Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: DËSHMIA E GJEN. GËZIM OSTRENI NË HAGË, AKTUALE EDHE SOT PËR ZHVILLIMET NË RMV

Kush është Gjeneral Gëzim Ostreni?

Gjeneral-major Gëzim Ostreni është lindur në qytetin e Dibrës me 1 nëntor 1942. Pas mbarimit të shkollës normale, mbaron edhe shkollën e oficerëve të rezervës si dhe disa kurse në Akademinë Ushtarake.  Diplomohet në Fakultetin Filozofi dhe Sociologji në Prishtinë.

Në lëmin ushtarak ka kryer detyrën e komandantit të mbrojtjes territoriale në Dibër. Ka marrë pjesë në luftën e UÇK, në fillim  në detyrën e shefit të shtabit të Zonës së III, më pas komandant i Zonës së III Operative të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës me gradën Gjeneral Brigade. Në vitin 2000 gradohet Gjeneral-major dhe ngrihet në detyrën e Shefit të Shtabit të TMK.

Në vitin 2001 me fillimin e konfliktit në Maqedoni merr detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ushtri që u krijua nga shqiptarët e Maqedonisë në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime.

Së bashku me Ali Ahmetin, komandant dhe drejtues politik i kësaj ushtrie e detyruan faktorin ndërkombëtar, qeverinë, parlamentin dhe Presidentin e Maqedonisë të nënshkruanin Marrëveshjen e Ohrit për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, marrëveshje që tashmë është pasqyruar edhe në kushtetutën e Maqedonisë.

Nga 3 tetori i vitit 2002, deputet i Kuvendit të Maqedonisë. Në vitin 2004 ka qenë kandidat për president i shtetit të Maqedonisë dhe nga viti 2002 deri në vitin 2006, nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Mban gradën Doktor i shkencave dhe ka botuar një sërë librash dhe studimesh për historinë dhe luftën e popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe të drejtat e tij, veçanërisht  për shqiptarët jashtë trungut amë, duke dhënë një përgjigje të merituar shkencore profesorëve serbë dhe maqedonas që duan të hedhin baltë mbi gjenezën dhe traditën historike të shqiptarëve.

Libri “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” është një studim voluminoz prej 1150 faqesh, i shoqëruar me një CD dhe me një grup hartash luftarake. Ky libër është një kontribut i jashtëzakonshëm shkencor, ushtarak, dhe historik  për historinë e shqiptarëvë  kudo që janë.

Ndonëse është i shoqëruar që në titull me okelion “Shkaqet, lufta dhe paqja në Maqedoni në vitin 2001, ky libër është një studim shkencor që përmbledh dokumenta shtetërore dhe arkivore që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Kongesi i Berlinit, që nga vitit 1878 e deri në ditët e sotme.

Libri si rrallë ndonjëherë, është shkruar nga një protagonist kryesor, nga shefi i shtabit  të kësaj ushtrie  dhe ka për recensent ish komandantin e Luftës së shqiptarëve në Maqedoni, sot kryetar i partisë i partisë për drejtësi dhe integrim BDI, Ali Ahmeti, i cili e quan atë një dëshmi eklantante për një luftë të drejtë të UCK-së.

“E kaluara historike e shqiptarëve në Maqedoni, që nga viti 1912, thekson Ali Ahmeti, është e lidhur ngushtë me zhvillimet në Gadishullin e Ballkanit, me luftërat që zhvillojnë fqinjët e tyre për të gllabëruar trojet shqiptare në emër të clirimit nga Perandoria Osmane dhe me përpjekjet e tyre gjatë luftërave botërore për të ruajtur qënien e tyre në Maqedoni e në trojet e tjera në Ballkan. Shqiptarët të ndodhur nën okupimin serbo-jugosllav u gjetën nën presionin e forcës së genocidit të organizuar nga shteti deri në fund të shekullit XX, i cili tentonte t’i zhdukë dhe t’i shpërngulte nga trojet e veta.

Durimi i shqiptarëve mbaroi sepse edhe në fillim të shekullit të XXI, fill pas mbarimit të Luftës së Kosovës në vitin 1999, ku u angazhua plotësisht NATO dhe SHBA, politikanët dritëshkurtër dhe qeveritarët  maqedonas, jo vetëm nuk po ua jepnin të drejtat shqiptarëve të Maqedonisë, por po i shtypnin edhe më shumë ata duke ua hequr edhe të drejtat e fituara. Kjo coi në luftën e UCK-së së shqiptarëve të Maqedonisë.

