotaj u varros në Ramicë me nderime partizane, ku foli Ali Demi (Hero i Popullit).
Nëna e tij, Safie qëndroi e fortë dhe shtëpinë e kthyen në bazë për luftën për çlirimin e vendit. Nëna e tij jetoi dhe pas çlirimit të vendit, ajo pa sip o realizoheshin amanetet e dëshmorëve për një Shqipëri të lulëzuar. Kudo sa jetoi u rrethua me kujdesin dhe dashurinë e shokëve të djalit të saj, të rënë dëshmor, Sadikut. Poeti popullor ka përcjellë deri tek ne vajtimin e nënë Safies: …Të premten në pasdrekë, e zeza djalo, / dëgjova disa dyfeq,/ dhe ca bomba në të rrallë, dhe për pak erdhnë e më thanë,/ bien Sadikun të vrarë, / Ali Demi mbajti fjalë…
Dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljet e “Kujtimit”, të “Çlirimit” dhe të “Trimërisë”. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë, si dhe me vendim të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, nr. 10, datë 20.05.2003.
Shkolla e Ramicës mban emrin e tij, si dhe një rrugë në Vlorë. Është shkruar monografia “Dreri i Bukur i Ramicës”, viti 2003. Varri i tij gjendet në vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë në P III Q, rreshti 3, nr. 8. Labitari i ngritur në Lepenicë të Vlorës në vitin 1969, është prishur në vitin 1992.
Është shkruar në librin “Yje të Pashuar” vëll. IV, Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar, vëll. I, në gazetat “Bashkimi”, “Zëri i Vlorës”, “Kushtrim Brezash”, “Labëria” dhe në revistën “Pavdekësia”.
“Dreri i bukur i Ramicës” është një mografi që i kushtohet jetës dhe veprës së dëshmorit Sadik Zotaj. Në libër përshkruhet jetën dhe vepra e Sadikut në rënie në fushën e luftës, njoftime dhe shkrime në shtypin e kohës, kujtime nga pjesëmarrës në luftë dhe këngë dhe vajtime.