Fjalimi i rrallë i Hasan Tahsinit në çeljen e Universitetit të Stambollit
Arben Iliazi
Në shtator të vitit 1869, korifeu i Dijeve, Kryerilindasi Shqiptar, Hoxhë Hasan Tahsini, u emërua si Rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Me këtë rast ai mbajti një fjalim të shkurtër në çeljen e universitetit të parë osman në Stamboll, fjalim ky i panjohur deri më sot.
I vetmi informacion në lidhje me inagurimin e universitetit osman kanë qenë disa rreshta nga shkrimtari dhe diplomati Mehdi Frashëri, në gazetën Minerva (Nr.23-24) viti 1934. Mehdi Frashëri, funksionar i lartë në admistratën e Perandorisë Osmane, ministër në kohën e Mbretërisë dhe për pak kohë kryeministër, shkruan: “Hoxha Tahsini, si shënjë hoxhe ka pasur vetëm sarëkun dhe xhybenë, por nga diturija dhe mentaliteti ka qënë me gjithë kuptimin e fjalës një dijetar i vërtetë edhe një filosof i shekullit ku jetonte. Sidomos ndjenjat kombëtare të tij dhe marrja pjesë në lëvizjen kombtare që u çfaq piksëpari në Stamboll pas luftës Ruso-Turke (1877-1878), jetëshkrimit të tij i japin një rëndësi të posaçme për edukimin e brezit të ri. Në një artikull, botuar në një të përkohshme të Stambollit, të quajtur «Haftallěk Risale», Shemsedin Sami Beu, e kujtonte fjalimin e Hoxha Tahsinit si një fjalim programatik që dëshmonte për dijenitë e gjera dhe shquhej për rrjedhshmëri mendimi”. (Sami Frashëri ‘Revista Haftallěk, Hoxha Tahsin’ Stamboll 1881, Nr 5-6).
“Shemsedin Sami Frashëri më pati thënë se ditën e çeljes së universitetit Hoxha Tahsini, me pamjen e vet madhështore që e dallonte, doli në tribunë përballë një ushtrie nxënësish dhe me një gojtari të pashembullt deri asokohe në Stamboll, mbajti një fjalim të nxehtë me dijeni të gjera, duke përcaktuar kështu boshtin ideo-shkencor dhe ideo-politik të asaj qendre të madhe kulturore. Në fjalimin e tij ai vuri në dukje se shkaku i prapambetjes së theksuar të popujve islamike ishte mungesa e kulturës moderne.” Ishte një fjalim “i pashembullt”– shkruan Mehdi Frashëri.
Në lidhje me ceremoninë e inagurimit të Universitetit, në një nga Enciklopeditë e fundit turke, (Turk Ansiklopedisi, ‘Darulfunun’, vol.12 Ankara 1964, faqe 320-322) lexojmë: “U bë një ceremoni madhështore ku morën pjesë mijëra vetë, kryesisht studentë të medreseve të Stambollit. Gjithashtu edhe personalitetet më të larta qeveritare si kryeministri, ministri i arsimit, personalitete të ndryshme të kulturës, gazetarë, klerikë te rangjeve të ndryshme… Në këtë ceremoni u mbajtën disa fjalime. E mori fjalën në fillim ministri i arsimit të asaj kohe Safet Pashai, pastaj foli kryetari i komisionit të lartë të arsimit turk Mynif Efendiu dhe rektori i Universitetit Hoxha Tahsin Efendiu. Këta të tre folën në gjuhën turke. Në miting u mbajtën fjalime edhe nga pedagogët Xhemaledin Afganiu në gjuhën arabe dhe Aristokli Efendiu frëngjisht”.
Në një botim të viteve të vitit 2012 për Universitetin në Republikën Turke jepet edhe fjalimi i Hoxha Tahsinit me këtë titull: “Ligjërata e drejtorit të universitetit të përndritshmit Tahsin Efendi”. (‘Universiteti’ Stamboll 2012, faqe 963-964. Përkthyer nga dr. Laurant Bica).
Ligjërata e Tahsinit në inaugurimin e Universitetit:
“Në një komb investimi me para me fitimin më të madh është në shkencë dhe dituri dhe në edukimin e popullatës dhe për atdheun është pasuria më e madhe”. Siç del nga shumë vepra që kanë lënë në fushën e politikës Aristoteli dhe Platoni kanë thënë që për përparimin e një shteti, pikëmbështetja më e fortë për këtë është edukimi i mirë. Dihet që Platoni në veprën e tij ‘Republika’ si qeverisje ideale konsideronte atë që në krye të ishin njerëz të dijshëm, filozofët, dijetarët, kurse Aristoteli ka qenë ‘princi’ i dijeve të antikitetit, zotëruesi dhe ‘mendja më universale’, midis grekëve. Platonit i takojnë edhe këto fjalë që kanë të bëjnë me mënyrën e edukimit. Ushtrimet fizike të bëra me detyrim ndikojnë mirë tek trupi, por dijet e marra me detyrim nuk mbeten në mendje.
Ashtu si një gonxhe e freskët në kopshtin e trëndafilave që kur goditet nga ndriçimi i diellit kundërmon erën e këndshme të lëvizjes së bukur, ashtu njësoj dhe pishtari i shkencës dhe i arsimit në shoqërinë e bashkëqytetarëve këtej e tutje, duke ndriçuar zotësitë dhe kapacitetet e mendjes të atdheut tonë, pa pikë dyshimi që do të kundërmojë erë të mirë. Duke u shumëfishuar Arsimi, dhuna pakësohet. Errësira e injorancës ndriçohet me dritën e shkencës. Është e nevojshme që progresi të bëhet shkallë-shkallë. Ej populli ynë..! Ky shekulli jonë siç po e shihni është kohë e zhvillimeve dhe përmbysjeve të mëdha! Zgjohuni, t’i praktikojmë nevojat tona sipas kohës dhe duke ia përshtatur mësimdhënien profesionale shekullit të arsimimit dhe të mos mbetemi mbrapa nga rruga që preferohet apo ndiqet nga të gjithë! Ej, bijtë e vatanit! Botën e lartpërmendur (të zhvilluar) që është dëshirë e të gjithë njerëzve, nënshtetas të denjë të këtij shteti të dashur (ku jetojmë) për të qenë të aftë të banoni dhe që të meritoni shpërblimin (për punën e bërë) si dhe të keni një vend të deklaruar dhe të nderuar, duhet të dini të sillni prova për të argumentuar të vërtetën: Ejani të lidhemi me njëri tjetrin, duke biseduar miqësisht të bashkohemi si një familje! Ejani të bëhemi shtegtarë dhe të ngjitemi me durim (e këmbëngulje) malit shumë të lartë të arsimit dhe të ecim rrugës së drejtë të shkencës. Të ecim, të ecim në shekullin tonë që është shekulli i arsimit dhe të hyjmë në Universitet’’.
Fill pas këtyre fjalëve të thëna me solemnitet para mijëra vetëve që po u fliste Prof. Dr. Hasan Tahsini ishte i vetëdijshëm se po hapte një periudhë të një epoke të re në fushën e arsimit të lartë për një perandori të tërë .