Duke analizuar veprën e Gjen.Gëzim Ostrenit, vepër që pasqyron pothujase plotësisht këtë luftë,  Ali Ahmeti drejtues politik dhe komandant, thekson se në vorbullën e ngjarjeve të provokuara nga reagimi i shqiptarëve     me kryengritje ndaj shkeljes së lirive dhe të drejtave të tyre, kryengritje kjo, që shpejt u transformua në Ushtri clirimtare kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni, u bë shkak, i cili kishte për pasojë angazhimin e KS të OKB-së, SHBA, BE, OSCE dhe NATO-s. Në këtë drejtim, me tërë kapacitetin e tyre u angazhuan edhe organet diplomatike të akredituara në Maqedoni, për të gjetur zgjidhje për përfundimin e luftës që kishte shpërthyer. 

Prof. Dr. Mahmud Hysa në recensën e tij, ndër të tjera  shkruan: ”Nëse del nga kujtesa historike dhe e përfshin “pluhuri i harresës”, nëse pseudostudiues do ta injorojnë ose minimizojnë këtë luftë grandioze , mjafton të lexohet vepra e Gjen. Gëzim Ostrenit, të cilën e shquan mbi të gjitha objektiviteti shkencor, të gjitha të shkrihen si flluska sapuni si  të pavërteta e paradoksale. Dr. Gëzim Ostreni me këtë vepër e ka ngritur në piedestal më të lartë luftën dhe heronjtë e saj , të gjallë dhe të vdekur. Është kjo një vepër shumëdimensionale dhe e rrallë për kah arritjet shkencore”.

DËSHMIA E GJENERALIT  NË  GJYKATËN  E  HAGËS

Gjen. Gëzim Ostreni ish shef i shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë në nëntor të vitit 2007 deponon në Gjykatën e Hagës për 19 ditë dhe argumenton me fakte dhe dokumente se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë një luftë e drejtë, për të drejtat themelore të shqiptarëve dhe që s’ka të bëjë aspak me veprimet terroriste.

Dëshminë e tij në Hagë e ka botuar në librin me titull “Dëshmia e Gjeneralit” në vitin 2011, në tre gjuhë, anglisht, shqip dhe maqedonisht, ku versioni në anglisht është marrë direkt nga procesverbali i kësaj gjykate nga faqja 7414 deri në faqen 7885.

 Gjeneral Gëzim Ostreni, heroi i dy luftëra në Kosovë dhe Maqedoni, libër për luftën dhe paqen në Shkup Qëllimi i këtij botimi është që të bëjë transparente për opinionin e gjërë, atë që ndodhi në Maqedoni në vitin 2001, sepse pati qarqe dhe media shtetërore maqedonase dhe ndërkombëtare që u përpoqën që ta paraqesin Ushtrinë Çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë si terroriste dhe luftën e saj si  të padrejtë . Çdo lexues shqiptar, maqedonas apo ndërkombëtar ka mundësinë që të lexojë process verbalin origjinal të Gjykatës së Hagës ku janë të akuzuar zyrtarët e lartë maqedonas Lube Boshkovski dhe Johan Tarcullovski. Gjeneral Gëzim Ostreni është thirrur dhe ka deponuar në cilësinë e dëshmitarit dhe të gjeneralit. Kryesues i seancës gjyqësore ka qenë juristi australian Kevin Parker dhe prokuror Den Saxson.

Libri në fjalë, nëpërmjet gojës së autorit-dëshmitar sjell fakte dhe dokumente, dëshmi, audio dhe video, foto dhe ngjarje për atë çfarë ngjau në Maqedoni në vitin 2001, kush ishin agresorët dhe kush ishin viktimat, kush ishin të shtypurit dhe kush ishin shtypësit, shkelësit e të drejtave të shqiptarëve. Gjen. Gëzim Ostreni me maturi dhe argument denoncoi shpifjet e mediave të pushtetit maqedonas dhe fabrikimet e politikës zyrtare të Maqedonisë për kryengritjen e shqiptarëve të Maqedonisë, si u zhvillua kjo luftë, që çoi në Marrëveshjen e Ohrit dhe në vendosjen e të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre.

