Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Rrëfime nga filozofia e një nëne labe
Nëna që përcolli modelin e sjelljes
Fatmir Zanaj, kohë më parë ka publikuar një libër jetësor disi të veçantë në trajtesë dhe në përmbajte. Libri “Naile, filozofia e nënës labe”, që në shikim dhe në lexim të tij na vë në mendime të thella, se si nëna labe me modelin e sjelljes dhe të veprimeve e të mendimeve të saj sjell një botë ndryshe të nënë. Këtë e ka trajtuar thjeshtë dhe bukur Fatmir Zanaj në këtë libër.
Duke u mbështetur tek sociologut francez Michel Foucault, Fatmiri thekson që në fillim se ne jemi krijesë e komunikimit, përmes të cilit na përcillen njohuritë, modelet e sjelljes dhe të të menduarit, vlerat, idetë. Nëse është e vërtetë që ne jemi shuma e përvojave tona të komunikimit ligjërues me njerëzit që hasim në jetë sapo lindim, atëherë ata që kontrollojnë përvojat tona të hershme të jetës kanë fuqi të jashtëzakonshme mbi ne. Në kufijtë e një familjeje, njohuritë e vlerat e një fëmije varen nga vetëm disa njerëz. Në një farë kuptimi, ata pak njerëz krijojnë identitetin e fëmijës. Afëria ime, thekson Fatmiri, dhe e tërë fëmijëve të bijve e të bijave të saj me nënë Nailen kanë krijuar në një masë të madhe e të pashlyeshme identitetin tonë. Shpresoj që kjo të jetë projektuar edhe në gjenin tonë, për të jetuar në përjetësi te secili Zanaj!
Që në sythin e parë të librit “Nailja, bijë e Delajve të Gumenicës”, shfaqet një qartësi mendimi dhe gjykimi i nënës Naile e cila, dhe pse kishte dëshirë të mësonte në moshën gjysmëshekullor, nuk e lanë bijtë të merrte dëftesë në kurset kundër analfabetizimi. Dhe nëna jua kthente me humor, se po të kisha bërë shkollë, unë do të punoja pranë Enverit. Në të gjithë sythet gjenden histori, legjenda që nëna Naile, në rrëfimet e saj, i shtjellon mjaft bukur si në “Thandrondini, legjenda e themelimit”, “Zanajt e Lapardhasë”, “Jaho Zanaj, çaushi i ‘çartur’”, “Naile në vorbullën e ndryshimeve të mëdha të pas Çlirimit”, “Nëna jonë krenare”, “Humori i nënës labe”, etj.
Nëna e partizanëve
Në sythin “Nëna e partizanëve gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” që përshkrohen ngjarje, ndodhi dhe dukuri para syve të nënë Nailes, po ndalem pak më gjatë edhe në nder dhe respekt të atyre ngjarjeve, por dhe në kuadër të 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Nënë Naile rrëfen se fshatarët shqiptarë i mbrojtën, i ushqyen dhe u afruan strehë qindra e mijëra ushtarëve dhe oficerëve italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste më 8 shtator 1943. Kështu, për disa ditë mbajti në shtëpi një farë Alfredo, një ushtar italian rreth 30 vjeç, i gjatë dhe i hollë kërcyell si ai, që më bëri nja dy herë dru në pyjet aty pranë për të përligjur një çanak supë dhe ngrohtësinë e pritjes së dhënë nga një nënë shqiptare. Nënë Naileja ishte një nga këto nëna që i strehuan, pasi partizanët i çliruan robërit italianë nga thonjtë e gjermanëve dhe i ngjitën në malin e Lapardhasë.
Historia e viteve të stuhishme të Luftës së Dytë Botërore dëshmon se rezistenca partizane dhe fshati i nënës Naile, ishin mjaft të lidhur midis tyre. Shtëpia e vogël e nënë Nailes ishte pa dritë elektrike, por e mbushur plot me partizanë të plagosur… ishte shtëpia e Naile Zanaj, nënë e dy partizanëve Myrto dhe Mahmut Zanaj (ky i dyti vullnetar i forcave territoriale), ku një pasdite shtatori 1943 u mjekua dhe komisari partizan Hysni Kapo.
Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, dalë më 28 nëntor të vitit 1943, në fshatin Gumenicë në shtëpinë e Manxhar Fejzo Deraj, u vendos të formohej Brigada V Sulmuese. Baza e formimit të kësaj brigade ishte bashkimi i batalioneve “Halim Xhelo’’ dhe “Ismail Qemali”, me një efektiv prej më se 500 vetë. Komandant i kësaj njësie u caktua Abaz Shehu dhe komisar Hysni Kapo. Ato muaj Balli Kombëtar i kishte rreshtuar forcat e veta me forcat pushtuese naziste. Të informuar nga disa ballistë, gjermanët u derdhën në Gumenicë dhe dogjën shtëpinë e Manxhar Fejzo Deraj si hakmarrje ndaj formimit të kësaj brigade. Që në ditën e formimit të saj në fshatin Gumenicë, Brigada V Sulmuese, jo vetëm e theu me sukses sulmet e armikut gjatë operacionit gjerman të dimrit 1943, por zhvilloi dhe një veprimtari të gjërë në popull, duke nxjerrë luftëtarë të tjerë të shumtë për plotësimin e pesë batalioneve të saj.
