Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Albert Prifti: SHPËRNDARJA GJEOGRAFIKE E FISEVE ILIRE

Harta e shpërndarjes së fiseve kryesore ilire.

Termi Iliri përfshin territoret në perëndim dhe në qendër të gadishullit të Ballkanit (në Europën Juglindore) të banuar për më shumë se 7,000 vitesh nga ilirët e paraardhësit e tyre. Gjithashtu ilirët ishin të pranishëm edhe në një pjesë të gadishullit Apenin.  

Ilirët si kufi verior kishin lumenjtë Sava e Drava në veri (në veri të Sllovenisë dhe në verilindje të Kroacisë), duke shkuar drejt jugut, si kufi lindor shërbente rrjedhja e poshtme e lumit Drina (në lindje të Bosnjes dhe Hercegovinës). 

Më pas kufiri kalonte (me drejtim perëndim – lindje) në lumin Morava në sektorin e mesëm dhe më pas vazhdonte në drejtim veri – jug me malet Homolje, Star Planina e Besna Kobila (në lindje të sektorit të Sipërme dhe të Mesëm të luginës Moravës Jugore) në Serbi. 

Kufiri vijonte me sektorin e Mesëm të lumit Vardar (ky sektor e ndan pothuajse në dy pjesë Republikën e Maqedonisë së Veriut: në lindje dhe perëndim). 

Më në jug si kufi shërbente vargu malor i Varnousit (Barnousit). Kufiri vazhdonte me relievin malor, që vazhdonte diagonalisht drejt jugperëndimit deri në gjirin e Ambrakisë (Artës) në Greqi. 

Në perëndim, territoret ilire lageshin nga detet Adriatik dhe Jon, madje në fillim të mijëvjeçarit të parë Para Lindjes së Krishtit disa fise ilire u vendosën, aty ku sot ndodhet Italia: në anën tjetër të këtyre dy deteve.

Nëse do të vështrojmë hartën politike në ditët e sotme, atëherë konstatohet që ilirët shtriheshin në këto shtete: Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovina, Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Greqi dhe Itali. 

Shtrirja e fiseve kryesore ilire sipas hartës së sotme politike 

    Nr.  ShtetiFiset kryesore ilire
 1SlloveniaJapodët dhe Liburnët
 2Kroacia Liburnët, Desidiatët, Dalmatët, Autariatët, Ardianët, etj.
 3Bosnia dhe HerzegovinaAutariatët, Dalmatët, Desidiatët, Dorsejtë,              Pleratët, Ardianët, etj.
 4SerbiaAutariatët, Desidiatët, Pleratët, Dokleatët, Dardanët, etj.
 5Mali i ZiArdianët, Pleratët, Dokleatët, Labeatët, etj.
 6KosovaDardanët
 7Maqedonia e VeriutDardanët, Pajonët, Penestët, Pellagonët, Lyhnidët, Lynkestët, Enkelejtët, etj.
 8ShqipëriaArdianët, Dokleatët, Labeatët, Pirustët, Arbët, Albanët, Taulantët, Parthinët,                Enkelejtët, Dasaretët, Bylinët, Amantët, Atintanët, Eordejtë, Mollosët, Kaonët, etj.
 9GreqiaThesprotët, Mollosët, Kaonët, Dasaretët, Eordejtë, Lynkestët, etj.
 10ItaliaJapodët, Mesapët, Peusetët, Japigët, Daunët, etj.

 Fiset ilire kufizoheshin:

▪ Nga fiset Kelte në veri;

▪ Në verilindje nga fiset Dake;

▪ Në lindje nga fiset Thrake;

▪ Në juglindje nga fiset Maqedonase;

▪ Nga fiset Greke (qytet – shtete e Antikitetit) në jug;

▪ Në perëndim nga detet Adriatik e Jon;

▪ Nga fiset Italike në gadishullin Apenin;

Ilirët shtriheshin ndërmjet këtyre koordinatave gjeografike:

◦ Gjerësi Gjeografike Veriore: në veri 46° 28’ (në veri të kryeqytetit të Sllovenisë, Lubjanë) dhe në jug 38° 39’ (në gjirin e Artës, Greqi); 

◦ Gjatësi Gjeografike Lindore: në lindje 22° 09’ (në lindje të qytetit të Nishit në Serbi) dhe në perëndim 13° 50’ në Kroaci (në gadishullin e Istrës).

Sipas shkrimeve historike, ilirët shtriheshin edhe përtej këtyre koordinatave gjeografike. Në Azinë e vogël u shpërngulën grupe popullsish Dardane, Pajone, të cilët përmenden në eposin homerik si pjesëmarrës, përkrah trojanëve në luftën e tyre kundër grekëve, etj.

 

Please follow and like us: