Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Dëshmorë të BrIS rënë për çlirimin e Tiranës
Forca të BrIS gjendeshin të rreshtuara nga rruga e Elbasanit-Farkë-Teqe e Bektashinje-kodrat përmbi xhenio-Barru-shkolla e Dakos, me një battalion rezervë në Valias-Lankas. Sulmi për fazën e parë të luftimeve filloi më 29 tetor 1944 dhe përfundoi më 11 nëntor 1944. Në përfundim të kësaj faze, çdo gjë ishte gati për sulmin përfundimtar. Në luftimet e fazës së parë për çlirimin e Tiranës ranë dëshmorë, si dhe pati mjaft partizanë të plagosur.
Partizani i çetës “Plakë” ra për çlirimin e Tiranës
Pranverë e vitit 1943, në të katër anët e Shqipërisë ishte ndezur lufta partizane për liri. Idetë e luftës çlirimtare kishin hyrë në çdo vatër të thjeshtë të popullit, në çdo zemër patrioti. Këto ide ngritën peshë dhe zemrën e djaloshit 21-vjecar Nazif Daut Xhavari nga fshati Lerven i rrethit të Fierit. Një natë maji të vitit 1943, la qetë në livadh dhe u nis për të takuar çetën “Plakë” të Mallakastrës…. Nëntor i vitit 1944. Komanda e BrIS mori urdhër nga komanda e DIS të hidhej në mësymje për çlirimin e qytetit të Tiranës në mbrëmjen e 1 nëntor 1944. Afër mëngjesit batalionet e BrIS u hodhën në mësymje; armiku duhej të thyhej me çdo kusht. Tirana duhej çliruar. Një tank ishte bërë pengesë për përparimin e b5p në thellësi të bulevardit të madh. Nazifi, si gjithmonë në ballë të skuadrës së tij, i armatosur me bomba dore, vendosi të asgjësojë tankun, por në momentin kur bëhet gati të hedhë bombat sipër tankut, diktohet nga mitralieri i tankut shtiu mbi trupin e tij të njome një breshëri plumbash… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 50 datë 31.03.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Fierit.
Në sulm për të kapur fortesën gjermane
Sami Hito Muçaj lindi në Dhëmblan të Tepelenës më 1928 në një familje fshatare të varfër, që mezi përballonte jetesën. Për një kohë, 1940-1941, punoi si punëtor në një ndërmarrje ushtarake për mirëmbajtjen e rrugëve, por si njeri i dyshimtë dhe kundërshtar i fashizmit u pushua nga puna. Pas kësaj shkon në Vlorë dhe bashkëpunon me ilegalë të qytetit. Më 1 nëntor 1943 u inkuadrua në rreshtat partizane të BrIS. Në përleshje fyt për fyt me armikun me pushkë dhe bomba dore, në luftë për çlirimin e Tiranës, më 3 nëntor 1944, vritet në sulm përmbi një fortesë të gjermanëve. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44 datë 03.08.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Tepelenës.
Tiranasi që ra dëshmor për Tiranës
Ali Osman Spahiu lindi në Tiranë në mars të vitit 1930. Ishte bir i një familjeje të varfër punëtori. Në luftë e sipër, në ato mbledhjet e zjarrta, u pranua në radhët e organizatës së Rinisë Komuniste. Pas kësaj dite, mori pjesë aktive në aksionet e luftimet që zhvilloi kompania e katërt e batalionit të katërt të BrIS, ku bënte pjesë Ali Spahiu. Batalioni i katërt i brigadës, pas ndeshjeve të ashpra me armikun, përparoi prej Varrit të Bamit gjer tek instituti femëror. Kjo ishte një lëvizje me sakrifica të mëdha, çdo metër e gjak. Tregoi guxim e pjekuri në çdo luftim, deri ditën e fundit të jetës së vet, qe dita e 5 nëntorit 1944. Luftohej me vetëmohim për çlirimin e Tiranës. Kjo ishte dita e fundit që partizani i vogël Ali Spahiu mori pjesë në betejat e ashpra me armikun. Ra, pa mbushur ende të pesëmbëdhjetat. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 58, datë 17.08.1948 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tiranës.
Rrugët e Tiranës u skuqën dhe me gjakun e tij
Mete Bajram Gjonaj, lindur më 4 qershor të vitit 1927, në një familje të varfër, por plot virtyte të Dhëmblanit, u rrit me varfëri dhe halle si gjithë të tjerët. Në fshat asnjëherë nuk e ngopi barkun me bukë. Edhe shkollën fillore nuk pati mundësi ta mbaronte, pasi që në moshën 9 vjeçare kulloste lopët fshatareve. Vuajtjet dhe hallet e mësuan të dallonte të mirën nga e keqja, padrejtësinë nga e drejta dhe kjo shpesh e revoltonte djalin e ri. Qysh në maj të vitit 1943, ai u lidh me shokët komunistë të fshatit, mori pjesë aktive në Rininë Komuniste të tij, duke u bërë një agjitator aktiv i Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Më 1 dhjetor 1943 u radhit me forcat e BrIS dhe nuk u shkëput prej saj për asnjë çast. Duke treguar guxim dhe trimëri të rrallë, gjaku i tij skuqi rrugët e Tiranës, më 10 nëntor 1944, në përleshje fyt për fyt me fashistë e gjermanë. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendm nr. 44, datë 3.8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Tepelenë.
Qëndroi në barikadë deri në minutën e fundit…
Qani Jaho Hyskaj, lindi më 20 gusht 1926, në familjen e nderuar të Hyskajve të fshatit Matohasanaj. I ati, Hyska, bënte punët më të rënda për t’i siguruar familjes bukën e gojës. Këtë barrë të rëndë e ndjeu shpejt edhe djali i tij, Qaniu. Fare i ri, në shi e borë, i veshur keq dhe me opinga me tela, Qaniun do ta gjeje duke ruajtur bagëtitë e lagjes ku banonte. Kur mori lidhje me militantët e lirisë në fshat dhe krahinë hodhi pushkën krahut dhe nuk e lëshoi kurrë atë. Në fillim në çetën territoriale dhe që nga 1 dhjetori 1943 në rreshtat e BrIS. Ai luftoi si trimat, në të gjitha betejat që zhvilloi ky formacioni lavdishëm luftarak. Ra heroikisht, për të mos vdekur kurrë, më 10 nëntor 1944, në luftën për çlirimin e kryeqytetit, Tiranë. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, datë 03.08.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tepelenës.
Përpara shokë, të ngrini sa më parë flamurin e fitores!
Agllai Naum Tako, kur mori vesh se brigade e saj do të sulmonte për çlirimin e kryeqytetit u shpreh “edhe unë do të jem luftëtare e çlirimit të Tiranës, e kryeqytetit tonë! Ç’nder i madh që na bëhet, tha kur mori vesh lajmin se brigadës së saj i ishte besuar detyra e rëndësishme”. Rrobat partizane, kapelja me yll në ballë, automatiku i shtrënguar në gjoks e burrëronin, partizanen nga Përmeti, të marrë pjesë në të gjitha luftimet që kishte zhvilluar kjo njësi luftarake e UNÇSH. Automatiku në dorën e saj ish bërë shok i pandarë, dhe me të në beteja zbriti nga kodrat e Shën Prokopit, në rrugën e Elbasanit e drejt qendrës së Tiranës. Iu afruan çlirimit… Me këto ëndërra hyri në Tiranë, në Tiranën e përflakur. Një mitraloz, nga një bunker i vendosur m’u në qendër të qytetit, gërgëriste egërsisht dhe pengonte sulmin e partizanëve. Ngado ndiheshin krisma mitralozësh dhe automatikësh të partizanëve dhe ndërmjet tyre edhe krismat e automatikut të Agllaisë. Një autoblindë gjermane vërtitej si një bishë e egër dhe qëllonte nga mundte. Agllaia ish shtrirë barkas dhe kish vënë në shënjestër një mitraloz gjerman që qëllonte nga dritarja e një pallati. Në çdo rrugë luftohej, në çdo rrugë ngriheshin barikada. Ndërmjet luftëtarëve të lirisë ishte vajza e vogël që duke vrapuar, i afrohej asaj çerdheje mitralozi që villte zjarr nga dritarja e pallatit. Autoblinda e pengonte. Edhe bunkeri në mes të qytetit nuk e lejonte me të shtënat e tij që luftëtarja të kalonte matanë rrugës qendrore. Por … bunkeri në mes të qytetit u përflak. Një plasje e madhe granade e gozhdoi në vend autoblindën gjermane. Partizanët sulmuan. Agllaia qëlloi kundër mitralozit të vendosur në dritare. Mitralozi për një çast heshti… Agllaia u ngrit të sulmonte së bashku me shokët e saj. Pranë Lanës hodhi një bombë, zbrazi dhe një karikatore kundër armikut, u shtri barkas për t’iu shmangur një mitralozi gjerman, pastaj u ngrit përsëri dhe sulmoi… Por një plumb e preu në mes. Shokët e saj vazhdonin të sulmonin. Ajo i pa… Pa dhe bunkerin në qendër të Tiranës që nxirrte flakë… kujtoi qytetin e luleve Përmetin ku kish lindur në vitin 1926. Ishte data 11 nëntor 1944. Agllai Tako është shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 82, datë 17.08.1976 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Përmetit. Kryeqyteti Tiranë ka një rrugë me emrin “Rruga Agllai Tako”.
Luftoi dhe ra në sheshin “Skënderbej”
Estref Abdurahman Caka, lindi në Osoje të Skraparit në vitin 1919. Më 1940 u vendos në Tiranë, ku punoi si punëtor në një shoqëri italiane. Dezertoi nga ushtria, ku ishte mobilizuar. Jataku i Estref Osojes ishin malet e nalta të Skraparit. Aty ishte foleja e çetës partizane. Në radhët e saj Estrefi gjeti rrugën që ai kishte ëndërruar. Mori pjesë në çetat e para të Skraparit. Estref Caka (Osoja) komandant kompanie në BrIS ishte një luftëtar i vendosur i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, BrIS luftonte nëpër rrugët qendrore të Tiranës. Partizanët hidheshin përpara duke sulmuar me trimëri pozicionet e armikut. Një kompani luftonte në sheshin qendror, në sheshin “Skënderbej”. Që lart, nga katet e ministrive qëllonin mitralozët gjermanë. Shumica e tyre heshtën, por njeri ende qëllonte mbi partizanët. Edhe ai duhej asgjësuar. Një djalosh i ri, shtrihet rrafsh me tokën dhe zvarriset drejt korbit të zi që villte zjarr, që mundohej t’u merrte jetën shokëve të tij. Ai ishte komandanti Estref Caka, dhe ai vetë do ta asgjësonte atë fole zjarri vendosur në dritaren e një ministrie. Shokët e tij, me të shtënat e tyre, i tërhiqnin vëmëndjen armikut Edhe pak, ja Estrefi u ngrit, u ngjit e u bë një me murin, vazhdoi. Eci edhe pak. E kaloi rrezikun e plumbave. U vra duke luftuar kundër nazistëve gjermanë për çlirimin e Tiranës më 11 nëntor 1944. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 17, datë 27.02.1978 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Skrapar. Mban titullin “Hero i popullit”. Shkolla dhe rrugë në Skrapar dhe në Tiranë mbajn ëemrin e tij.
Komandanti në ballë të sulmit
Fane Petro Kromidha lindi më 1920, në Labovë të Gjirokastrës. Prindërit e tij, me shumë pak tokë dhe një mulli që kishin, mezi arrinin t’i mbanin gjallë fëmijët. Pa i mbushur mirë të pesëmbëdhjetë vjetët Foni u shtrëngua të merrte rrugët e qytetit dhe të punonte si pjatalarës nëpër restorante. Atje e pa me sytë e vet më mirë se kudo gjer atëherë shtypjen shoqërore, së cilës iu shtua dhe shtypja kombëtare e pushtuesve fashistë. Duke jetuar në mes të të pastrehëve, pa mbushur as barkun me bukë, ai hyri në rrethet e shokëve që nisen t’i flisnin për luftën, për Partinë Komuniste, që ishte vënë në krye të saj. Ndërkaq u thirr ushtar dhe u dërgua për të shërbyer në Librazhd. Por tani që kishte armën në dore, ai dinte kundër kujt ta drejtonte. Së bashku me një grusht shokësh u arratis nga ushtria dhe vajti në çetën e Dumresë. Që në betejat e para fitoi respektin e shokëve dhe shpejt u caktua zëvendëskomandant i çetës së Shpatit të Dytë. Ndërkaq u pranua në gjirin e Partisë. Që me formimin e Brigadës I Sulmuese, Fani u emërua zëvendëskomandant e më pas komandant i kompanisë së tretë të Batalionit IV detyrë të cilën e kreu me nder gjer në çastet e fundit të jetës… Dhe ja lufta për çlirimin e Tiranës. Partizanët kryenin çdo natë sulme mbi postkomandat në periferi dhe shpesh depërtonin gjer afër qendrës së Tiranës. Kompanisë së Fanit i ishte besuar një nga drejtimet më të rëndësishme: një pjesë e Rrugës së Elbasanit, gjer te hotel “Parku”, dhe akoma më thellë te bunkeri pranë xhamisë së vjetër. Atë drejtim armiku përpiqej ta mbante me çdo kusht, sepse andej kontrollonte të vetmen rrugë nga mund të tërhiqej drejt Veriut pas disfatës së pashmangshme që e priste në kryeqytet. Armiku i kishte orët të numëruara, por nëpër frëngjitë e bunkerëve dhe në dritaret e ndërtesave kishte vënë snajperë. Fani vraponte nga një pozicion në tjetrin, nga njëra ndërtesë te tjetra, nga njëri kat te tjetri. Takonte shokët, i porosiste të kishin kujdes, të mos dilnin nëpër dritare. Ndërkaq, që nga hotel “Parku” kërcisnin pushkët snajpere. Fane vrapoi drejt pozicionit, por snajperi gjerman e kishte vënë në shenjë. Ai ra… Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 65, datë 2.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Gjirokastrës.