Nga rrëfimet e nënë Nailese, mësojmë se partizani që për pak humbi jetën nga rrëshqitja në humnerë ishte Myrto Zanaj, i biri i madh i saj. Shaska i kishte shpëtuar të birin duke e nxjerrë nga humnera ku kishte rënë atë natë të ftohtë shkurti të vitit 1944. Kujtimet e saj mbi ngjarjet e shkurtit 1944, nënë Naileja i përmbledh me fjalët: Kur Skëndo Velo e prishi batalionin (pra e shpërndau nga të ftohtit e madh), Myrto erdhi i sëmurë në shtëpi. Dukej që kishte hequr shumë. Mëndjen e kishte te shokët. Ishim në stane në Rrëza. Borë, ftohtë dhe varfëri, mos pyet. Qëndroi sa u shërua dhe shkoi prapë partizan. Nga pranvera erdhi dhe një herë dhe mori me vete Jeminin, Hekuran Muharremin dhe shkuan partizanë deri në çlirim.
Dhe nënë vazhdon: pak javë pasi Myrtoja kishte ikur me Jeminin, erdhi haberi se ishte vrarë Eqerem Beqiri, miku dhe fshatari ynë… por bashkë me Eqeremin ishte vrarë dhe Myrto. U mpiva si një statujë e gurtë për një çast, pastaj shpërtheva me duf: “Mirë bënë dhe nëse u vranë. Për Shqipërinë u vranë, për nënat, motrat e kunatat e tyre u vranë!”.
Nuk dinte nënë Naile se në ato kohëra të liga pushtuesit fashistë dhe spiunët e tyre kishin shpërthyer një fushatë dezinformimi për të dekurajuar popullin e Labërisë dhe për ta larguar atë nga mbështetja e Luftës Nacionalçlirimtare. Ata shpërndanin lajme të rreme mbi vrasjet e bijve partizanë të nënave shqiptare. Kishte raste që ata mblidhnin kusarë nga radhët e Ballit Kombëtar, u vishnin atyre uniforma partizane, dhe i lëshonin si zagarë për të kryer vjedhje e bastisje nëpër fshatra. Ato kohë, shkruan Ago Çeli, qarkullonte lajmi i rremë se ishte vrarë Mustafa Matohiti, dhe në stane në Lekel të Tepelenës kishin rrethuar e vrarë dy vëllezërit e Agos, Çaushin dhe Deliun. Atëherë komandanti partizan Mustafa Matohiti u shkroi me dorë e vet një letër tërë këshillave nacionalçlirimtare të fshatrave të Kurveleshit e mbarë Labërisë që të qetësohej populli e të demaskoheshin dredhitë e pushtuesve fashiste. Kjo letër erdhi dhe në Lapardha dhe këshilli e informoi nënë Nailene se biri i saj partizan Myrto ishte shëndoshë e mirë.
Nënë Naile përpiqej të ndihmonte nacionalçlirimtaren, duke kryer detyrat e vëna nga këshilli. Siç thoshte vet ajo, ne gratë thurnim fanella dhe çorape të leshta, prisnim dhe përcillnim partizanët, kujdeseshim kur vinin të sëmurë. Edhe i biri, Myrto erdhi dy herë në shtëpi i sëmurë dhe pasi u shërua, shkoi prapë në brigadë.
Në operacionin gjerman të qershorit nënë Naile gjendej në fshat. Ajo ka rrëfyer se “papritur ia behën në fshat gjermanët, të ardhur nga Drashovica, të prirë nga horrat e Lahe Nuros. Isha në oborr të shtëpisë, duke tjerrë lesh me furkë. Gjermanet ishin mbledhur përtej tek lëmi i Like. Duke përdredhur fillin në bosht e furkë, dëgjoj një krismë pushke. Një plumb u fut në dhe nën këmbën time. Pluhuri m’u hodh fytyrës. “U rënte plasja e vdekshi”, i mallkova armiqtë. U ngrita dhe u futa brenda. Nuk dolëm gjithë ditën nga shtëpia. Të nesërmen, pa ardhur dreka, dëgjoj Sulejmanin që briti: “O Mahmut, o Faik, gjermanët moreee”! Mahmuti dhe Faiku dolën me vrap dhe u futën në pyll. Unë me Vevekon dhe Meleqen dhe me të shoqen e Faikut, mbyllëm derën e shtëpisë e ndenjëm brenda. Erdhi patrulla, përzierë gjermanë e ballistë, britën në se ka njerëz brenda. I ranë derës fort me shkelm, po nuk e hapën dot. I kisha vënë llozin e hekurt asaj. Shtëpia përdhese dukej e shkretë. Ballistët kishin shkulur dritaret për të pjekur e zierë mishin e vjedhur, por djemtë i kishin zënë dritaret e vogla si frengji me gur. Qëndruan disa minuta e thyen qafën; ikën andej nga vinte era e mishit të pjekur. Ballistët kishin vjedhur lopët e viçat e Arshi Halilit. Mavrinë Arshi donin ta shpallnin kulak pas çlirimit, dhe bëri disa vite burg”.
Shante e mallkonte gjermanët, po më shumë nënë Naileja shante ballistët. Kur kujtonte episode nga lufta sytë e përhimtë i ndizeshin nga një dritë e brendshme zemërimi. Ajo kujtonte: “Ishim në Rrëza, në stanet e fshatit. Një ditë zbrita në fshat që të laja rrobat. Atë pasdite erdhën ballistët e Lepenicës dhe m’i vodhën rrobat që më ishin tharë. “Ju thaftë dora”, u brita si munda, sidomos për 4 a 5 fanella të leshta, që sapo i kisha përfunduar, ca shami të reja koke dhe ca këmisha të gjata të pambukta, qepur me pëlhure borë të bardha italiane, të lara për merak. “Ik shtrigë plakë, më shanin nja dy ballistë, apo do t’jua çosh partizaneve”. U zgërdhinë gazit vesh më vesh, duke nxjerrë dhëmbët çatall dyllë të verdhë dhe ikën nga mëhalla tjetër. Kur ikën ballistët, dëgjoj Mahmutin tek thoshte nga inati: “Jaaallah, moj nënë, të bëhesha ballist për ca ditë, të veja në Lepenicë dhe të merrja ato këmishat e tua!”.
Kundërshtitë e nënë Nailes
Nënë Naileja nuk e kuptonte se ç’ishte ‘lufta e klasave’. Ajo e pyeste Myrton dhe nuk pajtohej me termin “luftë”. “Lufta mbaroi më 29 nëntor 1944. Unë them se nuk duhet t’i shponi njerëzit që të gabojnë e t’i futni në burgje. Jemi popull i vogël, jemi të tërë “ungj e nip e dajo”, dëgjon Myrte”?! Me këtë emër ajo i fliste djalit të saj Myrto Zanaj, ish partizanit të saj. Por ish partizani nuk i përgjigjej nënës. Kur nxehje ish partizani ndonjëherë me nënë Nailen i kujtonte citate nga veprat e Leninit dhe të Stalinit, pasi lexonte shumë letërsi politike. “Eh, ç’më çan kokën i thoshte nënë Naile, se mos e dinte Lenini dhe Stalini se ku bie Lapardhaja… këto ishin kundërshtimet e saj për të ashtuquajtur “lufta e klasave”.
Nailese i dëgjohej fjala në kuvend të burrave në fshat edhe në lagje në qytetin e Vlorës, ajo quhej nga të gjithë pjesëtarët e fisit si “Zonja e madhe e Zanajve”. Çlirimi e zuri 54-55 vjeçe. Ajo nuk ishte komuniste, por thjesht patriote. Sytë në ballë i kishte, e shihte se pushteti i ri i dalë nga pushka e djemve të saj partizanë, e Zanajve dhe e mijëra shokëve e shoqeve të tyre, si dhe Partia Komuniste kishin mbështetje shumë të gjërë popullore. Shihte ndryshimet, dëgjonte për punën e madhe që po bëhej, për planin dyvjeçar dhe pastaj pesëvjeçar, që sollën ndërtimin e veprave të para energjetike dhe industriale. Ishte besnike e “vijës së re politike”, siç i thoshin djemtë. Por ajo dinte të respektonte zakonet e mira të popullit, respektonte nderin e fisit, dinjitetin e njerëzve, edhe të atyre që djemtë e saj i quanin “armiq të klasës”. Bënte kurdoherë kujdes të ruante modestinë, të mos mburrej pa arsye e pa vend për kontributin e saj dhe të djemve të saj në Luftën Nacionalçlirimtare, sidomos të mos fyente njeri, edhe po të kishte ndonjë “njollë në biografi”.
Gjatë leximit të librit do të ndesheni në mjaft ndodhi të nënë Nailes… Ja këtë përvojë dhe këtë model sjellje na la në jetë nëna labe Naile. Përkujtimi i saj dhe i gjithë nënëve shqiptare në këtë vit të shënuar të çlirimit, i bëjmë nder historisë dhe lavdisë së tyre që në kohë të vështira dhe të mira ditën të jetonin me dinjit dhe të ruanin e të përcillnin në shekuj traditën shqiptare, të dashurisë dhe të respektit për njeri-tjetrin. Këto dhe mesazhe të tjera përcjell Fatmir Zanaj në librin filozofik për nënë labe, Naile.