Bledar Koçi: Mesnatë
Pyes vetvetes se ç’mall të ka vrarë,
Ç’foléze të huaj mbështillesh tani?
Kjo hënë shpupurís flokët e larë
E tinëz që sheh, dritares nga ti.
*
Ashtu e dremitur, një dorë të këputet
Orbitës një ëndërr të vjen rreth e qark,
Me zë të flet lehtë në vesh e të lutet
Si lutjet e lëna diku atje larg.
*
Kur terr i mesnatës të fryn si mëndafsh
Ti, dallgë të florinjtë fytyrës ndez dritë,
Diçka e mërguar e kthyer në afsh
Nga prag i folézës, të futej në shpirt.
*
Pyes vetvetes në ç’mall je venitur,
Të vij e të gjej si erë a furtunë?
Kjo hënëz po qesh ndër flokë shpupurisur
E tinëz që sheh, dritares nga unë.