Prof. Ymer Çiraku: Mbi librin “Në gjunjë para mirësisë” të Shpëtim Alizot Emirit
Kohëve të fundit është botuar përmbledhja e re me tregime “Në gjunjë para mirësisë”, e autorit Shpëtim A. Emiri. Libri shoqërohet me një pasthënie të shkrimtarit të njohur të humorit Pëllumb Kulla, i cili, nuk heziton ta vlerësojë atë si një prurje të re “në sofrën e shkrimtarisë”. Kujtojmë se është libri i dhjetë i këtij autori. Edhe këtu, ndihet kudo figura e “inxhinierit”, ku është identifikuar njëherazi autori dhe personazhi qendror në çdonjerin prej tregimeve.
Diku ai është rrëfyesi, që prezanton situatat e të tjerëve dhe diku tjetër, bëhet zëdhënësi i drejtpërdrejtë i përjetimeve të veta shpirtërore në raporte të caktuara me njerëz dhe ngjarje.
Autori e ka shënuar qysh në hyrje se këtu, kemi të bëjmë me tregime për njerëz dhe ngjarje të jetuara. Pra, është ajo letërsi e njohur dokumentare e letrarizuar, që krijohet mbi ngjarje reale të jetuara, ku trilli letrar, derdhet mbi to si një “parfum” i lehtë për ta larguar “smogun” e të tepërtave të panevojshme jetësore . Kësisoj, ndihet që të avitet ajo magjia e epërme letrare, që e transferon personalen – në një trajektore të adresuar e të mirëpritur drejt të tjerëve.
Nuk është e rastësishme që qysh në titull, ndihet në trajtë apoteozike vlerësimi e nderimi i lartë i MIRËSISË, në shfaqjet më substanciale të këtij virtyti njerëzor, qoftë në planin individual apo qoftë kolektiv. Sigurisht, që nuk ka moralizime deklarative për ta kërkuar e gjetur këtë vlerë njerëzore. Ajo përftohet aq bindshëm e mrekullisht edhe diku në anë të një xhadeje, ku një fëmije jetim i bëhen krah shokët më të rritur. Ata tërhiqen para blerësve udhëtarë të rastit, që edhe ai të ketë mundësi të shesë disa tufa çaji. Në tregime ka jo pak situata të tilla, që janë vërtet prekëse për nga përcjellja e situatave të shfaqjes së mirësisë.
Nëpër tregime, ndeshen skena të larmishme nga jeta me gëzimet dhe dramat, me lartësitë dhe greminat karakteriale të njeriut. Autori nuk preferon të bëjë “gjyqe” klasore apo partiake dhe kjo, sepse ai nuk ka zgjedhur ta marrë për dore lexuesin për ta drejtuar nëpër rrjedhat e historisë së shoqërisë sonë. Ai si të thuash, komunikon jashtë autoritetit imponues autorial, duke qënë në besë të gjykimit të vet lexuesit.
Mund të them se autori tashmë ka arritur mjeshtërinë në realizimin e tregimit të shkurtër. Humori, autoironia, por edhe gjendjet dramatike, janë të pranishme dhe të derdhura në një ekulibër të kontrolluar artistikisht, por jo artificial. Veçse jetësor dhe mbresëlënës estetikisht