E vështirë ishte lufta, por akoma më e vështirë ishte paslufta, tregon Gjeneral Gëzim Ostreni. Të vendosësh dhe të ruash paqen është gjëja më e vështirë. T’i tregosh faktorit ndërkombëtar se bën një luftë të drejtë, se shqiptarët nuk janë terroristë, por qytetarë të lirë që luftojnë për të drejtat e tyre, ta shpjegosh atë çdo ditë të luftës dhe më pas në Gjyqin e Hagës ishte shumë e vështirë.

Më poshtë po japim disa fragmente nga dëshmia dhe disa pjesë nga rregullorja e UÇK,  që tregojnë për karakterin paqësor dhe luftën e drejtë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve.

Teksti i betimit ushtarak:“Unë gjithmonë do t’i shërbej dhe do të mbroj jetën dhe pronën e cdo qytetari të Maqedonisë. Unë gjithmonë vendosmërisht do tëmbroj të drejtat dhe liritë e njeriut dhe për realizim të detyrave nuk do të toleroj asnjëherë diskrinimin mbi baza etnike, të gjuhës ose të lojalitetit”.

Gjeneral Gëzim Ostreni, pyetjes se përse është futur në tekstin e betimit ushtarak mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut, i është përgjigjur se në bazë të Kartës së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut është e rëndësishme për UÇK që ushtarët të mos rrezikojnë jetën e qytetarëve civilë.

Pyetjes se a ishten ë planet e UÇK krijimi i një shteti të pavarur dhe të veçantë, Gjeneral Gëzim Ostreni i është përgjigjur se në të gjitha dokumentet dhe komunikatat e UÇK është shprehur fakti se UÇK është në favor të sovranitetit dhe të integritetit të Maqedonisë.

Edhe në dokumentet e tjera të UÇK vihen në dukje kërkesat e herë pas hershme për mbështetje nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit, për regjistrimin real të popullsisë, për ndryshimin e kushtetutës që shqiptarët të jenë element konstituitiv i shtetit të Republikës së Maqedonisë, që të hiqej diskriminimi në fushën e kulturës, shkencës, edukimit, institucioneve shtetërore etj.

Fakti që ky konflikt përfundoi me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, me firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit, me ndryshimet kushtetuese, tregoi për luftën e drejtë të popullsisë shqiptare në Maqedoni për të drejtat e tyre.

Edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, pas deponimeve të Z. Ostreni dhe të luftëtarëve të tjerë shqiptarë vërtetoi se shqiptarët e Maqedonisë zhvilluan një luftë të drejtë për të fituar të drejtat e tyre.

Pas 13 vjetësh të përfundimit të konfliktit në Maqedoni, pas 15 vjetësh të përfundimit të konfliktit në Kosovë dhe të shpalljes së Kosovës si shtet i pavarur dhe të njohjes ndërkombëtarisht nga mëse 110 shtete, sllavët serbë dhe ata maqedonas shfaqen dhe rishfaqen herë pas here me histeritë e tyre antishqiptare.

Shembulli i Gjeneral Ostrenit është domethënës dhe frymëzues. Në krye të ushtrisë dhe të luftës për të drejtat e shqiptarëvë në Kosovë dhe në Maqedoni, në Gjykatën e Hagës për të dëshmuar dhe për të vërtetuar se shqiptarët nuk janë terroristë, por paqësorë, vitalë dhe të kulturuar.

Dëshmia e tij është historike, është pjesë e historisë së popullit tonë që kurrë nuk u tremb dhe nuk u nënshtrua ndaj padrejtësive. Faleminderit Gjeneral!

Shqiptarët, europianë të vërtetë

Shqiptarët, jo se janë pak, jo se janë komb i vogël, por sepse janë europianë të vërtetë, janë paqësorë dhe të përparuar, kurrë nuk i kanë rënë në qafë të tjerëve. Përkundrazi të tjerët i kanë pushtuar trojet shqiptare.

Libri i Gjen. Gëzim Ostrenit fillon me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe me Kongresin e Berlinit. Është fakt që kanë qenë katër vilajete shqiptare me qendër në Shkup, Shkodër, Manastir dhe Janinë. Është fakt që Shkupi ka qenë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës dhe që ka patur në shekullin IX mbi 50 mijë banorë. Strategjitë shfarosëse të strategëve sllavë dhe serbë të Çubrilloviçëve e deri tek Millosheviçi, dështuan. Sot kemi Shqipërinë anëtare e NATO-s, kemi Kosovën me perspektivë europiane dhe euroatlantike, kemi shqiptarët e Maqedonisë me të drejta më të mëdha se kurrë më parë. Vetëm për të hapur Universitetin e Tetovës u bë luftë politike dhe deri protesta. Sot kemi universitete dhe shkolla shqipe në të gjithë trojet shqiptare. Por në çdo hap që hedhim duhet të nderojmë martirët dhe luftëtarët e kombit. Ata sakrifikuan jetën e tyre për të ardhmen e fëmijëve tanë sot. Autori i librit është një ushtarak profesionist, një sociolog dhe politikan, por mbi të gjitha është një luftëtar dhe atdhetar i madh. Ai mori pjesë në luftën e Kosovës në vitin 1999 dhe fill pas fitores në Kosovë së bashku me shumë gjeneralë të Kosovës, erdhën dhe luftuan e fituan për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, sepse këto të drejta shkeleshin me këmbë nga pushtetarët e verbër maqedonas.

Në aspektin ushtarak, çdokush që lexon këtë libër kujton konfliktet ndëretnike në Bosnjë, Gjeorgji, Armeni, Azerbaxhan, Nagorni Karabak dhe së fundmi luftrat e ashpra në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë.

Në këtë studim ushtarakët nuk do të gjejnë strategjinë dhe taktikat e luftës frontale, e luftës klasike, por strategjinë, veprimet operative-taktike të luftës midis palëve në konflikt, do të gjejnë bashkëveprimin me organizmat dhe organizatat ndërkombëtare, me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, me UNHCR, me UNICEF, me shtetin shqiptar, me qarqet diplomatike dhe mbi të gjitha do të gjejnë kujdesin ndaj njerëzve në konflikt, që të mos vdesë asnjë njeri i pafajshëm.

Pas mbarimit të periudhës së Luftës së Ftohtë në Ish Bashkimin Sovjetik, në Ish Jugosllavi dhe në shumë vende federative me bazë komuniste dhe jo me baza të shëndosha demokratike, ndodhën shpërbërjet e tyre dhe kthimi në shtetet me bazë etnike. Kjo u shoqërua me luftëra dhe konflikte ndëretnike, si ai i Bosnjës ku u derdh shumë gjak dhe u desh Marrëveshja ndërkombëtare e Dejtonit që të krijohej shteti multietnik i Bosnjës. Por politikanët e Europës dhe të Ballkanit nuk nxorën mësime nga konflikti i Bosnjës në vitin 1995-1996. Në vitin 1999 ndodhi konflikti i Kosovës ku u desh ndërhyrja e NATO-s. 

Zgjidhja e këtyre konflikteve nuk duhet ketë si opsion të fundit, luftën.

Politikanët dhe pushtetarët e vërtetë dhe të zotë e kanë më të lehtë tu japin të drejtat qytetarëve të vet se sa ti shtypin me dhunë. Dhuna sjell vetëm dhunë.  

Mbi të gjitha këto mesazhe duhet t’i lexojnë qartë politikanët e rajonit të Ballkanit, ku shqiptarët janë shumicë, politikanët e Shqipërisë, Kosovës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, për të qenë të bashkuar dhe me mendje të kthjellët, për të qenë europianë në mendim dhe veprim.

Bota është në prag të Luftës së III Botërore sepse vatrat e luftës dhe të konflikteve në fakt janë më të gjëra se sa vetë territori i një lufte botërore. Shtresa e të pasurve, bankierë, biznesmenë etj do të bënte mirë që të plotësonte kërkesat e punëtorëve të vet se sa të thellonte hendekun e varfërisë dhe të padurimit.

Mesazhet që vinë nga ky libër janë të shumta. Ata janë mesazhe paqeje, tolerance dhe bashkëpunimi.

Please follow and like us: