Anila Hanxhari: Hedh në short lirinë
Anila Hanxhari ka lindur në Durrës dhe aktualisht jeton në Milano. Është poete, piktore, tregimtare, përkthyese dhe presidente e shoqatës kulturore “Italfida”, me të cilën ka konceptuar dhe ka kuruar festivale të ndryshme kulturore dhe konferenca ndërkombëtare. Ajo është krijuesja e formatit “Poezi dhe ndërmarrje”, kuruar për Ascom Abruzzo. Ka botuar përmbledhjet poetike ‘Io tu e l’Anima’ (Ianieri 1997), ‘Assopita erba dell’est’ (Noubs 2002), ‘Cicatrici d’acqua’ (Noubs 2007, me një parathënie nga Giuseppe Conte), ‘Brindisi degli angeli’ (La Vita Felice 2012, me parathënie nga Maurizio Cucchi), ‘Tiro a sorte la libertà’ (Tabula Fati 2016, me një hyrje nga Davide Rondoni), ‘Amore emana’ (Meta Edizioni 2017). Prismanima Terra d’ulivi 2023 me parathënie nga Massimo Morasso dhe një pasthënie nga Davide Rondoni). Ajo është e pranishme, ndër të tjera, në antologjitë Nuovissima poesia italiana (Oscar Mondadori 2004, edituar nga Antonio Riccardi dhe Maurizio Cucchi), La parola che ricostruisce, Poetë italianë për L’Aquila (Tracce 2009) dhe poezi të tjera të saj janë botuar në ‘Specchio’ të “La Stampa” dhe shumë revista të tjera. Ajo ka fituar çmime të ndryshme, duke përfshirë Çmimin Camaiore-Proposta 2002, Çmimin Clemente di Leo, Çmimin Matacotta për veprën e parë 2003, Çmimin Valle Senio, Çmimin e Poezisë në Jetë 2011, Çmimin Bogdani Prishtinë (Kosovë 2017), Çmimin Adriatik 2019 dhe shumë të tjerë.
Davide Rondoni: Poezia e Anila Hanxharit
Anila Hanxhari është një poete që të hyn në palcë, ecën si Marianne Moore me hap shqiptar në gjuhën tingëlluese italiane. Nuk ka asgjë të parapërgatitur dhe asgjë letrare në të, fuqia frymëzuese që gjallëron e bën të nxjerrë flutura dhe shpata nga goja e nga zemra duhet të ndodhet në një zonë të imagjinatës në të cilën nuk arrin as të imagjinosh.
Pjesa e kohës në të cilën krijohen e zhduken imazhe, metafora, nderthime pamjesh, tregon që përpunimi i kësaj lënde e të tillë kombinimesh mahnitëse ndodhin një hap përpara vetëdijes letrare.
Flitet për zonën e jetës që është e lidhur me të ardhmen, me rritjen e saj. Ç’është poezia në të vërtetë përveçse dalja në sipërfaqe e një vepre që na paraprin, që i kërkon vetëdijes tonë të zgjerështë dhe të mos ndalojë një të atillë dalje në sipërfaqe?
Anila Hanxhari nuk është poeteshë e vështirë. Kush mendon që ajo është e pakuptueshme (e paqartë, e errët) nuk kupton asgjë nga poezia. Është profetike. Shpirti i saj si thoshte Rimbaud (e si e dinte, njihte mire Giovanni della Croce), është bërë i paarritshëm – i paarritshëm përkundrejt shpirtërave të qetë, të bukur dhe të përfunduara të borgjezëve.
Parandjenjësi është si një qënie detare në poezinë bashkëkohore. Preferohet shpesh ironiku, skalitësi i rrethanave, rektori i vogël i emocioneve. Për të qenë parashikues, duhet të kesh liri dhe vrull që janë cilësi të rralla tek poetët e sotëm. Dhe jo rastësisht, zbriti si një meteor i çuditshëm pak kohë përpara në një përmbledhje Mondadori.
Përgjithësisht preferohen punues të thjeshtë tekstesh, ndërsa në këtë kontekst, në poetë te këtij lloji jemi të pranishëm në vërshimin një force të nëndheshme, gati si një shpërthim vullkani e që vërteton që puna poetike, e mirëfilltë ndodhet në thellësi, shumë përpara fjalëve.
Të rrallë poetët si Anila që më kanë transmetuar ekzistencën dhe zellin e diçkaje që Ungaretti quante ‘sekret’ së cilës poeti i bashkëngjit -gati me gëzim-shprehjen e tij të prezantuar si një dëgjim por që në të vërtetë shndërrohet në recitim.
Nuk kemi të bëjmë me një trajtë mekanike. Asnjë poezi nuk është e shkruajtur mekanikisht. Këtu edhe përsëritja e here pas hershme e figurave si lulet, dhe pasuria e të tjerave-fëmijët, fundi vala-dëftojnë një virtuozizëm krijues që nuk vjen nga një strukturë automatike (mekanike), por nga një ushtrim i gjatë i mendimit e i rikthimit në mend. E jep dhunti të lira shoqërimi
“Kam vendndodhje në përmallim
jam prapavijë gjethesh”
Poetesha është krijesë e mallëngjimit. Ajo interpreton këtë fjalë shpesh herë të përzier me një lloj mallëngjimi të ngrohtë, të shkurtër, kalimtar. Për Anilën, në të vërtetë, mallëngjimi, spostimi i të vërtetës është esenca e gjithësisë. Është natyra, qenia e saj, në të cilën poetesha gjen vende, vorbulla, lakime. Gjuha e saj, e pasuruar nga një largim i lehtë prej italishtes, gjen mënyrë për të na dhënë esencën e të vërtetës. Mbas daljes së saj në poezinë italiane, u vendosën mbi të si perëndi mbrojtëse Campana, Carnevali e të tjerë. Dikush ka shkruar që mënyra e thurjes së vargjeve të Anila Hanxharit tregon në artistin bashkëkohor mungesën e identitetit të harmonisë. Çështja prek probleme që shkojnë përtej sferës së letërsisë, duke qenë çështja e identitetit dhe e njësisë së Unit një prej fushave te pafundme të kërkimit dhe të diskutimit në ditët e sotme (nga hulumtimet neurologjike deri tek filozofitë e vetëvendosjes së individit e teoritë e njësive të individit. Pikërisht, ishte Giacomo Leopardi që vetëpyetej dhe pyeste hënën gati 200 vjet përpara: “Kush jam une”? Unë mendoj krejt të kundërtën.Gjendet në poezinë e Anilës një forcë ngulitëse shenjë energjie bashkuese dhe e jashtëzakonshme. Lë të kuptojë që burimi, forca nga rrjedh shpeshherë me rrëmbim zëri i poezisë së Anilës është i një gruaje, i një personi që kurrë nuk ka ndërmend të fshehë fytyrën e saj dhe as ta bëjë atë të përgjithshëm. Në fund të fundit, ka karakterin e saj, një karakter që i paraprin karaktereve me të cilët është e thurur poezia dhe nga ai karakter ajo nuk heq dorë kurrë. Nuk vijnë nga një rrjedhë këto fjalë, nga një Un i përhapur o i ngatërruar në një ndjesi paniku me natyrën dhe as më tepër nga ndjenja shoqërore të një zëri gruaje.Këtu ndodhet një grua,kjo grua ka karakterin e saj që jo vetëm nuk zhduket por ushqen dëgjimin e stilin. Mënyra me të cilën poezia shndërrohet në thirrje të njëzëshme (përsëri Ungaretti) nuk është pezullimi i të qënit “jetë njeriu” por huazimi nga niveli më i thellë e i lirë i asaj jete të veçantë. Kjo mrekulli e veçantë bën që të bashkëjetojë karakteri i veçantë me imagjinatën e mahnitshme dhe është një nga motivet që e bën këtë poezi të veçantë e të çmuar.
Kur gjyshi im përpara bibliotekës hiqte qeleshen në shenjë respekti, më mësonte mirënjohjen. Është mirënjohja mjeshtra e virtyve, ku çdo virty tjetër mëson të thotë faleminderit.
“aty është mendimi ynë i pa përdorur, thoshte”…
1.
Të flas për mbytjen kjo më është dhënë për fat
e kam parë vdekjen deri tek marramendja e vajzës sime
nga mushkëritë kanë kapërcyer kuajt
gllënka më ka tharë prehrin
kripa më ka zbardhur kariet e pupilave
kam fatin të dashuroj por jo të më duan pemët
më vdesin në det në linjën e brinjëve
sepse zoti do që të dua vetëm atë
dhe ai të kuroj pemët, detin dhe unë dashurinë për duart e tij
– Unë të ngelem në stomak, po ta them, jam ujë me klor
agjërim që ushqen jam, mikpritja o zot
nëse ekuilibri më është derë mungese
bëm vallë deti!
-Ti je digë, më thua
barrikadë valëpritës
pengesë, barrierë drite
e vërtetë si kanceri kur të ndaj nga deti
– Bëjmë një pakt, ta firmosim tashmë këtu
jepmë forcë të jem dashuri për të gjithë
për pemën, detin, për një drithërimë kufome
për një popull nën torturën e tregtarëve
unë kam qenë në varrimin e shokëve
vdekja më është dora e majtë
do të të kursehet fati i stinëve, mbas shpine
unë do të kujdesem për ty, pemët, gjakun, detin
dhe ti ushqemë me ty e dashur, me kohën që të mbetet
2.
Përpara se të vdiste gjyshi më tha:
fjalën jipe si grushti që nuk ka forcën e vdekjes, por forcën e jetës!
Një herë e një kohë edhe milingonat spiunonin
pragun me gurë
tashmë janë zhdukur pragjet
si gjyshërit që fusnin shkopin në plasaritje
dhe kangjellat e mbuluara me çarçafë
që ndanin kufijtë e tokave
kokë më kokë fati
gjoksi i pjekur nga qumështi pluhur
asnjë ulje çmimi për pushimet
mirëse erdhe mes fishkëllimave të plumbave
do të ikim me borën
që i bën inventarin zhgënjimeve
historinë do të na e tregojnë rrobaqepësit
që do fusin në gjëlpërë kokën tonë më të mirë
tërhiqeni karrigen nga këmbët
dhe lerni që qafa të këputet nga populli.
3.
Nuk është liria që e bën të lirë njeriun
vetëm njeriu i mençur e çliron lirinë
Liri
e jona është një shkëmbim letrash të përjetshme
sysh, negociatat, pritash
një zemër udhëheqëse e fituar
në revoltën e engjëllit
nën forcën e remave
gjendemi duke lundruar
linjën e zjarrit armik
një mendje të bindur nga plugu
Liri, a keni qenë ndonjëherë në bukurinë
të emëruar nga lisi
poezi e përjetshme dhe e gjelbër
që hyn në mish
në majë të mrekullisë eterike
ndërsa ndryshon dritë, zemër, zhurmë
a e ke kaluar në këmbë, në kalë
zvarritur nga flokët
duke lënë gjurmë velloje nusesh
dhe këmbën e një fëmije
të prerë nga lufta
a keni shtruar tavolinën
në poezinë e të vdekurve
me bërthama, lule gjykimi,
një zemër të përparuar
ke ndërtuar tabela hekuri
në mendje
me ndriçim të dobët
me mbishkrimin “qitje në shënjestër”
ke fjetur në një tavolinë
si ushtar
arratisur nga Edeni
keni bredhur nëpër jetën tuaj
duke e lënë mbas peisazhit
ose mbas gjakut
megjithatë, ju jeni ndeshur me bukurinë
ndërsa të mbante dorën
ju jeni kthyer në lis
si i huaji i fundit i paqes
4.
Poezia është të analizosh kufomën
të ujitësh mollët
dhe të gjesh gardhin
kur punohet me bletët
fjalët janë vezë të rrahura
fije që lidh gjuhë të huaja
ç’mund të them për vjelësit e mjegullave
edhe drita ndërhyn në grindjen
e flokëve të zbardhura nga tabaku
dhimbje lindjeje në rrobdishan
fjalët toke të hapura, gjokse
bubullimë bombash kundër njeriut
njerëz të papjekur
do të ndërtojmë një familje në auditorin e pasqyrave
mes fishkëllimave të gjakut dhe zgjimeve
mes drurëve në kokë
dhe supës së mirë të rrepeve
do të zbuloj kohën e dritës
filloni të numëroni 15 hapa
poezia është fjala e mbajtur, besa
ka një llogjikë në ndjenjë
është xham zmadhimi dhe shtrëngimi i duarve
mes vetvetes ndërsa të bëj mat shahu
5.
Një ditë ti mbylle derën
dhe unë isha dhimbje drite që mbante frymën
sepsa frika është i mbijetuari
kush mund të nxehet me të mbijetuarit
drita dha dorëheqje nga shtëpia nga trupi
mori rrugën për në pemë
pastaj më lartë për në flatra
për të shndritur kur të tjerët do të lakmojnë degët
duke qëlluar
Çfarë pengon zjarrndesësve të shpirtit për të fluturuar?
kanë qendrën të përqendruar tek mungesa
mbaji syt pa i hequr, fiksoji mbi diçka, mbi pemët
në magjinë e përrallave
dhe puno me gjethet kur të mungon trungu
6.
Ti, dhimbje, pengohesh ndër mua vetëm nëse të thërras
dhe shfrytëzon familjen
për të kuptuar që lindja është
trari që shihet nga pragu
derdhja e çimentos
një mendje e zbrazur nga ajri
dizineskuar nga fëmija
dhe kur bëhesh turbinë
do të thotë që ke nevojë për mua për të mbijetuar
si për vorbullën dhe mallin
ne presim kërthizën që na lidh
unë bëhem brazdë me spirale, por ti nuk je më njerëzore
je forma e debulesës që më merr forcën
do të vij të na gjej lumi si roje trupi
ti arrin majën time më të lartë dhe bëhesh rrebesh
unë arrij majën tënde më të lartë dhe bëhem
mjeti që mat ngritjen e spirancës
7.
Për shkak të zjarrit zemërgjerësia është në rekuperim
riciklon jehonën e të burgosurve
nga frika ime për tokën
marr varkën çdo ditë
gjykata tërhiqet për vendim!
Të ngrihem në këmbë është teknikë prej boksieri
ushtrohem me këmbët e ngulur në ujë
të ecësh mbi ujë është prerogativë e të mbyturit
e ke parë detin?
doni provat e ngjitjes
regjistrimin e gojës
përkuljen e dallgës ndërsa pajton
pastaj loja e gjakut
përdor borën, qiellin, bëj një sferë kristali
për të parë lartësinë e orës
notimin deri tek zhurma
Bëmë esëll o zot
nuk duroj që fantazmat të kalojnë dhe të mos i kap!
8.
Mendja është popull, më thoshte gjyshi
gjyshi im është barrikadë
ka zhvilluar përardhjen e heshtjes në kallo
përtyp flalën poshtë mustaqeve me shegë
lashë kohën në shtëpinë e mamit
fjala e gjyshit tashmë është orendì
sposton birilat ku është atdheu
dhe luan drita më parë se të shkojë nuse
unë veç jam loja e preferuar e pragut
e karrocës dhe e sporteleve
e lejes të qëndrimit elektronik
arrestimi ynë shtëpiak
luan me ne sa herë vdesin gjyshërit
ne në pritje për rinovim
ja madje dhe me babin ndodh ndërsa vdes i ati
mendja është stomak thoshte gjyshi
than me rërë sytë, enjtjet
kërkon përmallimin e ujit
si zoti kufijtë me kthetra
mallkuar qofsh leje qëndrimi
na kaloi jeta mes shenjave të gishtave
mamit ia marrin çdo muaj
i ka gishtat pa gjurma
në shpresë që t’i kthehen
i ka qëndisur tek ëngjëjt
në rrugicat e kokës dhe të luleve
që skicojnë nga rrënjët
deri në fillim të gropës
më ka lindur vajza në lejen e qëndrimit
ka shtuar kukullën
shenjat e gishtave
dhe tokën e gdhendur në stomak
ajo është italiane për të drejtë stomaku
ka sindromën e udhëtarit
shkruani në lejen e qëndrimit
shenja të veçanta të vajzës:
gastrointerite dhe kome në tokën e nënës
përsëritet si deti dhe i mbyturi
ndonjëherë thyhet si dallga
duke bërë hesapin e përrallave të Andersenit
gjashtëmbëdhjetëvjeçare vajza merr lejen e saj të qëndrimit
fëmijët e të huajve piqen më parë
kuratore e shenjave të ujit e thërrasin
përpara se të kuptoj që uji i shënon duart
kur goja i ndizet nga përplasja e gurëve
dhe drita, ndërsa ndalon të shoh
një grusht dheu në plagë
(nga komuna më telefonojnë: vajza ka 18 vjeç
complimenti është me ligj qytetare italiane
nga zyra e emigracionit pas një viti në pritje:
nëse nuk ndërron adresën zonë në lejen e qëndrimit
vajza e juaj rrezikon të kthehet!
– Vajza ime është qytetare italiane!)
edhe vëllai im është bërë qytetar italian
mami lufton akoma me rinovimin e lejes të qëndrimit
me mungesën e shenjave të gishtave
do të jenë ndryshimet e shtëpisë, telat me gjemba, pemët
dhe ajo që fluturon e kërrusur më afër plagës
9.
Ne jemi uji që flet brenda gjetheve
ku milingonat shuajnë fytyrat
mes dy rrënjëve
qytet brenda ujit
hija me harqe
ti thua do të shihemi shpejtë
jemi pjesë e kangjellit
uji do të hapë parcelat e mishit
do të nxjerrë fjalën si nëna në tokë
versioni i lulëzimit
asnjë mungesë është dora nëse uji
shpartallon sytë për të të parë
sa hije bën drita jote në cep të gojës
një rrugice
nga hijet i njoh ato sy bore
kur rrëzohen për të të bërë vend
sa rrugë për të hyrë në duart e tua
ja pra pse ato janë kryqëzim pa rrugicë
dhe unë lëmsh guri
10.
Si drita mësoj të vrapoj pa orar
ti brenda meje shpatë, borë, gojë
për të ngatërruar garën
sapo mësoj të eci mbrapshtë
ti më bën trup
sapo përshkoj trupin tënd ti më kthen
me këmbët në tokë
për atë kohë që fluturova
më pak se një sekondë
veshja ime ishin sythat e dritave
në sitën e gojës tënde
do të vesh në zjarr dritat, ngushticat, pritjen
fytyrën time
do të shtosh një turrë drush zjarrit
për të zvogëluar shtëpinë
dashurinë, përjetësinë
dhe kur të jem kryer
të lutem ktheje kokën!
11.
Sot nuk dua të tërheq në valle dashurinë
jam pajtuar me pyetjet
dhe sonambulen
i kam vënë lidhëse plagës
kam hedhur greminën në ujë
kam shkulur fundin e ujit
kam rregulluar dritën në rafte
vellon e bardhë ia dhurova kalimtarit
me mallin ndërtova akrepat e orës
kohën ia lashë lumtumirave
por po ju pyes ku përfundojnë sytë që kanë parë?
12.
Mos më thuaj që i kam ëndrrat me fat
kërcasin ndër këmbë si degë të thata,
por nuk vdesin
nuk është parashikuar vdekja, por vetëm takimi
si është e mundur që më mungon
si zbritja në maskë
si është e mundur që koka ime po shpërthen
si fishekzjarre
në çfarë magjije ose lumtumire
kam zbritur nga kërcelli
me ç’gdhendje koincidoj
në ç’pagjumësi do të tregoj dritëprerën
do të duhej një goditje e fortë
për të hyrë të ndarë nën urdhër
me vellot e tepërta në stomak
do t’i jepemi gazetave me kostum dielli të ngrirë,
por asnjë plagë mes nesh, mos më keqkupto
nuk është parashikuar vdekja, vetëm takimi.
13.
Kur mungojnë pasqyrat
më jep një tjetër version të pasqyrës
një shpatull
kur më mungojnë mendimet
dhe bëj llogaritë e mendjes
marr hua nga vagabondët, nga dështimet
nga vdekja, nga pikturat bashkëfajtore
me grushtet përtej borës
turpi hahet me zë të ulët
si ëmbëlsirat
pasqyrat nuk i përulen syve tona
pasqyrat tradhtojnë, gënjejnë
për këtë pasqyrohem në të gjitha pasqyrat e shtëpisë
njëra ma tregon zemrën prej llamarine prerëse qosheve
tjetra nuk i përulet shantazhit
ta kam premtuar, të bëra të besosh
që do të rri përgjithmonë,
por mos më kërko që të vdes
kur orët rrjedhin në pasqyra
14.
Të dashurova ty më përpara se pemët të lindnin
më përpara se të të shihja
më përpara se të lindte zemra- bardhëetja
më përpara se fjala
më përpara se të gjitha përrallat të kishin formë
përpara gjinkallave dhe strofullave të këngës
dashurova ty më përpara se të trashej kujtesa
dhe ti ishe për të drejtë lindeje ditëlindja e kryer
nga vullneti im
pastaj dashurova veten dhe pata në dhuratë sytë
për të dëshmuar të ggitha gjërat që pashë duke të të dashur:
gjakun në fyt.