Albspirit

Media/News/Publishing

Kanti – Sapere aude! Ki guxim të dish, guxo ta përdorësh arsyen!


(senad guraziu – ars poetica, sht. 2024 – koment, aq e pëlqyeshme, konvencionale t’jesh injorant, i papjekur : )

“Sapere aude” është frazë e latinishtes që do t’thotë “Guxo të dish”; përkthehet lirshëm dhe “Ki guxim ta përdorësh arsyen”, “Guxo t’i njohësh gjërat përmes arsyes sate” etj. Në kohën tonë moderne fraza përdoret gjithandej si moto, veçanërisht nga institucionet arsimore, nga universitetet. E pashë këtë foton universitare (ngjitur – fizikantja-filozofja australiane Karen Crowther duke leksionuar në Universitetin e Oslos, Arne Næss Auditorium – foto e kohëve të fundit, përdorur nga revista Quanta), dhe m’u ngjall buzëqeshja, më shkrepi të komentoj… pasi në “screen” qartë para studentëve shihet “Sapere aude” e Kantit, shihet “armiku i mendimit”, përtacia për ta përdorur kokën, për t’menduar me arsyen origjinale etj : )

“Sapere aude” qe përdorur para 2000 e kusur viteve nga poeti romak Horaci, e edhe nga ndokush tjetër më pastaj, sidoqoftë gjatë shek. XVII-XVIII qe lidhur me Epokën e Iluminizmit, pasi filozofi Immanuel Kant do ta përdorte në esenë e vet “Përgjigjia në pyetjen: Ç’është Iluminizmi? (1784 / shih fletën origjinale të esesë, ngjitur). Kanti pati “propozuar” që fraza Sapere aude të përdorej si moto për gjithë periudhën e Iluminizmit. Ai do e përdorte si “bosht” të teorizimit rreth zbatimit të arsyes në sferën publike të çështjeve njerëzore.

Sipas Kantit “iluminizmi është dalja e njeriut nga papjekuria e shkaktuar nga vetja (dmth. secili në kokën e vet, nga vetvetja : ) Papjekuria është paaftësia e dikujt për ta përdorur të kuptuarit e vet pa udhëzimin ose pa guidën e ndokujt tjetër (dmth. pa guidën e ndonjë tutori, mund t’jetë psh. profesori, ndonjë i-e dashur tepër afër zemrës, ndonjë bukuroshe e marramendjes, ndonjë politikan favorit, ndonjë prift a imam simpatik etj : )

Pra kjo papjekuri e dikujt është e shkaktuar nga vetja, nëse shkaku i papjekurisë nuk qëndron në mungesën e të kuptuarit, por në zgjedhjen dhe në (mos)guximin për ta përdorur të kuptuarit pa udhëzimin, pa tutelën e ndokujt tjetër. Sapere aude! (e përdor këtu Kanti thënien e Horacit) Guxo ta përdorësh të kuptuarit tënd! kjo do ishte motoja e iluminizmit.

Përtacia dhe frika (dmth. jo frikë ndryshe por zemërlepurush-izmi i mendjes : ) janë arsyet pse një pjesë kaq e madhe e njerëzve, shumë kohë pasi natyra veç i ka çliruar nga “tutela e natyrshme” e së jashtmes (naturaliter majorennes), megjithatë parapëlqejnë të ngelin të papjekur gjatë gjithë jetës së tyre; dhe po ashtu vallë pse kaq e lehtë për të tjerët ta vendosin veten si kujdestarë të tyre (e çuditshme, sipas Kantit, sepse e vërtet, gjatë jetës lloj-lloj gardianësh të moralit, të etikave, të qasjeve, të filozofizmit… na ngjiten, thuase kurrë nuk shqiten : ) Është aq e përshtatshme (e pëlqyeshme, konvencionale) t’jesh i papjekur.

Por ndoshta dhe fare e natyrshme, sipas Kantit. Sepse “nëse kam një libër që ma servir të kuptuarit për mua, nëse kam një prift a pastor që e “ruan” ndërgjegjen të larë për mua, nëse kam një mjek që ma vlerëson a përcakton dietën time etj., atëherë afërmendsh s’është nevoja vetë asnjë përpjekje, pse duhet lodhur kot nëse ashtu-kështu i ke të gjitha të gatshme, nga e jashtmja e kokës sate : )

Please follow and like us: