Luan Rama: James Joyce – udhëtimi i Uliksit
Para disa vitesh kisha gjetur një tekst të shkruar nga Valery Larbaud mbi Shqipërinë, botuar në një vëllim shkrimesh e korrespondencash nga ‘Gallimard’. Ishte titulluar në italisht Una setimana albanese, edhe pse shkrimi ishte në frëngjisht. Fjalët e mrekullueshme për Shqipërinë që kishte vizituar në vitin 1923, më nxitën të njihesha edhe më gjerë me këtë figurë të cilën e bëra të njohur në Shqipëri. Në vitet ’30 ai ishte një nga personalitetet më të njohura të letërsisë franceze e njëkohësisht përkthyes i disa kryeveprave të letërsisë evropiane dhe amerikane, por më interesanti ishte përkthimi i tekstit në anglisht të James Joyce. Joyce atë kohë jetonte në Paris dhe përkthimi i kapitujve të parë të këtij libri voluminoz u bë bazë e një miqësie që do të vazhdonte me vite. Kapitujt e ndryshëm të Uliksit të botuar në anglisht gjatë viteve 1918-1920 në Little Review, në Amerikë, e kishin entusiazmuar dhe më së fundi libri u botua nga Sylvia Beach e librarisë amerikane “Shakespeare and Company”. Ishte Larbaud ai që do ta drejtonte mbrëmjen e botimit të librit të Joyce. Shkrimtari irlandez i kishte kërkuar që ta përkthente Uliksin në frëngjisht dhe ai kishte filluar menjëherë nga përkthimi edhe pse ishte një tekst voluminoz për çka do të duhej të angazhohej dhe dikush tjetër. Larbaud tërhiqej shpesh në shtëpinë e tij në Vichy ku ishte i qetë për të shkruar dhe përkthyer, larg jetës së zhurmshme parisiane. Kështu në vitin 1922, ai e ftoi Joyce dhe gruan e tij Nora bashkë me vajzën e tyre të banonin në apartamentin e tij në 71, bis Rue Cardinal Lemoine ku pastaj do të vinte të strehohej dhe Hemngway, pothuajse përballë në numri 74, Rue Cardinal Lemoine. Pikërisht në këtë apartament Joyce përfundoi kryeveprën e tij Uliksi.
Apartamenti në atë rrugicë pa krye dhe të gjelbëruar ishte një apartament i thjeshtë ku sapo dilje ndeshje plot kalimtarë dhe ku Joyce frekuentonte kafenetë aty pranë, dy hapa nga Place Contrescarpe. Një ditë, duke fotografuar hyrjen e këtij apartamenti, imagjinova një çast gëzimin e shkrimtarit irlandez kur i dha fund romanit. Të gjithë e prisnin dhe në veçanti miqtë e tij. Çdo ditë ai dilte të pinte kafenë e mëgjesit ku takonte shkrimtarë dhe miq amerikanë e anglezë, të cilët ishin të shumtë në Paris. Larbaud e kujtonte gjithnjë atë ditë, kur para se të ikte nga libraria e Sylvia Beach, ajo i kishte dhënë për të lexuar disa kapituj të Uliksit në Little Review. Në mbrëmje, që ta zinte gjumi, Larbaud e kishte zakon të merrte diçka për të lexuar dhe atë natë kishte marrë një nga numrat e Little Review. “Duke menduar se shpejt do të flija, unë pata një suprizë të këndshme. Kur mbarova kapitujt, pikasa se kishte zbardhur dita… Adhurimi im për të ishte i tillë saqë mendova se nga gjithë bashkëkohësit e tij vetëm ai do të mbetej i gjithkohshëm”.
Joyce kishte mbërritur për herë të parë në Paris në vitin 1902. Atë kohë ai donte të studjonte për mjekësi ndërkohë që shkruante dhe i pëlqente kritika letrare dhe bota e teatrit e muzika. Që kur erdhi në Paris ai u vendos në Grand Hotel Corneille, në Rue de Corneille të Quartier Latin dhe nisi të japë mësime të anglishtes që të mund të paguante hotelin dhe të ushqehej, edhe pse familja do t’i dërgonte vazhdimisht para. Sidoqoftë, në Paris ai do të ishte një letrar i varfër. Për më tepër poeti i ri ishte gjysmë i verbër, pasi në syrin e majtë e kishte humbur shikimin. Nga letrat e para të Parisit mësojmë se ai e kishte marrë kartën e regjistrimit për kurset e kimisë, biologjisë dhe fizikës. Më 21 janar të vitit 1903, ai i shkruan të atit se është caktuar si redaktor i revistës mbi botën letrare dhe kronikat mbi teatrin. Nënës së tij i shkruante: “Këpucët po më lenë dhe kopsat e pantallonave po bien njëra pas tjetrës por lumturisht kam dy gjilpëra që mund t’i mbaj. Nganjëherë ha një herë në ditë; një patate të pjekur dhe bukë. Kam një uri të tmerrshme. Sot zbrita bulevardin Saint Michel duke kënduar i qeshur dhe pa asnjë hall, meqë po shkoja të haja darkë për herë të parë pas tre ditësh… Kur do më paguajnë, do arrij të bëj dhe një dush. Çdo ditë studioj në Bibliotekën Kombëtare dhe mbrëmjeve vazhdoj të studioj në Bibliotekën e Saint-Genèvieve. Shpesh shkoj të ndjek meshën e mesditës në katedralen e Notre-Dame ose në kishën e Saint l’Auxerrois. Meqë nuk kam para nuk shkoj as në teatër dhe nuk mund të blej libra. Vëllimi me poezi do më botohet më 1907 dhe pesë vjet më vonë komedia ime e parë, ndërkohë që libri Estetika do botohet po pas pesë vjetësh…”.
Joyce dhe Adrienne Monnier
—–
Letrat e Joyce dërguar nënës dhe atit të tij tregojnë gjendjen e mjerueshme të shkrimtarit të ri por me një vullnet të jashtëzakonshëm, edhe pse siç shkruan ai, “brenda 60 orëve kam ngrënë veçse dy herë”. Në një tjetër letër ai shkruan se “kam blerë një pjatë, një lugë, një pirun, një ngrohëse në kuzhinë, një tas si dhe kripë e sheqer…” Ç’varfëri për njeriun që do të shkruante më pas Uliksin, i cili në vitin 1998 do të vihej në rend të parë të 100 romaneve më të mira në botë nga Modern Library.
E megjithatë ai shkruante. Për herë të dytë ai do të vinte në Paris me Nora-n, gruan e tij të re, duke udhëtuar nga Trieste drejt Parisit. Përsëri në qytetin e tij të dashur, në ato rrugë e sheshe që i ngjallnin plot kujtime. Tani nuk ishte më i varfër. Pas disa qëndrimeve në hotele të ndryshme, ai u vendos në 5, Rue de l’Assomption në lagjen Passy, një lagje mjaft «shik» e Parisit. Atë kohë ai ankohej shpesh meqë zhurmat, fëmijët, mjedisi përreth gjithë zhurmë e pengonin të punonte. Shpresonte shumë në shkrimin e romanit Uliksi, që e konsideronte si veprën madhore të tij. Uliksi kishte në fakt një fillesë të bukur. Kur ishte djalosh 12 vjeçar dhe ishte në kolegj, profesori i tij e kishte pyetur gjatë mësimit:
– Cili është heroi yt i parapëlqyer?
Dhe Joyce ishte përgjigjur:
– Uliksi!…
Por profesori kishte shtuar:
– Uliksi nuk është një hero!…
Megjithatë djaloshi kishte ngulur këmbë. Ai tashmë e kishte gjetur thelbin e jetës së tij.
Pikërisht në këtë periudhë parisiane ai u njoh me Marcel Proust, i cili në vitet ’10 -’20 ishte një nga figurat e parapëlqyera letrare. «Proust, – kujtonte Joyce, – më fliste më shumë për miket e tij dukesha, ndërkohë që mua më interesonin shërbyeset e tyre». Ishte Ezra Pound që do ta ndihmonte nga afër sapo ata u njohën në Paris. Pound do ta prezantonte me shumë nga autorët francezë si, Paul Morand, Jean Cocteau, etj., me të cilët kishte miqësi si dhe me komunitetin letrar anglo-sakson që jetonte e krijonte në Paris. Madje ai e ndihmoi konkretisht që kapituj të Uliksit të botoheshin në Little Review. Ai e çmonte shumë artin e Joyce. Duke rikujtuar letërsinë e Gustave Flaubert, Pound shkruante: “Aty ku e la Flaubert e nisi Joyce…” Vetëm gjatë viteve 1921-1922, Joyce-it do t’i duhej të ndërronte herë pas here apartamentet, herë në një hotel e herë me qera por kjo, veç telasheve të mëdha për një krijues, e bëri ta njohë mirë gjeografinë e Parisit dhe historinë e këtij qyteti. Me kthimin e Larbaud nga shtëpia e tij në Vichy, iu desh të kërkonte një apartament dhe kështu itineraret e tij janë të shumta këto vite, nga Rue de l’Université në Avenue Charles Floquet, nga Rue Blasie-Desgoffe në Square Robiac, nga Rue du François I në Avenue Saint-Philibert dhe ky shtegtim nuk ndalet. Vetëm në vitin 1933, Joyce mori lajmin e lumtur se censura amerikane ishte hequr mbi romanin e tij. Gjykata e New York deklaronte më së fundi se në romanin Uliksi nuk kishte skena pornografike, siç padiste kohë më parë “New York Society for the Supression of Vice”. Një këmbëngulje e gjatë e Joyce derisa arriti të fitojë. Më së fundi, lexuesi do kishte mundësinë të lexonte edhe skenat e kapitujve Lestrygons, Cyclope dhe Nausica. për të cilat ishte ndaluar. Në tregimin Nausica-s, ishte thjesht një skenë që përfundonte me orgazmën e zotit Bloom që masturbohej.
Prej vitesh e kisha patur në shtëpi botimin në frëngjisht të Uliksit, një libër voluminoz që disa herë isha përjekur ta lexoja dhe vazhdimisht moria e situatave, përshkrimet, digresionet, personazhet e shumtë, më kishin bërë ta lija librin për ta filluar njëherë tjetër. Më në fund arrita ta përfundoja dhe vetëm atëherë zbulova se ishte ndër të parët romane moderne të shekullit XX, një roman novator dhe unik në formën e tij, çka kthimin e dy personazheve kryesorë në Itakën e tyre, në shtëpi, Leopold Bloom (Uliksi) dhe Stephen Dedalus (Telemak) në dekorin e Dublinit të fillimit të shekullit XX, e shoqëronte me përshkrimet e epopesë homerike (ku nuk mungon as Hamleti, mes personazheve të tjerë të rëndësishëm), si dhe diskutime e refleksione mbi fenë, artin, seksin, në një botë ku personazhet janë të ngërthyer nga refleksionet për jetën dhe vdekjen. Tetëmbëdhjetë kapituj që zhvillohen brenda një hapësire kohore njëditore dhe pikërisht nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 3 pasdite të datës 16 qershor të vitit 1904, çka i jepte romanit një frymë të re në letërsinë botërore të asaj kohe.
Admirueset më të mëdha të Joyce ishin Sylvia Beach e “Shakespeare and Company” si dhe e dashura e saj Adrianne Monnier, e cila kishte hapur po ashtu një librari e quajtur, Shtëpia e miqve të Librit në Rue de l’Odeon. Monnier do të botonte në vitin 1926 versionin frëngjisht të Uliksit. Ishin ato që e rrethonin me dashuri, që e prisnin, e shoqëronin, kujdeseshin për të dhe veprën e tij, i jepnin të lexonte botimet e reja të sapodala në Amerikë apo në Angli. Në “Shakespeare and Company” Joyce gjente një shtëpi të dytë, në këtë rast shtëpinë e artit dhe të letërsisë.
Irlandezi tjetër, Samuel Beckett e adhuronte bashkëpatriotin e tij dhe mjeshtrin e madh Joyce por dhe Joyce e pëlqente këtë djalosh të ri plot energji. Vizitat e Beckett u bënë gjithnjë e më të shpeshta në shtëpinë e tij. Madje Joyce i kërkoi ta ndihmonte në disa kërkime letrare dhe citime të autorëve të ndryshëm, të cilat donte t’i vendoste në librin që po shkruante Working in progress. «Ishte një rrugicë e vogël në Rue de Grenelle, – do të kujtonte më vonë Beckett, – e cila nga Quartier Latin shkonte drejt Avenue Bosquet.» Beckett shkonte çdo të djelë paradite në shtëpinë e Joyce dhe pastaj dilnin bashkë duke shëtitur buzë Senës, gjatë bregut, deri në urën e Bir Hakeim. Shkëmbenin mendime mbi letërsinë, filozofinë, artin… “Isha i devotshëm dhe ai më donte. Tashmë nuk më thoshte më Monsieur. Asnjëherë nuk më thirri Sam, por Beckett. Kur priste miqtë në shtëpi ulej në piano dhe këndonte me një zë tenori…” Në fakt Joyce pëlqente shumë muzikën e veçanërisht atë të kompozitorëve Wagner por dhe Rossini, Meyerbeer, Verdi.
Në qershor të vitit 1928, ai ishte ftuar për darkë nga Andre Chamson, një darkë ku ishte ftuar dhe shkrimtari Scott Fitzgerald me të shoqen, Zelda. Scot e adhuronte Joyce dhe atë mbrëmje ashtu entusiazt siç ishte, ai e cilësonte shkrimtarin irlandez “Shën Joyce” duke i dhuruar librin e tij Gatsby i mrekullueshëm, duke vizatuar tavolinën me dy damat si dhe ai në gjunjë para Joyce. Shkrimi në këto vite për Joyce u bë gjithnjë e më i vështirë. Pas shumë operacionesh në sy, leximi apo shkrimi ishte për të një ushtrim i mundimshëm. Madje dhe letrën duhej ta mbante vetëm në një pozicion që të mund të lexonte.
Në vitet 1939-1940, jeta e Joyce u rëndua nga sëmundjet e tij si dhe gjendja klinike e vajzës Lucie, e cila kalonte sa nga një klinikë psikike në tjetrën. Me ardhjen e ushtrisë së Wermaht-it në Paris, si shumë intelektualë të tjerë dhe ai, me gruan dhe djalin e tij Giorgio, zbriti në Vichy ku u strehua në Hotel de Beaujolais. Pikërisht në këtë kohë vjen dhe Beckett me të shoqen Suzanne, të cilët janë pa asnjë dysh në xhep. Është koha e eksodit të madh. Edhe ata kërkonin të largoheshin nga Franca. Gjatë dy muajve, dy miqtë e vjetër jetonin të shqetësuar lidhur me fatin e tyre dhe gjendjen e tmerrshme para së cilës ndodhej bota e qytetëruar. Edhe pse Joyce nuk ishte përzier më parë në fushatat antinaziste, tashmë e kuptonte se nazizmi ishte e keqja absolute e kësaj bote.
Padyshim që rreth veprës së Joyce shumë kritikë kanë mendime të ndryshme. Disa nuk e pëlqejnë, të tjerë thonë se nuk arrijnë ta lexojnë deri në fund. Interessant është gjykimi i Richard Ellman i cili shkruante: “Joyce ka gjëra interesante në veprën e tij. Njerëzit e duan sepse është i pakuptueshëm dhe çdonjëri gjen diçka që e kupton.” Tek shkruaj për Joyce mendoj përsëri për dy irlandezët e mëdhenj, Joyce dhe Beckett, të cilët e lanë Irlandën dhe nuk u kthyen më në Itakën e tyre, një parabolë kjo e thelbit të krijimtarisë letrare të Joyce. Ishte një fat i bukur për ta, ku përmes krijimit ata u kthyen në letrarë dhe qytetarë të botës. Kështu kishte ndodhur me Ezra Pound. Kështu ndodhte në fakt me artistët e mëdhenj, thua se një urdhër hyjnor ishte shkruar që ata ta njësonin Itakën e tyre me vetë botën. Specialisti francez i Joyce, Louis Gillet, i cili e takonte shpesh në Paris, pohonte se “Joyce ka shkruar në fakt vetëm një vepër, në etapa të ndryshme të jetës së tij. Nga Dubliners (Njerëz nga Dublini) e deri tek Uliksi, është e njëjta temë: Dublini, vendlindja e tij, e cila është dhe kuadri i mendimit dhe i krijimit të tij. Që prej 30 vitesh, nga Trieste në Romë, Zurih dhe Paris ai shikonte veç spektaklin e vetvetes, atë të vendlindjes, botën e vogël të adoleshencës së tij…”.
Po, Joyce mbeti gjithnjë në mërgim, një “outsider”.
Please follow and like us: