Albspirit

Media/News/Publishing

Pajtim Sejdinaj: Bëmat e Nastradinit

Eh! Xha Hasan, Xha Hasani! Të pastë rahmeti shpirti e le një nam, e le një proçkë pas!

1.

Kur lindi gruaja djali ishte në hall. Si do ta regjistronte tek nëpunësi i gjendjes civile. Kishte dëgjuar se aty ishte vështirë për t’u regjistruar. Një shok i tij i kishte thënë: “O shoku! Fëmijë lind gruaja ime plot. Po kush mi regjistron tek Seriani (nëpunësit i gjendjes civile)? Ai rri gjithë ditën tapë (i pirë)”. Ndaj për të mbaruar punë më mirë nisi të atin me që ai njihej në lokalitet. U nis xha Hasani për në lokalitet (në qendër të zonës, atje ishin dhe zyrat e gjëndjes civile) duke marrë me vete dhe ca peshqeshe të ‘vogla’ që i shkonin për shtat Serianit, nëpunësit të gjendjes civile. Mori dy kilogram raki ballkazani koçimare të zier dy herë, një pulë të pjekur, pak djathë dhie, turshi  dimri, një kulaç të pjekur në ponic, ca ullinj të kripur. Shënoi dhe emrin e djalit në një defter. I hipi mushkut të kuq dhe u nis pa rënë drita. Donte të mbaronte punë shpejt se i kishte lënë ato të shkreta bagëti vetëm. Me vete mori dhe një trast tagji dhe një denek me bar. Fshati i xha Hasanit ishte gati dy orë larg nga lokaliteti. I kishte dhënë e shoqja ca porosi për të blerë. Helbete me raste vinin në lokalitet dhe e gjithë zona atje shkonte për të blerë. E kishin si qytet atë qendër të zonës. Edhe porositë nga gruaja dhe fqinjët i kish shënuar në defter. Seriani e kishte bërë zakon: çdo mëngjez po mos të shkonte nga klubi i lokalitetit nuk i gjente derman shpirti. Ai kish qenë partizan së bashku me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv. Ai e vendosi në atë zyrë dhe s’kish ‘damlla’ që ta hiqte, pavarësisht ankesave të njerëzve. Xha Hasani lidhi mushkun tek një ftua. I hodhi denekun me bar, mori torbën me ato gjërat dhe u nis te zyra e nëpunësit të gjendjes civile. Seriani sa e pa për së largu tha me vete “erdhi si cjapi te kasapi”! Fërkoi mjekrën me dorë. Nuk e kishte parë ndonjëherë këtë fytyrë. Po vriste mendjen, por nuk i kujtohet fshati nga ish.

– Mirëmëngjez! – i tha mysafiri.

– Mirëmëngjez o trëndafili me vesë! Paske munguar a derëbardhë! Ç’hall të ka prurë! – i tha Seriani.

– Po ja dua të regjistroi nipin!

– A e paske punën me mua! – i tha Seriani duke hapur derën e zyrës. Mysafiri u fut brenda së bashku me torbën në krah.

– Ulu! – i tha Seriani duke treguar me dorë një stol prej dhoge.

Xha Hasani u ul mbi stol. Seriani hyri drejt në temë:

– Hë, bëre ndo një çikë raki sivjet?

– Bereqavers! – ia ktheu mysafiri. – Të kam prurë pak! – i tha duke nxjerrë gjerat që kishte sjellë nga shtëpia dhe i vendosi mbi tavolinën e Serianit.

Seriani nxorri nga sirtari dy gota rakie dhe i vendosi mbi tavolin. Hapi ato gjërat që kish sjell miku dhe mbushi të dyja gotat nga rakia që kish sjell miku.

– E po i gëzuar, të patça! Të rrojë nipçja! Të bëhet me mjekërr të bardhë! – Faleminderit or mik.

– Për nipçen! Me fund! – i hodhën gotat plot

– Këtë e kam tënden me fund!

– Faleminderit! Unë e pi për ty.

– Për kallaballëkun tënd!

– Me fund.

– Për ty!- ia kthen xha Hasani, – me fund!

– Mos u mërzit se do ta bëjmë regjistrimin e nipit! – i tha Seriani duke mbushur gotat e rakisë. Mos u mërzit se ka kohë! Ja sa të mbarojmë këtë të flamosur! – duke treguar bodilen e rakisë.

– Gëzuar! – i thotë xha Hasani- për trungun tënd, plot!

E kështu vazhduan deri sa mbaruan bodilen me raki dhe mezet. Seriani pa orën dhe tha: – O! Paska vajtur ora tre! – Si do t’ia vësh emëron nipçes? – pyeti xha Hasanin.

Xha Hasni kërkoi nëpër xhepa letrën që kishte shkruar emrin e të nipit, por s’e gjeti.

– Bo bo më paska humbur! – tha. – Po çoja çfarë të duash, vurja edhe Nastradin, – i tha Serianit. Seriani shënoi në regjistër emrin Nastradin dhe i tha xha Hasanit: – Ta gëzoj or mik!

-Të faleminderit! – i tha tjetri duke i dhënë dorën.

U ndanë, xha Hasani zbriti poshtë për të ikur, tjetrin e la në zyrë. Xha Hasani ishte bërë sarhosh dhe i merreshin këmbët. Ashtu i pirë vajti te mushku që kish lidhur. U afrua një bashkëfshatari tij.

– Si shumë paske pirë o Cane?! – i tha.

– Me sebepe! – ia ktheu. Tjetri e hipi te mushku dhe e nisi për në shtëpi. Mushku e dinte vetë rrugën. Xha Hasani harroi pa mbaruar porosinë e të shoqes dhe të gjitonëve. Në shtëpi vajti pak para se të hynte dielli. Mushku qëndroi përpara portës së shtëpisë. E priti e shoqja dhe nusja e djalit.

– Po si je bërë kështu o lumadh! – i tha e shoqja. Xha Hasani mërmëroi diçka nëpër gojë, po gratë nuk kuptuan asgjë. E morën, e futën në shtëpi, e shtrinë në një minder dhe i hodhën një jorgan. Shfrynte si derr. E zuri gjumi. E shoqja doli të rregullojë mushkun.

Xha Hasani u zgjua të nesrmen në mëngjes. Doli në oborr, ku ishte djali me nusen dhe e shoqja. – U plake dhe mend nuk nxure! – i tha e shoqja dhe vazhdoi: – Tërë  jetën, mendja kobure! U bëre dhe me nip!

– Mbarove punë! E regjistrove emrin e djalit! – i tha i biri.

– Po çfarë emëri i çove? – e pyeti nusja e djalit.

Xha Hasani u zu keq nuk e mbante mend emrin e djalit… U mendua pak pastaj bërtiti “Nastradin më duket”!

– Si! – i tha e shoqja.

– Hë, mo se emri kapistër është! Të na rritet me shëndet!

Djali me nusen qeshën.

– Po porosinë e mbarove!

– Bo, bo! (i ra ballit me dorë). Për atë zonë tani u kujtova!

Kështu xha Hasani e la një proçkë për t’u kujtuar nga brezat e ardhshëm. Kjo data e 15 majit 1957 hyri në histori.

2.

Djali i vogël filloi të rritej.Të gjithë i thërrisnin Nastradin duke u nisur nga shakaja e kripur që bëri xha Hasani atë mëngjes. Me Nastradinin ishim 20 vërsnikër. Jo vërsnikër të të një viti, por të një dite. Dhe të gjithë meshkuj. Kur djali vajti 7 vjeç dhe do të regjistrohej në klasën e parë, i ati vajti për të marrë çertifikatën ku lexoi emrin e djalit Nastradin në regjistrin themeltar të gjendjes civile. Mori çertifikatën dhe erdhi në shtëpi. Ia tregoi çertifikatën nënës në darkë.

– Jalla mos të zëntë sabahu! T’u zënçin grykët! Vdeksh sonte! Po ti emrin Nastradin ia ke vënë djalit vërtetë! – i tha të shoqit duke shfryrë.

– E mo se emër është se s’u bë hataja! – i tha të shoqes duke qeshur. Natën xha Hasanit u godit në zemër dhe pak më vonë vdiq. Vdekja e xha Hasanit hapi shumë polemika në fshat. Kish nga ata që thoshin “e vrau gruaja”. Ca thoshin “e ka vrarë nusja me gjithë djalin”. Të tjerë thoshin “ka pirë raki dhe është helmuar nga veremi”.

Graria thoshte “e mallkoi e shoqja dhe e zuri ahu i saj”. Por ajo që vendosi për vdekjen e xha Hasanit ish ekspertiza mjeko-ligjore e cila tha se vdekja ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak. Të nesërmen u varros xha Hasani, por nuk u varros prroçka e tij. Në fshat qarkullonin lloj-lloj alibish. Hakiu, i ati i Nastradinit nuk ia ndërroi emrin djalit vetëm e vetëm për të mbyllur gojën e miletit në lidhje me thashethemet e krijuara. U rritëm bashkë me Nastradinin. Ne vërsnikët kishim një prerje. Klasën e parë e filluam bashkë. Në mbasdite dilnim nga bahçja e ullinjve dhe loznin lojra të ndryshme si hapa-dollapa, ngriva-shkriva, dokthi, cingli, futboll, kala dibrançe, lojë luftrash etj. Nastradini ishte pak i prapë, por ishte djalë i qeshur dhe i pa përtuar. Ne vërsnikët shkonin shumë me njëri-tjetrin. Deri në klasën e katërt ishim mirë deri kur Nastradini na bëri proçkën e madhe. Atë ditë mësuesi na tha: – Nesër do t’i bëni ujë mësimet se kemi dhe kontroll nga Drejtoria (ne ishim shkollë varëse, shkolla mëmë ishte 7 km larg shkollës sonë). Nastradini vete në shtëpi i fut librat në një kovë me ujë dhe i lë gjithë natën. Të nesërmen ai erdhi me vonesë. Mësimi kish 10 minuta që kish filluar. Trokiti dera.

– Hyr! – tha mësuesi.

Dera u hap hyri, Nastradini mbante në dorë një kovë. – Po këtë çfarë ke!-e pyeti mësuesi. – Po ti na the dje që t’i bëni mësimet ujë! Unë i futa në kovën me ujë dhe i solla sot! – u përgjigj Nastradini si i tromaksur.

Klasa qeshi me të madhe. Nastradini la kovën dhe doli me vrap nga klasa. – Nastradin, Nastradin! – foli mësuesi, por ai nuk u kthye. – Qetësi! Qetësi –u foli mësuesi nxënësve dhe vazhdoi mësimin. Ai e kuptoi që kishte bërë gabim dje që u kishte thënë nxënësve “nesër i bëni mësimet ujë”. Dhe ky ishte një problem serioz sepse Nastradini nuk do të vinte më në shkollë.

Dhe ashtu ndodhi vërtet. Të nesërmen Nastradini nuk erdhi në shkollë. Mësuesi priti një javë, por ai nuk erdhi me gjithë lutjet tona si vërsnikë. Mësuesi e pa të arsyeshme të shkonte te shtëpia e Nastradinit. Një mbasdite mësuesi na mori ne vërsnikërve dhe shkuam te shtëpia e Nastradinit. Na priti babai me mamanë. Nastradini nuk ish në shtëpi. Babai i dha fjalën se nesër do ta binte vetë në shkollë të birin. Dolëm. E shoqëruan mësuesin deri te shtëpia e vet (në fakt ai ishte nga Përmeti, por rrinte në një familje në fshat). Mësuesi na porositi që ngjarjen e ndodhur të mos ia zinin në gojë Nastradinit. Të nesërmen babai e solli në shkollë. Ai rrinte “si pulë e lagur”. Mësuesi e përgëzoi, e puthi para klasës dhe m’u drejtua mua “Ti, Karafil Izvoi, (kështu më quajnë mua) do ta marrësh në patronazh Nastradinin”. Unë u ngrita në këmbë dhe thashë “dakort”. Mësuesi filloi mësimin.

Me gjithë përkushtimin tonë si vërsnikë, ai nuk hoqi dorë nga rruga e tij. Mësimeve ua vari, në shkollë vinte me hope, nuk përgatitej dhe nuk i bënte detyrat. Tërë mbasdite shkonte për të ngritur gracka. Me trup ish më i bëshëm nga ne. Të gjithë vërsnikët i mundte dhe ne ia kishim frikën. Në lagje ishte bërë shumë i bezdisur. Nuk linte furrik pulash pa kontrolluar dhe merrte vezët e tyre. Kishte bërë një palë llastiqe dhe veç zogjve apo mëllenjave që vriste, vriste dhe pulat e fqinjve sa ata i kishin ngritur një bejte: “Me vulë o Nastradin me vulë, për mëllenjë vrave pulë”!

Fqinjët ishin ankuar dhe te i ati, ai prapseprapë nuk vuri mend. E mbaruan si e mbaruam klasën e katërt. Klasën e pestë do ta bënin në një fshat tjetër që ishte 2 orë larg nga fshati ynë (atje ish shkolla 8-vjeçare për klasat nga e 5-ta deri te e 8-ta). Në atë shkollë na ndanë në dy klasa paralele për shkak të numrit të madh të nxënësve. Unë rashë një klasë me Nastradinin. Në atë shkollë ai qëndroi shumë urtë. Filloi të mësojë sa ne vërsnikët e tij u habitën. Rrinte në një bangë me mua. Në krosin e vjeshtës që u zhvillua ai zuri vend të parë dhe kjo e bëri të njohur në shkollë. Klasa e 5-të kaloi për bukuri sa dhe mësueset krijuan një opinion të mirë për të. Në garën e vrapimit 1500 metra të zhvilluar në shkollë ai zuri vend të parë. Drejtori i shkollës i dha një fletë-lavdërimi me motivacionin: “I jepet nxënësit Nastradin Nastrodanoj si fitues i vendit të parë në garën e vrapimit në 1500-metra”. Në garat e para të gjithë quajtën rastësi zënien e vendit të parë në krosin e vjeshtës. Kurse kjo garë e forcoi më tepër opinionin e mësuesve dhe nxënësve të shkollës për shkak edhe të moshës që ai ishte në klasën e pestë. I preu me sopatë llastiqet dhe nuk vinte për të ngritur gracka. Vinte rregullisht në shkollë dhe kishte filluar të mësonte. Ne vërsnikët thoshim: “Kur u bë dhe Nastradini nxënës, mos mbet përrua pa dalë”.

Klasa e 6 dhe e 7 kaloi për bukuri. U hodhën mbas krahve të gjitha ato që kishin ndodhur në shkollën fillore. Kur ishim në klasën e tetë, ai zuri sërish vend të parë në garën 1500 metra që u zhvillua midis shkollave të rrethit. Gjërat shkonin për bukuri, po arrinim drejt finales “Provimeve të Lirimit”. Por në klasën e tetë ndodhi ajo që nuk pritej. Ishim në eskursion në Pogradec me klasat e teta. I kishim mbaruar mësimet priteshin vetëm Provimet e Shtetit. Në Pogradec në lkcal, në prani të gjithë nxënësve dhe mësuesve të shkollës, një nxënës, vërsniku ynë, u ngrit në këmbë dhe bërtiti fort: “E dini ç’ka bërë Nastradini kur ishim në klasën e katërt, i futi librat në kovën me ujë dhe i pruri në shkollë”. Të gjithë nxënësit ia dhanë të qeshurit. Nastradinit nuk iu durua, u ngrit, e qëlloi vërsnikun me karrike sa e bëri për në spital dhe doli me vrap nga lokali. Pas tij dola unë dhe mësuesi i fizkulturës. E zumë. Mësuesi i fizkulturës e mori dhe shetitën buzë liqenit; ai ma bëri me shenjë të largohesha. Unë  u largova te lokali. Vërsnikun e kishin çuar në spital për ta mjekuar. Mesuesja kujdestare iku me të së bashku me dy mësuese të tjera. Drejtori qëndroi në lokal dhe qetësoi nxënësit së bashku me disa mësues të tjerë. Nga dritarja e lokalit drejtori vuri re mësuesin e fizkulturës që po shetiste buzë liqenit së bashku me Nastradinin. Mbas gjysmë ore vërsniku erdhi nga spitali bashkë me mësuesit. U nisëm për në shtëpi. Mësuesi i fizkulturës dhe Nastradini erdhën të fundit në autobus dhe u ulën në sediljen e fundit. U nisëm. Heshtje. Qetësi.

Ishte dita e diel.

Autobuzi mbërriti në orën tetë të mbrëmjes. Kishin dalë prindërit për të marrë fëmijët e tyre. Mësuesi i fizkulturës i tha Hakiut (të atit të Nastradinit): – Djalin do ta mbaj unë sonte për darkë në shtëpi, mos keni merak!

– Mirë dakort! – i tha Hakiu.

Drejtori i shkollës takoi Hakiun dhe ne vërsnikëve dhe tha që nesër në orën 12 të jemi në shkollë. U ndamë. Natën e mirë! Natën e mirë!

Të nesërmen Nastradini nuk u fut në konsultime në lëndën e gjuhës. I vinte rëndë nga mësuesit, shokët dhe shoqet për ngjarjen e ndodhur në Pogradec. Bashkë me të qëndrova edhe unë. Në orën 13.00 u zhvillua mbledhja e këshillit të mësuesve për ngjarjen e ndodhur. Të pranishëm edhe prindërit e nxënësve. Mësuesja kujdestare kishte përgatitur një raport të shkurtër për ngjarjen.

Kish mendime nga më të ndryshme për masën ndaj nxënësit. Nëndrejtori i shkollës tha: “Të përjashtohet nga provimet e lirimit këtë sezon dhe t’i japi sezonin e vjeshtës”.

Mësuesja e muzikës tha: “Të mos i njihet klasa e tetë dhe ta fillojnë vitin që vjen klasën e tetë nga e para pasi ata kanë prishur imazhin e shkollës në mjedise publike”.

Mësuesi i fizkulturës propozoi: “Të dy nxënësit t’i kërkojnë falje njëri- tjrtri dhe të pajtohen”. Edhe mësuesja kujdestare ishte dakort me mendimin e tij. Fjala iu dha prindërve të nxënësve të cilët ishin dakort meendimin e mësueses kujdestare dhe atij të fizkulturës. Të dy shokët u pajtuan si vëtsnikë dhe vëllezër, i dhanë dorën njëri-tjetrit përpara mësuesve dhe prindërve. Nastradini hyri në Provimet e Lirimit dhe mbaroi klasën e tetë.

Filloi periudha e adoleshencës për Nastradinin.

Mbas mbarimit të klasës së tetë ai nuk mundi të vazhdoi shkollën e mesme për dy arsyje: e para për shkak të gjendjes së dobët ekonomike të familjes dhe e dyta shkolla e mesme ishte shumë larg nga fshati. Nisi punë në mosën 14 vjeç duke bërë punë të ndryshme në bujqësi dhe blegtori.

Punoi si kafshar, çonte qumështin nga stani i bagëtive në baxho. Mbas një viti filloi shkollën e natës, bujqësoren. Merrte pjesë në aktivitetet artistike që zhvilloheshin midis sektorëve të kooperativës bujqësore. Një rol impresionues që mbahet mend gjatë ku Nastradini kish rolin e rojes në lëmin e grurit të kooperativës, ishte ai kur kontrolli i kryesisë e kishte gjetur në gjumë dhe i marrin opingat.

Nastradini ngihet si i shashitur dhe bërtet nëpër skenë duke ndjellë qenin: “Na kuç! Kuç! Kuç! Mirë opingat m’i kanë marrë, po qeni nga vajti more i lirofsha nënën”! Humor bio pa skenar. Sa krijoi të qeshur të madhe në sallë. Në shkollën e natës ai ishte më i vogli. Herë-herë punonte qerrexhi me qerren e brigatës, bënte punët më të rëndomta vetëm e vetëm të mbante familjen gjallë. Ishte më i madhi fëmijëve prandaj i ati e dërgonte në dasma në vendin e tij. Në një dasëm (sipas radhës së miqësisë ai ishte dajo në fakt ishte gjyshi dajo, po në bazë të trashëgimisë i takonte edhe atij).

Në fillim e ulën në qoshe të odës së miqve duke ardhur miqtë e tjerë të shtëpisë (duke qenë më i vogël) spostohet duke vajtur në fund të odës. Pa filluar urimi Nastradini çohet në këmbë dhe i drejtohet të zotit të shtëpisë: “Xha Xhipja të trashëgohet djali! Dhe t’ua lesh hua miqve! E di sa e madhe është kjo oda e miqve”? Jo! – tha i zoti i shtëpisë.

-“Po ta them unë është 70-të ndënjura”(b*thë)! Plasi e qeshura në odën e miqve. Shkollën e mesme nuk e mbaroi dorë se e morën ushtar. Ushtrinë e bëri në një qytet të veriut. Mbas ushtrie punoi në kooperativë në punë të ndryshme. Kur ish ushtar bëri një kurs si teknik radio-televizori. Në fshat nami mori dhenë se Nastradini di të rregullojë televizorët. Një bashkëfshatari i ish prishur televizori, i merrte zërin, por nuk jepte figurën. E mori Nastradinin në shtëpi për t’ia rregulluar. Rregulloi figurën, por humbi zërin. Bashkëfshatari me atë humorin e hollës i tha: “Bëma qysh ma qe”!

-Nesër! – i thotë Nastradini dhe iku.

3.

Nga mesi i viteve 1980-të Nastradini u martua në Tiranë. Vajti kollovar, dhëndërr brënda. Filloi punë në minierën e Valiasit. Mbas 3 muajësh erdhi te i ati Hakiu. Ishte nxirë si dukej nga qymyri. Shkuam ne vërsnikëtt dhe e takuam. Vanë dhe plakat e lagjes për t pyetur.

E pyeti Nënëmadhja: – Pse s’na i solle nusen lart?

– S’e takova dot! – u përgjigj ai.

– Si? – e pyeti përsëri Nënëmadhja.

– Nuk është si këtu në fshat! Është punë me turne!-i tha Nastradini.Pastaj vazhdoi: – Unë vete në shtëpi, ajo ikën në punë! Ajo vjen në shtëpi, unë iki në punë! Kështu nuk takohemi me njëri-tjetrin!

– Po s’keni mall për njeri-tjetrin?! – ish Loloja ajo qe pyeti.

– Po kemi si s’kemi! Kemi shkëmbyer fotografitë me njëri-tjetrin!

– Kur na merr malli për njëri-tjetrin puthim fotografinë! – tha Nastradini.

– U t’u bëftë nëna ty! Kjo qenka jetë!- u hodh e foli Xhixhikua.

Nastradini iku në Tiranë. Atje mori vesh se e shoqja e kishte ndarë. Në Tiranë vazhdonte punë në minierë. Mbaroi dhe shkollën e mesme. Në vitet 1990-91 mori pjesë në protestat për rrëzimin e diktaturës komuniste. U bë kryetar i Sindikatave të Pavarura të Minierave. Në vitin 1992 kish mbaruar dhe shkollën e lartë për drejtësi. U bë dhe deputet i parlamentit të Shqipërisë deri në vitin 1996. Më mbas u zhduk pa lënë gjurmë. Zhdukja e tij krijoi shumë alibi jo vetëm në rrethin shoqëror dhe familjar por edhe në atë shtetëror. Pati zëra se ai në kohën e monizmit ka qënë spiun me nofkën “Nostradam”. Ca thoshin e kanë vrarë njerëzit e gruas. Dhe të thonë çfarë të duan atij i humbi “binaja”. Nuk u bë më i gjallë. Ne vërsnikëve na erdhi shumë keq për këtë humbje të madhe. Ditët kalonin. Asnjë lajm për Nastradinin. Emisioni televiziv “Njerëz të humbur” po bënte të pamundurën, por asgjë. Nastradini po harrohej.

Por bëmat e tij jo s’harrohen! Deri atë të diel të bardhë të 17 majit 2017 kur më bie zilja e telefonit.

– Alo!

– Po!

– Karafili je!

– Po!

– Karafil Izvoi!

– Po i tëri dhe i bëri! – i them.

– Jam Nastradini!

– Si? – nuk e di si e mbajta veten.

– Vërsniku! Vërsniku! – më thotë.

– Po si je? Si ia kalon? Po ku je?

– Mirë! Mirë! Jam në Gjermani!

– Po je i martuar apo jo? Ke fëmijë?

– Jo nuk jam martuar! Ç’më duhet lopa kur ka qumësht në pazar – më thotë (kuptohet që po qeshte).

– Dëgjo! Më dërgo numrat e telefonit të të gjithë vërsnikëve! Kam menduar të mblidhemi një ditë aty në Shqipëri! Do të vijë! Mos m’i vono! M’i nis me mesenxher! I nxora numrat e telefonave na telefoni im dhe ia nisa. Mbas pesë dite më vjen një mesazh në mesenxher: “Në datën 30 maj kemi një takim me të gjithë vërsnikët në lokalin “Palla e Ariut” në Tiranë. Ju presim me kuç e me maç. Më dërgo numërin sa veta do të vini në orën 9.00. Të puth me mall! Nastradini”. Eh! Sa u gëzova! 20 vjet pa u takuar! Gjë e rrallë! I nisa shpejt mesazhin: – Do të vijnë 6 veta. Takohemi atë ditë te “Palla e Ariut”. U tregova historinë gruas dhe fëmijëve. Gruaja u befasua dhe nis të qante. Pas pak bie zilja e telefonit.

– Dulla jam! Më ka ardhur një mesazh nga Nastradini!

– Po, po! – i thashë e vërtetë.

– Po mirë! – më tha.

– Si do të nisemi!

– Më që jemi kallaballëk do të marrim dy autobuza. Do flas edhe me vërsnikët e tjerë. Mblidhemi në qendër të fshatit dhe nisemi në orën 6, – i thashë.

E pyeta: – Po ti vetëm do të vish?

– Jo! Me gjithë kalamaq. Na ka ftuar me “kuç e me maç”.

E dija që Dulla kish 8 kalamaj. Me vërsnikërit e tjerë nuk ishte nevoja t’i merrja në telefon. Më morën vetë. Të njëjtën bisedë si Dulla bëmë. Faturuam dy autobza rreth 100 vetë. U mblodhën në qendër të fshatit. U nisëm. U nisën edhe vëllezërit dhe motrat e tij, prindërit i kishin vdekur. Pati dhe vërsnikë që u nisën me makinat e fëmijve të tyre.

Në orën 8.30 ishim te lokali “Palla e Ariut”. Na priti Nastradini. Ishte po si nuk kish ndryshuar. E kishte organizuar bukur. Edhe orkestrën e kish marrë nga fshati, Laverin me shokë. Në orën 10.00 filluam. U mblodhëm 120 vetë. Nastradini mori mikrofonin, hipi mbi një tavolinë dhe foli “Pronari i lokali”! Nuk dua njerëz të huaj në lokal! Bodigargët(rojet) të hapin sytë”! – Si urdhëron pasha! – tha i zoti lokali.

Dulla tha me vete “ky do të jetë milardieri më i madh në botë, mbase na zgjidh edhe këto të mavritosura hallet tona”.

Ndërsa Samiu, vërsniku që u zu në Pogradec, mërmërit: “Ka punuar me mend boti”.

Nastradini vazhdoi: – Më kish marr malli për ju! Kam 20-vjet pa u takuar! Kjo zemra ime e di ç’ka hequr e ç’ ka vuajtur për ju! Më vonë do të flasim për projekte më madhore për ju!Hani e pini! Bëni qejf! Gëzuar!(duke uruar me shishen e birrës). Kjo për të gjithë ju”!

– Orkestra gati! Nxori 1000 dollarë dhe dolli në valle. Pas tij u ngritën të gjithë në valle. Më thotë Kamberi (njëri nga vërsniku): – Paskemi “lindur me këmishë”, fshati ynë më duket se do t’i thotë fukarallëkut “ik pirdhu”! Do t’a bëjë fshatin lule! Si duket ka dijeni Qeveria, fshatin do ta  rregullojë Nastradini që nuk e futi fshatin tonë 100 projektet e fshatrave të Shqipërisë.

Daveti vazhdonte për bukuri. Humor, gallatë, qyfyre. U ngrit përsëri Nastradini në valle.Po këtë radhë me 2000 dollarë. Klarinetaxhiu e dogji fare. Pastaj u ngritën të gjithë në valle, kush nga 10000 e kush nga 20000 lekë orkestrës. Helbete na vinte turp nga i zoti i lokalit. Festës po i vinte fundi. Nastradini hipi mbi tavolinë, mori mikrofonin dha foli:

– Pronar!

– Lepe!-u përgjigjën pronari.

– Të falenderoj për shërbimin! U thuaj bodigardve mos të lënë njeri të dalë jashtë!

Qetësi absolute në lokal.

Nastradini vazhdoi: – Kamarier! Bën llogaritë!

– Gati i ke zotëri.

– Tani më dëgjoni me kujdes! Ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në këtë aheng! Do u kem borxh për gjithë jetën! Dëgjomë ti Laver (gërrnetaxhiut), je i paparë! Ata dollarët që të hodha në valle m’i dha vëllai yt. E takova në Gjermani dhe më tha: “Me që do të vesh në Shqipëri merr këto 3000 dollarë dhe jepja vëllait se helbete ka fëmijët për të ushqyer”. Edhe unë t’i dhashë këtu në mes burrave, sepse do të m’i zije hasha po t’i jepja vete! – përfundoj fjalimin Nastradini.

Gërrnetaxhiur gati për t’i rënë të fikët.

– Kamarier, llogarinë!

– Nga 50 dollarë secili! – tha kamarieri.

Foli përsëri Nastradini: – Të dashur vërsnikë, me kuç e me maç, që jeni këtu të pranishëm! Muhabetin kishim bashkë, qesja më vete! – Kamarier urdho! – dhe i jep atij 50 dollarë.

-Mblidhu lekët sipas tavolinave!

– Roje! Njofto taksinë se do të iki në Rinas! Në orën 16 më ikën avioni për në Gjermani! Mbeçi me shëndet! U hodh nga tavolina dhe iku.

Vërsnikët po kruanin xhepat për të paguar lekët e tavolinës. Në fund Dulla më tha: “Ia pamë hajrin Nastradinit”!…

Please follow and like us: