Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Kur ambasadorët e diplomatët i kapin penat e “historisë”!

…pasi e lexova një artikull nga Prof. Ksenofon Krisafi – “U bëmë apo na bënë?” (publikuar në gazetën Dita, unë iu qasa në Albspirit), po jua nis këtë si “shtojcë-materie”, si materie përplotësuese rreth tematikës së shkrimit të Prof. Krisafit do ishte mirë t’i materies dhe kjo pjesëza nga libri i amerikanit Jacob Schurman, “Luftërat Ballkanike: 1912-1913″… meqë nga Profesori në shkrimin e vet janë përmendur qëndrimet e shumë kokave atëbotë të qarqeve evropiane (qëndrimet e tyre rreth shtetit shqiptar), do ishte mirë t’mos harrohet as qëndrimi i personaliteve amerikane atëbotë rreth shtetformimit shqiptar, pasi Jacob Schurman ishte prezent atëbotë në skenën ballkanike, Ambasador i ShBA në Greqi pikërisht gjatë periudhës së Pavarësisë shqiptare, ishte akademik dhe diplomat amerikan, pati shërbyer si President i Universitetit Cornell për pothuaj 3 dekada, plot 28 vite (1892-1920), përveç punëve “universitare” ishte i angazhuar dhe si diplomat, psh. pati shërbyer si Ambasador i ShBA në Greqi (1912-13), në Mal të Zi (1913), në Kinë (1921-25) dhe Ambasador i ShBA në Gjermani (1925-29) – në fund po e ngjes dhe shkrimin e Prof. Krisafit…
(s. guraziu)

– – –

Kur ambasadorët e diplomatët i kapin penat e “historisë”!
(Senad Guraziu – Ars Poetica, Dhjetor 2022 – dy-tri fjalë, diç si koment-parathënie)

Duke u marrë me materiale të ndryshme referenciale (lidhur me një shkrim në punë e sipër, rreth “protektoratit francez të Krahinës Autonome të Korçës, 1916-1920”), më ka rënë t’i shfletoj mjaft gjërash, ndër to dhe librin “Luftërat Ballkanike: 1912–1913”, 1916 – nga Jacob Schurman (1854-1942), pedagog dhe diplomat amerikan, pati shërbyer si President i Universitetit Cornell për pothuaj 3 dekada, plot 28 vite (1892-1920), përveç punëve “universitare” ishte i angazhuar dhe si diplomat, psh. pati shërbyer si Ambasador i ShBA në Greqi (1912-13), në Mal të Zi (1913), në Kinë (1921-25) dhe Ambasador i ShBA në Gjermani (1925-29).

Them se disa pena, disa komentues të “historisë”, disa autorë qoftë ndër artikuj qoftë nëpër librat e tyre, vërtet janë për keqardhje. Më shkoi mendja t’i shkëpus ca fragmente nga libri i autorit Jacob Schurman “Luftërat Ballkanike: 1912–1913” dhe t’i ndajë me ju. Sepse ashtu më lehtë, s’do ketë nevojë as për komente as për argumente. Sepse vërtet “arbitraritet” qesharak dhe i ulët autorial, aq sa madje për keqardhje.

Derisa serbët, malazezët, bullgarët, grekët, si aleatë të “krishterë” kundër Turqisë, autori Schurman i ngre në qiell me atributet pozitive dhe të simpatisë, për shqiptarët (e sidomos nëse “muhamedanë” të prapangelur, të shtypur e të shkelur) ai e shpalosë “antipatinë” më të pandershme, komenton për historinë aq padenjësisht!

I lavdëron serbët për pushtimin heroik të tokave shqiptare deri në Adriatik, i lavdëron grekët për pushtimin e Shqipërisë në “jug”, i shan diplomatikat austro-hungareze dhe ato italiane, sipas tij malazezët do duhej ta mbanin dhe Shkodrën për vete, kompenzimi me Kosovën dhe me trojet tjera etnike ishte “pak” po aq sa dhe “turpërim” për lavdinë, për heroizmin e Serbisë…

Nuk i harron viktimat e ushtrive sllavo-aleate, gjakderdhjen e ushtrive, kostot e luftës ballkanike, padrejtësitë e Fuqive të Mëdha me ndryshime papritur të “kursit” të politikave… por psh. madje as “shkitazi” s’i përmend masakrat e ushtrisë serbe ndaj popullatës shqiptare. Përkundrazi, derisa duke fituar betejën kundër Turqisë, Serbia e “merr hakun” e betejë-Kosovës së dikurshme, sipas autorit Schurman, disfatën e para 500 viteve Serbia tashmë e kthen në Lavdi të përjetshme, ja pse zhbërja “kombëtare” e shqiptarëve duhej të kishte ndodhur, sepse ata s’dinë as si krijohet shtetësia, as si organizohet kombi, as si qeveriset shteti, Serbia thjesht e meritonte tokën e tyre me gjithë Adriatikun.

Ajme, ç’të thuhet, “histori” se jo shaka, President Universiteti për 3 dekada të tëra, diplomat, “shkëlqesi ambasador-iale”, penë e denjë autoriale, komenton për “historinë” ballkanike, jo nga larg por duke qenë dhe vetë “prezent”, duke parë me sytë e vet si diplomat sa në Greqi, në Shkup, në Mal të Zi, boton pastaj libra në kohën kur sytë e kombit shqiptar ende “pa dritën” e mirëfilltë, pllakosur nga errësira dhe mjerimi disashekullor, shkelur e shtypur nga zezona e perandorisë aziatike…

(më poshtë fragmente nga: “Luftërat Ballkanike: 1912–1913” )
|…|
Shqiptarët, ndonëse më tepër i kundërshtuan sesa i ndihmuan aleatët [ serbët, bullgarët, malazezët dhe grekët – shën im ] në luftën kundër Turqisë, u bënë një komb i pavarur nga Fuqitë e Mëdha me nxitjen e Austro-Hungarisë dhe me mbështetjen e Italisë. Përcaktimi i kufijve të shtetit të ri ishte rezultat i forcave konfliktuale të politiko-koncertit evropian. Derisa Shkodra në veri, me këmbënguljen e Austro-Hungarisë iu dha Shqipërisë, ndikimi rus ishte mjaft i fortë të siguronte për Serbinë dhe aleatët qendrat shqiptare të Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, si dhe të Dibrës në lindje.

Ky ishte një lloj kompensimi për Serbinë rreth humbjes të daljes në Adriatik, në kohën kur lufta mes aleatëve ishte e destinuar aq shumë t’i zgjeronte territoret e Serbisë (kjo humbje, e Adriatikut – shën. im) nuk ishte parashikuar. Por derisa në këtë mënyrë shqiptarët përjashtoheshin nga territoret e shtetit të ri në veri dhe lindje, ata u kompensuan me diç që nuk përputhej në jug, me shtrirjen e pajustifikueshme në Epirin e Veriut, popullsia e të cilit territor është kryesisht greke.

Pozita e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë së Re u imponua prej Fuqive të Mëdha, imponim i arritur me qëndrimin e Italisë. Gjatë luftës së parë grekët e kishin pushtuar Verio-Epirin, ose Shqipërinë e Jugut deri në veri, si një vijë e tërhequr pakëz mbi Himarën në bregdet, dhe tutje në lindje drejt liqenit të Prespës, në mënyrë që Tepelena dhe Korça të përfshiheshin në zonën greke. Por Italia kundërshtoi, me pretekstin se pushtimi grek i territorit në dy anët e ngushticës së Korfuzit do ta kërcënonte kontrollin e Adriatikut. Italia këmbënguli që kufiri greko-shqiptar duhej të fillonte nga një pikë në bregun përballë pjesës jugore të ishullit të Korfuzit. Në përputhje me rrethanat, Greqia u detyrua ta evakuonte pjesën më të madhe të territorit që e kishte pushtuar mbi Janinë. Dhe Shqipëria më pastaj u përpoq të ushtronte juridiksionin mbi këtë territor.

Mirëpo “shtetësia” e Shqipërisë është e vështirë. Sepse, edhe pse Fuqitë e Mëdha ua kanë “instaluar” një sundimtar – Princin gjerman Wied – shqiptarët s’kanë shtet të organizuar. Shqiptarët janë njëra ndër racat më të vjetra në Evropë, në mos më e vjetra. Por ata kurrë s’kanë krijuar ndonjë shtet. Dhe sot e kësaj dite janë pa shpresë të ndarë e të përçarë. Është një vend i kundërshtisë universale – veriu kundër jugut, fisi kundër fisit, beu kundër beut. Shumica e popullsisë janë muhamedanë, por ka dhe mjaft romano-katolikë në veri, dhe në jug mbizotëron Kisha Ortodokse Greke. Banorët e veriut, të cilët quhen gegë, janë të ndarë në fise të shumta, preokupimi kryesor i të cilëve është lufta me njëri-tjetrin nën një sistem gjakmarrjesh të vazhdueshme dhe hakmarrjesh të pashuara.

Në jug nuk ka fise por populli, i njohur si toskë, jeton nën magnatët territorialë të quajtur bej, të cilët praktikisht janë sundimtarë absolut të rretheve të tyre. Vendi në tërësi është një farë-përzierje e çuditshme e mbijetesave në kushte primitive. Dhe s’është vetëm vend pa art e letërsi, por s’ka as prodhimtari, tregti apo dhe as bujqësi. Nuk është çudi që grekët e Epirit të ndihen të indinjuar nga fati që Fuqitë Evropiane ua kanë imponuar – shkëputjen nga djepi i tyre i qytetëruar dhe i krishterë dhe t’u nënshtrohen ndikimit të muhamedanëve barbarë që e pushtojnë Shqipërinë. As s’është për t’u habitur që, meqë ushtritë helene e kanë evakuuar Epirin e Veriut në përputhje me dekretin e Fuqive të Mëdha, banorët e rrethit nga Santi Quaranta e deri në Korçë po e shpallin pavarësinë e tyre dhe po i luftojnë shqiptarët që përpiqen t’i fusin në zgjedhë.

E ardhmja e Shqipërisë është përplot pasiguri. Megjithatë, shteti nuk krijua për shqiptarët, të cilët, përveç tjerash, s’janë në gjendje ta administrojnë apo ta mbajnë atë. Shteti u krijua për interesa të Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Këto fuqi, ka të ngjarë dhe ta formësojnë të ardhmen e Shqipërisë.
|…|

( lavdia dhe “hakmarrja” shekullore serbe )
|…| Ushtritë serbe përparuan përmes Serbisë së vjetër në Maqedoninë veriore dhe qendrore. Me fitoren e tyre të madhe ndaj forcave turke në Kumanovë ata u hakmorën për disfatën e të parëve dikur në Kosovë, pesëqind vjet më parë |…| Territoret e pushtuara nga Serbia 55.000 milje katrore. Serbia u jep aleatëve të saj në lindje dhe jug 3800 milje katrorë. Serbia i jep Shqipërisë 15.200 milje katrorë. Serbisë i mbeten 36.000 milje katrore tokash të zaptuara |…| Padyshim “zhgënjimi” më i madh ishte shpërbërja e planeve të aleatëve (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, Malit të Zi – shën. im) me krijimin e një Shqipërie të pavarur (nga Fuqitë evropiane). Kjo mbretëri e re (Shqipëria) u krijua nga “zëri” politiko-koncertal evropian me kërkesën e Austro-Hungarisë, mbështetur nga Italia |…| Doli politika austro-italiane e Shqipërisë së pavarur. Sa e natyrshme dhe thelbësore, siç ishte kjo politikë për Italinë dhe Austro-Hungarinë, ishte fatale për ëndrrën e Serbisë të zgjerimit në Adriatik |…| E detyruar nga Fuqitë e Mëdha t’i tërheq trupat e saj nga Shqipëria, pasi e kishin fituar triumfalisht rrugën e Adriatikut |…| Koncerti politik Europian ia zhbëri Serbisë çmimin e pritur të Shqipërisë me bregdetin e saj shumë të dëshiruar të Adriatikut |…|

( guximi, shkëlqimi dhe burrëria malazeze )
|…| Ushtarët trima të mbretit Nikolla, sundimtarit të shquar të shtetit të vetëm ballkanik (Malit të Zi), të cilin turqit s’e pushtuan kurrë, po i jepnin goditje vdekjeprurëse armikut si në Novi Pazar ashtu dhe në Shqipëri |…| I pashë nga hoteli im në Shkup 15.000 ushtarë malazezë, të cilët kishin mbërritur vetëm një ose dy ditë më parë me tren nga Mitrovica, ku kishin marshuar nëpërmjet Novi Pazarit. Të gjatë, të zhdërvjellët, të guximshëm, me fytyra që tregonin jetë të pastër, dukeshin si trupa të shkëlqyer njerëzish që s’i gjenë kund në botë, figurat e tyre komanduese dhe qëndrimi burrëror ishin vënë në avantazh të madh nga uniformat e mrekullueshme dhe piktoreske |. ..| Mali i Zi gjithashtu e mori shpërblimin e vet me shtrirjen e territorit në jug deri në kufirin e Shqipërisë (siç e caktuan Fuqitë e Mëdha), dhe me një shtrirje akoma më të lirshme në lindje nga Sanxhaku e Novi Pazari. Kjo mbretëri patriarkale ndoshta do të mbetet e pandryshuar për aq kohë sa t’jetojë Mbreti aktual, Mbreti shumë i dashur Nikolla, një Atë vërtetë Homerik i Popullit të vet |…|

( kostot njerëzore dhe materiale te aleatëve )
|…|Luftërat ballkanike kanë qenë të përgjakshme dhe të kushtueshme. Ne kurrë s’do dimë për mijëra burra, gra dhe fëmijë që vdiqën nga mungesa e ushqimit, nga sëmundjet dhe masakrat. Por humbjet ushtarake, të vdekurit dhe të plagosurit ishin 11.200 për Malin e Zi, 68.000 për Greqinë, 71.000 për Serbinë, 156.000 për Bullgarinë, dhe për Turqinë po aq sa për Bullgarinë (dmth. rreth 160.000). Humbjet në “thesarin e kostove” ishin po aq kolosale sa ato të gjakut…

Më poshtë shkrimi nga Prof. Krisafi

Please follow and like us: